Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Dy tregimet e mëdha të Kosovës - Ibrahim Rugova dhe UÇK-ja
E premte, 19.09.2025, 06:59 PM
Dy tregimet e mëdha të Kosovës: Ibrahim Rugova dhe UÇK-ja
Nga
Ndue Ukaj
Drama
e kombit shqiptar, me tragjizmin e vet dhe pasoja të rënda, nis në shekullin
XV, më saktësisht, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, në dimrin e zymtë të vitit
1468, dhe si e tillë, me përmasa tragjike, dhunë, terror, robëri, vazhdoi deri
në qershor të vitit 1999, kur, në Kosovë, në mënyrë madhështore u prit ushtria
e lirisë së NATO-s, që hapi shtigje për krejt shqiptarët në rajon, dhe një
kapitull të ri pozitiv, plot ngjarje, të një jetese në kushte lire, si kurrë më
parë.
Por,
janë plot shekuj ndërmjet, në të cilët, ne kemi jetuar të privuar nga të mirat
më sublime të kontinentit, kemi jetuar keq, përkundër një muri, matanë të
cilit, bota zhvillohej hovshëm e bukur, ndërtoheshin monumente të mrekullueshme
të dijes, të artit e të kulturës, shkruheshin libra dhe bëhej art i madh.
Pra,
ishte fati ynë tragjik, që, në kohën më të ndritshme të kontinentit, ne të mos
ushqeheshim me të mirat e tij, të mos ishim pjesëmarrës në ngjarjet e tij e të
mos përfitonim nga të mirat kulturore të tij. Sepse, jetonim përkundër Europës,
ose më saktë, duke u përpjekë të mbijetonim, dhe kjo përpjekje për mbijetesë,
ka krijuar zbrazëti të madhe në historinë tonë, si dhe në personalitetin e
kombit shqiptar. Ishte fat i keq i yni, që deri në fundshekullin e kaluar,
shqiptarëve nuk kishte si t’iu shkonte mendja për standarde dhe vlera sublime.
Sepse, ishin buzë humnere, të ndarë, me mure ndërmjet, dhe në aso gjendje,
shpëtimi është kryefjala.
Në
historinë tonë kombëtare, ka shumë zbrazëti, sa të duket sikur i dëgjon
pandërprerë kambanat e tragjedisë, kumtit, humbjeve, vajeve, tkurrjeve.
Në
këtë drejtim, një prej ngjarjeve më pozitive e m të mëdha europiane për
shqiptarët, ishte shfaqja në skenën politike e Ibrahim Rugovës, shkrimtarit
politikan, pa të cilën nuk kishte si të ndodhte lufta e Ushtrisë Çlirimtari të
Kosovës, në formatin çfarë ishte, që shqiptarët, si komb, i vendosi në hartën e
Europës, duke hapë kështu një kapitull të ri për rajonin, por edhe për vetë
kontinentin. Dhe, në pranverën e vitit 1999, si komb, përjetuam tranzicionin
esencial historik. Perëndimi, në krye me Amerikën, bombardoi Serbinë dhe
shqiptarët i bëri pjesëmarrës dhe protagonistë, në ngjarjet që do të ndodhnin
më vonë në rajon.
Prandaj,
tregimin e viteve të 90-ta, të krijuar e të përfaqësuar aq bukur nga Rugova dhe
atë të UÇK-së, duhet t’i ruajmë, jo si tregime elektorale e as punë tallavje
patriotike, për të rrëzuar dikë apo për të lartësuar dikë tjetër, por si një
kthesë e madhe në historinë shqiptare. Sepse, këto dy tregime, ishin përmbushja
e një ecejake të gjatë të kombit shqiptar për t’u integruar dhe për të ankoruar
si komb i lirë, në mesin e kombeve të Europës.
Dihet
qartësisht se deri në dekadën e fundit të shekullit XX, pra në fillimvitet e
90-ta, shqiptarët, të kudondodhur, jetonin përkundër Europës, me një mall të
madh e të vuajtur, si ai djali plëngprishës, që të ktheheshin në gjirin e saj.
E, kjo ndodhi, në fillim dekadën e fundit të shekullit të kaluar, kur në jetën
e tyre u rikthye Europa, për çka, meritat kryesore, i mbajnë dy njerëz të mëdhenj:
Ibrahim Rugova dhe Ismail Kadare.
...
“Ju
nuk mund ta kuptoni dot se ç'do të thotë qytet i lirë, sepse ju rriteni në
robëri", shkruante Ismail Kadare në romanin e njohur “Kronikë në gur.”
Këtë roman e kisha lexuar në moshë të re dhe në kushte robërie. E kisha ndie
ankthin e luftës dhe krahas magjepsjes që më shkaktonte asokohe romani, gjuha e
pasur, aventura letrare, kjo frazë ishte ngulitur thellë në mua. Sepse, unë i
përkisja një breznie që nuk e kuptonte ç'do të thotë vend i lirë, ngaqë
rritesha nën robëri.
Pra,
ishte fati im dhe i breznisë sime, të
rriteshim nën robëri, në një kohë të zymtë, kur, emri frikë ishte kudo, në
ajër, në udhët e mbushura me policë të egër serbë, që poshtëronin njerëzit e
pafajshëm dhe përhapnin dhunë, në pamundësinë që të shkolloheshim si duhet, se
objektet tona shkollore, i kishte kidnapuar Serbia. Ishte një dekadë izolimi,
kur jetët vyshkeshin ende pa çelë mirë, dhe një brezni e tërë, jetonte e
këputur nga të mirat e qytetërimit, pa
liri.
Ishte
një dekadë e tmerrshme, në të cilën, në secilin zbardhje të ditës së re, e
ndieje sesi i zgjeronte kufijtë frika, e cila, të shtrëngonte ankthshëm, si
pranga të egra që i mbante dikush mbi duart e tua.
Në
anën tjetër, kanoste varfëria, fytyra e së cilës është e shëmtuar, e frikshme,
barbare. Ne e shihnim kudo të keqen, e cila, kishte vizatuar fytyrën e vet. Dhe
si brez, nuk kishim asgjë në dorë, pos fjalëve, besimit dhe shpresës. Me
prindër të papunë, me një gjendje gati paralize sociale, ne prisnim, si prej
një forcë sipërore, të shfaqej një dorë mëshirëplote dhe të na nxirrte nga
robëria drejt lirisë.
Në
ato rrathë ferri, përditë e ëndërroja një Virgjil, të dilte si prej një nate të
gjatë dhe të na thoshte: “çohuni, ja udha drejt tokës së lirisë, parajsës.”
Dhe
ajo dorë prisnim të vinte prej perëndimi, siç ndodhi më vonë.
Unë,
asokohe, isha prej atyre që i besoja prijësit Ibrahim Rugova, besimi ndaj të
cilit nuk më është lëkundë kurrë, as sot. Për faktin se ai ishte i vërtetë dhe
reflektim sublim i një Europe që kishte munguar shekuj të gjatë ndër ne.
Fjalët
e tij, të thëna me kujdes, herë ngjanin si kambana shprese e herë në gurë
këndi, të menduar e të gdhendur mirë, që do të vendoseshin në ngrehinën e re
politike që aspironim ta ndërtonim.
Atëherë,
kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës u shfaq në skenë, në vitin 1997, isha student
i letërsisë dhe isha i dashuruar në botën e pasur të letërsisë. Në fakt, ikja
në botën e letërsisë, ishte njëlloj shpëtimi dhe arratisje prej realitetit të
varfër, në të cilin bënim jetë të gjorë. Unë besoja te fjalët që kishte thënë
prijësi ynë politik, Ibrahim Rugova, se ata i kishin armët, ne i kishim fjalët.
Po,
fjalët ishin forca jonë dhe besimi ynë.
Dhe
si një djalë i përkushtuar pas letërsisë, me mundësi minimale, me frikën që e
thithnim si ajrin, unë nuk iu ndave kësaj bote, as atëherë kur u dëgjuan
shushurimat se lufta po afrohej, as kur lufta vërtet erdhi, e nuk u bëra kurrë
përkrahës i asaj çfarë përfaqësonte trashëgimia e UÇK-së në jetën politike të
Kosovës së lirë. Por, tregimi për UÇK-në, më ka magjepsur, sidomos, guximi për
ta goditë të keqen, pastaj, ato tregimet e prajshme, që i dëgjoja nga njerëz
guximtarë që kishin kapë armët, të tillë që kishin qenë në struktura, kur
flisnin për mundësitë e tyre të varfra për të luftuar dhe idealet qiellore për
liri.
Kjo
është madhështore!
Për
mua dhe brezninë time, UÇK-ja u shfaq pikërisht në një kohë kur ne jetonim në
njëlloj ferri, dhe atëherë, kur nisi lufta, isha i bindur se ishim në aktin e
fundit të tragjedisë, pas së cilës, kush do të mbijetonte, do të shijonte
frytet e lirisë.
Fatkeqësisht,
shumë njerëz nuk mbijetuan, shumë u vranë, plot u zhdukën dhe shkatërrimet
ishin të mëdha. Por, ne, shumë shpejt i shijuam frytet magjepse të lirisë. Si rrjedhojë, edhe shqiptarët, tani gati e
tri dekada, kudo janë, jetojnë më mirë se kurdo herë në historinë e tyre
qindravjeçare.
Dhe
kjo falë prezencës së perëndimit në jetën e tyre.
Dhe
në zinxhirin e këtyre ngjarjeve, tregimi politik që krijoi Rugova, e të cilin e
admiroi perëndimi, dhe ai për UÇK-në, kanë domethënie reale, prandaj, këto dy
tregime, duhet t’i ruajmë në frymën e tyre natyrale, të mos e përlyejmë, për
inate e interesa tribale elektorale, të majta e të djathta, këto dy tregime
duhet t’i ruajmë e t’i përcjellim te breznitë e reja si vlera të përbashkëta
ushqyese, dhe dëshmi të forcës që kishin njerëzit e vendit tonë, për të
rezistuar dhe për ta goditë robërinë e të keqen. Dhe duke kujtuar këto dy
tregime, ne mësojmë kush ishim dje, por më e rëndësishmja, mund ta kuptojmë
saktësisht se çfarë vlere sublime përfaqësonte perëndimi për ne, pa të cilin,
jetohet keq dhe theqafja është pashmangshme.