Kulturë
Miradije Gashi: Mësuesit që lanë gjurmë në jetën time
E marte, 26.08.2025, 06:57 PM
Mësuesit që lanë gjurmë në jetën time
Nga
Miradije Gashi
Që
në hapat e parë të shkollimit, kam mësuar të respektoj çdo mësues e profesor,
pa dallim. Por disa prej tyre kanë mbetur të gdhendur thellë në kujtesën time.
Në
shkollën e vendlindjes, kujtimet më të forta më lidhen me mësuesit Latif Gashi,
baba i arsimit për Drenasin, dhe Fadil Shala, muzikant i talentuar. Ata nuk
ishin vetëm transmetues të njohurive, por edhe shembuj të gjallë të edukatës
dhe humanizmit.
Në
shkollën e mesme, dy figura u dalluan në mënyrë të veçantë. Xhevat Krasniqi
(Xhuda), historian, biri i atdhetarit të njohur Metush Krasniqit, më mësoi të
shoh të kaluarën jo si ngarkesë datash e faktesh, por si një udhërrëfyes për të
kuptuar të tashmen. Profesoresha e kimisë, Makfire Sylejmani, më la mbresa të
veçanta me qasjen e saj të përpiktë shkencore.
Në
Shkollën e Lartë Pedagogjike, takova figura që formësuan jo vetëm dituritë, por
edhe vizionin tim për arsimin. Jusuf Shushka, metodist, Idriz Rexha, sociolog,
dhe Rexhep Hoxha, shkrimtar dhe profesor i letërsisë, nuk ishin vetëm pedagogë,
por frymëzues të vërtetë. Përmes tyre kuptova se të jesh mësues është një
mision i madh.
Në
Fakultetin Filozofik, ndikimi i disa profesorëve ishte i jashtëzakonshëm.
Aferdita Deva-Zuna, pedagoge, u dallua për kulturën e gjerë të komunikimit
modest. Ndërsa pedagogu i madh Demë Hoti ishte një shembull i rrallë i
profesionalizmit dhe i urtësisë akademike. Nga ai mësova se dija nuk është
thjesht pushtet, por edhe përgjegjësi morale.
Shpreh
mirënjohje të thellë për këta mësues e profesorë, të cilët mbeten gurë themeli në
ndërtesën e personalitetit tim.