Kulturë
Kristinë Oroshi: 'Zanat e Lirisë' - libër poetik që tregon ndjenjat shpirtërore të atdhetarëve Antikomunistë
E diele, 24.08.2025, 06:57 PM
"Zanat e Lirisë" libër poetik që tregon ndjenjat shpirtërore të atdhetarëve Antikomunistë
(Libri
"ZANAT E LIRISË KËNGË KRESHNIKE ANTIKOMUNISTE" BOTUAR NË L'ALBANIE
LIBRE 1947-1968 të autorës Bianca Maria Gjomarkaj)
Nga
Msc. Kristinë Oroshi
Libri "ZANAT E LIRISË KËNGË KRESHNIKE ANTIKOMUNISTE" BOTUAR NË L'ALBANIE LIBRE 1947-1968 nga shumë autorë, të mbledhura dhe të përgaditura në njëlibër nga autorja Bianca Maria Gjomarkaj është një libër i rrallë që tregon shpirtinantikomunistë të shumë intelektualëve atdhetarë të cilët asnjëherë nuk heshtën që më të gjitha mënyrat ta kundërshtojnë dhe ta luftojnë komunizmin.Ky libër paraqët shkrimet e personaliteteve të ndryshme të cilët botuan shkrimet e tyre në revistën "Lalbanie Libre" gjatë periudhës kohore 1947-1968. Shumica e këtyre shkrimeve janë shkruar si shfaqje em mllefit dhe paknaqësisë intelektuale me regjimin komunistë diktatorial dhe gjenocidial në Shqipëri. E themi gjenocidial për faktin se përveç vrasjeve dhe masakrimeve ky regjim kreu edhe gjenocid të paparë ndaj grave dhe fëmijëve shqiptarë. Poetët, shkrimtarët, veprimtarët, luftëtarët dhe atdhetarët nuk heshtën asnjëherë duke e ngritur zërin e pakënaqësisë. Ata iu kushtuan poema, këngë dhe shkrime të ndryshme luftëtarëve antikomunistë që e udhëheqëshin luftën në Shqipëri për shkak të burgosjes se familjeve që i kishin lanë në Shqipëri e maltretimit dhe vrasjes që ju bënin . Disa ishin të shtrenguar që të shkruanin edhe me pesudonim. Në këtë libër përveç poemave dhe këngëve antikomuniste paraqitën edhe poezi, e poema të tjera. Na paraqitët edhe jeta e vështirë e intelektualëve në mërgim.Po ashtu kemi edhe poezi dhe poema të botuara të jetës se arbresheve që për gjashtë shekuj ishin dhe mbetën shqiptarë të kulluar. Në këtë libër me poemat, këngët dhe poezitë e tyre paraqiteshin poetët me emër dhe mbiemër por ka edhe me pseudonime ku po i japim emrat e tyre ashtu si ç i kanë botuar punimet e tyre poetike. Në këtë revistë kulturore e atdhetare punimet e tyre poetike i botuan: Antonio Licursi (Anton Likursi), Agroni, At Bernardin Palaj, Dom Nikollë Kimeza, Foto Vasili, Grama, Gjon Bala, Gjon Meli, Pishkop., G.M., Hilush Vilza, Kacagjeli, Kolë Çuni, Kolë Bibë Mirakaj (me pseduonimin Sokoli), Lambi,Lekë Marashi, Mitrush Kuteli (Dhimitér Pasko), Nino Chetta, Pjetër Kadeli, Prof. Ernest Koliqi, Prof. Lekë Çuni, S.G., Sh. E., T.S. dhe Xhuan Hrisostom Buljari. Ndër poezitë e dhimshme por shumë këshillëdhënese që iu kushtonte fëmijëve të tij është edhe poezia me titullin: " Fmijve t´mij" me autor atdhetarin dhe politikanin Kolë Bibë Miraka. Kola një burrë mendjendritur pas kalimit në mërgim e ndiente dhimbjen për fëmijët dhe familjen e tij. Ai mundohej që këtë dhimbje ta paraqët në poezinë ku shkruan: "FMIJVE T'MIJ N'INTERNIM" (nga Sokoli - Kolë Bibë Mirakaj)/Ah jo, asgjá tjetër nuk di t'kem bâ:/Veçse Atdheun deshta mbi ju e vetveten./Për ket faj m'shkon moti tue dnesë e fshá/Si juve: jetima me babë gjallë, dhe t'tret'n./E Zoti e din, u'se gjallë na ma takoh'mi!/Por, sido prej s'Naltit t'jetë thanë e gjykue:/Nji ditë na m'Qiel zbashku përqafoh'mi,/E due q'Atdheun t'dueni mbi veten e mue. " Edhe pse në një gjendje të vështirë jetësore dhe me një dhimbje shpirtërore për familjen në këto vargje që janë si testament dhe këshillë jetësore për fëmijet e tij atdhetari Kolë Bibë Mirakaj ju bën thirrje fëmijeve me këto vargje të pavdekshme ku thotë: "Por, sido prej s'Naltit t'jetë thanë e gjykue:/Nji ditë na m'Qiel zbashku përqafoh'mi,/E due q'Atdheun t'dueni mbi veten e mue. "Ai me këtë mesazh fëmijëve që ta duani atdheun më shumë se vehtën dhe mua, tregon se Kolë Bibë Mirakaj edhe përkundër qëndresës se gjatë që kishte bërë në male duke luftuar, edhe përkundër jetës së vështirë si mërgimtar dhe me plagë në trup ai ju thotë fëmijëve që ta duani më shumë atdheun se sa jetën edhe mua. Edhe autori më inicialet T.S. në poezinë me titull: "Dollia e Enverit" paraqët vargje mjaftë epike ku thotë: "/Për kto mirsina/tjetër s'kërkove/veç me i dhan'Titos/q'at fush'Kosove." Këtu poeti paraqët shumë qartë tradhtinë që i bëri diktatori Hoxha, Kosovës duke i falur komplet Kosovën për te cilën atdhetarët nacionalistë kishin bërë shumë mund e kishin derdhë shumë gjak për t´ia rikthyer Shqipërisë. Ai vazhdon më tutje edhe masakrat që kryen Koqi Xoxe duke shkruar: "/Me t'a shtrue vendin/âmbël e qefë/vrau Koçi Xoxe/njizetmij vetë. " Edhe poeti me emrin Agroni në poezinë e tij: " Thirrje kuqalashvet shqiptar " shkruan : "/Vrau veten Nako Spiro, u tha n'fletore.../Mahlum! Na t'gjithë e diejm si ndodhi puna:/ai zbatoi besnikisht urdhnat eprore;/kur pau se tepër shtohej n'popull dhuna,/nji fjalë e foli, fjalë urtije arbnore,/dhe hangri plumbin n'tamth e e mori Buna./Njishtu bèfas sharron nji dit' prej dite/kush shpresën vàr n'mirnjohjen moskovite/." Edhe në poezinë tjetër të Kolë Bibë Mirakës me titull: "Në malet kreshnike" ndër të tjera shkruan: "/Kerset pushk'e nji trathtori,/Permbi Flamur bjen Deshmori;/E me gjak Aj shkroi nji fialé:/«T'dhash ATDHE çka m'pate falé!»/Lumja Ti moj Nané ilire,/Q'i rrit djemet plot me hire,/Qi per Flamur e Atdhe,/E bajn' deken si me lé.Tdhashë atdhe atë që mke falë". Janë këto vargje që tregojnë madhështinë,besën, trimërinë dhe qëndresën e luftëtarve të lirisë që u treguan të gatshëm ta japin jetën që mos të bie Shqipëria në duar të ideologjisë pansllaviste.Një poezi shumë interesante është edhe poezia e Mitrush Kutelit (Dhimiter Pasko) "Poemë Kosovare. "Kjo poezi titullohët "Sulmi "dhe është shkruar në vitin 1941 kur Kosova ju bashkua Shqipërisë. "/T'a shémba, shkja, Kufin/qé ngrite ti/né Véndin t'im/e pérmbi Varr/té Babés t'im./T'a shémba,/t'a dogja;/me zjarin e shpirtit/té vojtjes/dhe té urrejtjes./Me zémbérím/me vrull té madh/e bubullìm/qé s'ka mbarim. " I emocionuar nga heqja e kufirit ndër shqiptarë dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë poeti Kuteli me mallëngjim këto vargje i kushton sulmit shqiptarë dhe tërheqjës serbe nga Kosova. "Né fillim té Néndorit 1944, kur lufta pér mbrojtjen e kufive etnike té Shqipérisé kish arrijtur,kulmin, Rinija shqiptare në Kosové dha kontributin mè té shkélqyer: njè bataljon, i pérbèré prej 300 djelmoshash té Vuciternit,(Vushtrisé) niset nè sektorin e Podjevès ku lufta ish mê e ashpèr. Fuqit'e armikut ishin mè tepèr se dhjetfish kundrejt fuqivet shqiptare. Armiku ish i pajisur edhe me mjete té luftés moderne. Djalèrija e Vuciternit ,(Vushtrisé), tè Kosovès lèftoi gjer né fishekun e fundit, gjer nè djalin e fundit. Asnjé nga té treqind djelmoshat s'u kthye. Té gjithé u therorizuan pér té mos rènè né zgjedhèn e armikut. " Therorija e kétyre treqind djelmoshavet inspiroi atéheré poeziné "Termopilet e Kosovës" nga autori me shkurtesë SH.E. "/E prej pyllit dalin bishet – egersisht tu'ul'ru n'lamé,/Shqiponjat synojn e gjujn – mbahen top e s'lshojn nji pllàmé./Prej ushtimet toka dridhet – tymi qiéllin e mbulon.../Bijn shqiponjat nji ka nji – por anm'ku bjen me mija.../Gjaku i shqipevet t'Kosoves – token shqipe e lavron;/U persritt me gjak te tyne – t'Termopilevet burrnija:/Treqind kjene – e asnji nuk kthej ke shtèpija/T'Lepetenit te Kosovës djalerija!. " Ndjenjat dhe emocionet shpeshherë i kishin vendosur edhe tek këta atdhetarët shqiptare siç ishte edhe poezia e Lekë Marashit me titullin: " Lamtumir ":" /Zoti e din a mâ n'ket jetè/Kem na kurr me u perqafue/Hasm'o vllazèn – si pat'm qillue./Qi partinat na pat'n shortue/T'gjith sa ngelne n'Italì,/N'Gjermani, Turki e Sirì,/N'at Greqi, e n'tok t'Faraonit/Shndet u la, simbas zakonit/Qi t'Part t'onè, Burra t'Shqipnisè,/Amanet ia lan breznisè./«Lamtumir, o Vllazèn sot,/Po u pershndes, plot syt nè lot. " Lekë Marashi këto vargje i kishte shkruar pak ditë para se të nisej për Amerikë më 4 Prill 1951 nga Bremeni i Gjermanisë. Këto vargje tregojnë gjendjën e vështirë dhe shpërndarjen e nacionalistëve shqiptarë për të mbijetuar. Njëra ndër këngët epike që flet për qëndresën e nacionalistëve shqiptarë është edhe kënga e Ndoc Mirakës e shkruar nga profesor Lekë Quni. Profesor Lekë Quni e njihte mire rezistencën shqiptare dhe luftëtarët shqiptarë prandaj këtë njohje e paraqiste në vargje ku shkruan: "/Gjimojn'bjeshkt' e maj'e Qllumit./Qaj Ndoc Kola Burr i burrit,/N'ato lugje të Malsisë:/Bàll per bàllë me klysh t'Rusisë./Per Ty o Zot, o Zot!/Bàll per bàll me klysh t'Rusisë;/N'dor'Flamurin e LIRISE,/Amanet dorzim q'i-a bâni,/Mark Gjomarkaj Kapidani. " Në këtë poezi profesori dhe atdhetari Lekë Quni i cili kishte shkuar që të jetonte në Australinë e largët paraqiste ndjenjat e tij shpirtnore dhe vazhdimin e luftës që bënte Ndoc Mirakaj pas rënies heroike të Komandantit legjendar Kapidan Mark Gjon Marku dhë vëllaut të tij Kapidan Llesh Gjon Marku. Ku ndër të tjera thotë: " N'dor'Flamurin e LIRISE,/Amanet dorzim q'i-a bâni,/Mark Gjomarkaj Kapidani./Sa ngusht shoktë jan'gjet'n'at rend,/Duen me dekë, Ndoci s'i len./Ndue Perlleshi i Lugut Drinit/Asht përbë m'Zan't'Lubotinit,/Per Ty o Zot, o Zot! /Asht përbe me lot nder sy:/«O vras veten o des me ty»./T'njatën bé n'Zot e n'Hyll t'Dritës/Ban Ndue Nkolli i Kthells'Mirditës". Këto vargje tregojnë luftën e pandalur të tre luftëtarve Ndoc Mirakës, Ndue Përlleshit dhe Ndue Nkollit. Janë sidomos shumë elegjike vargjet ku Ndue Përlleshi që pesë vjet luftoj me pushkë në dorë kundër komunizmit i drejtohet dy shokëve të vet të luftë: /"Ndue Perlleshi I Lugut Drinit/Asht përbë m'Zan't'Lubotinit,/Per Ty o Zot, o Zot!Asht përbe me lot nder sy:/«O vras veten o des me ty»./Mbi anmik rrfeja-u ndez zhari./Ndue Perlleshi mbet ma-i pari;/Ndue Perlleshi bàll per bàll;/Ngjit mbas ti Ndoj m'a i ri djàl. " Njëri ndër luftëtarët e lirisë që luftoi deri në pikën e fundit të gjakut është edhe profesor Alush Leshanaku. Profesor Alush Leshanaku edhe pse shumë herë e kishte kaluar kufirin ai ishte betuar se do të luftoj deri në fund për një Shqipëri Etnike.Historia e tij është histori e dhimshme por shumë krenare.Këtë histori në vargje e paraqet kush tjetër përpos professor Ernest Koliqit me titull: "Gjamë për Alush Leshanakun" /Mallkue kjofsh, o mori dritë,/qi gjaksorve dalun n'pritë/Trimin shpatit tue i u ngjitë/n'ag të parë i a ké paditë./M'lule t' ballit e goditen,/lmuç mbi bor' pa frymë e shtrîne;/i u kput: hovì n' kurm t'vergjilët,/ u ftof gjaku i hollë e i dlirët,/i u ndal zêmra e ré fisnike:/shperthei jashtë i madhi Shpìrt.Dhe vazhdon pastaji me Gjamatarët/Nuk kè ken' ti me mbetun ku ké mbetë,/Trim me shtat' zêmra, flàmur shtjell' përpjetë:/kishe shtat' zêmra mbush' me flak' vllaznore,/ishe nji flàmur fal' Lavdìs arbnore;/por rae aty ku ti s' kè ken' me rà,/n' lamin fatzì ku vritet vllau me vllà;/nuk ké ken' ti me dekun ku ké dekë/por me anmik t' huej, Alush, për me u përpjekë,/megjen e shtrêmbt' m'i a thye, t'egrat aradhe,/për me t'urue me gojen urimplote/nâna edhe motra n' mâ të largtat mote,/për me t'urue gjithkund, vllà Leshanaku,/kush flet shqip e i rrjedh n' dej i Arbrit gjaku." Një poezi qe tregon mallin dhe dhimbjen me titull: " Lot mërgimi" e paraqet shumë qartë Dom Nikollë Kimza. Ai përmes vargjeve paraqet edhe dhimbjen e burgut por edhe dhimbjen e mërgimit, ku shkruan: " /Per mue s'meti, veç burgimi,/Me bâ jetë me anmiqt e Zotit,/Nat' as ditë ku s'prâte idhnimi/Zêmra derdhte pik't e lotit./Shpejt ia mrrini edhe mergimi/E me vote ku s'dihet gjâ,/Shkollë as gjuhë me ata qi s'kimi,/Me çdo njeri jetë me bâ.Kurë n'vorr bari ka me m'bî/Kudo kam hî – E popullsí/Rrâin tu kisha per me u lutë/M'at bare ulen pleç e t'rí:/Fialtë e t'gjithve kan me u kputë./Se prei vorrit del nji zâ/E kerkon diçka me dí:/Dy fialë t'dreita e s'u lyp mâ/Due t'm'i thoni per Shçypní./A i ka dalë bisha Rusí?/A i shkoi terri qi e pat mlue?/A e pa Zoti me lirí?/Si t'jetë fati me m'kallxue". Janë epike vargjët kur dom Nikollë Kimza bëri thirrje që atij në varr me ja dërgu lajmin se Shqipëria është liruar nga bisha e Rusisë ku thotë: " Se prei vorrit del nji zâ/E kerkon diçka me dí:/Dyë fialë t'dreita e s'u lyp mâ/Due t'm'i thoni per Shçypní./A i ka dalë bisha Rusí?/. Një këngë që pasqyron ngjarjën historike të rënjës se heroit Sefedin Kaloshi nga autori anonim Grama tregon rrethimin që ju bëhet Sefedin Kaloshit i cili lufton kundër forcave komuniste serbe,shqiptare e maqedone edhe pse kishte marrë shtatë plagë në trup nga një betejë e mëhershme që kishte zhvilluar kundër komunsteve.Edhe pse mundohen që ta kapin në tradhti djali i Kaloshve nuk dorzohët kurrsesi e për këtë poeti shkruan: " /A thue a mos jam n'andërr/Bumbullim t'madhe jam tuj ndij/Në nji vend të quejtun Kandërr/Vend i Dibrës në Peshkopi./Besa andërr un nuk jam/Porse mir pakem ndigjue/Se n'fush të Kandrrës kam për am/Sef Kaloshin kan rrethue./Thërret me zâ nji ky Mevlani:/Dorzou Sef në besën t'ime/Se kam besë, besë partizani/Si gjithmon mâ për mashtrime./Dhe kërkush ty nuk t'përket/Vetëmm unë po kam me të marrë/Me t'dërgue në Sigurim drejt/Aty presin diç me t'than./Ah! Major Major Mevlani/A thue kështu paske kujtue/Se t'dorzohet ty i Dibrani/Vorrin t'parve me e marrue?/Jam i lodhun në Dvalan/Nga shtat plag qi atje mora/Por se zêmrën t'fort e kam/Për shokët t'uej more ju hora. " Dhe pas këtij akti burrëror të Sefedin Kaloshit për të mos u dorzuar fillon një luftë e përgjakshme që mund të bëjnë vetëm heronjët shqiptar. Sefa i plagosur dhe me shumë plagë që kishte marrë vret shumë antishqiptar dhe e paguan vetën shumëfish duke i lanë nderë, besë e burrni familjes Kaloshi duke treguar se rruga e shqiptarve është perëndimi e jo lindja. E më në fund kur e sheh se nuk ka rrugëdalje tjetër vret vetën për të mos ra në duartë e komunistve që ishin betuar ta luftojnë dhe ta zhdukin shqiptarizmën: " /Filloj pushka pa ja nda/Dyqind vet kundër njaj njeri/Për së treti n'gjak tuj u la/Sefedini Zog Skylferi./Asht Kalosh e nuk âsht prrall/Pse kur shtjen bosh nuk I shkon/Mbi të gjitha âsht Shqiptar/Dhe mashinka po I këndon./Tremdhjet t'kuq për dhé i shtrîni/Kriminela dhe trathar/Kështu anmiqët i kap trishtimi/Nuk dorzohet trimi i gjáll./Paj medet çfar fati zij/Pse plag t'mdhaja në trup qi ka/I tupiten trupi i tij/Atëherë vehten e ka vra./Re dëshmor o Sef Kaloshi/Për lirin e Memedheut/Permbi at truell të Kastrioti/Si stërnip i Skënderbeut. "Një poezi e cila tregon një ngjarje të dhimshme historike dhe një luftë të paparë ku 9 heronj luftojnë kundër 1000 komunistëve që ishin të përzier me shqiptarë,serb dhe rus. Në këtë betejë heronjët shqiptarë nuk dorëzohen deri sa bijnë të gjithë në fushën e nderit. Ndër ato luftime ajo e Zepës dallohët për një tragjedí qi prekë ndiendjat mâ të thella njerzore: nji prind i ep urdhun të birit t'a vrasë, mbasi pushkët qi i ránë nuk e lêjonë me luejtë vendit edhe me ishpëtue xânjes prej Kuqalashve: pelqen mâ parë dekën se rámjen në dorë të Mohuesavet të Perendís e të Qytetnimit. Në këtë këngë kushtuar kësaj lufte me titull: " Lufta e Zepers" atdhetari dhe intelektuali Kolë Quni në vargje na paraqët shumë të dhëna për qëndresën heroike të nacionalistëve mirditorë që kur është puna për të mbrojtë të shtrejtin atëdhe e bëjnë dekën si me le! Poeti shkruan:/Ditë Dhetori, ditë hatá/Tuj frye erë e borë tuj rá./Proh Ti, o Zot, çluftë asht tu bâ/N'Zepë, ngujue porsi n'kalá./Me luftue me njimij vetë/Per kêdohin sâsht fort lehtë,/Por mbasi ktu i thonë Merditë/S'ka pse nieri m'u habitë./Pra veç nandë, mâ tepër s'ishin/N'Merditë shokët tybe n'I kishin./Trim si njâni ashtu tjetri/Qaj Zef Ndreca n'ta mâ i vjetri;/Sall per rrudha e per pleqnij/Se per zemer e trimnij. " Dhe derisa në pjesën e parë të poezisë shkruan për cilësitë e burrnisë dhe atdhetarizmës të nëntë heronjëve mirditorë në pjesën tjëtër Kolë Quni do ti përshkruan edhe përgaditjet që kishin bërë për të luftuar atdhetarët kundër klyshve të Rusisë ku ai shkruan në këtë mënyrë:"N'at Tiranë, do klysh t'Rusis/Thonë, se tokën e Shqipnisë/Jan' kollaj tu'e kollonisë./Njimijë vetë pra ka gatue/N'rreth krejt Zepen e ka vnue./Me ngadalë, ka ardhë t'u u gjitë/Fjalë pa bâ e pushkë pa qitë/Si afrue asht ndershej thumbit/Falë kjoshim Atij t'Lumit/Veç ateherë ka dhânë uryshin/Gati gjetë kan Ndue Melyshin,/Ndou i pari pushken nisi/Laradash njâ rrokullisi./"Ndue, shka t'ra aty palmuq?/ Tybe n'dij, sall ka 'i hyllë t'kuq." Nga këta nëntë heronj të parit i ra te kriste pushkën atdhetari Ndue Melyshi. Me pas ipet kushtirmi i Zef Ndrecës i cili jo vetëm qe ishte ma i vjetri por ishte burrë i besës dhe i burrnisë dhe i gjithë grupi i luftëtarve mirditor e respektonte. "/Krisi pushka, muer zjarm shpati/Kur Zef Ndreca atëherë vikati;/"Burra, n'ta, se i ka ardhe dita/Me treguemun se Merdita/Vendin kuej, kollaj s'ka lëshue/Perpa dekë, perpa u farue./Se kend s'lâmë m'u kabardîsë/Ktu, ku na jemë t'zotët e shpisë./Se n'skam jeten kemi shkue/Tokë ma t'mira pa kerkue/Sall Shqipnín tuj dashtë me pshtue./Kem ruejtë Fenë, kemë ruejtë Kanunë,/S'kemë bajtë marre as s'kemë bajtë dhunë./Se s'kemë ndejë tuj hulmtue kendin/Kur n'rrezik e kemë pa Vendin./Varrët e vjetra s'I kemë lënue/Kur kemë pasë Shqipnín me mprue./Çdo Shqiptár vllá e kemë que/Si t'Krishtenë si Muslimanë,/Dersa thirrë kemë t'gjith nji Nanë." Këtu përmes kushtirmit të Zef Ndrecës poeti Kolë Quni i ve në pah luftën heroike të mirditorëve vetitë që i kishin të veçanta duke filluar nga nderi,burrëëria mospërkulja,mosnënshtrimi, por edhe qëndresa gjatë shekujve. Respektimi i Kanunit që ishte respektuar për shekuj me radhë. Pastaj poeti pas përshkrimit të vetive të mirditorëve fillon e përshkruan edhe luftën dhe qendresën heroike të nëntë heronjëve ku shkruan: " /Si kreu Plaku, djelmt, t'mberthye/Kanë nisë rrethin me shperthye./Qaj Bibë Marku e Frrok Nikolli/Qitë kan mirë, m'i ruejtë Shen Kolli;/Fishek dâm djelmvet s'u shkon/Shumvet jeten po u shkurton./Si bilbil po i kendon marshinka/Ktij Gjon Shkurtit t t'vllát t'tina./Sa gajret po bajnë dy t'rij,/Kah po shkojnë p'e çojnë stuhij./Ndou â i vogli, e i madh Marku,/T'Birt e Plakut, m'i ruejtë Sh'Marku./Zhurmen Fandit i a ndieu Drini,/Kur uryshin muer Gjon Gjini./Zot, n'dorë Tande, veç m'e pá,/Sa here qet, ka nja lên t'vra. " Libri: " Zanat e Lirisë Këngë Kreshnike Antikomuniste" është njëri ndër librat shumë të rrallë dhe i veçantë, i cili flet për këngët, poemat, poezitë dhe për qëndresën e nacionalistëve shqiptarë. Këtu është një meritë e madhe e autorës znj.Bianca Maria Gjomarkaj e cila e ka ruajtur më një përkushtim të madh arkivin e babait të saj atdhetarit dhe intelektualit Ndue Gjomarkaj. Ndue Gjomarkaj jo vetëm që ishte udhëheqës dhe themelues i Blokut Kombtar Independent por ai ishte i pari që e filloj luftën kundër komunistëve në Mirditë dhe për plotë gjashtë muaj luftoj pa u ndalë derisa komandën e luftës e mori vëllau i tij i madh Kapidan dr.Mark Gjon Marku. Pastaj më propozimin e kapidan Markut kapidan Ndue Gjon Marku për shkak që dinte shumë gjuhë të huaja duhet të dilte jashtë Shqipërisë bashkë me babain e tij Kapidan Gjon Marka Gjonin. Botimi i këtij libri që vjen si fryt i botimeve të shumë autorëve të botuar në revistën "L'ALBANIE LIBRE "në periudhën kohore 1947-1968 ,është një botim i rrallë në letërsinë shqipe ku mblidhën këngët antikomuniste dhe botohen bashkarisht. Pa harruar të theksojmë faktin se përveç këngëve antikomuniste në këtë libër paraqitën edhe këngët dhe poezitë arbreshe,pastaj këngët e mallit të mërgimtarëve por kishte edhe ndonjë këngë për heroizmin dhe të bëmat e mëhershme të luftëtarëve shqiptarë të periudhave të ndryshme historike. Më këtë libër autorja Bianca Maria Gjomarkaj po tregon një përkushtim të veçantë në ndriçimin e shumë ngjarjeve historike që kanë të bëjnë me luftën dhe kundërshtimin e komunizmit. Autorja e dha edhe një dëshmi dhe shembull të veçantë në këtë drejtim për faktin se e la luksin në Amerikë dhe po e jeton jetën në Kullën e Qëndresës dhe heroizmit, në kullën e Kapidan Gjon Marka Gjonit në Shkodër.