Kerko: a
Albert Vataj: Zef Deda, një zemër e bardhë që driti me dashuri dhe talent traditën e artit skenik të Shkodrës
E marte, 29.07.2025, 06:57 PM
NE DITELINDJEN E ATIJ QE KA VEÇ DITELINDJE
Zef Deda, një zemër e
bardhë që driti me dashuri dhe talent traditën e artit skenik të Shkodrës
Nga
Albert Vataj
Zef
Deda mbush sot 75 vjeç. Mungimi i tij prej dy vitesh, ndoshta nuk është shkas
as për familjen, as për Migjenin, as për miqtë të ëmbëltohen. Por dimensionet e
tilla njerëzore që ai mëkoi me shpirt, kudo ku ai ishte prani dhe përjetim, i
njohin si të drejtë të gjithëve të kremtojnë këtë ditëlindje.
Drita
e Shkodrës, e këtij qyteti që për të ishte skenë dhe atdhe shpirtëror, ndizet
sot për të kujtuar lindjen e tij, atë ardhje në jetë që asnjë ligjësi nuk mund
ta ndalonte e as ta ndryshonte.
I
lindur më 27 korrik 1950 dhe i ndarë nga jeta më 24 nëntor 2023, Zef Deda
vazhdon të jetë këtu, në gjallërinë e kujtimeve, në të qeshurat që shpërthyen
falë tij, në mirësinë që la në zemrat e të gjithë atyre që e njohën, si edhe në
ovacionet e çdo salle ku ai, me shpirt dhe talent, i dha jetë personazheve dhe
karaktereve, duke lënë një trashëgimi të paharruar.
Ai
nuk ishte vetëm një aktor. Ai ishte një shpirt fisnik, një zemër e bardhë, një
mik që të mbante dorën edhe kur skena zbrazet dhe dritat fiken. Kishte atë
hijen e butë të njerëzve të mëdhenj që e dinë se arti nuk është vetëm talent,
por edhe përkushtim, dashuri, përulësi. Në çdo rol, ai vinte jo vetëm
mjeshtërinë e tij, por edhe një copëz të shpirtit të vet, duke na dhuruar një
galeri personazhesh që sot janë pjesë e memories së qytetit dhe të artit
shqiptar, nga “Kunati i shokut Xhemal”, te “Kola i dritave”, nga “Kushrini nga
Amerika” te pantomimat që bartnin gjurmën e Çarli Çaplinit e Pitkinit.
Në
një intervistë që mbetet testament i shpirtit të tij, ai tha një fjali që sot
kumbon si një poezi për Shkodrën: “Shkodrani mund të hajë një herë bukë në
ditë, por humorin e do në tre vakte.”
Në
këtë fjali ka gjithë filozofinë e tij jetësore se jeta nuk është e plotë pa të
qeshurën, pa dritën e brendshme që ndan me të tjerët. Dhe Zef Deda nuk e kurseu
kurrë këtë dritë.
Në
lagjen e tij të fëmijërisë, në kujtimet që rrëfente me një sinqeritet të
rrallë, ai përmendte gjyshin Dedokë, babanë Pjetër, kafenë e vogël ku u derdhën
lot dhe u lind humor. Nga ato rrënjë ai mori një dashuri për jetën dhe për
njerëzit, që e mbajti gjallë deri në ditën e fundit. Ai vetë thoshte se nuk i
erdhi rasti të luajë Harpagonin, por në të vërtetë, në skenë ai na dha shumë më
tepër se çdo rol i vetëm: na dha një univers të tërë karakteresh, na dhuroi
vetveten.
Në
përshkrimet e tij për mësuesit e parë, Paulin Lacaj dhe Gjosho Vasia, e ndjen
se sa thellësisht ai vlerësonte ata që e hapën për të derën e artit. Dhe po aq
thellësisht e ndjen se si ai vetë, më vonë, u bë për të tjerët një dritare, një
frymëzim. Kolegia Tinka Kurti, mjeshtri Tano Banushi, breza të tërë aktorësh
mund të dëshmojnë se Zefi nuk ishte vetëm ai që mbante humorin në skenë, por
edhe ai që sillte dashurinë, respektin dhe ndihmën pas kuintave.
Ai
e donte Shkodrën dhe Shkodra e donte atë. Kthimi i tij pas viteve të emigrimit
ishte një kthim në djepin ku ai kishte mësuar të qeshë e të bëjë të tjerët të
qeshin. Dhe kjo dashuri ishte e dukshme në çdo gjest, në çdo bisedë, në çdo
interpretim. Ishte thjeshtësia e tij, ajo që e bënte të madh: nuk e ndante
kurrë artistin nga njeriu. Në të njëjtin njeri gjeje aktorin virtuoz dhe mikun
që të falte buzëqeshje e këshillë, që të përqafonte me të njëjtën dashuri me të
cilën përqafonte një rol të ri.
Sot,
në ditëlindjen tënde, Zef, Shkodra të kujton me mall dhe mirënjohje.
Në
çdo cep të këtij qyteti, në çdo kënd të Teatrit “Migjeni”, në kujtimet e
kolegëve e miqve, në të qeshurat që u kthyen në histori, je ti. Je ai që na
mësoi se arti nuk është vetëm lojë, por edhe dritë, se humori nuk është vetëm
argëtim, por edhe dashuri për njeriun.
I
përjetshëm qofsh në kujtimin tonë, Zef i mirë!
Shkodra
sot të përqafon me gjithë zemër, sepse ti na mësove se një qytet nuk jeton
vetëm me gurë e rrugë, por me shpirtin e njerëzve që e duan. Dhe ti, Zef Deda,
je një prej atyre shpirtrave që nuk do të fiket kurrë.