E marte, 29.07.2025, 04:41 PM (GMT+1)

Kerko: a

Viron Kona: Kadri Tarelli dhe libri i tij mbresëlënës “Filxhani me buzë të kafshuar”

E hene, 28.07.2025, 06:56 PM


Kadri TARELLI  dhe libri i tij mbresëlënës “Filxhani me buzë të kafshuar”

Nga Viron KONA

Kam në dorë librin me tregime “Filxhani me buzë të kafshuar” të poetit dhe prozatorit të talentuar Kadri Tarelli, për të cilin ndjeva detyrë si lexues dhe koleg i tij ta përshëndes me një artikull për këtë libër kaq mbresëlënës dhe me vlera artistike. Libri është botim i shtëpisë botuese arte-graphic, Tiranë 2025. Ai të tërheq fillimisht me ballinën interesante, ashtu dhe me titullin e veçantë. Nga sa kam lexuar, është zhvilluar një përurim i këtij libri, më 17 maj 20225 nga Shb “Fidani” me drejtues Berat Batiu, në Galerinë e Teatrit “Bekim Fehmiu” në qytetin e Prizrenit, me pjesëmarrje të shumë adhuruesve të letërsisë. Duke lexuar një vlerësimi të bukur për librin, shkruar nga z. Osman Goranci, në gazetën “In. lajm”, mësova se në përurimin e tij kanë folur dhe shfaqur opinione e mendime disa emra të njohur të letrave shqipe si Berat  Batiu, prof. Zamire Hereni, Ali Balliu - krijues letrar, Merita Kuçi (Thartori) - poete dhe drejtore shkolle në Durrës, etj... Ndërkohë, janë shprehur edhe vlerësime të merituara për ide dhe mesazhe të vyera të librit. “Edhe vetë titujt e mbi pesëdhjetë tregimeve, - shkruan autori i artikullit, - shtojnë kureshtjen tek lexuesi, që t’i lexoj me një frymë, dhe t’i rilexoj edhe njëherë, edhe shumë herë!…” Nga sa dëgjova nga z. Tarelli, një përurim i këtij libri do të bëhet edhe në qytetin e Durrësit, në shtator të këtij viti, teksa unë nga padurimi po shfaq disa opinione dhe konsiderata që përjetova gjatë leximit të tij.

Realizmi dhe origjinaliteti, vlera të dukshme të librit

Përshtypja e parë është se autori ka hedhur në libër  me një frymë mbresa të shumta, krijime dhe kujtime nga jeta e tij, nga marrëdhëniet në punë si mësues e drejtues shkollash, nga marrëdhëniet në shoqëri, përjetime nga vizitat e ndryshme, sidomos në Kosovë, njohjet me shumë njerëz, midis tyre dhe me njerëz të penës;  ka shkruar në libër kujtime dhe rrëfenja të ndryshme, si nga koha kur ai ka qenë në punë, ashtu dhe sot që është në pension e vijon të shkruaj me ritëm e pa u ndalur. Kemi përpara një libër të bukur e të ngrohtë, të shkruar me emocion e dashuri për njeriun dhe personalitetin e tij, të dalluar jo vetëm për begatinë dhe larminë, por dhe për mënyrën e paraqitjes dhe të përshkrimit të ngjarjeve. Duket që është një libër i menduar mirë dhe me standardin që e kërkon sot lexuesi. Në këtë drejtim, nga njohjet që kam unë, Kadri Tarelli ka qenë gjithnjë një krijues dhe publicist i përkushtuar, që shpreh respekt për lexuesit e shumtë që ndjekin nga afër krijimtarinë dhe publicistikën e tij.

Në çdo pjesë të shkruar, autori është treguar kërkues ndaj vetes, studiues serioz, por edhe artist i vërtetë i fjalës, teksa tërheq vëmendjen fakti se z. Tarelli thellon prirjen e tij për të përshkruar botën e brendshme të personazheve, duke zbuluar tek ata çdo gjë të mirë, të bukur e fisnike. Ai i paraqit personazhet pa sajesa, por ashtu siç ata janë dhe ashtu siç ne i njohim në jetë. Ky realizëm dhe origjinalitet është një vlerë e dukshme e librit.

Disa konsiderata rreth përmbajtjes së skicave e tregimeve

Pas një hyrjeje tërheqëse të shkruar me shumë dashuri nga publicisti dhe shkrimtari Bashkim Saliasi, libri nis me tregimin “Kambana e dashurisë”, tingujt e së cilës  na mbledhin e na rrëfejnë një histori tërheqëse që na vë në mendime dhe mbetet e freskët në kujtesën tonë si lexues. Bëhet fjalë për një objekt kulti, një kambanë kishe, e derdhur në bronz, për hatër të dashurisë së dy të rinjve dhe e “gjetur” nga nxënësit e shkollës së mesme të fshatit. Kambana, përfaqëson një dokument historik, por është njëherazi edhe një simbol dashurie, që fsheh nën tinguj e saj një histori interesante dashurie, por dhe shumë tërheqëse. Ishin nxënësit adoleshentë të shkollës së mesme, ata që e zbuluan, por dhe e pagëzuan atë me emrin “Kambana e dashurisë”. Duke lexuar tregimin, te lexuesi zgjohen mbresa dhe ndjenja të bukura njerëzore, ndjenja të ëmbla zemrash, që pulsojnë dhe harmonizohen me ritmin e jetës, me rrezet e diellit ditën dhe me yjet natën,  janë tingujt e një kambane, që nderojnë shpirtra, nderojnë dashurinë dhe jetën...

Libri vijon me një përjetim të hidhur të marsit të vitit 1999, kur deti Adriatik u bë edhe më i kripur nga lotët e nënave, që përcillnin djemtë dhe vajzat drejt  mërgimit, me shpresën se atyre do t`u ecte jeta mbarë dhe se do t`u ngjasonin zogjve shtegtarë që nuk e harrojnë vendlindjen...Është një përjetim i ndjeshëm, i shkruar me dhembje, i qëndisur me pika loti dhe me figura artistike, ashtu siç mund ta shkruaj pena e artë e gazetarit dhe poetit të talentuar Kadri Tarelli...

Mesazhe të vyera përjetojmë te skica “Në “kërkim” të Nënë Terezës”. Në këtë rrëfim që shkakton ndjeshmëri te lexuesi, autori shigjeton administratën dhe zyrat, që nuk tregojnë kujdesin e kërkuar për  vendosjen në mjediset e duhura  të busteve e shtatoreve të figurave mëdha kombëtare, duke i nderuar ata ashtu siç e meritojnë...Bëhet fjalë për pakujdesi të institucioneve përgjegjëse, sepse populli shqiptar, nga fëmijët e vegjël të kopshteve e shkollave, studentët e universitetit dhe vet njerëzit që kalojnë pranë tyre, tregojnë nderim dhe respekt të pakufishëm, aq më tepër kur bëhet fjalë për Nënë Terezën, e cila është, jo vetëm Nëna e Madhe Shqiptare, por Nëna e Popujve të Botës, madje edhe shenjtore...Tërheq vëmendjen skica “Dashuri adoleshenti”, ku autori trajton mjeshtërisht një problem shoqërore, që përcjell mesazhe delikate dhe të nevojshme për jetën dhe dashurinë, ndërsa tipat dhe karakteret e rrëfimit mbeten të skalitura në mendjen e lexuesi. Është tërheqës për lexuesin skica e titulluar “Unë Dush Zeqiraj, nga Peja çdo fund - marsi jam në Durrës”. Bëhet fjalë për qytetarin pejan Dush Zeqiraj, i cili  e ka bërë zakon që, çdo vit, në çdo fund-mars, lë çdo punë e hall dhe niset nga Peja për në Durrës. Vjen aty të takoj e falënderoj miqtë e tij durrsakë, të cilët në vitin 1999 e pritën me zemër të hapur dhe me shumë dashuri në ato ditë të vështira që kaloi populli shqiptar i Kosovës, si pasojë e gjenocidit të egër serb. Të gjithë ne shqiptarëve na kujtohen ato ditë, kur me gjithë varfërinë dhe problemet e rënda sociale, populli në çdo skaj të Shqipërisë hapi zemrat dhe mirëpriti me bujarinë karakteristike shqiptare motrat dhe vëllezërit e Kosovës martire...Përfitoj nga rasti të shkruaj se dardani Dush Zeqiraj nga Peja, duke ardhur në mënyrë periodike në Durrës, ka zënë edhe shumë e shumë miq të tjerë, edhe në Tiranë apo në qytete të tjera shqiptare, duke çimentuar ai dhe mijëra të tjerë vëllazërinë tonë, por edhe duke e përcjellë këtë trashëgim te brezat e rinj që rriten në trojet shqiptare, është një vëlla-pritje, që vërshon pandalshëm....Sa herë takohemi me Dushin, ai dhe ne vëllezërit e tij në Durrës e Tiranë e kudo, ndihemi sikur jemi njëherazi edhe në Pejë, në Prishtinë e qytetet të tjera të Kosovës, sikurse ndihemi se jemi edhe në Durrës, Tiranë e qytete të tjera të Shqipërisë, por dhe në trojet shqiptare jashtë kufijve. Kudo, mëmëdheu i mban në shpirt e në zemër bijtë e tij, por dhe bijtë e mbajnë në zemër mëmëdheun e lashtë, gjuhën shqipe dhe flamurin... Duke vijuar leximin, dëshiroj të nënvizoj se populli ynë shquhet për fjalët e urta, për proverbat e tij, për shprehjet frazeologjike, si dhe për rrëfenjat që përcjellin mesazhe të mëdha jete, e që i gjejmë veçanërisht te: “Shuj bre veshgjatë...!” dhe “Ment janë në kry të burrit, e jo në hujt e gardhit!”, të cilat z. Tarelli i sjellë nëpërmjet rrëfimit mjeshtëror të Dush Zeqirajt. Ndërkohë që mesazhe me vlerë përcjellin edhe rrëfenjat: “Babai u ndan detyra djemve të vet”, “Përsëri mbetëm në mentë tona”....

Bënë kombinime interesante dhe tërheqëse z. Tarelli, duke sjell në librin e tij edhe copëza me humor si “Shaka e hidhur e mësues Canes”, “Grua! Më falëndero që nuk e theva shishen!“, “A je burrë i mirë ashtu siç të njohin...!?”, copëza këto, që  na shijojnë, sidomos  për humorin e hollë, “qesh e ngjesh”. Mesazhet e librit vazhdojnë plot respekt e nderim për shkrimtarin, poetin, gazetarin e njohur dhe të palodhur durrsak Shpend Topollaj, njeri fisnik dhe mjeshtër i fjalës, emri i të cilit simbolizon e përfaqëson ata krijues të vërtetë, që s`lodhen së shkruari, teksa Shpendi meriton përherë vlerësime dhe konsiderata të vazhdueshme për prozën dhe letërsinë e bukur që ai shkruan dhe e sjell te lexuesi përmes artikujve, tregimeve dhe librave të tij mbresëlënës.

Duke qenë mësues nga profesioni, Kadri Tarelli, thuajse në çdo shkrim dhe në çdo faqe të këtij libri përhap një frymë krenarie e respekti për njerëzit e punës, për përkushtimin dhe sakrificat e tyre, duke filluar nga njerëzit e thjeshtë e deri tek akademikët, e ku, mes asaj buqete  dallon figura e mësuesit.  Krijoj përshtypjen se nëpërmjet penës së tij të mençur, z. Tarelli nënvizon nevojën e një respekti edhe më të madh për mësuesit dhe vlerat  e tyre, pasi mësuesit përkushtohen për fëmijët, për brezin që po rritet i shëndetshëm e që do ta zhvillojë edhe më shumë vendin, duke e bërë atë si e gjithë Evropa, duke e çuar gjithnjë përpara demokracinë shqiptare.....

Mbase është një parapëlqim imi, por në tufën e skicave, eseve dhe tregimeve të librit, unë do të përzgjidhja si njërin nga trëndafilat më të bukur, tregimin “Edhe polici këndon poezi”, teksa më përkëdhelin ndjeshëm dhe  më ledhatojnë vargjet e Lasgushit tonë të madh:

...E do mbetem përnjëmend,

Varfanjak si mbret pa fron,

Mbretëresha që më çmend,

Do më lërë - a shpejt a vonë!”

Kadriu me mjeshtërinë e gazetarit dhe frymëzimin e poetit e shkrimtarit na i sjell mjeshtërisht dhe me stil tërheqës skicat dhe tregimet, në përmbajtjen e të cilave mbeten në kujtesë edhe figura të rralla letrare, sidomos krahasime, epitete dhe metafora. Mjeshtëria e të shkruarit të befason në çdo faqe dhe s`të lë ta shkëputësh librin nga dora, teksa krijimet e këtij libri vijojnë në mendjen e lexuesit dhe përhapen në përfytyrimin e tij si një mozaik episodesh, ngjarjesh e vlerash, me të cilat është e mbushur jeta, por që është mprehtësia dhe zotësia artistike e autorit, që nuk  i lë ato të kalojnë pa u ndierë, kjo, edhe sepse krijimet e këtij libri përcjellin mesazhe që, gjithkujt ose i kujtojnë një përvojë apo një episod nga jeta, ose i nevojiten në vazhdimësinë e jetës. Mund të them gjithashtu se është një karakteristikë e z. Tarelli që me thjeshtësinë e tij frymëzohet apo nxitet nga leximet dhe dijet që përjeton përmes leximeve, apo dhe bisedave e krijimeve të kolegëve krijues, ndërkohë që ai shkruan gjithnjë me shumë dashuri për kolegët, sikur bashkëbisedon pranë e pranë me ta, duke shprehur kështu mendjen dhe shpirtin e  tij të bukur.

Ngjall respekt te lexuesi skica “Veprimtari në Vlorë”. Kadriu ishte i ftuar atje së bashku me një grup shkrimtarësh durrsakë për të nderuar shkrimtaren vlonjate Vilhelme Vranari Haxhiraj, e cila me veprat e saj meritoi të zgjidhej “Anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro-Amerikane”, me seli në New York.  Artikulli është i shkruar me frymë respekti ndaj kësaj veprimtarie, teksa është i veçantë portretizimi realist dhe mbresëlënës që z. Tarelli i bën  shkrimtares së mirënjohur vlonjate.

Një përshkrim tërheqës është rrugëtimi i Kadriut me një grup shokësh drejt Thethit, kësaj parajse të natyrës, të cilën ai e përshkruan me shumë ndjenjë e bukuri. Me dashuri shkruan Kadri Tarrelli për Dardaninë, për betejën e madhe çlirimtare dhe pavarësinë e saj, për dëshmorët dhe heronjtë, për Adem Jasharin dhe familjen e tij heroinë, për flamurin  dhe pavarësinë, ndërkohë që ai ndalet në momente të rëndësishme të asaj lufte heroike të popullit shqiptar të Kosovës, teksa sjell në kujtesën e lexuesit edhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Po aq tërheqëse për lexuesin është edhe eseja “Të papriturat e një udhëtimi, Istog-Pejë”, ku lexuesi përjeton miqësinë vëllazërore të autorit me disa vëllezër të Kosovës, me të cilët ishte njohur ato ditë të paharruara të vitit 1999, vit ky që lidhi pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin shqiptarët, historinë e tyre, duke pasqyruar përpara botës një mozaik shumëngjyrësh vëllazëror, një humanizëm që rrallë popuj e kanë apo e shprehin aq ndjeshëm dhe me aq fuqi shpirtërore. Ishte vëllazërimi shqiptarë që shprehet prej shekujsh në histori dhe në legjenda.

Detaji dhe vlerat e tij në skicat e tregimet e librit

Është nënvizuar shpesh herë rëndësia e detajit në letërsi, teksa bota letrare, si ajo shqiptare dhe e huaj, na sjellin shembuj të panumërt të rëndësisë dhe peshës së veçantë të detajit artistik. Kështu nga letërsia botërore sjellim në vëmendje shkrimtarin Dikens me personazhin Uriah Hipi, një personazh servil e i pështirë, i cili udhëhiqet nga mendimi “Përulu ndaj të tjerëve të fitosh”, ndërkohë Dikensi përshkruan dorën e tij të s’qullët;  kujtojmë komedinë "Koprraci", ku  Molieri demaskon  fuqinë shkatërruese të parasë dhe dënon koprracinë, si një ves të ulët, duke sjell përpara lexuesit Harpagonin koprrac e fajdexhi, i cili jetonte nën ethen e parave. Kujtojmë Kuasimodon e Viktor Hygoit  te “Katedralja e Parisit”, njeri me pamje të shformuar, por me një zemër të pastër dhe të ndjeshme e ku shkrimtari mjeshtërisht tregon kontrastin mes pamjes së jashtme dhe shpirtit të brendshëm. Kujtojmë Xhek Londonin dhe personazhet e tij që shkonin në Alaskë të përfshirë në ethet e gjetes se arit, por që vet Xhek Londoni, arin e vërtetë e gjeti duke shkruar libra, pra e gjeti te letërsia; etj. I solla këta shembuj, jo për erudicion, por sepse edhe te disa skica dhe ese, z. Tarelli, e bën të njohur mjeshtërisht detajin, duke  e vënë në dukje përpara lexuesit natyrshëm, si tipar apo veçori të personazhit. Këtë e shohim  për shembull te skica “Plisi dhe fëmijët”, ku spikat detaji i plisit të bardhë te nxënësit e shkollës, të cilët ndonëse të vegjël, e dinin se ai plis i bardhë që e mbanin në kokë, është një shenjë dalluese e kombësisë së tyre, që vjen nga lashtësia ilire. Ata nuk harronin ta merrnin dhe ta vinin në kokë plisin kur vinin në shkollë, dhe, kur niste mësimi, e mbështillnin dhe e futnin brenda në çantat prej lecke. Fuqia e detajit shprehet bukur te skica “Kryetar! Ndërroje atë pesë qindëshe!”, pasi kryetari kudo që shkonte apo shtrohej në tavolina, hante apo pinte, nxirrte në tavolinë pesë qindëshen,  i bindur se të tjerët nuk do të pranonin që ai të thyente atë monedhë me vlerë për  dy - tri kafe apo disa gota raki... Po ashtu detaji shfaqet edhe te tregimi “Kapelja”, ku bie në sy detaji i “kapelës” dhe i “dosjes” së personazhit kryesor. Kur ai shkonte dhe paraqitej diku apo në zyra me kapele dhe dosje, problemet i zgjidheshin. Interesant është detaji i “Ullinjve të Beratit” te skica “Ullinjtë e Qamiles”, apo tek artikulli “Thyej qafën s`je për libër ti!”, ku mbetet i paharrueshëm detaji i “birës, së cilës i ishte prishur shija”. Akoma më i plot detaji  shfaqet tek tregimi “Filxhani me buzë të kafshuar”, me të cilin autori ka pagëzuar titullin e librit. Përgjithësisht detajet artistikë, jo vetëm i bëjnë tregimet më tërheqës dhe që mbahen mend e nuk harrohen, por edhe sepse lexuesi ndien shijen e vërtetë të fjalës së shkruar, bukurinë e saj, por dhe aftësinë krijuese dhe talentin e shkrimtarit. Detajet dhe përgjithësisht personazhet që Tarelli sjell në këtë libër, përcjellin humor te lexuesi, shprehin satirë ndaj veseve, teksa tregojnë se shkrimtari ynë dallohet edhe për vëzhgimin e mprehtë...

Portretizime

Portretizohen bukur dhe në mënyrë tërheqëse për lexuesin shkrimtari i njohur Shpend Topollaj; dardani Dush Zeqiraj që, çdo vit, në fund të muajit mars shkon në Durrës për të falënderuar ata që e mirëpritën në vitin 1999; mësuesi dhe ish-drejtori i shkollës Shënavlashi të Durrësit, Bajram Halil Gashi, që edhe në pension vazhdon të jetë i përkushtuar me shkollën; mbretëresha e këngës shqiptare dhe Nder i Kombit Vaçe Zela; profesori dhe akademiku i njohur Fadil Kepi; publicisti i palodhur Fran Gjoka; shkrimtarja e mirënjohur dhe Mjeshtre e Madhe Vilhelme Vranari Haxhiraj (Vivra); shqiptarët në Legnano në Itali; portretet e nxënësve ardhur nga Kosova në vitet 1999; mësuesi Hajdar Gjergji; Hytbi Tarelli, mjeshtër i daltës dhe i penelit e atdhetar i shquar, njëherazi vëllai i autorit të librit Kadri Tarelli; nderohen në libër shqiptarët në mërgatë; shfaqet portreti i mësuesit dhe adhuruesit të letërsisë Fiqiri Resulaj; portreti i mësuesit dhe shkrimtarit Bashkim Saliasi, i cili është dhe recensent dhe autor i hyrjes së këtij libri etj. Këto portrete, shkrimtari Tarelli i realizon duke u thelluar në karakteret e tyre, në përkushtimin e tyre ndaj punës, ndaj pasionit të tyre, ndaj vlerave njerëzore shqiptare, ndaj veprimtarisë së përditshme dhe mesazheve që këto figura përcjellin me fjalët dhe veprat e tyre etj. Autori shpreh ndjenja të miqësisë dhe të respektit ndaj tyre, shpreh fisnikëri, bujari, që janë karakteristika edhe të vet autorit Kadri Tarelli.

Durrësi dhe krijuesit e tij

Në përgjithësi, në faqet e librit, krahas figurave të veçanta, autori i librit përshkruan me dashuri qytetin e tij të Durrësit, njerëzit e tij punëtorë, demokratë, arsimdashës, të kulturuar  e ndërtimtarë. Dukshëm ai veçon vlerat e kolegëve të tij të letrave, qofshin ata poetë e shkrimtarë, publicistë e studiues të njohur. Ndërkaq, autori e përshkruan Durrësin një qytet energjik, ku jeta kulturore, arsimore, artistike dhe letrare vlon e gjallëron, ku dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, nga të rrallat në vendin tonë, zien nga veprimtaritë dhe nuk e ka ndalur asnjëherë funksionimin e saj. Ajo nxit dhe motivon përherë krijimtarinë e shkrimtarëve dhe artistëve të të gjitha fushave të artit, por dhe mbështet krijimtarinë e tyre. Mbase janë edhe vlerat e këtij organizimi dhe e kësaj përkujdesjeje, që sot, Durrësi është nga rrethet që dallohet për numrin e madhe të krijuesve, poetë e shkrimtarë, por dhe për cilësinë dhe vlerat e shumanshme letrare e artistike me të cilat ata përfaqësohen përpara lexuesve.

Urime shkrimtarit dhe publicistit Kadri Tarelli për këtë libër me vlera njohëse, edukative dhe artistike!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx