Kulturë
Rudolf Marku: Ngjashmeritë e të kundertave
E shtune, 26.07.2025, 06:55 PM
NGJASHMERITË E TË KUNDERTAVE...
Nga
Rudolf Marku
1.
George
Orwell dhe Evelyn Waugh ( lexohet, pak a shumë, I’vlin Vôô) janë ndër
shkrimtarët më të mëdhenj të letersisë angleze të shekulli të njezetë. Të dy të
lindur në vitin 1903, në një shtresë pak a shumë të rehatshme të shoqerisë së
obsesionuar klasore të Anglisë. Rrallë
mund të gjesh shkrimtarë më të ndryshëm nga njëri tjetri se sa G.Orwell dhe E. Waugh. Në jetën dhe në fatin
e tyre letrarë dhe njerëzor. Në bindjet e tyre politike dhe në temperament.
Waugh arrin që të ngjitet në shkallët më të larta të shoqërisë angleze, ndersa
Orwell zgjedh shpesh herë që të jetojë si një njeri barbon,tramp, si një
protestë ndaj shoqërisë konvencionale dhe hipokrite. Waugh, për nga bindjet
politike, është shkrimtar me bindje të djathta, mik i ngushtë me të birin e Winston
Churchill, Randolph, dhe më vonë njëri ndër shkrimtarët dhe intelektualët e
brezit të famshëm të inteligjences angleze që u konvertuan në katolicizëm gjatë
viteve ‘30-’40 (T.S Eliot, G.K. Chesterton, Graham Green, Ronald Knox, Hilaire
Belloc). George Orwell, në të
kundërt, është një shkrimtar ateist, me
bindje socialiste, i majtë, i akuzuar madje prej shokëve të vet fanatikë të
Luftës së Spanjës si trockist. Waugh u
bë i famshëm që në moshen 23 vjeçare, në një kohë që në atë moshë Orwell përpiqej të siguronte
bukën e gojës duke punuar nëpër restorante dhe klube banale të Parisit dhe të
Londrës, duke fshehur me kujdes nga njerëzit përreth dëshiren e vet për t’u bërë shkrimtar. Le të
paraqesim, duke u mbështetur në librat biografikë të tyre, një skenë nga jeta e
përditshme e shkrimtarëve, për të parë
se sa të ndryshëm janë: Në një natë të
qetë me qiell të pastërt, Duka i
Marlborought jep pritje për miqt e shquar në njerin nga vilat e Londres. Mes
mysafirëve të shoqërisë së lartë ja ku vjen dhe shkrimtari Evely Waugh, 27
vjeçar, i cili ka botuar dy libra, ‘’Decline and Fall,, dhe ‘’ Vile Bodies,,
dhe një studim eseistik rreth jetes dhe vepres së Rossetti-t (‘’Rossetti: His
life and work). Sidomos romani ‘’Vile Bodies,, (në shqip: trupa të shëmtuar, sipas
një reference nga Testament i Ri, i Shën Markut. Më kanë thënë se në shqip
është botuar me titullin ‘’ Trupa të poshtër,!!!). Futet në salon dhe të gjithë
e ndjekin me sy. Në pritje marrin pjesë gjashtë Ambasadorë dhe rreth 40 fisnikë
të familjeve më të njohura angleze. Merr pjesë dhe miku i tij i afërt, Randolph
Churchill, djali i Churchillit të famshëm, i cili i dehur ja hedhë në fytyrë pijen e koktejit një zonje që quhet Wanda.
Është dhe poetesha e fashme Edith Sitwell që i bën lajka shkrimtarit 27 vjeçar.
Vetë Evelyn Waugh gjen një qoshe të fshehtë dhe shënon hollësisht gjithëçka që
sheh, luksin, bisedat, rrobat e burrave dhe margaritarët që mbajnë zonjat,
dialogjet vanitoze,ftesen tjeter për drekë në diten e neserme, në Ritz
(përshkrimi është marrë nga libri autobiografik i Evelyn Waugh). Dhe po atë
mbrëmje të Qershorit të vitit 1930, një djalosh i së njejtes moshë, por me
paraqitje krejt të ndryshme, Eric Blair (i cili vite më vonë do zgjedh emërin
letrar Georg Orwell) është duke punuar i vetëm në një dhomë të pistë dhe të
rrëmuejshme në lagjen e të varfërve të qytetit Leeds, një qytet industrial në
Veri të Anglisë. Është mysafir i padëshëruar në shtepinë e kunatit, burrit të
së motres, i cili e sheh mysafirin si një dështak pa asnë qindarkë në xhep, i
papunë dhe pa asnjë të ardhme. Dhe ky është opinion i të gjithë atyre që e
njohin nga afër. Ai kutërbon dhe vishet si një endacak i pastrehë. Megjithatë
ai në ditarin e vet sqaron se në të
vertetë nuk është endacak,halabak, por ka vendosur vetë që të jetojë mes
halabakëve, të pastrehëve, që të jetojë pa u larë dhe pa u kujdesur për veten,
për të njohur në lëkuren e vet varfërinë
dhe mjerimin, vetëm e vetëm që të mund të çlirohet nga paragjykimet klasore.
Shënon në ditarin e vet ai që do njihet disa vite më vonë si shkrimtari anglez
George Orwell ‘’kur jeton në një dhomë më halabakët dhe të mjerët e uritur dhe
kur pi çajë nga e njëjta kanaçe e ndyshkur dhe që bie erë urine, atëherë ti
ndjen se ke provuar më të keqen, dhe kësisoj nuk trembesh se ke për t’u gjëndur
në një situatë më të vështirë se kjo,,...(të dhënat janë marrë nga libri
autobiografik i George Orwell). Në kohën kur Evelyn Waugh është pranuar dhe
përshendetur si një shkrimtar i talentuar, Orwell ka nisur të shkruajë një
libër për restorantet dhe klubet e Parisit. Jo një libër guidë turistike. Libri
i Orwell është një libër që përshkruan hollësisht përvojen e hidhur të
vetë shkrimtarit të ardhshëm gjatë dy
viteve në Paris, duke punuar në kuzhinat
e ndyra, të pista,duke larë pjatat e darkave të klientëve të pasur, ose duke
punuar si portjerë dyersh hotelesh. Libri që do titullohet më vonë ‘’Down and
Out in Paris and London,, është në fakt libri i parë që botohet nën emërin George Orwell (1934).
Evelyn
Waugh studion në Oxford,ndersa Georg Orwell-t i jepet e drejta të studjojë në
Eton College, në njeren nga shkollat më të njohura në botë. Të dy pësojnë
zhgenjimin më të madh nga sistemi i edukimit. Pas njohjes me tradhëtinë e së
shoqes, që ishte dhe dashuria e tij e parë, Evelyn Waugh shkruan dhe njërin
ndër pasazhet më të hidhur në letersinë bashkëkohore (romani ‘’ A Handful of
Dust,, -sipas vargut të njohur të TS Eliot): Një grua e martuar sapo është
larguar nga i dashuri i vet, i cili quhet John dhe i cili do të marrë avionin për
një vend të largët. Gruaja është
e trishtuar nga ndarja. Dashnorët kanë një apartament në Londër ku gruaja jeton
herë pas here me të dashurin, duke lënë të shoqin dhe djalin, i cili quhet dhe
ky, po ashtu si dhe dashnori i saj, John (John Andrew), në shtepinë bashkshortore
në Hetton, një vend disa kilometra larg Londres. Pasi ka percjell të dashurin ne airport,, ajo vendos të shkojë
në një Party, prapë në Londër. Befas dikush kërkon ta takojë urgjentisht. Sheh
një mikun e familjes, i cili ka një pamjë tepër të zymtë. Miku i saj i jep
lajmin e kobshwm se Johni sap ka vdekur në një akisdent. Ajo tmerrohet. Thotë-
Po unë sapo e përcolla John në aeroport! …Pas pak, ajo qetësohet, sepse merr
vesh keqkuptimin. Nuk ka vdekur në aksident i dashuri, por i biri, i cili dhe ky
quhet John. Dhe ajo ‘’ …për një çast rrudhë ballin, duke mos folur
përnjëherë.’’ Ka vdekur John?... John Andrew?...Kurse unë...Ah, Zot,
faleminderit!,,. Dhe pastaj ajo shkrehet në lotë...
Në
kohën kur Evelyn Waugh shkruan këto rrjeshta të tmerrshëm, Orwell është i
pamartuar, dhe të jep përshtypjen se kurrë nuk do martohet. Waugh pas pak
konevrtohet në katolicizëm. Reagimi i rretheve intelektuale është i
jashtëzakonshëm. Me naivitetitin më të madh, ai naivitet që është burim
sarkazme dhe humori të pashoq për Evelyn Waugh, shumë gazeta shkruajnë: ‘’nuk
arrijmë që ta kuptojmë se si një shkrimtar thellësisht i talentuar dhe
shkrimtari më modern i kohës mund të konvertohet në Katolicizem!..’’. Vetë
shkrimtari ngul këmbë se ‘’që nga dita e konvertimit në katolicizëm, e gjithë
jeta ime është një ngazëllim i pafundm i një udhëtimi eksplorativ në ato
hapësira të cilat më bëjnë të lirë..’’. Dhe shton: ‘’ Jeta është thjeshtë një
Kaos pa një kod moral, dhe Krishtërimi është ay kod moral mbi të cilin qytetërimi perendimor
mbështetet. Vetë kataolicizmi është dhe
forma më e përsosur dhe më e pastërt e krishtërimit,,.
Në
të kundërt, Orwell është ateist. Pas një martese të shpjetë, ai me të shoqen
vendosen në një vend të humbur. Gruaja përgaditë dreken dhe dëgjon gjithë kohes
rrahjet e tasteve të makinës së shkrimit, tek Orwell shkruan librin ‘’ Road to
Wigan Pier,,. Ndodh pastaj ajo që quhet Lufta Civile e Spanjës. Është një
luftë që sherben si Parathënia e Luftës
së Dytë Botërore. Ushtria e Frankos merr ndihma të konsiderueshme nga Hitleri
dhe Mussolini, ndersa Republikanët mbështeten fuqimisht nga Stalini. Për
Orwell-in nuk ka asnjë dilemë se cilin krah do mbështes.Në vend të muajit të
mjaltit, Orwell vendos të shkojë në Spanjë.. Nu ka para për biletë. Partia Komuniste
Britanike i siguron bileten, ca para udhëtimi dhe letra rekomandimesh. Sapo
arrin në Spanjë, shkon në Barcelonë ku i bashkohet Partisë së Punëtorëve të Unifikimit Marksist
(POUM). Shumë nga anëtarët e Partisë janë të rinj analfabetë dhe pa asnjë përvojë
ushtarake. Orwell-it, i cili ironikisht ka dijeni ushtarake nga Corriculum i
Eton College, i jepet një vend i parëndësishem drejtuesi. Lufton trimërisht,
duke vrarë kundërshtarë. Në Barcelonë ai vë re se të vrarët e krahut të tij nuk
qenë të vrarë domosdoshmërisht në frontin e Luftës. Në shumë proçesione
funerale, Orwell vë re se të vrarët janë vrarë pas shpine, ose ekzekutuar nga
shokët e tyre si jo të denjë për doktrinen staliniste. Komunistët përpiqen të
marrin frenat e qeverisë Republikane. Shumë nga shokët e Orwell-it janë zhdukur
a janë nëpër burgje. Pasaporta britanike nuk i garanton jetën. Ashtu siç nuk ja
ka garantuar jeten të vrarëve. E megjithatë, me trimërinë dhe ndershmërinë e
jashtëzakonshme që ka, kthehet në Front. Aty dhe plagoset për vdekje. Një plumb
ja përshkon fytin, gati duke ja prekur arterien carotike, gjë që do t’i kishte
shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Nuk mund të flas. Madje pas kësaj, zëri i tij
do të jetë krejt i ndryshëm. E mjekojnë në fushen e betejes, dhe pastaj e hedhin
në një ambulancë të mbushur plot me të vdekur e të plagosur. Përfundon në një
spital të qyetitit të vogël Lerida, pranë Barcelones. E shoqja nxiton t’i
bashkohet. Në Spital e konsiderojnë të paaftë për Luftë. Sapo e merr veten, këmbëngul që të shkojë në front. Komunistët
kanë filluar masakrat në masë kundër POUM, partisë marksiste ku aderon Orwell.
E quajnë të paligjshme, revizioniste, fashiste, balliste dhe kolaborocioniste.
Anëtarët e saj i arrestojnë dhe i ekzekutojnë pa gjygj. Spitali ku kishte qënë i
shtruar Orwell bastiset nga gjashtë
policë komunistë. Në Barcelonë Orwell ecen i kujdesshëm që të mos e arrestojnë
ata me të cilët ka luftuar krah per
krah. Shkon në Hotelin Continental ku e shoqja e prêt. Ajo, me ta parë, nxiton
t’i hidhet në qafë me një afeksion teatral; duke i pëshpërit në vesh-Duhet të
zhdukemi nga këtu! Sytë e saj të frikësura thojnë gjithëçka.Orwell ka kohë që të paralajmërojë dy oficerë
francezë, të kërkuar dhe ata nga policia Komuniste. Dy ditë më vonë dhoma e
hotelit ku ka qëndruar e shoqja kthehet me kokë poshtë nga komunistët, të cilët
janë të interesuar për Orwellin. Marrin ditarët e tij, të gjithë dorëshkrimet
dhe librat. E shoqja arrin të fsheh pasaporten. Bashkohen në Konsullaten
Britanike në Barcelonë. Me çmendurinë e vet për të ndihmuar deri në fund të
tjerët, del nga Konsullata për të ndihmuar një shokun e vet, Georges Kopp, në
burgun e Barcelones. Kopp i kërkon që të shkojë në Ministrinë e Luftës që të
mund t’i marrë ca shkresa zyrtare. Orwell shkon atje, dhe atje e njohin. Vrapon
mes plumbash që t’i shpëtojë arrestimit. Konsullata britanike i pajisë me
bileta për në Francë, dhe pas qindra peripecishë, duke u shtirë si turistë
anglezë, Orwell dhe e shoqja e tij arrijnë në Paris.
2.
Po
në atë kohë kur Orwell lufton kundër Frankos,Hitlerit dhe Musolinit, Evelyn
Waugh interviston Musolinin në Etiopi.Waugh nuk ka as dhe simpatinë më të vogël
për fashizmin, por Musolini i duket një njeri interesant,tërheqës,energjik dhe
elokuent.Me fillimin e Luftës, kërkon me këmbëngulje që të rregjistrohet ne
Front. E refuzojnë për shkak të miopisë së avancuar dhë për shkak të shnëdetit.
I kërkon mikut të vet,djalit të kryeministrit Churchill që të ndërhyjë e ta
dërgojnë në Front. Shënjëtori Georg
Orwell për herë të parë bëhet xheloz: ’’si nuk ndodh kurrë që një shkrimatr i
majtë të bëj atë që bën shkrimtari i shquar Evelyn Waugh?..-i shkruan një miku
të vet. Ka parasysh se dy shkrimtarë të njohur , W.H.Auden dhe Christopher
Isherwood, ikin nga Anglia vetëm e vetëm nga frika e Luftës. Të dy janë
shkrimtarë me ndikime të thella marksiste. Waugh caktohet me trupat britanikë
në Kroaci. Njihet nga afër me marshallin Tito,takimin me të cilin e paraqet me
një humor të shkëqyer. Tito është për Waugh ’’Aunty Tito,,-një lloj hallë e
dhjamur. Partizanët jugosllavë janë patetikë, provincial,mashtrues,barbarë dhe
pretenciozë.Merr pjesë në një lloj festimi partizanësh ‘’një lloj përzierjeje
këngësh në gjuhën ruse, serbo-kroate,dhe
në një gjuhë tjeter që besohet se është anglisht...Ata që këndojnë janë të gjithë
të dehur. Vijnë pastaj vallet ose ato çfarë supozohet të jenë valle...Pastaj
një skeç ku një partisan i plagosur vret 100 gjermanë, dhe një grua me pamje
shtrige flet për emancipimin e gruas...derisa një lloj komandanti më afrohet e
më thotë: Ju keni Luftën, ne kemi Artin e madh!,,. Me atë vezhgimin e prehtë,
Waugh e kupton se pas pretendimit liberal të Titos fshihet kërcënimi barbar i
një njeriu të etur për pushtet. Është i pari që vëre krimet që komunistët
jugosllavë kryejnë kundër kishes katolike dhe klerit në përgjithësi,duke
rrafshuar në mënyrën më të panevojshme kisha dhe katedrale dhe duke burgosur
priftërinj. Shkruan një raport të hollësishëm për Foreign Office, raport që ka
mbetur i fshehur për 60 vite me rradhë në arkivat secrete, ngase politikes së
jashtme britanike nuk i interesonte asnjë keqkuptim me marshallin Tito.
3.
George Orwell është autori i librave të famshëm dhe të njohur botërisht ‘’Animal Farm,, dhe ‘’1984,,, libra që kanë kontribuar në rrëzimin e rregjimeve komuniste dhe totalitare. Dhe të mendosh se janë libra të shkruar nga një shkrimtar që ka vënë jeten e vet në rrezik për mbrojtjen e socializmit dhe të marksizmit. Libra që e kanë kaluar, secili veçmas, tirazhin e 18 milionë kopjeve vetëm në botimin në gjuhën anglisht. Orwell nuk pushoi deri në fundin e jetës duke marrë në mbrojtje autorët e rrezikuar, sidomos ata që ishin të kundërt me pikëpamjet e tij. Orwell është i pari që mbron romancierin Waugh nga sulmet e D.S.Savage. Dhe në historinë e letersisë angleze ka mbetur e famshme mbrojtja që i ka bërë G. Orwell-i shkrimtarit Woodhouse-një shkrimtar që adhurohej nga Waugh-kur ai akuzohej padrejtësisht në Parlamentin anglez për kolaboracion me gjermanët; Waugh është autori i romaneve ‘’ The Brideshead revisited,,,’’ A handful of dust,, ,‘’Vile Bodies,, dhe ‘’ Scoop,, romane që pranohet si kryevepra të letersisë moderne. Gjatë jetes u takuan vetëm një herë, kur Waugh shkon dhe e sheh Orwell-in në shtratin e vdekjes,në fundin e vitit 1949. Vetë Evelyn Waugh do jetojë dhe 16 vite të tjera pas vdekjes së George Orwell. Të dy shkrimtarë me pikëpamje politike, fetare, sociale dhe me shije letrare diametralisht të kundërt. Por të bashkuar në krijimtarinë e tyre me anë të talentit të madh, me ndershmërinë e tyre të jashtëzakonshme, me vetëdijen e rrezikut të zhdukjes së vlerave shpirtërore në një botë të obsesionuar nga pasuria,financa, materia; të bashkuar kundër totalitarizmit dhe padrejtësisë,në mbrojtje të qënies njerëzore dhe vlerave shpirtërore; të bashkuar në mbrojtjen e traditave të mëdha të qytetërimit njerëzor dhe qëllimeve të mëdha të këtij qytetërimi; të bashkuar në Komunitetin e lartë të Artit letrar, ku zilia, pikëpamjet politike, mëritë janë të përjashtuara. Për shumë kohë edhe në boten anglo-saksone është besuar, nga shumë kush, se Waugh dhe Orwell e përjashtojnë njëri-tjetrin. Tani besohet se Waugh dhe Orwell janë dy shkrimtarë me të njejten fytyrë dhe koha jonë ka nevojë më shumë se kurrë për të dy. Për shkrimtarët si George Orwell dhe për shkrimtarët si Evelyn Waugh. Për të na kujtuar se Arti i Madh është Arti i bashkimit të vlerave më të larta njerëzore, në një botë ku shpesh këto vlera përbalten në një spektakel me duartrokitje të bujshme.