Kulturë
Feti Zeneli: "Prurja e madhe" për polifoninë e Albert Zholit
E premte, 25.07.2025, 06:55 PM
"PRURJA E MADHE" PËR POLIFONINË E ALBERT Z. ZHOLIT...
Nga
Feti ZENELI
Një
nga librat më të suksesshëm të shkrimtarit dhe publicistit tonë të mirënjohur,
Albert Z. Zholi, i cili ka në fokus jo vetëm një nga dramat më të mëdha të
popullsisë shqiptare që lidhet me emigrimin e saj në Greqi, por edhe historinë
e marrëdhënieve të vjetra e të reja midis dy vendeve tona, titullohet
"Ikja e madhe" (4 ribotime deri tani). Nëse do ta perifrazoja
titullin e këtij botimi për të shprehur me dy fjalë vlerësimin tim lidhur me
librin më të fundit të Zholit, të titulluar "Historia dhe madhështia e
këngës Polifonike Shqiptare", do ta quaja apo konsideroja atë, si
"prurja e madhe". Mendoj, se një term i tillë i shkon për shtat,
qoftë vetë autorit, që vazhdimisht ecën nën krahët e ndjeshmërisë njerëzore,
ashtu dhe librit të tij, që nuk besoj se hyn tek "sendet e
zakonshme". T'i shohim gjërat me radhë, pasi çdo përvojë e jetës së
Albertit bëhet objekt veprash letrare, vetëm duke shfrytëzuar cilësitë pozitive
të karakterit dhe intelektit të tij. Përgjithësisht, duke iu referuar edhe 27
botimeve të mëparshme të tij, janë temat për të shkruar ato që e zgjedhin
Albertin, dhe jo e kundërta. Nga ana tjetër, ndodhemi përballë një rasti
specifik e një teme mjaft të ndjeshme, të cilat na sjellin ndërmend fjalët e
shkrimtarit italian, Leonardo Shasha: "Emri i një shkrimtari, titulli i
një libri, për disa, nganjëherë mund të tingëllojnë si emri i atdheut".
Albert
Z. Zholi është ndër shkrimtarët dhe publicistët tanë më të mirë të kohës së
sotme, që siç shprehen në letrën që i dërgojnë në 7 shkurt 1998, Ismail dhe
Helena Kadare; çdo gjë e shkruar prej tij "... të shkon drejt e në
zemër". Korifeu tjetër i letrave shqipe, Dritëro Agolli thotë:
"Alberti shkruan me kulturë, me mjeshtëri artistike, me stil të gjallë, me
një gjuhë të rrjedhshme dhe mbi të gjitha, me një ndjeshmëri të rrallë".
Lidhur me vizionin, talentin, përkushtimin, realizmin, besueshmërinë,
vërtetësinë, modestinë e plotë vlera të tjera njerëzore dhe artistike të këtij
autori shkruajnë e shprehen një sërë personalitetesh të fushave të ndryshme si:
Aristidh Kola, Bardhosh Gaçe, Nasho Jorgaqi, Ago Nezha, Eshref Ymeri, Agim
Shehu, Xhevair Spahiu, Naum Prifti, Jorgo Papingji, Mihallaq Qilleri, Margarita
Xhepa, Reshat Arbana, Luftar Paja, Gudar Beqiraj, etj. Mjafton fakti që deri
tani, ai ka zhvilluar rreth 6 000 intervista me personalitete të letërsisë,
artit, muzikës, kulturës, shkencës, politikës, biznesit, etj., për të treguar
se ç'mjalt cilësor ka grumbulluar penë-bleta e tij duke u endur luleve të
fjalës kompetente, plotë profesionalizëm dhe atdhetarizëm. Gjithashtu,
dimensioni tjetër i Albertit, si një ndër veprimtarët më të zëshëm të çështjes
shqiptare, e kompleton figurën e tij prej personaliteti të spikatur, i cili
është si dielli që ushqehet me dritën e vet, dhe falë të cilit ndriçon
suksesshëm gjithçka që prek. Punon me një pasion e personalitet rilindasi, që
ja dikton disi edhe realiteti i braktisjes, jo nga pak njerëz, të vlerave
kombëtare, e për të cilët, atdheu nuk është më "...gjëja më e shtrenjtë
mbi të gjithë gjërat". Kësisoj, siç thotë dhe Kim Mehmeti "... u bëmë
një shoqëri ku njeriu nuk vlen aq sa ka në kokë, por aq sa ka në xhep".
Rendja pas interesit material, po i dehidraton vlerat njerëzore. Krijimi nga
Alberti në vitin 1995 në Athinë i shoqatës shqiptare "Vëllazërimi"
është një shembull domethënës, se si mund t'u jepet oksigjen këtyre vlerave, që
po veniten dita-ditës. Këtu besoj e gjejnë motivin; Qarku Vlorë, Bashkia
Tepelenë e Përmet; Shoqata "Labëria", "Vëllezërit
Frashëri", "Tafil Buzi", "Polifonia Shqiptare" e shumë
institucione të tjera social-kulturore, që i kanë dhënë atij tituj të shumtë,
si: "Qytetar Nderi", "Nderi i Shoqatës", "Personalitet
i Shquar", "Mirënjohje për Shkencën e Jetën", "Ambasador i
Paqes", "Gazetar i vitit", etj.
Libri
"Historia dhe madhështia e këngës Polifonike Shqiptare" i rrit së
tepërmi kuotat e tij në bursën e integritetit profesional e atdhetar, për shkak
të ngritjes së një muri mbrojtës me gurë të rëndë personalitetesh të artit,
kulturës e shkencës shqiptare si: Eqerem Çabej, Ramadan Sokoli, Zhani Ciko,
Aleksandër Peçi, Limoz Dizdari, Agim Krajka, Aleksandër Lalo, Ermir Dizdari,
Kastriot Bezati, Pirro Miso, Roland Çene, Fitim Caushi, Pëllumb Xhufi, Moikom
Zeqo, Spiro Situni, Naxhi Kasaruho, Bajram Lapi, Lefter Çipa, Sazan Guri, etj.,
që të mos rrëshqas e rrokulliset në hone qytetrimesh të vetëshkatërruara, një
pasuri e tillë kombëtare e ndërkombëtare.
Natyrisht,
sa më i lartë kualiteti i referentëve, aq më i mirë produkti i marë prej tyre.
Por mendimet, për të bërë rrugën "nga koka tek letra", duhet të udhëhiqen
nga idetë e qarta të autorit të librit. Duke ju hedhur një sy të gjitha këtyre
referencave, bindemi se është përzgjedhur gjithçka që prek shpirtin e lexuesit,
që magjeps si ngjarje apo që të bën të mendosh thellë për të. Për shembull, nga
Eqerem Çabej, vilet mendimi i tij për gjenezën e këngës labe, që
"...lidhen muzikisht me jetën baritore... Ky popull barinjsh, -shton
Çabej, -e ka krijuar këngën e vet, duke mbështetur (pa ditur) me zërin e dashur
e të zakonshëm të këmborëve. Këtë duhet ta vërtetojë edhe gjuha, me që për një
këngë që këndohet mirë thuhet: "Vate si kumborë (zile)". Ndërsa nga
Ramadan Sokoli citohet dëshmia e Ksenofonit të Lashtësisë, rreth mënyrës së
këndimit të një fisi Trakas, që banonte në juglindje të sijudhesës ballkanike:
"Së pari fillon të këndojë njëri syresh, pas tij të gjithë pjesmarrësit
futen në ritmin e këngës. A nuk na kujton ky njoftim i shkurtër mënyrën e
këndimit me iso?" Vazhdohet pastaj me Zhani Cikon, i cili duke u nisuar
nga strukturat muzikore, evidenton veçantinë e polifonisë që bazohet tek
"çerek toni" dhe shton: "...Fenomenin e çerek tonit ne nuk e
gjejmë vetëm tek Polifonia që është nga koha e Pellazgëve, apo më parë, por e
gjejmë dhe tek rapsodët që tashmë po përpiqen t'i vlerësojnë në rangun e
UNESKO-s". E njëjta gjë konstatohet edhe kur rreth kësaj teme shprehen
interpretues të këngës polifonike apo popullore, si: Golik Jaupi, Paro Ziflaj,
Petrit Lulo, Irini Qirjako, Nazif Çela, Ajet Duka, Ylli Baka, Katina Bejleri,
Sinan Ahmeti, Tomorr Lelo, Mimoza Kosturi, Dashuri Hysaj, etj. Në libër sillen
dhe disa prononcime institucionale apo aktivitete shoqatash kulturore që
mbrojnë e promovojnë këngën polifonike shqiptare, këtë "fosforinë",
siç shprehet Lefter Çipa, "që ka vetinë e ndriçimit të rrugës edhe në
natën pus".
Siç
dihet, kënga polifonike është pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe përbën
një nga dëshimtë autentike të hershmërisë shqiptare. Janë studjuesit vendas dhe
të huaj (kryesisht ata europianë) që arrijnë në përfundimin, se polifonia
shqiptare është ndër më të lashtat në rajon. Kjo do të thotë se, në një farë
kuptimi është kënduar duke tundur djepin pellazgo-iliro-shqiptare. Në të
mëshirohet konstitucioni ynë shpirtëror përgjatë shumë mijëvjeçarëve;
konfirmohet origjina e këngës polifonike brenda shpirtit të këtij populli dhe
trojeve tona stërgjyshore. Kësisoj, me hulumtime e studime shumë të
dokumentuara, është mbërritur deri në shekullin e 15-të para erës së re, ku
janë gjetur fakte e dëshmi autentike të këngës sonë polifonike. Por me
deduksione logjike, duke analizuar formulat steriotipe të fillimit të këngëve
me: "Oj lia oj,/ vaj lia vaj", etj., shkohet dhe më tej, tek një
shtresim i lashtë me prejardhje mitologjike, që sjell jehonën e praktikave
ritualo-magjike të asaj kohe. Polifonia është pjesë e AND-së të etnitetit tonë
kombëtar, që na dallon nga të gjithë popujt e tjerë të rajonit dhe më gjerë;
është një mjet kulturor që na identifikon në botë. Polifonia shqiptare në
vetvete përbën një trashëgimi të kulturës sonë shpirtërore, tepër e kultivuar dhe
e zhvilluar, ku vlerat e saj qëndrojnë pothujase në lartësi qiellore mes zërave
të marrësit, kthyesit, hedhësit dhe grupit që mban iso, duke befasuar e
mrekulluar çdo muzikolog me emër në të gjithë botën e qytetëruar. Për të mos u
ndalur në shumë shembuj ilustrues të kësaj natyre, mjafton të përmendim faktin,
se në vitin 1999, një grup i televizionit francez erdhi enkas në Tiranë për të
dëgjuar polifoninë vajtuese të ngjarjeve të '97-ës.
Për
të konsoliduar dhe unifikuar më tej qasjen institucionale e atë kombëtare ndaj
këngës polifonike, në 25 mars të vitit 2023, Shoqata Atdhetare Kulturore
Labëria, "Nderi i Kombit" organizoi në Muzeun Historik Kombëtar
simpoziumin shkencor me temë: "Polifonia Popullore Shqiptare - Pasuri e
Kombit Shqiptar". Merrnin pjesë rreth 250 personalitete të kombit,
përfshirë edhe Akademikun e shquar shqiptar, Rexhep Qose, deputetë, kryetarët
bashkish të rretheve jugore, etnomuzikologë, ekspertë të polifonisë, etj.
Simpoziumi u ndal rreth disa tezave që lidhen me shmangjen nga e vërteta
historike dhe tjetërsimin e origjinës së polifonisë, duke e konsideruar atë me
origjinë greke, të përkundur në djepin e sirenave helene. Këto lloj
shtrembërimesh që kanë zënë vend edhe në faqen zyrtare të UNESKO-s, përfshi dhe
tezën se "Iso-Polifonia shqiptare buron nga muzika kishtare bizantine,
përbëjnë një goditje për identitetin kombëtar shqiptar, për të cilin gjeniu i
letrave shqipe, Ismail Kadare thotë: "Populli shqiptar nuk ka identitet
gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtuese". Kësaj
çështjeje, që shkon kundër rrjedhës së mendimit të konsoliduar shkencor për
origjinën shqiptare të Polifonisë, i kushtohet një vend i veçantë në librin e
Albert Zholit, duke përfshirë dhe Rezolutën e nënshkruar nga 250 personalitete
të kombit tonë, shto mes tyre dhe Ismail Kadarenë e Rexhep Qosen. Rezoluta u
dërgohet autoriteteve më të larta shtetrore dhe Akademisë së Shkencave të
vendit tonë, që të reagojnë në mënyrë institucionale ndaj përmbajtjes së
prezantimit të Polifonisë në faqen e UNESKO-s, e cila godet rëndë identitetin
kombëtar shqiptar.
Por
sado gjatë të ndalem unë rreth vlerave artistike, historike e kombëtare të
librit "Historia dhe madhështia e këngës Polifonike shqiptare",
gjithësesi nuk mund të zëvendësoj leximin e vëmendshëm të këtij libri, ku
gjithësecili gjen brenda vetes gjithëçka që ka akumuluar për këtë lloj kënge të
magjishme, që të shëron plagët, që edhe vdekjen ta bën më të lehtë, siç
rrefehet në tregimin-epilog: "Kënga labe dhe mesazhi i një nate
pranvere". Nuk ka faqe të këtij libri që të mos prek zemrën e të mos
ndriçoj mendjen, paçka se jetojmë në një kohë që leximi është një "virtyt
në zhdukje", ndërsa shkrimtari dhe filozofi i njohur Italian, Umberto Eko
porosit: "Librat nuk janë bërë për t'u besuar, por për t'u vënë nën
shqyrtim".