E diele, 27.07.2025, 06:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Lexim artistik e filozofik i poezisë “Ndoshta për vogëlushët që ishin dikur”

E shtune, 26.07.2025, 12:36 PM


Nga Timo Mërkuri

Fëminia është një vend që nuk gjendet në hartë, por jeton në kujtesën tonë si një dritë që ndrin. Është ajo kohë e artë, kur bota nuk lexohet me logjikë, por me sy që habiten, me zemër që kap çdo dridhje, me lojëra që ndërtojnë universin. Armela Hysi, me një poezi që nuk i bindet rrëfimit linear, por ecën në shtigje që i njeh vetëm ndjesia, e rikthen këtë fëmini jo si mall, por si mjet shprehës, si kod që shpalos ekzistencën. Vargu i saj është postmodern, por me një shpirt të ngrohtë që buron nga çiltërsia e parë, nga ato dritare që hapen mbi retë ku shfaqen “shpendë, kafshë e njerëz” që kurrë s’kanë ekzistuar, por megjithatë kanë qenë gjithmonë aty, në syrin e fëmijës.

Poetja nuk e ndan fëmininë nga filozofia e të qenit, përkundrazi: ajo e sheh atë si formën më të thellë të përjetimit të botës, si fillimin e të gjitha kuptimeve. Dhe kështu, ajo i sjell lexuesit një poezi të ngrohtë në ndjesi, por të ndërlikuar në strukturë; një poezi ku përfytyrimi bëhet mënyrë e të qenit, dhe melodia e fjalëve nuk ka më nevojë të tregojë rrugën, por vetëm të të shoqërojë në një udhëtim të brendshëm.

Në këtë univers poetik, asgjë nuk është e fiksuar, gjithçka është në lëvizje, ashtu si reja që përjeton “krizë paniku para semaforit” apo si “llambushkëza e ruajtur në nyjën e dytë djathtas të harresës.” Dhe megjithatë, pavarësisht përshkallëzimit modernist të imazhit, ajo që mbetet është tharmi i ndjeshmërisë, drita që rrjedh prej përjetimeve të para dhe nuk shuhet kurrë. Kjo është risia poetike: të thuash ndryshe gjëra të vjetra, duke ruajtur brishtësinë dhe thellësinë e tyre.

I- Ka poezi që nuk kërkojnë të lexohen me sy, por me kujtim. Ato nuk kërkojnë kuptim, por bashkëfrymëmarrje. Poezia “Ndoshta për vogëlushët që ishin dikur” e Armela Hysit nis qysh në titull si një frymë që nuk kërkon zërin, por dridhjen e heshtjes. Është një titull që nuk vjen për të shpjeguar, por për të pëshpëritur ndjenjën para se fjala të formohet. Ai nuk lajmëron, por thërret pa zë, si një kujtim që nuk ikën, si një mendim që nuk mbaron. Në këtë titull s’ka rrëfim, veç një prani e heshtur dhe pikërisht aty fillon poezia, në atë që s’thuhet, por ndihet. Në atë që s’e mbart dot fjala, por ia lë vendin frymës që dridhet në boshllëk. Dhe së fundi, ky titull mbart dy rrafshe kuptimore: ai artistik, që na fut në gjendje përmes ndijimit dhe ai filozofik, që na kujton se jo gjithçka duhet thënë me zë, për të qenë e vërtetë.

1.Në rrafshin artistik: Titulli i poezisë është një fjali e qetë, e papërfunduar, që duket sikur flet me veten. Nuk është thirrje, nuk është deklaratë, është një pohim i dyzuar, i përshkruar nga fjala e parë: “ndoshta”. Kjo fjalë vendos menjëherë tonin poetik: të dyshimtë, të zbehtë, të përhumbur. Nuk ka siguri, por ka ndjesi. Fjala “vogëlushët” zgjedh një formë të butë, të përkëdhelur e dashamirëse për të përshkruar fëmijërinë. Nuk është “fëmijët” apo “të vegjlit”, por vogëlushët, një emër që mbart ngrohtësi, pafajësi dhe një ndjesi loje. Është si një fjalë që vishet me erë qumështi, me zëra të lartë e çanta me ngjyra.

Fraza: “Që ishim dikur” përmbyll qetësisht rikthimin në kohë. Fjala “dikur” nuk ka datë, ajo është një përjetësi e kaluar, një horizont që mund të jetë para shumë vitesh ose para pak çastesh. Ajo fton kujtesën, por nuk e urdhëron atë. Ajo thjesht i lejon ndjesive të lëvizin lirshëm, si balonat në fund të poezisë.

Pra, artistikisht, titulli është një çelës, që nuk e hap derën me forcë, por e le të mbetet pak hapur, që të hyjë kujtesa si erë e lehtë. Është një fjali që nuk kërkon përgjigje, por një vend ku të ndalesh me zemrën pak të lënduar.

2.Në rrafshin filozofik: Titulli ngre pyetje të thella pa i shqiptuar. Ai flet për kohën, identitetin dhe humbjen. Fjala “ndoshta” është filozofikisht shprehja e dyshimit ekzistencial: a kemi qenë vërtet ata që kujtojmë? A jemi ende ata që ishim? Apo gjithçka është një ndjesi që e projektojmë në kujtesë për të ndërtuar një vazhdimësi ku na pëlqen të besojmë? Ky "ndoshta" është vendi ku njeriu përballet me harresën dhe me veten.

Vargu: “Për vogëlushët që ishim” është një formë e fragmentimit të identitetit, vetja e sotme nuk është më ajo e djeshmja, por është ende e lidhur me të. Është një vetëdije se ka një “ne” që ka qenë dhe që mund të jetë zhdukur, por që ndoshta akoma banon në një qelizë të fshehtë të shpirtit.

Ndërsa vargu: “Që ishim dikur” sjell nocionin e kohës si iluzion: sepse fëmijëria nuk është vetëm diçka që kalon, por një mënyrë e të perceptuarit të botës, që ndoshta mund të rikthehet në çaste të rralla. Në këtë kuptim, titulli përçon mendimin filozofik se koha është ciklike, jo lineare, dhe se fëmijëria mund të jetë “tretësirë” që s’ka ikur plotësisht.

Ndoshta për vogëlushët që ishim dikur” është një titull që nuk thotë, por nxit. Ai nuk e kërkon lexuesin, por e lë atë të vetë-reflektojë. Është një sugjerim i ndjeshëm për të kthyer kokën pas, jo me nostalgji të zhurmshme, por me një heshtje të brendshme që pyet veten: ku shkoi ajo fëmijë brenda meje? A është ende diku? Apo është rritur pa më thënë gjë? Sinqerisht, kjo është një poezi që fillon me një titull që është vetë poezi. Fjala ‘ndoshta’, që zakonisht sjell pasiguri, në këtë poezi shndërrohet në strehë të ndjenjës. Dhe pikërisht aty fillon udhëtimi poetik.

Në këtë analizë, parapëlqej të radhis shtresat vargore, ndjesore dhe filozofike të poezisë, jo për t’i zgjidhur si enigma, por për t’i përjetuar në thellësi dhe për të kuptuar mënyrën si ndërtohet ndjesia e vargut. Kjo qasje është personale dhe përjetuese dhe synon të ndihmojë një lexim të kujdesshëm të poezisë si akt i brendshëm.

II-Ka poezi që nuk i drejtohen lexuesit për t’u kuptuar, por për t’u ndjerë. Të ngjashme me një kujtim që vjen pa u ftuar, me një balonë që ngrihet lart nga një fëmijë që s’është më fëmijë. Kështu është poezia “Ndoshta për vogëlushët që ishim dikur” e Armela Hysit: një elegji për një fëmijëri të ikur, një dialog me hijet e rritjes, një lutje që tregon se koha nuk është veç kronologji, por “një tretësirë ndjesish” që herë rigon, herë oksidohet, e herë derdhet në përqafje. Kjo poezi nuk kërkon të sqarohet, por të rrijë në zemër si një llambushkë e ruajtur në nyjën djathtas të harresës. Le ta analizojme duke rrenditur shtresat vargore, artistike dhe filozofike të saj në një mënyrë që të shfaqen më qartë si arritjet, ashtu dhe përkatësitë e saj.

1. Qysh në nisje të poezisë, kujtesa shfaqet si një balonë e shpupurisur, si prani e turbullt, por e prekshme, një shtrat letre që mbart dhimbje, mall, një tabaka për të shërbyer gjithçka që ndjejmë, por nuk dime si ta shpjegojmë. Vargu  "bën një balonë xhufka-shpupurisur / ujdhesë për ditët..." sjell një imazh të fëmijërisë, por përmes një përfytyrimi që tejkalon ëmbëlsinë nostalgjike; është gati mitik, një shpikje që ndriçon frikën, duke e bërë pishtar në errësirën që ndan botët.

Kujtesa shfaqet e gjallë, e prekshme dhe filozofikisht: është mënyra si e tejkalojmë frikën përmes lojës, përmes metaforës. Poezia krijon një hapësirë ku terri e ylberi bashkëjetojnë si një strukturë ambigue e rritjes: e bukur dhe e dhimbshme.

2. Figura e Merkurit, që ndonëse pikëllon  është një figurë e rritjes. Te vargu “unë e shoh që kullon kuqësirë / dhe pritje” shfaqet kimia e botës fizike që bashkëjeton me kimitë e shpirtit. Merkuri, që s’oksidohet sipas mësueses së kimisë, pikërisht në këtë mospërputhje me realitetin emocional të unazës poetike, bëhet një pikë simbolike: rritja është e dhimbshme, e panatyrshme, e përgjon në heshtje dhe gërryen si një substancë e fshehtë.

Kjo përbën një thyerje të ligjit shkencor me “ligjin” emocional: në këtë poezi, kimia nuk është më e trupit, por e shpirtit. Merkuri është kujtesë që pikon, mall që ndryshket, dhimbje që rrjedh ngadalë, duke shndërruar logjikën në ndjesi.

3. Pjesa më njerëzore e prekshme e poezisë është kur ajo shndërrohet në një çast vajtimi të qetë. Vargu:“kur qaj shumë / kur qaj shumë zvogëlohet” shfaq një dhimbje dramatike, por intime, fëminore. Si një fëmijë që qan e më pas i kalon, jo se dhimbja mbaron, por sepse ndan përqafje me dhimbjen. Më kujton një realitet mortor të viseve tona, nënat dhe motrat nëpër morte vajtojnë të mposhtin dhimbjen, jo ta harrojnë atë, pse :“në qindra gogëlza që gjejnë njëra-tjetrën”.

Lotët janë gati lojë. Filozofia është se çdo pikë e dhimbjes nuk është një fund, por një mundësi për lidhje. Gogëlzat e lotëve bëhen bashkë, e kjo është përqafja. Një qasje ekzistenciale e butë: nuk jemi vetëm kur qajmë. Brenda nesh ndodh gjithmonë një takim i vetvetes me vetveten tjetër që ka qenë dikur.

4.Në këtë kapitull, kujtimi shndërrohet në një ndjesi biokimike: “që më përçon kujtesa ime proteinike /ruajtur një llambushkëze në nyjën e dytë/ djathtas /të harresës”. Kujtesa është trupore, është e ruajtur diku në nyje, si një energji e fjetur që mund të ndizet si llambushkë. Është filozofikisht një përkthim poetik i teorisë se trupi mban mend gjithçka që shpirti përpiqet të harrojë. Harresa këtu nuk është boshësi, por depozitë. Kujtesa nuk është më akt mendjeje, por një akt i qelizave. Poezia e Armela Hysit i jep kujtesës një formë të re poetike: as mendore, as shpirtërore, por thjesht ndjesore.

5. Vargjet:“kam frikë të të gjej, të të pyes / të të thërras në ndonjë ekran me emrin libër”  janë pikat më tronditëse të poezisë: frika që fëmija që ishte dikur ka ikur dhe është zëvendësuar nga një tjetër, i panjohur. Poezia përmend një selfie, një simbol i kohës modern, por e përdor atë për të treguar një fragment të së kaluarës. Në këtë reflektim filozofik, pyetja nuk është më "çfarë ndodhi me ty", por "a mund të jesh ende ti kur nuk je më ajo që ishe?" Identiteti ndryshon, por ndjenja për fëmijën që ishim dikur mbetet një boshllëk me emër të pashprehur.Këtu  duhet parë ajo nostalgji që përjetojmë për miqtë dhe miqësinë që kishim dikur në fëmini.

6. Te vargjet: “tek mbledh buzët / e bëhesh serioze / hënëza mbi mjekër luan kartën djallëzore të mallit” shfaqet malli si hënëz e heshtjes, ku poezia nuk përpiqet të japë përgjigje, por të rikrijojë ndjesinë e mungesës. Malli nuk është zëri i një personi, por një hënëz që luan me ne. Gjithçka ndodh në një realitet gati absurd, një re që ka krizë paniku para një semafori, një kohë që është ringrohur në mikrovalë. Në fakt ky është universi absurd, kafkaian i të rriturit: gjithçka është racionale, por në thelb absurde. E megjithatë, thellë në këtë absurditet, shfaqet balona e fëmijërisë, që të kujton se ndoshta gjithçka është ende aty.

E parë në këtë aspect ndjejmë se poezia “Ndoshta për vogëlushët që ishim dikur” është një udhëtim i heshtur, që të fton të përfytyrosh fëmijërinë jo si një kohë, por si një vend që të ka ikur e të pret të rikthehet. Është një elegji për veten që humb, por që ndoshta nuk largohet kurrë. Një poezi që nuk rri në faqe, por në nyjën e dytë të harresës. E thjeshtë, e çuditshme, përmalluese. Dhe e vërtetë, ndoshta për të gjithë vogëlushët që ishim dikur.

III- Përse u shkrua kjo poezi? Çfarë ndjeu poetja? Çfarë vizioni solli? Në brendinë e kësaj poezie rrjedh një dhimbje e qetë, e heshtur, si mall që mbartet gjatë. Ajo vjen si një letër që s’i është dërguar askujt, por është shkruar që të mos heshtë shpirti. Poetja ka përjetuar ndarjen e thellë dhe të padukshme me një vetvete të shkuar, me fëmijën që ka qenë, jo thjesht si moshë, por si ndjeshmëri, pafajësi, lojë dhe besim, pra me botën fëminore. Është një trishtim i thellë ekzistencial, jo për gjëra që ndodhin, por për gjëra që humbasin pa bërë zhurmë.

1.Kjo poezi është shkruar në një çast përballjeje të brendshme, kur poetja ndien se diçka mungon, por s’di saktësisht çfarë. Është një boshllëk që flet, një kujtim që s’ka më trup, por ka erë. Mund të jetë shkruar në një ditë të ftohtë prilli, si data që shënohet poshtë poezisë, kur gjithçka jashtë nis e lulëzon, ndërsa brenda njeriut ngrihen pyetje të mëdha: "kam frikë të të gjej të të pyes / të të thërras në ndonjë ekran me emrin libër..."Kjo frikë nuk është nga dikush tjetër. Është frika që vetja e dikurshme të mos jetë më aty. Dhe kjo frikë ka lindur nga vetë ndjenja e rritjes, që nuk është vetëm përjetim biologjik, por humbje poetike e një bote të brendshme. Ajo nuk mallkon rritjen, por e përqafon me pikëllim të butë.“ndoshta për rritjen që përgjon”.

Në këtë poezi, rritja përgjon si një hije, si një zbrazëti që del ngadalë në dritë. Nuk ka ndodhur ndonjë tragjedi e madhe në dukje. Ajo që ka ndodhur është shumë më e ndërlikuar: poetja ka ndjerë se nuk është më ajo që ka qenë. Ka kuptuar që përballë pasqyrës nuk qëndron më vajza e vogël që shpikte pishtarë në shpella imagjinare, por një grua që ndien heshtjen të ketë shije kohësh të ngrohta, ringrohur në mikrovalë, si te vargjet:“ka shije të veçantë heshtjeje / kohe / të mbrëmshme / ringrohur në furrë mikrovalësh” Poetja ka përjetuar krizën e kujtesës, atë ndjesinë se diçka ka humbur përgjithmonë, por megjithatë nuk largohet krejt. Qëndron e fshehur në trup, në ndonjë nyjë të harresës, në një selfie të vjetër, në një shikim të mbledhur buzësh.

2. Poezia është shkruar sepse ajo vogëlushe kërkonte të dëgjohej sërish, jo për t’u kthyer, por për të thënë se është ende diku. Poezia në thelb është një përqafim me fëmijërinë, por jo një rikthim në të. Është akt i pranimit se rritja është një pritje që kullon kuqësirë: “unë e shoh që kullon kuqësirë / dhe pritje”. Vizioni që sjell poetja është një vizion njerëzor dhe filozofik mbi identitetin. Ajo nuk jep përgjigje, por ngre një reflektim: A mbetet ndonjëherë fëmijëria brenda nesh? A jemi ende ata që kemi qenë, apo shndërrohemi në një tretësirë të panjohur? “ndoshta dhe je rritur / e je bërë një moshë me mua / shndërruar në një tretësirë të panjohur”. Poetja ndan me ne një përvojë që është universale, sepse të gjithë, në ndonjë moment, kemi ndjerë të njëjtin drithërimë kur një fotografi na është dukur më reale se vetja jonë e sotme.

3. Në thelb, kjo poezi është një lutje e fshehur që koha të mos e marrë krejtësisht fëmijën brenda nesh. Një përpjekje për të mbajtur gjallë atë pjesë që dikur ndizte pishtarë në errësirën e shpirtit. Një përqafim i vogël, i thjeshtë, por i thellë: “ti duhet të jesh ende fëmijë.” Në këtë varg që duket sikur e kemi shkruar ne, qëndron arsyeja, dhimbja dhe shpresa. Një thirrje e heshtur për veten që na mungon. Dhe ndoshta, pikërisht aty, në atë fije drite që mbetet brenda nesh, ka nisur edhe kjo poezi.

4. Mua kjo poezi më duket se duhet të lexohet si një ditar i vonshëm fëminie, jo ai i shkruar me lapsa me ngjyra në një fletore me zemra, por ai që shkruhet në heshtje, vite më pas, kur fëmijëria nuk është më kohë, por ndjesi e pathënë. Ajo çka mbetet në vargje është përthyerje e dritës së dikurshme në pasqyrën e së tashmes. Është kujtim që nuk zë vend në histori, por në lëkurë – si një përkëdhelje që nuk ndodhi, si një pyetje që nuk u bë kurrë.

Poezia i afrohet kujtesës me një zë të ulët, thuajse për të mos zgjuar të kaluarën. Në vend të rrëfimit, ajo ngre një atmosferë. Në vend të fakteve, mbart gjurmë. Dhe kjo e bën leximin të jetë më tepër dëgjim i brendshëm sesa kuptim i jashtëm. Ka aty një mall të heshtur, një brengë të ëmbël për atë që s’u jetua plotësisht, por mbeti në hije, në dritën e lënduar të asaj që ishim dikur.

Vargjet janë përshkuar nga një ndjesi përkatësie pa zotërim, siç janë gjithmonë fëmijëria dhe ëndrrat e saj, ndjesi që na përket, por nuk e kemi në dorë. Fëmija ecën në një dritë që nuk e zotëron, por e ndien të vetën. Dhe në këtë përjetim, poezia gjen thelbin e saj më të thellë: ajo nuk kërkon të kujtojë, por të ndjejë sërish atë që nuk u tha atëherë.

Ndaj, kjo poezi është një ditar që flet jo për ngjarje, por për gjurmë. Një fëmijëri që s’ka datë, por ka frymë. Një rikthim i heshtur që nuk kërkon zë, por prani. Dhe pikërisht aty, aty ku fjala tërhiqet për t’i lënë vend ndjesisë, fillon poezia.

IV- Poezia “Ndoshta për vogëlushët që ishim dikur” e Armela Hysit i qaset  postmoderni-zmit, një rryme ku ndjesia ka më shumë peshë se kuptimi, dhe ku shenjat nuk lidhen më me një realitet të njëjtë për të gjithë, por me një përvojë intime, të fragmentuar, të përfytyruar në vetvete. Në strukturën e saj, poezia është lirike e çliruar, pa vargje të rregullta, pa rimë, pa ndërtim logjik linear. Ajo është vetëdije që flet me vetveten, një ndjesi që gjarpëron pa u ndalur, me përkulje të befta dhe përsiatje të buta.

Pasazhi: "balonë xhufka-shpupurisur / ujdhesë për ditët kur ndiznim frikën / pishtar" nuk kërkon të kuptohet racionalisht, por të ndjehet. Është një shenjë e postmodernizmit poetik, ku metafora nuk shërben më si zbukurim, por si mënyrë për të ndërtuar realitetin e brendshëm.

Poezia është dhe ekzistenciale, e ndërtuar mbi frikën nga ndarja me vetveten, mbi pyetjen e nënkuptuar: a jam ende ajo që isha? "kam frikë të të gjej të të pyes..." Në këtë frikë është e gjithë fryma e modernizmit të vonë, që kërkon identitetin jo në të jashtmen, por në kujtesën, dhimbjen dhe shpërbërjen.

Ajo që e bën këtë poezi të qëndrojë në krah të rrymave moderne është shpërfillja ndaj rregullit, përqafimi i ndjesisë, dhe pasiguria si mënyrë e të qenit:"ndoshta për ty / e për një Teuta S." Kjo fjali është hapje, por edhe mbyllje. Shfaq shtigje të papërcaktuara, si vetë poezia që s’të çon në një përfundim, por në një gjendje. Një poezi që flet me zë të ulët, për ata që kanë mbetur ende pak fëmijë brenda vetes. Dhe kjo e bën thellësisht moderne në shpirt, postmoderne në strukturë dhe ekzistenciale në zemër.

V- Le të lexojmë figurat artistike si urë e postmodernizmit dhe ekzistencializmit në poezinë “Ndoshta për vogëlushët që ishim dikur”. Në këtë poezi të ndërtuar me frymë të brishtë, por me palcë të thellë, figurat artistike nuk janë stoli mbi vargje, ato janë vetë trupi, vetë qenia e saj. Ato nuk shërbejnë për të ndriçuar botën, por për të përjetuar errësirën me dritëzë të brendshme, për ta ndjerë jetën si shije, si frikë, si mungesë, si një gjurmë fëmijërie që përpiqet të mos humbasë. Në këtë poezi, figurat nuk janë zbukurim, por nyje të shpirtit ku ndalet drita e përjetimit. Ato nuk tregojnë, por përjetojnë. Kështu pra, le ti lexojmë me radhë:

1. Simbolin që shfaqet si gur i heshtur i ekzistencës. Poezia është e tejmbushur me simbolikë që dridhet ngadalë, pa e ngritur zërin. Qysh në vargun e parë: “nata është një zebër largpamëse” nata simbolizon paqartësinë e jetës, errësirën e rritjes, ndërsa “zebra”  me vijat e saj të bardha dhe të zeza, bëhet një simbol për kontrastin midis fëmijërisë dhe rritjes, midis gëzimit të dikurshëm dhe ndjesisë së humbjes. Zebra është gjithashtu një kafshë që nuk zbutet lehtë, ashtu si kujtesa që s’e sjell dot plotësisht mbrapsht.

Një tjetër simbol i fuqishëm është merkuri:“sëmbimi sferëmerkurtë në shtrojat e mallit tim”. Merkuri, që nuk oksidohet sipas kimisë, simbolizon diçka që nuk vdes, por që gjithsesi dhimbshëm ndryshket brenda poeteshës. Ai përfaqëson kujtimin që nuk shkatërrohet, por gërryen ngadalë, një simbol ekzistencial ky për ndjesitë që mbijetojnë përtej ligjeve të logjikës.

2. Metafora  shfaqet dhe është  gjuha e ndërgjegjes postmoderne.Në këtë poezi, metaforat nuk shërbejnë për të përkthyer botën, por për ta shpikur atë rishtas, si në vargjet: “frikën / pishtar / në barkun e shpellës me kthesa që ndante botët”. Këtu, frika e fëmijërisë kthehet në pishtar, pra, në dritë, në mjet për të zbuluar të panjohurën. Por shpella është bark, një vend i ngrohtë, por i errët, një vend lindjeje dhe ndarjeje. Kështu metafora ndërton një realitet të brendshëm, ku çdo imazh është një gjendje dhe çdo hapësirë një simbol i vetvetes.

Në mënyrë postmoderne, metafora nuk shpjegon, por përhumb, si te vargjet:“të ruajtur një llambushkëze në nyjën e dytë / djathtas / të harresës”. Këtu kujtesa nuk është më mendje, por mish. Ajo ka formë qelize, vendoset në nyjë, ruhet si dritëz. Metafora e bën kujtesën trupore, një lëndë që digjet lehtë, por s’vdes kurrë plotësisht. Dhe kjo është thellësisht ekzistenciale.

3. Personifikimi shfaqet si  gjendje emocionale të trupëzuara. Në këtë poezi, ndjenjat marrin fytyra, koha flet, heshtja ka shije, reja ka panik. Kjo nuk është një teknikë, është mënyra se si bota e brendshme bëhet e dukshme:“renë që e ka zënë krizë paniku para semaforit me shigjetën sy-blertë të largimit”. Reja, një simbol i kalimtarisë është tani një qenie që frikësohet, që ngurron të ecë përpara. Ky personifikim shërben si shprehje postmoderne e ndjesisë së bllokimit, një botë që nuk ecën më, ku gjithçka është në krizë, edhe vetë elementët e natyrës.

Një tjetër shembull i fuqishëm është:“hënëza mbi mjekër luan kartën djallëzore të mallit” Kjo hënë e vogël mbi fytyrë bëhet një lojtare e heshtur e ndjenjave, e mall-it që s’të lë të jesh i qetë. Është përfytyrimi i një realiteti emocional që ka marrë formë dhe karakter, një teknikë që i jep ndjesive një vend në trup.

4. Imazhi  është në thelb një shpërfaqje e ndjenjës në trajtë të lëngshme. Poezia nuk ndërton skena, por gjendje vizuale të shpërndara si fragmente kujtese. Kjo e bën atë postmoderne, nuk ka fillim, mes e fund, por ka copëza ndjesish të mbështjella me ngjyra, forma, tinguj. Imazhet: “balona xhufka-shpupurisur”, “ylli i territ që ishte ylber”,“selfie i ruajtur në nyjën e harresës” nuk duan të bindin mendjen, por të tronditin ndjesinë. Ato janë të çuditshme, të ngjashme me ëndrrat, dhe kjo është tipike për poezinë ekzistenci-ale: të paraqesë jetën si ndjesi, jo si rend..

Të gjitha këto figura bëhen gjuhë e shpirtit që kërkon të mbijetojë në rrjedhën e kohës, dhe janë dëshmi se kjo poezi është një lutje postmoderne, një vetëdije ekzistenciale, që nuk pyet çfarë jemi, por a kemi mbetur ende gjë prej asaj që ishim dikur: “duhet padyshim të kesh mbetur ende e vogël/si në selfie-in tend/që më përçon kujtesa ime proteinike...”

VI-Poezia“Ndoshta për vogëlushët që ishim dikur” vjen si një zë i veçantë në korin e zërave poetikë në letërsinë shqipe. Ajo depërton në kujtesën e lexuesit përmes një ligjërimi të zbutur, të shpërthyer nga brendësia, ku poezia ngjan më tepër me një kujtim të ndjeshëm sesa me një rrëfim klasik. Poetja i jep përparësi atmosferës përpara fabulës, ndjesisë përpara racionales, çka përbën një risi strukturore dhe filozofike në poezinë shqipe të viteve të fundit. Në vend të një lirike që përpiqet të dëshmojë apo të shpjegojë botën, ajo ofron një përjetim të qetë, por të thellë, të asaj që nuk mund të thuhet ndryshe veçse në poezi. Ajo flet me fjalë shpirti e zemre bashkë, nxjerrë nga brendësia e saj në formë vargjesh, duke prurë një sërë risish në poetikën shqipe.

1. Poezia flet për ndjesinë më shumë se për ngjarjen, ajo  s’ka nevojë për narrativë. Ajo nuk ka fillim, kulm e përfundim, ajo ndodh në mënyrë të padukshme, si një erë e brendshme që rrëshqet nëpër kujtesë. Ajo është një lëvizje e fshehtë e ndjesive që përpiqen të formësohen në fjalë, por shpesh ndalen në buzë të heshtjes.

“ti shtrin një tabak[1] të ajkët letre

pa ditur se është sëmbimi sferëmerkurtë

në shtrojat e mallit tim.”

Kjo ndjeshmëri vjen pa shpjegim, pa arsyetim, thjesht si një prani që kapërcen gjuhën. Ngjarja, nëse ekziston, është në sfond, sepse qëllimi nuk është të tregojë, por të përjetohet.

2. Kujtesa në poezinë e saj është organike, jo e rrëfyer, duke shfaqur kështu risinë tjetër,  mënyrën se si e përdor kujtesën. Ajo nuk e shikon të shkuarën si diçka të përfunduar, por si një lëng që rrjedh në inde. E shkuara nuk përshkruhet, por ndjehet në çdo varg, si një dritë e zbehur që rri pezull sit e vargjet: “duhet padyshim të kesh mbetur ende e vogël/si në selfie-in tënd që më përçon kujtesa ime proteinike” Kujtesa nuk është dokument. Ajo është pjesë trupi, një “llambushkëze” e fshehur në “nyjën e dytë djathtas të harresës.” Kjo shndërrim i kujtesës në materie intime është një nga zërat më origjinalë që ka sjellë në poezinë shqipe.

3. Fjalori poetik është një përzierje intime e gjuhës së përditshme dhe termave të pa-natyrshëm poetikisht, duke prurë me këtë një risi më vete, një gjuhe hibride, ku ajo bashkon termat teknikë, shkencorë, me fjalorin emocional dhe intuitiv. Kjo përbën një kontrast që, në vend të krijojë ftohtësi, gjeneron një tension të ri poetik.

“pa le të thoshte mësuesja e kimisë/se merkuri vetëm oksidohet/unë e shoh që kullon kuqësirë dhe pritje.” Termat “sferëmerkurtë”, “proteinike”, “oksidohet” e shumë të tjerë nuk përdoren për të treguar njohuri, por për të shpërfaqur ndjesinë në një mënyrë jo të zakonshme ndërkohë që përmendja e “mësuesja e kimisë” I bën tepër të natyrëshme në vargun poetik. Ato krijojnë një lloj poezish të laboratorit të brendshëm, ku trupi, kimia dhe ndjesia janë të pandashme.

4. Poezia e Hysit nuk kërkon kuptim, por praninë e lexuesit në ndjesinë që ajo lë. Kjo është ndoshta përmbysja më e madhe që sjell Hysi në poetikën tonë. Poezia e saj nuk është një udhë për të kuptuar diçka, por një hapësirë për të qenë me diçka, me mungesën, me pritjen, me fëmijërinë që s’është më, por gjithsesi nuk është zhdukur.

Vargu: “sikur diçka ke harruar/por s’di çfarë.” nuk është varg që kërkon të zgjedhë një enigmë. Përkundrazi, është varg që e lë enigmën të jetojë brenda lexuesit, si një grimcë që nuk kërkon përgjigje, por bashkëqëndrim.

5. Kohët në poezinë e saj janë të përmbysura, si ëndrrat që nuk dinë nëse janë të shkuara apo të ardhme. Hysi fshin vijën ndarëse mes kohëve. Ajo është një poete që e shikon fëmijërinë si të tashme dhe veten si një tjetër që po e pret në një ekran të kohës.

Te vargjet: “kam frikë të të gjej/të të thërras në ndonjë ekran me emrin libër dhe fytyra” e shkuara nuk është e shkuar. Ajo ka mundësi të kthehet, jo si realitet, por si ndjesi që nuk ka vdekur. Në këtë mënyrë, poezia e saj i bën kohët të rrjedhin mbi njëra-tjetrën, duke krijuar një përjetësi intime, një “mbrëmje të ringrohur në furrë mikrovalësh.” Kjo poezi nuk e kërkon lexuesin që të kuptojë, por që të ndalojë pak mbi veten. Sepse ndoshta, aty ku ndjenja bëhet llambushkë, jemi ende ne, vogëlushët që ishim dikur.

Pa bujë, por me një zë që buron nga thellësitë e ndjesisë, Armela Hysi arrin të ngrejë një poezi që nuk ka nevojë të shpallë veten si moderne apo postmoderne, sepse e tillë është në vetë thelbin e saj. Ajo nuk ndjek një paradigmë poetike, por e ndërton atë nga brenda: me fragmente fëmijërie të ruajtura si dritë në nyje të kujtesës, me figura që s’kanë ekzistuar, por kanë qenë gjithmonë aty, me një ligjërim që s’ka frikë të rrokë absurden, vetminë, heshtjen dhe çudinë e ekzistencës.

Në një kohë kur poezia shpesh tronditet nga formalizmi, Armela Hysi risjell përjetimin si qendër graviteti të artit, një përjetim që flet me simbole që lëvizin, me imazhe që dridhen si hijet e një dite që s’ka orë, por ka ndriçim. Kjo poezi mund të vendoset krah për krah me përpjekjet më të ndjeshme të postmodernizmit europian, aty ku fjala nuk e dominon botën, por e ndjek me kujdesin e një fëmije që numëron yjet me gishta, nga frika se mos i tretet qielli. Dhe në këtë përulësi të fjalës, që nuk vjen nga pakuptimi, por nga ndjenja, qëndron merita më e madhe e saj: ajo sjell një poezi që nuk ngjan me askënd, por flet për të gjithë.

Sarandë, më korrik 2025

ndoshta për vogëlushet që ishim dikur

ndoshta për vogëlushet që ishim dikur

ndoshta për rritjen që përgjon

(ndoshta për ty e për një Teuta S.)

nata është një zebër largpamëse.

ti shtrin një tabak të ajkët letre

pa ditur se është

sëmbimi sferëmerkurtë në shtrojat

e mallit tim.

bën një balonë xhufka-shpupurisur

ujdhesë për ditët kur ndiznim

frikën

pishtar

në barkun e shpellës me kthesa

që ndante botët. harku i territ

qe ylberi ynë i kapërcyer në një

metaforë përtypëse

– rigon sot

në sferën time që ndryshket

pa le të thoshte mësuesja e kimisë

se merkuri vetëm oksidohet

unë e shoh që kullon kuqësirë

dhe pritje.

kur qaj shumë

kur qaj shumë zvogëlohet

pres të ketë humbur

si atëherë kur ishim fëmijë

por rishfaqet

në qindra gogëlza që gjejnë njëra-tjetrën dhe

derdhen përqafjes.

ti duhet të jesh ende fëmijë.

duhet padyshim të kesh mbetur ende e vogël

si në selfie-in tënd

që më përçon kujtesa ime proteinike

ruajtur një llambushkëze në nyjën e dytë

djathtas

të harresës.

kam frikë të të gjej të të pyes

të të thërras në ndonjë ekran me emrin libër

dhe fytyra

se mos ndoshta – s'ma ha shumë mendja – po

ndoshta dhe je rritur

e je bërë një moshë me mua

shndërruar në një tretësirë të panjohur.

tek mbledh buzët

e bëhesh serioze

hënëza mbi mjekër luan kartën djallëzore

të mallit

ka shije të veçantë heshtjeje

kohe

të mbrëmshme

ringrohur në furrë mikrovalësh.

nënqesh me renë që e ka zënë krizë paniku

para semaforit me shigjetën sy-blertë

të largimit

dhe ka ndaluar qarkullimin

paradites së mardhur

sikur

asgjë s'ka të bëj me ty

as qielli mbushur me balona

sikur diçka ke harruar por s'di çfarë.

16 prill 2016



[1] Tabak; një letër që është bazë e një balone letre që e ngrenë fëmijët në ajër nëpër kodrina, duke e mbajtur me një fill peri.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx