| E hene, 28.07.2025, 06:56 PM |
Kadri TARELLI dhe libri i tij mbresëlënës “Filxhani me buzë të kafshuar”
Nga
Viron KONA
Kam
në dorë librin me tregime “Filxhani me buzë të
kafshuar” të poetit dhe prozatorit të talentuar Kadri Tarelli, për të cilin
ndjeva detyrë si lexues dhe koleg i tij
ta përshëndes me një artikull për këtë libër kaq mbresëlënës dhe me vlera
artistike. Libri është botim i shtëpisë botuese arte-graphic, Tiranë 2025. Ai të
tërheq fillimisht me ballinën interesante, ashtu dhe me titullin e veçantë. Nga
sa kam lexuar, është zhvilluar një përurim i këtij libri, më 17 maj 20225 nga
Shb “Fidani” me drejtues Berat Batiu, në Galerinë e Teatrit “Bekim Fehmiu” në
qytetin e Prizrenit, me pjesëmarrje të shumë adhuruesve të letërsisë. Duke
lexuar një vlerësimi të bukur për librin, shkruar nga z. Osman Goranci, në
gazetën “In. lajm”, mësova se në përurimin e tij kanë folur dhe shfaqur opinione
e mendime disa emra të njohur të letrave shqipe si Berat Batiu, prof. Zamire Hereni, Ali Balliu -
krijues letrar, Merita Kuçi (Thartori) - poete dhe drejtore shkolle në Durrës,
etj... Ndërkohë, janë shprehur edhe vlerësime të merituara për ide dhe mesazhe
të vyera të librit. “Edhe vetë titujt e mbi pesëdhjetë
tregimeve, - shkruan autori i artikullit, - shtojnë kureshtjen tek lexuesi, që
t’i lexoj me një frymë, dhe t’i rilexoj edhe njëherë, edhe shumë herë!…” Nga sa
dëgjova nga z. Tarelli, një përurim i këtij libri do të bëhet edhe në qytetin e
Durrësit, në shtator të këtij viti, teksa unë nga padurimi po shfaq disa
opinione dhe konsiderata që përjetova gjatë leximit të tij.
Realizmi
dhe origjinaliteti, vlera të dukshme të librit
Përshtypja
e parë është se autori ka hedhur në libër
me një frymë mbresa të shumta, krijime dhe kujtime nga jeta e tij, nga
marrëdhëniet në punë si mësues e drejtues shkollash, nga marrëdhëniet në
shoqëri, përjetime nga vizitat e ndryshme, sidomos në Kosovë, njohjet me shumë
njerëz, midis tyre dhe me njerëz të penës;
ka shkruar në libër kujtime dhe rrëfenja të ndryshme, si nga koha kur ai ka qenë në punë, ashtu dhe
sot që është në pension e vijon të shkruaj me ritëm e pa u ndalur. Kemi përpara
një libër të bukur e të ngrohtë, të shkruar me emocion e dashuri për njeriun
dhe personalitetin e tij, të dalluar jo vetëm për begatinë dhe larminë, por dhe
për mënyrën e paraqitjes dhe të përshkrimit të ngjarjeve. Duket që është një
libër i menduar mirë dhe me standardin që e kërkon sot lexuesi. Në këtë
drejtim, nga njohjet që kam unë, Kadri Tarelli ka qenë gjithnjë një krijues dhe
publicist i përkushtuar, që shpreh respekt për lexuesit e shumtë që ndjekin nga
afër krijimtarinë dhe publicistikën e tij.
Në
çdo pjesë të shkruar, autori është treguar kërkues ndaj vetes, studiues serioz,
por edhe artist i vërtetë i fjalës, teksa tërheq vëmendjen fakti se z. Tarelli
thellon prirjen e tij për të përshkruar botën e brendshme të personazheve, duke
zbuluar tek ata çdo gjë të mirë, të bukur e fisnike. Ai i paraqit personazhet pa
sajesa, por ashtu siç ata janë dhe ashtu siç ne i njohim në jetë. Ky realizëm
dhe origjinalitet është një vlerë e dukshme e librit.
Disa
konsiderata rreth përmbajtjes së skicave e tregimeve
Pas
një hyrjeje tërheqëse të shkruar me shumë dashuri nga publicisti dhe shkrimtari
Bashkim Saliasi, libri nis me tregimin “Kambana e dashurisë”, tingujt e së cilës na mbledhin e na rrëfejnë një histori tërheqëse
që na vë në mendime dhe mbetet e freskët në kujtesën tonë si lexues. Bëhet fjalë
për një objekt kulti, një kambanë kishe, e derdhur në bronz, për hatër të
dashurisë së dy të rinjve dhe e “gjetur” nga nxënësit e shkollës së mesme të
fshatit. Kambana, përfaqëson një dokument historik, por është njëherazi edhe një
simbol dashurie, që fsheh nën tinguj e saj një histori interesante dashurie, por
dhe shumë tërheqëse. Ishin nxënësit adoleshentë të shkollës së mesme, ata që e zbuluan,
por dhe e pagëzuan atë me emrin “Kambana e dashurisë”. Duke lexuar tregimin, te
lexuesi zgjohen mbresa dhe ndjenja të bukura njerëzore, ndjenja të ëmbla zemrash,
që pulsojnë dhe harmonizohen me ritmin e jetës, me rrezet e diellit ditën dhe me
yjet natën, janë tingujt e një kambane, që
nderojnë shpirtra, nderojnë dashurinë dhe jetën...
Libri
vijon me një përjetim të hidhur të marsit të vitit 1999, kur deti Adriatik u bë
edhe më i kripur nga lotët e nënave, që përcillnin djemtë dhe vajzat drejt mërgimit, me shpresën se atyre do t`u ecte
jeta mbarë dhe se do t`u ngjasonin zogjve shtegtarë që nuk e harrojnë
vendlindjen...Është një përjetim i ndjeshëm, i shkruar me dhembje, i qëndisur
me pika loti dhe me figura artistike, ashtu siç mund ta shkruaj pena e artë e
gazetarit dhe poetit të talentuar Kadri Tarelli...
Mesazhe
të vyera përjetojmë te skica “Në “kërkim” të Nënë Terezës”. Në këtë rrëfim që
shkakton ndjeshmëri te lexuesi, autori shigjeton administratën dhe zyrat, që
nuk tregojnë kujdesin e kërkuar për vendosjen
në mjediset e duhura të busteve e
shtatoreve të figurave mëdha kombëtare, duke i nderuar ata ashtu siç e meritojnë...Bëhet
fjalë për pakujdesi të institucioneve përgjegjëse, sepse populli shqiptar, nga
fëmijët e vegjël të kopshteve e shkollave, studentët e universitetit dhe vet
njerëzit që kalojnë pranë tyre, tregojnë nderim dhe respekt të pakufishëm, aq më
tepër kur bëhet fjalë për Nënë Terezën, e cila është, jo vetëm Nëna e Madhe Shqiptare,
por Nëna e Popujve të Botës, madje edhe shenjtore...Tërheq vëmendjen skica
“Dashuri adoleshenti”, ku autori trajton mjeshtërisht një problem shoqërore, që
përcjell mesazhe delikate dhe të nevojshme për jetën dhe dashurinë, ndërsa
tipat dhe karakteret e rrëfimit mbeten të skalitura në mendjen e lexuesi. Është
tërheqës për lexuesin skica e titulluar “Unë Dush Zeqiraj, nga Peja çdo fund - marsi
jam në Durrës”. Bëhet fjalë për qytetarin pejan Dush Zeqiraj, i cili e ka bërë zakon që, çdo vit, në çdo fund-mars,
lë çdo punë e hall dhe niset nga Peja për në Durrës. Vjen aty të takoj e
falënderoj miqtë e tij durrsakë, të cilët në vitin 1999 e pritën me zemër të
hapur dhe me shumë dashuri në ato ditë të vështira që kaloi populli shqiptar i
Kosovës, si pasojë e gjenocidit të egër serb.
Të gjithë ne shqiptarëve na kujtohen ato ditë, kur me gjithë varfërinë dhe
problemet e rënda sociale, populli në çdo skaj të Shqipërisë hapi zemrat dhe
mirëpriti me bujarinë karakteristike shqiptare motrat dhe vëllezërit e Kosovës
martire...Përfitoj nga rasti të shkruaj se dardani Dush Zeqiraj nga Peja, duke
ardhur në mënyrë periodike në Durrës, ka zënë edhe shumë e shumë miq të tjerë,
edhe në Tiranë apo në qytete të tjera shqiptare, duke çimentuar ai dhe mijëra të
tjerë vëllazërinë tonë, por edhe duke e përcjellë këtë trashëgim te brezat e
rinj që rriten në trojet shqiptare, është një vëlla-pritje, që vërshon pandalshëm....Sa
herë takohemi me Dushin, ai dhe ne vëllezërit e tij në Durrës e Tiranë e kudo,
ndihemi sikur jemi njëherazi edhe në Pejë, në Prishtinë e qytetet të tjera të
Kosovës, sikurse ndihemi se jemi edhe në Durrës, Tiranë e qytete të tjera të Shqipërisë,
por dhe në trojet shqiptare jashtë kufijve. Kudo, mëmëdheu i mban në shpirt e në
zemër bijtë e tij, por dhe bijtë e mbajnë në zemër mëmëdheun e lashtë, gjuhën shqipe
dhe flamurin... Duke vijuar leximin, dëshiroj të nënvizoj se populli ynë shquhet
për fjalët e urta, për proverbat e tij, për shprehjet frazeologjike, si dhe për
rrëfenjat që përcjellin mesazhe të mëdha jete, e që i gjejmë veçanërisht te:
“Shuj bre veshgjatë...!” dhe “Ment janë në kry të burrit, e jo në hujt e
gardhit!”, të cilat z. Tarelli i sjellë nëpërmjet rrëfimit mjeshtëror të Dush Zeqirajt.
Ndërkohë që mesazhe me vlerë përcjellin edhe rrëfenjat: “Babai u ndan detyra
djemve të vet”, “Përsëri mbetëm në mentë tona”....
Bënë
kombinime interesante dhe tërheqëse z. Tarelli, duke sjell në librin e tij edhe
copëza me humor si “Shaka e hidhur e mësues Canes”, “Grua! Më falëndero që nuk
e theva shishen!“, “A je burrë i mirë ashtu siç të njohin...!?”, copëza këto, që na shijojnë, sidomos për humorin e hollë, “qesh e ngjesh”. Mesazhet
e librit vazhdojnë plot respekt e nderim për shkrimtarin, poetin, gazetarin e
njohur dhe të palodhur durrsak Shpend Topollaj, njeri fisnik dhe mjeshtër i fjalës,
emri i të cilit simbolizon e përfaqëson ata krijues të vërtetë, që s`lodhen së
shkruari, teksa Shpendi meriton përherë vlerësime dhe konsiderata të
vazhdueshme për prozën dhe letërsinë e bukur që ai shkruan dhe e sjell te
lexuesi përmes artikujve, tregimeve dhe librave të tij mbresëlënës.
Duke
qenë mësues nga profesioni, Kadri Tarelli, thuajse në çdo shkrim dhe në çdo faqe
të këtij libri përhap një frymë krenarie e respekti për njerëzit e punës, për
përkushtimin dhe sakrificat e tyre, duke filluar nga njerëzit e thjeshtë e deri
tek akademikët, e ku, mes asaj buqete dallon
figura e mësuesit. Krijoj përshtypjen se
nëpërmjet penës së tij të mençur, z. Tarelli nënvizon nevojën e një respekti
edhe më të madh për mësuesit dhe vlerat e
tyre, pasi mësuesit përkushtohen për fëmijët, për brezin që po rritet i
shëndetshëm e që do ta zhvillojë edhe më shumë vendin, duke e bërë atë si e
gjithë Evropa, duke e çuar gjithnjë përpara demokracinë shqiptare.....
Mbase
është një parapëlqim imi, por në tufën e skicave, eseve dhe tregimeve të librit,
unë do të përzgjidhja si njërin nga trëndafilat më të bukur, tregimin “Edhe
polici këndon poezi”, teksa më përkëdhelin ndjeshëm dhe më ledhatojnë vargjet e Lasgushit tonë të
madh:
”...E
do mbetem përnjëmend,
Varfanjak
si mbret pa fron,
Mbretëresha
që më çmend,
Do
më lërë - a shpejt a vonë!”
Kadriu
me mjeshtërinë e gazetarit dhe frymëzimin e poetit e shkrimtarit na i sjell mjeshtërisht
dhe me stil tërheqës skicat dhe tregimet, në përmbajtjen e të cilave mbeten në
kujtesë edhe figura të rralla letrare, sidomos krahasime, epitete dhe metafora.
Mjeshtëria e të shkruarit të befason në çdo faqe dhe s`të lë ta shkëputësh
librin nga dora, teksa krijimet e këtij libri vijojnë në mendjen e lexuesit dhe
përhapen në përfytyrimin e tij si një mozaik episodesh, ngjarjesh e vlerash, me
të cilat është e mbushur jeta, por që është mprehtësia dhe zotësia artistike e
autorit, që nuk i lë ato të kalojnë pa u
ndierë, kjo, edhe sepse krijimet e këtij libri përcjellin mesazhe që, gjithkujt
ose i kujtojnë një përvojë apo një episod nga jeta, ose i nevojiten në vazhdimësinë
e jetës. Mund të them gjithashtu se është një karakteristikë e z. Tarelli që me
thjeshtësinë e tij frymëzohet apo nxitet nga leximet dhe dijet që përjeton
përmes leximeve, apo dhe bisedave e krijimeve të kolegëve krijues, ndërkohë që
ai shkruan gjithnjë me shumë dashuri për kolegët, sikur bashkëbisedon pranë e
pranë me ta, duke shprehur kështu mendjen dhe shpirtin e tij të bukur.
Ngjall
respekt te lexuesi skica “Veprimtari në Vlorë”. Kadriu ishte i ftuar atje së
bashku me një grup shkrimtarësh durrsakë për të nderuar shkrimtaren vlonjate Vilhelme
Vranari Haxhiraj, e cila me veprat e saj meritoi të zgjidhej “Anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve
Shqiptaro-Amerikane”, me seli në New York.
Artikulli është i shkruar me frymë respekti ndaj kësaj veprimtarie, teksa është i veçantë portretizimi realist dhe
mbresëlënës që z. Tarelli i bën shkrimtares
së mirënjohur vlonjate.
Një
përshkrim tërheqës është rrugëtimi i Kadriut me një grup shokësh drejt Thethit,
kësaj parajse të natyrës, të cilën ai e përshkruan me shumë ndjenjë e bukuri.
Me dashuri shkruan Kadri Tarrelli për Dardaninë, për betejën e madhe çlirimtare
dhe pavarësinë e saj, për dëshmorët dhe heronjtë, për Adem Jasharin dhe
familjen e tij heroinë, për flamurin dhe
pavarësinë, ndërkohë që ai ndalet në momente të rëndësishme të asaj lufte heroike
të popullit shqiptar të Kosovës, teksa sjell në kujtesën e lexuesit edhe
Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Po aq tërheqëse
për lexuesin është edhe eseja “Të papriturat e një udhëtimi, Istog-Pejë”, ku
lexuesi përjeton miqësinë vëllazërore të autorit me disa vëllezër të Kosovës,
me të cilët ishte njohur ato ditë të paharruara të vitit 1999, vit ky që lidhi pazgjidhshmërisht
me njëri-tjetrin shqiptarët, historinë e tyre, duke pasqyruar përpara botës një
mozaik shumëngjyrësh vëllazëror, një humanizëm që rrallë popuj e kanë apo e
shprehin aq ndjeshëm dhe me aq fuqi shpirtërore. Ishte vëllazërimi shqiptarë që shprehet prej
shekujsh në histori dhe në legjenda.
Detaji
dhe vlerat e tij në skicat e tregimet e librit
Është nënvizuar shpesh herë rëndësia e detajit në letërsi,
teksa bota letrare, si ajo shqiptare dhe e huaj, na sjellin shembuj të panumërt
të rëndësisë dhe peshës së veçantë të detajit artistik. Kështu nga letërsia botërore
sjellim në vëmendje shkrimtarin Dikens me personazhin Uriah Hipi, një personazh servil e i pështirë, i
cili udhëhiqet nga mendimi “Përulu ndaj të tjerëve të fitosh”, ndërkohë Dikensi
përshkruan dorën e tij të s’qullët;
kujtojmë komedinë "Koprraci", ku Molieri demaskon fuqinë shkatërruese të parasë dhe dënon
koprracinë, si një ves të ulët, duke sjell përpara lexuesit Harpagonin
koprrac e fajdexhi, i cili jetonte nën ethen e parave. Kujtojmë Kuasimodon e Viktor Hygoit te
“Katedralja e Parisit”, – njeri me pamje të shformuar, por me
një zemër të pastër dhe të ndjeshme e ku shkrimtari mjeshtërisht tregon kontrastin
mes pamjes së jashtme dhe shpirtit të brendshëm. Kujtojmë Xhek Londonin dhe
personazhet e tij që shkonin në Alaskë të përfshirë në ethet e gjetes se arit,
por që vet Xhek Londoni, arin e vërtetë e gjeti duke shkruar libra, pra
e gjeti te letërsia; etj. I solla këta shembuj, jo për erudicion, por sepse edhe
te disa skica dhe ese, z. Tarelli, e bën të njohur mjeshtërisht detajin,
duke e vënë në dukje përpara lexuesit natyrshëm,
si tipar apo veçori të personazhit. Këtë e shohim për shembull te skica “Plisi dhe fëmijët”, ku spikat detaji
i plisit të bardhë te nxënësit e shkollës, të cilët ndonëse të vegjël, e
dinin se ai plis i bardhë që e mbanin në kokë, është një shenjë dalluese e kombësisë
së tyre, që vjen nga lashtësia ilire. Ata nuk harronin ta merrnin dhe ta vinin
në kokë plisin kur vinin në shkollë, dhe, kur niste mësimi, e mbështillnin dhe
e futnin brenda në çantat prej lecke. Fuqia e detajit shprehet bukur te
skica “Kryetar! Ndërroje atë pesë
qindëshe!”, pasi kryetari kudo që shkonte apo shtrohej në tavolina, hante apo
pinte, nxirrte në tavolinë pesë qindëshen, i bindur se të tjerët nuk do të pranonin që
ai të thyente atë monedhë me vlerë për
dy - tri kafe apo disa gota raki... Po ashtu detaji shfaqet edhe te
tregimi “Kapelja”, ku bie në sy detaji i “kapelës” dhe i “dosjes”
së personazhit kryesor. Kur ai shkonte
dhe paraqitej diku apo në zyra me kapele dhe dosje, problemet i
zgjidheshin. Interesant është detaji i “Ullinjve të Beratit” te skica “Ullinjtë
e Qamiles”, apo tek artikulli “Thyej qafën s`je për libër ti!”, ku mbetet i
paharrueshëm detaji i “birës, së cilës i ishte prishur shija”. Akoma më
i plot detaji shfaqet tek tregimi “Filxhani
me buzë të kafshuar”, me të cilin autori ka pagëzuar titullin e librit. Përgjithësisht
detajet artistikë, jo vetëm i bëjnë tregimet më tërheqës dhe që mbahen mend e
nuk harrohen, por edhe sepse lexuesi ndien shijen e vërtetë të fjalës së
shkruar, bukurinë e saj, por dhe aftësinë krijuese dhe talentin e shkrimtarit.
Detajet dhe përgjithësisht personazhet që Tarelli sjell në këtë libër,
përcjellin humor te lexuesi, shprehin satirë ndaj veseve, teksa tregojnë se
shkrimtari ynë dallohet edhe për vëzhgimin e mprehtë...
Portretizime
Portretizohen
bukur dhe në mënyrë tërheqëse për lexuesin shkrimtari i njohur Shpend Topollaj;
dardani Dush Zeqiraj që, çdo vit, në fund të muajit mars shkon në Durrës për të
falënderuar ata që e mirëpritën në vitin 1999; mësuesi dhe ish-drejtori i
shkollës Shënavlashi të Durrësit, Bajram Halil Gashi, që edhe në pension
vazhdon të jetë i përkushtuar me shkollën; mbretëresha e këngës shqiptare dhe Nder i Kombit Vaçe Zela; profesori dhe
akademiku i njohur Fadil Kepi; publicisti i palodhur Fran Gjoka; shkrimtarja e
mirënjohur dhe Mjeshtre e Madhe Vilhelme Vranari Haxhiraj (Vivra); shqiptarët në
Legnano në Itali; portretet e nxënësve ardhur nga Kosova në vitet 1999; mësuesi
Hajdar Gjergji; Hytbi Tarelli, mjeshtër i daltës dhe i penelit e atdhetar i shquar,
njëherazi vëllai i autorit të librit Kadri Tarelli; nderohen në libër shqiptarët
në mërgatë; shfaqet portreti i mësuesit dhe adhuruesit të letërsisë Fiqiri
Resulaj; portreti i mësuesit dhe shkrimtarit Bashkim Saliasi, i cili është dhe recensent
dhe autor i hyrjes së këtij libri etj. Këto portrete, shkrimtari Tarelli i
realizon duke u thelluar në karakteret e tyre, në përkushtimin e tyre ndaj
punës, ndaj pasionit të tyre, ndaj vlerave njerëzore shqiptare, ndaj veprimtarisë
së përditshme dhe mesazheve që këto figura përcjellin me fjalët dhe veprat e
tyre etj. Autori shpreh ndjenja të miqësisë dhe të respektit ndaj tyre, shpreh
fisnikëri, bujari, që janë karakteristika edhe të vet autorit Kadri Tarelli.
Durrësi
dhe krijuesit e tij
Në
përgjithësi, në faqet e librit, krahas figurave të veçanta, autori i librit përshkruan
me dashuri qytetin e tij të Durrësit, njerëzit e tij punëtorë, demokratë,
arsimdashës, të kulturuar e ndërtimtarë.
Dukshëm ai veçon vlerat e kolegëve të tij të letrave, qofshin ata poetë e
shkrimtarë, publicistë e studiues të njohur. Ndërkaq, autori e përshkruan Durrësin
një qytet energjik, ku jeta kulturore, arsimore,
artistike dhe letrare vlon e gjallëron, ku dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe
Artistëve, nga të rrallat në vendin tonë, zien nga veprimtaritë dhe nuk e ka
ndalur asnjëherë funksionimin e saj. Ajo nxit dhe motivon përherë krijimtarinë
e shkrimtarëve dhe artistëve të të gjitha
fushave të artit, por dhe mbështet krijimtarinë e tyre. Mbase janë edhe vlerat
e këtij organizimi dhe e kësaj përkujdesjeje,
që sot, Durrësi është nga rrethet që dallohet për numrin e madhe të krijuesve,
poetë e shkrimtarë, por dhe për cilësinë dhe vlerat e shumanshme letrare e artistike
me të cilat ata përfaqësohen përpara lexuesve.
Urime
shkrimtarit dhe publicistit Kadri Tarelli për këtë libër me vlera njohëse,
edukative dhe artistike!