Mendime
Ndue Dedaj: Heroi Kombëtar mes karuselit dhe kioskave
E hene, 21.07.2025, 06:56 PM
HEROI KOMBËTAR MES KARUSELIT DHE KIOSKAVE
(Në
Tiranë dhe në Prishtinë)
NGA
NDUE DEDAJ
As
që e kishte shkuar ndonjëherë ndërmend Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti -
Skënderbeu se do të kishte këtë “fat” të habitshëm, në Tiranë të gjendej “i
zvogëluar” nën hijen e karuselit të fëmijëve ngjitur me përmendorën e tij; dhe
në Prishtinë, të ishte i rrethuar nga kioskat ngjyrë bari, që rrinë ngujuar aty
në pritje të panairit të radhës të prodhimeve artizanale, ndërkohë që
monumentet e tij trajtohen me dinjitetin e merituar në Krujë dhe në Lezhë.
Nuk
ndodh askund ajo që ngjet me dy monumentet e Heroit, rrethuar në të dy sheshet
qëndrore të dy kryeqyteteve nga godinat qeveritare. Udhëheqësit e sotëm
përbetohen mbi flamurin e krijuesit të shtetit shqiptar të Motit të Madh,
vlerat kombëtare dhe europiane të Tij, po ashtu dhe dy kryebashkiakët që
përkujdesën për dy kryeqytetet, e megjithatë “tregtia” e karuselit të fëmijëve
dhe e kioskave të gjëlbra ia ka dalë ta nxjerrë Skënderbeun nga logu i tij
madhështor. Ndokush mund të thotë, po një lodër për argëtimin e fëmijëve është
dhe s’u bë nami, fëmijët kanë përparësi, pastaj karuseli është një gjë e
lëvizhme etj. Edhe për mëndimin tonë fëmijët janë të parët, ama atyre ua kanë
prishur atë parkun me karusel vetëm pak qindmetra më tej këtij të sotmit, te
Rruga e Elbasanit, apo, fundja, të lihej ndonjë nga ato kullat fantazmë pa u
bërë, qoftë dhe ajo me imazhin e kryeheroit dhe të ngrihej aty parku i lodrave,
bile të kishte nja dhjetë të tillë në të gjithë Tiranën, mundësisht pa pagesë,
ama nuk është e thënë që karuseli t’i rrijë mbi krye përmendorës numër një të
Shqipërisë! Janë ca vende të shenjta, ku nuk shkohet për të luajtur, as për të
ngrënë qofte e përtypur fara luledielli. Ka gjasë që në ditët e sotme
përmendoret e heronjve të kenë mbetur disi të vetmuara, shkon apo nuk shkon
ndokush aty, në raste përvjetorësh, me ndonjë kurorë a tufë lulesh, por ky do
të ishte një tjetër reflektim. Më të vërtetë i gëzohemi faktit që ka në
vijimësi shtim të shtatoreve të Heroit Kombëtar, gjithandej në trojet
shqiptare, te Arbëreshët, apo në parqe qytetesh europiane, amerikane etj., por
nuk mjafton fotografia e ditës së përurimit të tyre, lypet kujdes i përditshëm
për to.
Mirë,
Kujdestarët e Qytetit, që nuk kanë kohë të merren me të tilla “vogëlsira”, pasi
kanë punë të mëdha e stërmëdha, nga kullat gjigande te plehër-përpunuesit e
mëdhenj, që veç plehra nuk përpunojnë, për më tepër duke zënë poshtë disa
ministra, po si nuk u ndalua dhe një kamër televizive për t’ia dëftuar publikut
të gjërë se ku e kemi katandisur Heroin Kombëtar në bronz!? I vijnë rrotull
turistë të shumë si në Tiranë, ashtu dhe në Prishtinë dhe nuk e fotografojnë e
filmojnë dot nga “barrierat” e pafajshme që i kemi vënë anash dhe para.
Ku
nuk ndalojnë gazetarët tanë VIP-a të ekranit, në çdo resort turistik, sidomos
këtë verë nga Gjirit i Lalëzit në Bjeshkët e Namuna, duke na treguar me imtësi
gjithë mënynë e pasur të tyre, kinse po promovojnë si patriotë turizmin jo dhe
aq patriotik, por kamera e tyre askund nuk është vëzhguese ndaj dukurive që e
shëmtojnë mjedisin urban, turistik dhe historiko - arkeologjik. E, pra, më afër
se Sheshi “Skëndebej” në Tiranë dhe Sheshi “Gjergj Kastrioti” në Prishtinë nuk
është asnjë “resort” tjetër, për ta ngritur zërin për mirëmbajtje të
monumenteve, për këdo që dëshiron të japë ndihmesën e tij për (krye)qytetin,
qytetarët, miqtë e huaj që na vizitojnë dhe sjelljen e institucioneve ndaj
veprave publike. Nuk harxhon deri aty asnjë litër naftë…