Mendime
Gjekë Gjonaj: Malësori zemërthyer nuk mund të shkëputej nga rrënjët e tij
E marte, 06.05.2025, 06:55 PM
Malësori zemërthyer nuk mund të shkëputej nga rrënjët e tij
Nga
Gjekë Gjonaj
Emigrimi
i malësorëve shqiptarë nuk është diçka e re, por është një plagë e dhimbshme,
që është e vështirë të shërohet. Malësorët sikur shqiptarët e tjerë në Mal të
Zi ikën (u shpërngulën) nga varfëria, frika dhe shtypja që i kishin
duruar për vite me radhë, por jo nga shtëpia e tyre. Edhe shoku im i shkollës,
i cili nuk dëshiron t’i përmendet emri, u nis dekada më parë " me një
strajcë në thes ( me një thes me rroba në shpinë)", siç thonë malësorët ,
duke mos ditur (asgjë fare) se ku po shkonte ose çfarë do ta priste atje. Ai u
largua vetëm në mes të natës, duke hipur në një taksi në pronësi të një njeriu
nga Hoti, ku kishte edhe dy malësorë të
tjerë që ai nuk i njihte. Së bashku ata u nisën në një udhëtim të mundimshëm
disaorësh për në Bari të Italisë .
Pasi
u dërgua në një kamp dhe u mor në pyetje nga policia lokale italiane , iu dha
statusi i refugjatit politik dhe iu dha një strehim që i ndante me refugjatë të
tjerë nga vende të ndryshme. Atje
qëndroi një vit e gjysmë, për të vijuar më pas në Detroit - Shtete të
Bashkuara të Amerikës. Në Miçpgan punoi punët më të rënda fizike , që në
vendlindje nuk i kishte punuar kurrë, për të siguruar jetesën, pasi atje nuk
kishte asgjë nga ajo që e kishte lënë në Malësi.
Nuk
e pëlqeu jetën e tij të re në Amerikë. Mbeti thellësisht i lidhur me
vendlindjen e tij. Çdo natë ai ëndërronte kujtimet e fëmijërisë, ruajtjen
e dhënëve në ato kreshta, tingujt e
lahutës, fyellit, çiftelisë, zumarës dhe instrumenteve të tjera muzikore
popullore, shokët e shkollës, klasës, mësuesit, vallet popullore, festat e
ndejat pas darkës, ecjet dhe
rrëshqitjet në dëborë dhe mbi të gjitha
familjen e tij, të cilën nuk mund ta fshinte (shlyente) nga mendja as në rrugë, as në punë, as në gjumë. E ndjeu mungesën e
vendlindjes dhe në fillim humbi shpresën
për të parë përsëri shtëpinë e
paraardhësve të tij, gjyshërve, nënës dhe babait, vëllezërve, motrave dhe komshinjve.
Kudo
që shikonte, para syve i shkreptinin këto imazhe të brendshme shpirtërore, të
cilat ia shpërthenin zemrën çdo ditë e natë dhe nuk e linin të qetë shpirtin e këtij malësori zemërthyer, të
shqetësuar nga dëshira për t’u kthyer nga mërgimi njëherë e përgjithmonë, në
Malësi. Ai e pa dhe e përjetoi Amerikën. Mori prej saj, për aq sa ia
lejuan mundësitë, anët më të mira dhe më
të këqija që ajo kishte për të ofruar. Thellë-thellë, ai thjesht nuk mund të
shkëputej nga rrënjët e tij. Prandaj, pas më shumë se dy dekadash jetese në
mërgim, ai mori një vendim:"Do të kthehem nga mërgimi për herë të
fundit!"
Natën
para se të hipte në aeroplan për t'u
larguar përgjithmonë nga Amerika, mërgimtari malësor paketoi rrobat e tij të
pakta dhe disa dollarë (bakshishish) për
t'ia çuar familjes së tij në shtëpi. Ai nuk e pa nënën për të cilën e ndjente shumë mungesën, për më se dy
dekada. Ai i bleu nënës një palë këpucë, një këmishë dhe shami me lule,
sepse e dinte që i kishte për qejf. Nuk bleu asgjë për babanë e tij, përveçse i solli disa dollarë për të
plotësuar disa nga nevojat e tij. Ai nuk i harroi as motrat e tij, duke u blerë
disa fustane për t’i veshur dhe për t’i ndërruar në dasmat e kushërinjve të
tyre. Mezi priste të ishte me familjen dhe miqtë e tij , të fliste, të
buzëqeshte, qeshte dhe të gëzohej me ta
deri në orët e vona të natës.
Ata
i thanë se, përveç prindërve, motrave dhe vëllezërve të tij, në aeroport do ta
prisnin edhe nipërit dhe mbesat e tij, të cilët ishin rritur pa e parë kurrë. U
bleu atyre më shumë gjëra sepse fëmijët
gëzohen më shumë sesa të tjerët. I
mblodhi valixhet dhe i mori me vete. Bashkë me to, ai mori edhe një çantë të
vogël për të mbajtur pak dollarë që i kishin dhënë miqtë për t’ua dërguar
familjeve të veta. Gjatë gjithë natës, ai mendonte se kur të mbërrinte në
Malësi, nuk do të linte asnjë vrimë a cep pa e vizituar , sepse i mungonin edhe
zogjtë e malit, cicërima e të cilëve e zgjonte çdo mëngjes. Ditën e nisjes ,
miqtë e tij erdhën për ta përshëndetur. Të gjithë e uruan: "Udhëtim të mbarë dhe përshëndetje të
gjithëve!"
Ai
i dërgoi letër familjes se po
largohej nga Amerika dhe po kthehet
përgjithmonë në shtëpinë ku ka lindur
dhe i ka mbushur 25 vjet. Në letër kishte shkuar: "Mos ia thoni
nënës, ajo nuk do të flejë gjithë natën nga gëzimi !"
Fjeti
pak gjatë fluturimit. Kokën e tij e
kishte mbështetur në dritaren e aeroplanit, ndërsa ëndrrat e
çonin te dera e shtëpisë. Familjarët që erdhën për ta pritur në aeroport u
zgjuan herët. Ata prisnin me padurim ta shihnin dhe ta përqafonin të birin pas
shumë vitesh pa e parë. Ai i pa ata nga lart, por ata nuk e panë atë. Pasi
zbriti aeroplani në tokë u ulë
shkallëve dhe përqafoi të gjithë,
të cilët, të pushtuar nga malli, nuk mundën t’i mbanin lotët e gëzimit. Shkuan
në shtëpi. Ai nuk mundi ta hapte derën e shtëpisë për shkak të vajit. Hynë
brenda dhe e kaluan gjithë natën duke biseduar me njëri-tjetrin. U tregoi
familjes së tij se çfarë lloj peshqeshesh (dhuratash) u kishte sjellë atyre. I
tha nënës së tij se kishte shkuar në mërgim vetëm me një merak (plagë në zemër) i vetëdijshëm se ajo e
kishte pritur kaq gjatë për ta parë dhe për ta nuhatur erën e
djalit përsëri. Dhe ja që kjo kohë ka ardhur, duke parë të gjithë
familjen që la pas dhe të tjerët që lindën ndërkohë, të shëndetshëm dhe të
bukur.
Malësori mërgimtar, megjithëse e la Malësinë e tij për
një kohë të gjatë në kërkim të një jete më të mirë, është kthyer në vendlindje
, nga ku nuk do të largohet kurrë, ndërsa
trupi i tij do të varroset në tokën që e kishte dëshiruar aq shumë. ( K.
J)