E diele, 04.05.2025, 11:34 PM (GMT+1)

Mendime

Llesh Ndoj: Kush do t’a qeverisë Shqipërinë pas 11 majit 2025?

E diele, 04.05.2025, 06:50 PM


Sali Berisha, Amerika, Chris LaCivita, apo…

-Kush do t’a qeverisë Shqipërinë pas 11 majit 2025?-

Nga Llesh Ndoj

Fushata elektorale për zgjedhjet e përgjithshme politike të vitit 2025, ka hyrë tashmë në fazën e saj vendimtare, fazë e cila shpalos gjithnjë e më hapur fytyrën e vërtetë të protogondistëve të saj: Pushtetin me çdo kusht! Çdo moral tjetër ka rënë. Nga një fushatë përgjithësisht e qetë, tonet janë ngritur, paraja po tenton të marr terren gjithnjë e më shumë dhe ka simptoma që krimi po përpiqet t’i luaj fijet e lojës në prapaskenë gjithnjë e më tepër, duke i sfiduar deri diku hapur edhe masat e jashtëzakonshme që kanë shpallur organet ligjzbatuese, posaçërisht SPAK-u, Prokuroria e Përgjithëshme dhe KQZ. Deri tani kemi në evidencë edhe 6 milion dollarë të Berishës të hedhura për “lobim” në SHBA, disa shpenzime luksi nga aktorë politik “të varfër”, disa incidente të denoncuara, ndonjë zyrë elektorale të dhunuar, disa shfaqje shqetësimesh nga diaspora, më së shumti si shfaqje e një skenari për t’a bërë pis edhe atë që përbën veçantinë më të madhe të këtyre zgjedhjeve, votimin me postë nga vendqëndrimi i tyre i emigrantëve, e të tjera simptoma që parashijojnë zhvillime jo ligjore në këtë finish të fushatës. Nën mëngë, ferrave e strehave, natën e ditën, tentativat për blerje votash, sidomos në fshatra janë prezente, ashtu si edhe votimi familjarë sidomos nga emigrantët, po bëhet hapur përditë e më i pranishëm, duke u propoganduar “trimërisht” prej realizuesve të tyre edhe në mendiat sociale e ato televizive. Hakërrimet e ndonjë emigrant, me emër e fytyrë, para kamerave, duke mbajtur në dorë 5 apo më shumë zarfe me vota emigrantësh e deklaruar edhe subjektin kujt i shkojnë, lenë shije të keqe e meritojnë hetim e dënim shembullorë. Shpresoj që nxemja e “motorëve elektoral”, shoqëruar nga nxemja natyrore e motit në ditët në vijim, mos të shkaktoje ndonjë pasojë të pariparueshme e me ndikim në rezultatin zgjedhor. Duke mos patur mundësi as qëllim të merrem me një analizë tërësore të gjithë faktorëve, fenomeneve, risive e përsëritjeve “deja v?” që e shoqërojnë këtë fushatë, në këtë shkrim do ndaloj në dy probleme që lidhen me Berishën personalisht e partinë që udhëheq ai, si dhe me një fenomen të përgjithshëm e vijues që lidhet thuajse me të gjithë ushtruesit e derisotshëm të pushtetit në Shqipëri, e të mundohem të hedh sadopak dritë në formën e një opinioni qytetar ndaj tyre.

Kemi parë se “ylli polar” i gjithë fushatës së sivjetshme të Berishës në përpjekjen për “nusërimin” e tij për herë të tretë, është amerika, posaçërisht Trump-i e administrata e tij. Që amerika të jetë “dielli” që na ndriçon udhën edhe në kohët më të errëta ne shqiptarëve, asgjë të keqe nuk ka, por rasti s’është kështu. Në epiqendër është jo amerika - tempull i Lirisë dhe Demokracisë, por Trump-i e administrata e tij, ndoshta një nga qeverisjet më kontraversiale që kanë patur Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bota për shumë dekada, dhe se përdorimi i tyre nuk vjen si frymëzim i masave për ndryshim, por si maskë për t’i “izoluar” plagët e qelbëzuara të vetë Berishës së tretë.

1.

Gjashtë milion dollar për të lobuar heqjen e statusit “non grata”, pa hyrë aspak në analizën në se ky status është i merituar apo i sponsorizuar në mënyrë tinzare e kriminale, siç e pretendon prej kohësh Barisha, janë një shumë e madhe për një individ, për më tepër politikan e jo sipërmarrës tregtar. Jo vetëm kaq, por ato para mbajnë erë krimi, korrupsioni e gjithshka tjetër. Natyrshëm na lind pyetja: Pse duhen kaq shumë para për këtë? A nuk ishte Berisha që i sfidoi gjyqësisht administratën Biden e Departamentin e Shtetit? Ku është sot rezultati i asaj sfide? A nuk ishte Berisha që përdori fjalorin më të pashembullt ndaj tyre e tha se ai “nuk do të pyeste” për ta, se fatin e tij e kishin në dorë demokratët e votuesit shqiptar e të tjera shfaqje force e propogande allakomuniste, me të cilat tentonte “t’u tregonte vendin” atyre amerikanëve të kapur nga Rama e të pasuruar nga paratë e Sorosit! Po tani çfarë ka ndryshuar? Pse pikërisht tani del në skenë një shumë e tillë e cila, mbase për një kompani amerikane s’është shumë, por për buxhetin e një individi, të një partie, bile edhe të një shteti si Shqipëria, janë shumë. Për më tepër, shuma të tilla të investuara vetëm për fasadën apo makiazhin e një njeriu që pretendon shejtërinë e pastërtisë, ndershmërisë e antikorrupsionit, ulërasin e kundërmojnë njëkohësisht. A nuk tenton intimidimin, mashtrimin e “blerjen” e votuesit shqiptar, kjo manovër e Berishës? A nuk duhet hetuar me shpejtësi e demaskuar publikisht e ligjërisht ajo? Po burimi i saj, a nuk të orienton drejt parave të pista që synojnë të bëjnë pis e mbajnë peng vetë qeverisjen e ardhshme, në se Berisha e koalicioni i tij fantazmë vijnë në pushtet me 11 maj? Kush është ai individ aq i pasur e patriot humanitar që paranë e fituar me mund e djersë e investon kaq lirshëm për interesa të një individi e pa asnjë kusht kthimi me ardhjen e tij në pushtet? Askush! Bile, kjo shumë, edhe në se është plotësisht në përputhje me ligjet shqiptare dhe ato amerikane, gjë që as nuk e besoj as nuk jam kompetent të pohoj të kundërtën, është dy herë e pistë: e fituar nga burime jo të ndershme dhe e investuar për qëllime jo të ndershme! E gjitha kjo vetëm për ta paraqitur Berishën para votuesit shqiptar si “gjigandin” që “çanë oqeanet”, duke kuruar disi pamjen e tij të lodhur e të plakur në fushatë, dhe se Shqipëria është “pak” për të, ndaj vjen kjo si një thirrje ndaj votuesve për të mos e shkuar dëm votën…

Po administrata amerikane si mund të ofendohet në këtë farë feje? Pse u dashkan kaq shumë lek për të marr një vendim nga administrata Trump, kundër një akti që pretendohet se është dhënë “me lobim korruptiv” nga administrata Biden, e shpallur dhe ajo vetë prej Trump-it “non grata” edhe brenda SHBA? Pak më tej, megjithë rëndësinë e madhe që kanë SHBA-të për ne e stabilitetin në botë, a do t’na qeverisin ata  apo Berisha, në se fiton zgjedhjet, pas datës 11 maj 2025?

Paradoksale, e pamoralshme, e frikshme e tinzare në qëllimet e saj, paraqitet e gjithë kjo ndërmarrje nga Berisha, e cila shpresoj të ndalohet e adresohet në kohë aty ku e meriton, bashkë me organizatorët, firmëtarët, bashkëpunëtorët e ekzekutorët e saj.

2.

Që përpara se të fillonte fushata reale e ligjore zgjedhore, Berisha lajmëroi me entuziazëm shqiptarët se i dërguari i Trump - it do të zbriste pranë tij si të ishte i dërguari i Zotit, dhe se ai do të ishte jo vetëm strategu i fushatës së Partisë Demokratike, por edhe “drita” që do t’ua ndriçonte mendjen votuesve shqiptarë, se Trump-i dhe administrata e tij “mezi pret” fitoren e Berishës në këto zgjedhje, pas të cilave prapë do t’na serviret “Çeku i Bardhë” e ne vetëm do t’a zhgarravisim atë me ndonjë “varjant 2” të firmave piramidale, apo “Luga e Floririt”, ku Berisha e pasuesit e tij do të ushqehen në “detin” e korrupsionit që na pret! Mbase kjo edhe në terrenin e shkriftuar të ndonjë afere “Gërdeci 2”! Nuk është aspak çudi kjo e fundit, se edhe ajo ngjarje makabër nga një lobim i Berishës e familjes së tij me disa “sherifë” amerikan pati ardh! Ok. Të marrësh konsulent të huaj për një fushatë elektorale, t’a paguash atë përmes një kontrate transparente ligjore e të deklaruar në organet shtetërore, nuk ka asnjë gjë të keqe, pavarësisht shumës që do të duhet “të kalojë oqeanin” nga vendi ynë “i pasur” drejt SHBA-ve “të varfër”. Po ku qëndron e keqja ose paradoksalja e këtij lobimit të LaCivitas e kompani?

- Fakti se ai propogandohet kaq shumë si strategu i fushatës së Trump-it, apo gati-gati si i dërguari i tij (gjë që e detyroi vetë atë ta përgënjeshtroje publikisht si fakt!), synon trullosjen e votuesit e lehtësimin e udhës së Berishës, për herën e tretë, drejt fronit, ndonëse i plakur fizikisht e mendërisht, pa asnjë ide të re e program ndryshe qeverisës nga herët e para, që premton pa e ditur si bëhen e pa patur asnjë qëllim t’i bëj, as më shumë e as më pak se parajsën për shqiptarët.

- Strategët e fushatave elektorale, sado të fuqishëm të jenë, thuajse nuk i njeh e nuk i sheh kurrë elektorati. Në fletën e votimit nuk do të gjendet kurrë as emri i kompanisë përkatëse lobuese, as ai i LaCivita-s etj, por emri i Partisë Demokratike dhe Aleancës “Shqipëria Madhështore” dhe krah tyre ai i Sali Berishës. Si ka mundësi që ky Berisha, një autoritar i dëshmuar e deri me shfaqje ekstreme të unit vetjak e familjar, i cili s’pranon as hijen e vet mbi vete, në këtë fushatë pranon të dal përkrah e gati në prapaskenë të LaCivita-s, thjesht se ai “është amerikano”, personalitetin e të cilit vështirë me e deshifruar?! Cila është forca magjike që e ka nënshtruar atë, apo tërheqja nga pushteti e drejt tij, me mendimin se në këtë akt fundor do ta largojë çdo hije krimi e korrupsioni që e përndjek nga dy nusërimet e mëparshme, është shpresa e fundit?

Në kushte normale, gjithë kjo situatë do të ishte një bumerang, apo një gropë e hapur, për Sali Berishën e Partinë Demokratike, dhe një bonus i panevojshëm për Ramën dhe qeverisjen e tij, dukshëm të rrethuar nga skandale të njëpasnjëshme, por jemi në Shqipëri, dhe shqiptarët e zgjuar “kanë dëshirë” të mashtrohen e të mashtrojnë, kanë dëshirë ta “kapërcejnë oqeanin” me këmbë se “nuk kanë kohë” të presin tragetin, hidhen pa parashutë në terrene të panjohura për të treguar trimëri, por “kanë frikë” të udhëtojnë në avionë normal drejt në destinacioneve të njohura, nuk përtojnë të eksperimentojnë mbi veten pa marr parasyshë rreziqet, mjaft që kjo t’i pëlqejë shefit politik, prandaj kjo marrëdhënie e dyshimtë, totalisht private e tregtare, gjasmë me SHBA, është një perde mashtruese që hidhet në sytë e tyre për t’ua pamundësuar të shohin lart e larg, në të mirën e vetes, të vendit e të brezave të së nesërmes, e për të dhënë një votë “bamirësie” ndaj atyre që ua vështirësojnë hapur e fshehur të tashmen e të ardhmen.

3.

Pjesa e fundit e asaj që përzgjodha si titull të këtij shkrimi përfundon me një “apo…?!”, jo për pamundësinë e zgjatjes së vargut me të tjerë emra, se të tillë gjenden pa asnjë mundim, por për faktin se pas saj vjen një e përbashkët, besoj për shumë nga aktorët e faktorët politik shqiptarë, dhe jo vetëm ata aktual. Është ndoshta një sëmundje e vjetër historike që nuk fillon me këta, as nuk ka gjasa të përfundoje me këta, megjithë dëshirën e mirë e konvergimin e disa faktorëve që shpresoj të rezultojnë me një produkt të shumëpritur për popullin shqiptar.

Përmbledhtazi kjo mund të shprehet me pyetjen: Kush na qeveris realisht ne shqiptarëve?

Pa shkuar më tej, historia na ka mësuar se Zogu, ministër, kryeministër dhe mbret, i ngjiti shkallët e pushtetit me ndihmën e qarqeve serbe dhe tentoi ta mbaj pushtetin me ndihmën e italjanëve, derisa u detyrua të largohej e t’ua lëshonte atyre krejt vendin “e shitur” përmes zinxhirit skllavërues të borxheve, Hoxha ka një histori të njohur dashurie e përkrahje nga jugosllavët, komunistët sovjetik e kinezë, derisa pushteti i tij i trashëguar tek Alia, nga “shkëmb graniti” në brigjet e Adriatikut, nuk rezistoi as sa një bukë peshku. Personazhet në pushtet në vitet e postnëntëdhjeta kanë patur gjithnjë si “yllin e treguar polar” Amerikën e Perëndimin, por shpesh janë yshtur, kush më shumë e kush më pak, nga klane të dyshimta serbe, greke e gjithfarësh, e prapa skenave të bukura me të cilat kanë ardhur në pushtet, pushtetin e vërtetë e kanë ushtruar (nënshtruar) paraja e pistë, korrupsioni, krimi e krimi i organizuar. Pas premtimeve të bukura, kanë qëndruar sponsorët e grupeve të caktuara, gjithnjë në gadishnëri për ta ushtruar pushtetin e vërtetë, pas mosrealizimeve të një mandati janë shfaqur “kuratorë” që blejnë me para pakënaqësitë e njerëzve e “tërheqin prej hunde” pushtetin formal të radhës, pas premtimeve antikorrupsion, gropa më të mëdha korruptive janë hapur, pas qeverisjeve të pretenduara si “më afër popullit” janë shpikur hallka të tëra burokratike e korruptive që e kanë bërë pushtetin gjithnjë e më të largët me hallet e njerëzve.

Interesa personale e klanore, deri edhe antikombëtare, paraja e pistë dhe krimi, mbetën fytyra reale që tenton të maskohet në çdo fushatë elektorale me makiazhe alla Amerika apo alla Evropa, e që pastaj ushtrojnë hapur e fshehur një pjesë të qënësishme të pushtetit shtetëror. Interesat reale të shumicës së shqiptarëve kanë qenë e janë, për shumë kohë, në minorancë.

E megjithatë ne i duartrokasim…

Lezhë, më 30 prill 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Dukagjin Hata: Intervistë me z. Lavdrim Puci, kandidat i PSD Fritz Radovani: Vetëm kjo asht Shqipnia e Gjergj Kastriotit Luan Asllan-Dibrani: Bllokadë, frikë dhe hipokrizi: Opozita që i trembet lirisë Gjon Keka: Imazhi i qeverisjes së keqe dhe pa vizion janë rënia e lirisë së mediave dhe mendimit të lirë kritik Idriz Zeqiraj: Maskarada kuvendore turpëron opozitën Kalosh Çeliku: Edukimi i fëmijëve në duart e partive politike - fetare Florim Zeqa: Më 1 Maj zgjidhje ose dryrin Kuvendit! Luan-Asllan Dibrani: Pengmarrja e Shtetit nga Pseudo-Politikanët Nikoleta Kovaçi: Mos thoni që s`dimë kë të zgjedhim... Fahri Xharra: Një perlë e re e autorit të "Misionit rus" Klajd Kapinova: Lufta Europiane 1939-1945 dhe Adolf (Hitler) Schrittelmayor (1889-1965) jetoi gjatë, pas ikjes se tij në Amerikën Latine Eshref Ymeri: Degradimi periodik i skizofrenisë së Ramës Llesh Ndoj: Udhëtimi im “dy në një”… Albert Zholi: Vladimir Mici - Nëse qeveritë do të kishin prioritet arsimin ai duhet të ishte i stimuluar në fonde Aurel Dasareti: Në politikën shqiptare ka shumë burra të mrekullueshëm të të dy gjinive Rrezart Kalaja: Islamizmi Radikal Politik si Organizatë Terroriste në Kosovë dhe Rajon Rrezik për Kombin Kristaq Turtulli: Burgu ka dy dyer, vdekja një! Florim Zeqa: Seancat vazhdojnë, Kuvendi askund! Skender Jashari: Institucionet e Republikës së Kosovës sërish s’po e luftojnë meritorisht terrorizmin isislamik Kalosh Çeliku: Shteti shqiptar ende është larg

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx