Mendime
Llesh Ndoj: Udhëtimi im “dy në një”…
E marte, 29.04.2025, 06:55 PM
Udhëtimi
im “dy në një”…
-A
e meriton këtë gjendje fshati ynë? -
Nga
Llesh Ndoj, Lezhë
Vendlindja
ka peshë të rëndë në kujtesën e secilit. Jo më kot është thënë se në vendlindje
rritesh duke shpresuar largimin e plakesh duke ëndërruar rikthimin. Dhe pse
kanë kaluar tashmë tri dekada e gjysëm që kur u largova përfundimisht nga të
banuarit e përditshëm atje, shfrytëzoj çdo rast të mundshëm për të udhëtuar
drejt Domgjonit, Fanit dhe Mirditës. Fizikisht, në të shumtën e rasteve udhëtoj
vetëm, por në fakt jo! Në asnjë nga këto udhëtime nuk gjendem “i vetëm”, pasi
gjatë të gjithë rrugës e gjatë gjithë kohës së shkurtër të qëndrimit atje,
gjendem i dyjëzuar: fizikisht udhëtoj drejt Mirditës, Fanit e Domgjonit ku kam
lindur e jam bërë prind, pa ndjerë thuajse asnjë lodhje fizike, ndërsa
mendërisht “udhëtoj” në historinë e hershme e të vonë, histori fort e lavdishme
e njerëzve të kësaj zone, e ndjehem shpirtërisht i lodhur, sidomos për mungesën
e vëmendjes qeveritare e jo vetëm, ndaj këtyre zonave, pas viteve nëntëdhjetë e
në vijim, dhe lënies së tyre “jetim” nga braktisja e pamëshirshme prej
njerëzve. Mirë do të ishte t’na bashkonte atje me si vëllezërit tanë 11
Qershori, kur domgjonasit përkujtojnë Shmarramejn (Shën Barnabën), pajtorin e
kishës dhe festën tradicionale të fshatit tonë, ose me 25 prill, ditën e
Sh’Markut, pajtori i kishës dhe festa tradicionale e Fanit, apo të mblidheshim
për dasma, koncerte e aktivitete sportive, si dikur, por… Paradoksalisht,
rastet më të shumta të udhëtimeve drejt atyre vendeve të bekuara nga Zoti e të
mallkuara nga njeriu, vijnë si detyrime për t’u dhënë lamtumirën e fundit
bashkëfshatarëve të ndarë nga jeta. Jo vetëm ata që e përmbyllin frymëmarrjen e
fundit pa u larguar nga vendlindja, por edhe plot të tjerë, tashmë të larguar
me banim prej vitesh, e mbyllin jetën e tyre duke lënë amanet që trupi t’u
tretet në vendlindje, pranë eshtrave të njerëzve të dashur të ndarë nga jeta më
herët e me shpresën e takimeve nëpër kujtime...
“Ra
ky mort e u pamë”, pati shkruar Kadareja i madh, duke analizuar ngjarjet në
Kosovë. E dhimbshme por e vërtetë, këto raste fatkeqe na takojnë me
bashkëfshatarët e larguar e shpërndarë nga Rrësheni deri në Sarandë, por edhe
na fusin në mendime e reflektime të thella, duke ridimensionuar peshën reale të
vendlindjes tek secili prej nesh.
Ja
pse udhëtimet e mija drejt vendlindjes janë gjithnjë “dy në një”!
1.
Rruga nga Lezha në drejtim të Fanit tim e Domgjonit krenar, atje mes Munellës, Zepës e Rrunës, është disi e shkurtër, po ta krahasosh me periudhën përpara se Rruga e Kombit të kalonte asaj ane duke çarë mespërmes kodra e male. Ajo, edhe pse në disa segmente, si Lezhë – Milot e Milot - Rrëshen, mbetet akoma dhe padrejtësisht thjesht një rrugë interurbane kryesore, shpesh me trafik të rënduar, sidomos gjatë verës për shkak të numrit të lartë të turistëve, posaçërisht të vllezërve shqiptarë të Kosovës që i frekuentojnë plazhet e Shqipërisë nga Velipoja deri në Sarandë, është një rrugë e kandshme për udhëtim, e cila gjarpëron mes maleve ku gjelbërimi i stinës ka efekt qetësues për syrin dhe shpirtin. Ndonëse lëvizja bëhet me shpejtësi të kufizuar, mbërrin deri në vendin ku një tabelë me mbishkrimin “Exit” pasohet nga një tjetër me mbishkrimin “Fan Center”, një përzgjedhje e pakujdesshme dhe e panevojshme gjuhësore kjo, për më pak se 2 orë, i palodhur dhe me ndjesi positive. Por këtu nis një tjetër pamje, gjithsesi lodhëse dhe, për më tepër, e mërzitshme.
Dalja
nga autostrada drejt qendrës së Fanit, aty ku ndodhet Kisha e Shën Markut,
institucioni më i rëndësishëm shpirtëror për vendasit, Shkolla e Mesme e
Përgjithëshme “Ndrec Ndue Gjoka”, një “universitet” ky për zonën, si dje edhe
sot, qendra shëndetësore, Njësia Administrative dhe disa njësi tregtare, është
e ngushtë, plot me gropa, dhe e rrezikshme, pasi nuk ka as parmakë anësorë
mbrojtës.
Qendra
e Fanit, apo “Livadhi i Gjacit”, siç e thërrasin vendasit, megjithëse aty janë
të gjitha institucionet vendore, nuk ka pësuar asnjë transformim si e tillë,
përkundrazi. Rrugë e sheshe plot pluhur e gropa, ndërtesa të shkatërruara,
përveç Kishës, shkollës e ndërtesës komunale, dhe pak njerëz që, më shumë
vrapojnë se ecin, të ngarkuar nga hallet e problemet e jetës. Për të gjitha
fshatrat e Fanit, prej këtu nis “nxitja” për braktisje totale. Kemi kështu pra
një autostradë që i ka vlerat e saj të pa mohueshme, por që pak ose aspak i
shërben ruajtjes së jetës në Fan. Asnjë fshat i asaj zone nuk lidhet me qendrën
administrative, apo me autostradën, me rrugë normale makine, përveçse me
shtigje të hapura nga vendasit ose të trashëguara nga e shkuara, ku gomat e pak
mjeteve që kalojnë janë edhe “mirëmbajtësit” e tyre. Nuk ka lidhje normale as
fshati Bisakë, as Shtrungaj, ku ato parcela të vogla toke i ka “gëlltitur” si
përbindësh autostrada, nuk lidhen as Konajt piktoresk, Kujti i bukur, as
Xhuxha, Petoçi e Shëngjini. Bile edhe Thirra e Sangu që e mbajnë në gji
autostradën si krenari, nuk lidhen me rrugë me të, përveçse me ndonjë shteg “të
vjedhur” dhe duke rrezikuar shumë.
Të
njëjtën pamje paraqet edhe Domgjoni. Pas shumë vitesh kërkesa e përpjekje,
vetëm pak vite më parë ai u lidh me rrugë makine disi normale, por kjo vetëm në
më pak se gjysmën e gjatësisë së saj prej 5 km, ngusht dhe me një asfalt
dosido, ndërsa pjesa tjetër mbetet e njëjta si përpara 50 viteve, kur ishte
hapur me krahë e vullnetarisht nga gratë, nënat e motrat tona kooperativiste,
dhe në përkeqësim të vazhdueshëm nga koha. Qendra e Domgjonit, me shkollën
9-vjeçare “Ndue Prend Bajraktari”, Kishën e Shën Barnabës, qendrën shëndetësore
e Gurrën e Lashtë, vuajnë për vëmendje e investime minimale shtetërore. Një
fshat e zonë me kaq shumë histori e resurse jetese të mjaftueshme, po vdes çdo
ditë nga mungesa e perspektivës e lënia në harresë të plotë prej qeverisë.
Shkrova diku më lart se më së shumti me bashkëfshatarët na bashkojnë rastet
fatkeqe, vorret. Por, fatkeqësisht, as ato nuk mirëmbahen si duhet e po të
mungojë vemendja e familjarëve, zor me i gjet as varret e atyre që pushojnë
përjetësisht aty, për të vendosur pranë tyre nga një tufë me lule malli e për
të derdhur ndonjë pike lotë kujtimi.
Para
shumë viteve, nisur nga një konstatim i imi gjatë një vizite atje, ku mësova se
edhe ajo qendër e vogël e modeste shëndetësore e ndërtuar rishtas, nuk kishte
as drita dhe injeksionet kryheshin nëpër shtëpia (pushteti vendor nuk i kishte
lidhur fare energjinë elektrike!), fakt që e publikova në platformën “Shqipëria
që duam”, për herë të parë deri më sot aty mbërriti Kryeministri Edi Rama.
Mendova se ky do të ishte rasti i bukur e fatlum që ai të ndihmonte sadopak për
zhvillimin e këtij fshati. Edhe pse i nxitur të mos flisja për probleme të
tjera veç asaj që kisha ngritur në Platformë, në fjalën time, që e dëgjoi me
vëmendje dhe pa më ndërprerë siç e ka zakon, ia thashë të gjitha problemet,
përmbledhtazi e qartë, në prani të 10-15 vetave që zinte qendra shëndetësore.
Edhe një moment, në fillim të takimit, ku u fikën dritat (ishte ditë furtune
ajo ditë!) dhe ai tha si me gjysëm zëri: A po na e bëjnë me kast?!, unë e
shfrytëzova dhe i thashë se energjia vinte në shtyllat e drurit të vitit 1970,
ndaj ndodh, se nuk mendoj të ketë gjë të qëllimshme…
I
dëgjoi të gjitha, më falenderoi dhe e falenderova, por të dy njëri pas tjetrit,
Ai edhe unë, ikëm duke e lënë pas Domgjonin e Fanin siç e gjetëm! Ashtu vazhdon
edhe sot, me përkeqësim të vazhdueshëm, sa nën efektin e kohës e faktorëve
natyror aq edhe nga mungesa e kujdesit të faktorit njerëzor.
2.
Duke udhëtuar nëpër Fan e drejt Domgjonit tim, në mendje më kalon e gjithë historia dhe kontributet patriotike të njerëzve të asaj zone të lashtë, e në shpirt më vret, pa u ndjerë, vuajtja e saj, shuarja graduale drejt “vdekjes” e mungesa e perspektivës.
Kjo
zonë, në regjistrimin e vitit 1989, i fundit regjistrim i periudhës së sistemit
monopartiak, numëronte gati 13 mijë banorë, kishte shkollën e mesme të bashkuar
“Ndrec Ndue Gjoka” në qendër me rreth 1100 nxënës, prej të cilëve 600 në ciklin
tetevjeçarë, 200 në arsimin e mesëm ditën, 100 vahzdonin të mesmen natën e 200
të tjerë me korespondencë, dhe në çdo fshat kishte shkollë 8-vjeçare. Të tilla
kishte Bisaku, Konajt, Shëngjini, Dardhazi, Sangu, Domgjoni. Vetëm shkolla e
Domgjonit numëronte atëhere 320 nxënës. Kishte disa shkolla anekse si në
Gjakëz, Shtrungaj, Petoç, Thirrë, Hebe etj. Shtëpitë e kulturës ishin në Fan e
Domgjon e ato organizonin shfaqje filmash, koncerte artistike, aktivitetet
sportive të shumëllojëshme ishin kudo të pranishme e zhvilloheshin kampionate
lokale në futboll, volejboll, mundje etj. Kishte edhe një bibliotekë të pasur
në qendër, krahas atyre modeste nëpër shkolla, e shumëçka tjetër. Kishte
kopshte e çerdhe kudo e jeta “ziente” plot gjallëri, ndonëse në varfëri. Qendra
e Fanit ngjante me një qendër të vogël qytetase, plot zhurmë e aktivitet. “Në
dash me të ik dita sahat, thonim ne fanasit, shko në Livadh të Gjacit (qendra e
Fanit)”. Kështu ndodhte në çdo qendër fshati të banuar.
Thënë
kjo, nuk kam asnjë iluzion se kthimi i asaj kohe, asaj qeverisje e asaj
politike, është zgjidhja! Jo, aspak! Çeshtja shtrohet ndryshe. Fani ka histori
ekzistence rreth dymjjë vjeçare. Guri i Xhuxhës me shënimet e tij tejkaloi edhe
parashikimet më entuziaste, duke na dërguar larg, shumë vite para Krishtit.
Dëshmojnë për këtë lashtësi çdo pëllëmbë e gur. Atje gjenden kudo rrenoja
kishash, nisur nga ajo e Shën Marisë në Bisakë, kisha e Petkut në Konaj, ajo e
Shën Gjinit, në Shëngjin, e Shën Trinisë (Shnriatit) në Xhuxhë, e Shëngjonit në
Sang e kudo. Bile edhe në Munellë, tek vendi i quajtur Qafa e Livadhit të
Priftit, në një kodrinë nga ku shihet krejt Fani, ka rrenoja e gojëdhëna se ka
patur kishë. Toponimet e shumta e objektet e veçanta, flasin për një vendbanim
të lashtë. Flet shpella e Batrave, rrenojat e Shnriatit, flet Gurra e Lashtë e
Domgjonit e shekullit pestë, flet Qyteza, (Gradishta apo Kalaja e Domgjonit),
me siguri e periudhës para shekullit IV - V. Flasin e ulërasin Kuvendi i Fanit
i vitit 1911, lufta me turqit, lufta me serbët në Sang, Bargjanë e Munellë.
Flet tradita e trashëguar brez pas brezi e kultura e jetesës, artizanati, e
gjithshka tjetër, se kjo zonë u ka mbijetuar të gjitha kohërave, përfshirë edhe
sistemin pesëdhjetëvjeçar socialist, me dinjitet, me luftë, me politikë,
gjithmonë me punë e djersë. Ndërsa sot po braktiset totalisht. E kjo vetëm nga
mungesa e rrugëve dhe sigurimi i qëndrueshëm i energjisë elektrike, shkollimit
e shërbimit shëndetësor.
Fanasit
janë punëtorë e mjeshtra duarartë, Fani ka resurse turistike të mëdha, ka klimë
të ashpër, por të përshtatshme për zhvillimin e frutikulturës e vitikulturës,
ujë të bollshëm (jo për hidrocentrale që ndryshojnë ekosistemin, por për
njerëz, kafshë e bujqësi!), ka pyje e kullota për zhvillimin e blegtorisë e për
të siguruar prodhime natyrore të destinuara për eksport, ka livadhe të
mrekullueshme për turizëm alpin, për sporte si ski etj, e gjithshka tjetër për
t’u jetuar dinjitetshëm, përveç vëmendjes qeveritare.
Sot
në Fan janë më pak se 2000 banorë, nga 13’000 që ishin në vitin 1989, në
Domgjon janë më pak se 200, nga 2400 që ishin në vitin 1989, shkollat po
mbyllen, qendrat shëndetësore nuk i hapin dyert edhe pse ekzistojnë.
Perspektiva
është e zymtë… E megjithatë, ata pak njerëz që kanë mbetur atje akoma,
qëndrojnë e punojnë, edhe si ftesë e nxitje që ne mos t’ia kthejmë shpinën
përfundimisht, e Qeveria t’ia lëshojë vetëm “një cep syri” asaj ane. Kur shoh
tokat e punuara e sistemuara të familjeve që jetojnë atje ose rikthehen herë
pas here, dhe i krahasoj me ato “të harruarat” që vuajnë mungesën, më duket se
krahasoj dy epoka të largëta.
Edhe
një gjë s’duhet harruar: Fani shkolloi e nxori nga gjiri i vet edhe plot
intelektual të çdo fushe, disa edhe të njohur e me detyra të rëndësishme
shtetërore, disa të tjerë janë bërë biznesmenë të njohur. Nuk duhet ta harrojmë
se jemi këta që jemi edhe me kontributin e Fanit e të fanasve e duhet t’ua
kthejmë atyre një pjesë të investimit që kanë tek ne, jo me hidrocentrale që
prishin mjedisin e japin fitime të majme për një individ a një familje, por me
investime që mbajnë gjallë jetën atje, punësojnë sa më shumë njerëz, thithin
flukse turistësh, edhe pse ndoshta japin pak fitime për investitorin.
Sot
bëhet më lehtë se nesër…
Po
shteti?
Për
aq sa është prezent në atë zonë, pak punë prish edhe po “të mos jetë fare”. Ai
duhet të bëhet i gjallë me rrugët kryesore nga autostrada drejt qendrave të çdo
fshati, me vitalizimin e disa pikave turistike si Gurra, Munella, Zepa, Batrat
e livadhet e Xhuxhës, me energjinë elektrike të qëndrueshme e të sigurt dhe me
stimulimin e investitorëve vendas e të huaj për zhvillimin e agroturizmit, duke
lëvruar kredi pa interes, duke lejuar deri 10 vite aktivitet pa taksa e, në
radhë të parë e mbi të gjitha, duke ua dhënë tokën të zotëve, pa asnjë
burokraci. Atje sekush i di kufijt e tjetrit, prona mbetet e shejtë e normat e
sjelljes ndaj saj të ligjëruara deri në gen, ndaj s’duhet të hezitohet.
Kufijt
i zgjidh fshati. Shteti t’i mbikqyrë e dokumentoje!
***
Mund
ta shëtitja Fanin me këmbë nga Zepa në Munellë e Kumbull, si dikur fëmijë me
bagëti, apo kuadër për pak kohë në ish - kooperativën e Klosit, pa e ndjerë
lodhjen fizike aspak, edhe pse vitet ecin pa më pyetur, por kur shoh shtëpi të
rrënuara, oxhaqe që s’nxjerrin tym, ara të pa punuara, pemët e thara që po i
zëvendësojnë pishat e lisat, pyje që i mbyt qetësia vrastare e mungesës së
blegtorisë, e ku veç kënga e zogut e ndonjë ulërimë kafshësh e shpezësh të egra
(të vetmet që kanë përfituar nga kjo harresë!) nuk mungon, shpirti s’të ndihmon
të vazhdosh e ligshtimi të lodh…
Jemi
në fushatë eklektorale e çfarë nuk na dëgjojnë veshët nga partitë politike e
liderët e tyre, por askush nuk artikulon asgjë për këtë gjendje të pa merituar
të fshatit në tërësi e atyre malore në veçanti, për braktisjen e tyre në krejt
Shqipërinë e për mungesën totale të perspektivës së tyre. Jo! Fani e Domgjoni,
Mirdita e Veriu shqiptar, ashtu si edhe çdo pëllëmbë tjetër e kësaj copë toke
të quajtur Shqipëri nuk e meriton braktisjen, as nuk meriton neglizhencën tonë
e “sytë qorr e veshët shurdh” të pushtetit.
Varret
dhe e nesërmja do t’na namin të gjithëve!
Domgjon, 27 prill 2025