Mendime
Luan Asllan-Dibrani: Bllokadë, frikë dhe hipokrizi: Opozita që i trembet lirisë
E premte, 02.05.2025, 06:58 PM
Bllokadë, frikë dhe hipokrizi: Opozita që i trembet lirisë
Nga
Luan Asllan-Dibrani
Kur vota e lirë
bëhet kërcënim për të robëruarit e politikës
Në zemrën e një demokracie të
brishtë si Kosova, ku çdo hap institucional është jetik për shtetndërtimin, Kuvendi
është shndërruar në një arenë të bllokadës së qëllimshme. Propozimi për ta
zhbllokuar procesin me një votim të fshehtë për Kryetarin e Kuvendit – një
metodë demokratike që garanton lirinë e deputetit – është rrëzuar pa mëshirë
nga partitë opozitare: PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe.
Ky refuzim nuk është procedural.
Ai është ideologjik, frikacak dhe thellësisht i turpshëm. Ata nuk i
tremben procedurës, por fuqisë së deputetit të lirë. Kur ti frikësohesh
nga vota, ti frikësohesh nga e vërteta. Dhe kur frikësohesh nga e vërteta, nuk
je më përfaqësues i qytetarëve – je peng i partisë dhe argat i interesave të
huaja.
Nëse je i
preferuari i popullit, pse dridhesh nga vota?
Le të jemi të qartë: vota e
fshehtë është esenca e demokracisë. Ajo i jep secilit deputet fuqinë për të
vendosur me ndërgjegje, pa frikë, pa kërcënim, pa komandë. Por kjo i tmerron
“të fortët” tanë. Ata që e quajnë veten liderë, por që në realitet janë hije
të egos së tyre të vjetër.
Po të ishit aq të dashur për
popullin, siç pretendoni, nuk do të kishit frikë nga vota. Po të ishit të
sigurt në bindjet tuaja, nuk do të fshiheshit pas refuzimeve dhe sabotimeve.
Këtu nuk kemi të bëjmë me opozitë politike – por me klube të interesave të
vjetra, të stërkëmbura në vetëmburrje dhe bllokim.
Opozita që flet
shqip, por rreshtohet serbisht
Ajo që e bën situatën edhe më të
dhimbshme, është bashkimi i opozitës me Listën Serbe, një parti që as
nuk e njeh shtetin, as nuk e respekton. Në vend që të mbrojnë sovranitetin dhe
integritetin institucional, partitë shqiptare të opozitës janë rreshtuar në një
heshtje të turpshme përkrah një subjekti që, në çdo rast, ka vepruar kundër
Kosovës.
A mund të quhen më opozitë kur
janë hijë e Listës Serbe dhe gardianë të bllokadës? Kjo nuk është më
thjesht politikë – është abuzim me mandatin dhe tallje me qytetarin.
Frikacakë
politikë me maska intelektuale
Në krye të kësaj bllokade
qëndrojnë emra që më shumë ngjasojnë me karikatura të një teatri të lodhur politik
sesa me udhëheqës:
Memli Krasniqi, që më shumë flet si një reper i dalë mode sesa si
udhëheqës i një partie që dikur bënte ligjin.
Lumir Abdixhiku, që mban kollare, por mendon si burokrat frikacak.
E gjithë pjesa tjetër – mbeturina
politike që nuk guxojnë as të hapin gojën pa leje nga “qendra”.
Ata janë politikisht të
paformuar, të paqartë dhe të paaftë për të artikuluar qoftë edhe një vizion
minimal për Kosovën. Nuk kanë më ndikim – kanë vetëm poste. Nuk kanë më
mbështetje – kanë vetëm frikë.
Janë si kunguj të vendosur në
mes të rrugës së demokracisë – as nuk ecin, as nuk lënë të ecësh. Dhe kur
një opozitë ka frikë nga vota e fshehtë, ajo nuk është më opozitë: është një
shërbëtore e frikës dhe një përkrahëse e stagnimit.
Populli nuk
është budalla. Ky është çasti i përballjes!
Kjo bllokadë nuk ka të bëjë me
rregulloren e Kuvendit apo me standardet politike. Kjo është luftë për
kontroll, për pazare, për inate personale. Por kostoja e kësaj loje e paguan
qytetari, që pret reforma, ndihma ekonomike, politika sociale, zhvillim.
Në këtë realitet të errët,
Vetëvendosjes i lind një detyrë historike:
Shkoni në
zgjedhje! Plandosini njëherë e mirë këta frikacakë!
Shkoni në zgjedhje dhe jepni
popullit të drejtën ta mbyllë përfundimisht kapitullin e turpit politik që këta
përfaqësojnë. Jepuni qytetarëve mundësinë që ta pastrojnë skenën nga
kungujt politikë, nga frikacakët, nga sabotuesit, nga të pashkolluarit me
kollare.
Sepse kur frikacakët bëhen të
zhurmshëm, është koha që populli të bëhet i pamëshirshëm.
Përmbyllje:
Kush ka frikë nga vota, ka frikë nga populli
Në këtë betejë, ka vetëm një
armë: vota e lirë. Dhe vetëm një e vërtetë:
Ai që ka frikë nga vota, ka frikë nga populli. Dhe ai që ka frikë nga
populli, nuk ka vend në politikë.