Mendime
Luan-Asllan Dibrani: Pengmarrja e Shtetit nga Pseudo-Politikanët
E enjte, 01.05.2025, 06:15 PM
Pengmarrja e Shtetit nga Pseudo-Politikanët: Sabotimi i Demokracisë dhe Rritja e Reputacionit të Vetëvendosjes
Nga
Luan-Asllan Dibrani
Kur vota e popullit poshtërohet nga deputetë të
padenjë dhe opozita sillet si zgjatim i politikave destruktive të Beogradit –
vjen koha për gjykim moral e politik.
Në çdo sistem demokratik, përballja mes partive
politike është e natyrshme, por kur ajo bëhet me qëllim bllokimi të
institucioneve dhe me logjikë përjashtuese ndaj fituesit të zgjedhjeve, nuk
kemi më të bëjmë me demokraci – kemi të bëjmë me trysni të ulët politike,
taktika të mbrapshta pseudo-parlamentare dhe sabotim institucional me efekt
zinxhir në jetën e qytetarëve.
Kosova, për të tetën herë me radhë, dështon të
konstituojë Kuvendin e saj për shkak të një bllokade që s’ka as arsyetim
juridik dhe as legjitimitet moral. Opozita, e shkapërdarë mes interesash
personale dhe udhëzimesh të dyshimta nga jashtë, ka zgjedhur të jetë pengmarrëse
e demokracisë, në vend se përfaqësuese e qytetarëve që i ka votuar.
Pseudo-deputetë pa kredibilitet, me 100 malverzime e
zero përgjegjësi
Kemi të bëjmë me një kastë pseudo-politikanësh, të
cilët në vend të mendësisë shtetformuese, veprojnë si aktorë destruktivë të një
loje që s’e kuptojnë dhe s’e meritojnë. Pa kredibilitet moral, pa busull
politike dhe me një histori të përbërë nga pazare të ndyra, marrëveshje të
nëndheshme e manipulime zgjedhore, ata sot po e injorojnë popullin që i solli
në atë Kuvend me sakrifica.
Këta janë sabotorë të procesit demokratik, që po e
shtyjnë vendin drejt një kolapsi institucional për llogari të interesave të
veta të vogla, e ndoshta edhe për llogari të të tjerëve që në heshtje
dëshirojnë dështimin e Kosovës si shtet funksional. Në thelb, politika e tyre –
me vetëdije apo pa të – është e ngjashme me atë të Serbisë ndaj Kosovës:
bllokim, delegjitimim dhe përhapje kaosi.
E drejta ndërkombëtare dhe logjika demokratike – në
anën e fituesit
Është standard ndërkombëtar dhe praktikë parlamentare
në çdo vend demokratik që partia fituese e zgjedhjeve cakton emrin për kryetar
të Kuvendit. Kjo nuk është privilegj – është e drejtë legjitime e sanksionuar
nga Kushtetuta dhe nga vetë vullneti i popullit të shprehur me votë. Ajo që po
ndodh në Kosovë nuk është demokraci – është një budallallëk politik i shekullit
XXI, një farsë që vetëm e rrënon besimin qytetar në sistem.
Të marrësh guximin t’i thuash një partie fituese se “jo,
nuk mund ta caktoni vetë kandidatin tuaj për kryeparlamentar” është si të
kërkosh që shpata të bëhet furçë, e drejtësia të përkulet para inatit politik.
Opozita nuk po sillet si korrektues i qeverisë, por si pengesë e vetme në
rrugën e funksionalitetit të shtetit.
Vetëvendosje dhe Albulena Haxhiu: Kur refuzimi rrit
vetëm respektin
Sa më shumë që tentojnë ta bllokojnë kandidaturën e
Albulena Haxhiut, aq më shumë ata po e fuqizojnë atë si figurë. E përgatitur,
me një biografi të pastër, me dije të thellë juridike dhe vlera kombëtare, ajo
përfaqëson një figurë që në vendet e qytetëruara respektohet dhe promovohet.
Ata që s’e duan, thonë se është “e zhurmshme” – por e vërteta është se ata
s’kanë asnjë argument tjetër përveç seksizmit dhe frikës nga një grua e zonja
në udhëheqje.
Përballë një opozite që jep deklarata të ftohta dhe të
pashpirt, me përmbajtje që s’mund t’i bëjnë përshtypje as vetë folësve, figura
si ajo e Haxhiut shkëlqen në kontrast. Ata që flasin për “cirk” në Kuvend, janë
vetë klounët politikë të një tragjikomedie pa ide, që lënë popullin të vuajë pa
institucione, pa buxhet dhe pa orientim politik.
Kjo sjellje vetëm sa po rrit reputacionin e Albin
Kurtit dhe VV-së
Ironia është që kjo opozitë, me këtë qasje bllokuese e
arrogante, pa e kuptuar po kontribuon më shumë për fitoren e ardhshme të
Vetëvendosjes se sa çdo fushatë zgjedhore. Nëse shkohet në zgjedhje të
parakohshme, shumë nga këto parti rrezikojnë të zhduken nga skena politike –
sepse qytetarët nuk janë më të verbër, nuk janë më të manipulueshëm, dhe nuk
pranojnë më të qeverisen nga hije të djeshme pa vizion dhe pa zemër.
Përmbyllje: Një gjykim historik i domosdoshëm
Këta përfaqësues që bllokojnë vendin duhet të kuptojnë
se po i afrohet koha e gjykimit të madh politik – jo në sallat e Kuvendit, por
në mendjet dhe zemrat e qytetarëve të Kosovës. Historia do t’i mbajë mend si
pengmarrësit e institucioneve, që për interesa të ngushta rrënuan shpresën,
vetëm për t’u mbytur në mllef e inat.
Populli i Kosovës e ka treguar dinjitetin dhe pjekurinë.
Ai nuk e meriton këtë përbuzje. Ai kërkon drejtësi, funksionim, përfaqësim dhe
dinjitet – jo cirk dhe sabotim.
Në fund të fundit, a është më e rrezikshme një grua e
fortë në krye të Kuvendit, apo një Kuvend pa moral, pa liderë dhe pa të ardhme?