Kerko: a
Visar Zhiti: Papa Françesku shkon në qiell, vizita e tij e fundit
E hene, 21.04.2025, 06:59 PM
PAPA FRANÇESKU
SHKON
NË QIELL - VIZITA E TIJ
E
FUNDIT…
Nga
Visar Zhiti
Papa
Françesku shkon në shtëpinë e Atit… E gjithë bota jep lajmin se ai ndërroi jetë
sot në moshën 88 vjeçare…
Papa
aq i dashur për njerëzimin, që i shërbeu fuqishëm dhe po aq denjësisht Zotit
dhe Kishës…
Bota
e gjithë sot flet për atë, jetën dhe veprën e tij… Bota është në zi…
Ne,
shqiptarët, kujtojmë që na deshi shumë dhe vizitën e parë apostolike jashtë
Selisë së Shënjtë dhe Italisë, zgjodhi ta bëjë në Shqipërinë tonë si në një
vend të vuajtur, me një kishë martire dhe emblematik për vëllazërinë
ndërfetare.
Me atë u kanonizua shenjtërimi i Nënë Terezës tonë, u lumturuan 39 martirë të Kishës tonë, të vrarë nga regjimi i dikurshëm totalitarist dhe krijoi si kardinal një prift të thjeshtë, që vinte nga burgjet, bashkëvuajtësit tonë, Dom Ernest Troshanin.
Papa
Françesku dërgoi Kardinalin Parolin, Sekretarin e Shtetit në përurimin e
Katedrales “Nënë Tereza”
në
Prishtinë dhe të përshëndeste popullin e Kosovës…
Më
jehon zëri i Papa Françeskut, kur tha se shqiptarët thonë se janë bij të
shqiponjave… - dhe janë bërë të njohura imazhet e tij me një qeleshe shqiptare
me shqiponjë apo kur bën me duart e tij të bardha shqiponjën tonë, teksa qeshte
me disa të rinj shqiptarë në një takim ndërkombëtar, - ndërsa në Tiranë na
porositi të gjithëve: “…por mos harroni
folenë dhe plagët!”
Foleja
dhe plagët ngjajnë, - shkruajta unë. Papa fliste si poet dhe i donte poetët.
Ne
patëm fatin të ishim në disa mesha të celebruar prej tij, edhe atje ku ai
banonte në Santa Marta, ta takojmë dhe të bisedojmë, të mahniste se si të
dëgjonte, i tëri për ty, kujtoj kur i dhuruam librin tim për Nënë Terezën,
“Plagët nuk kanë atdhe”.
Atdheu
i plagëve jemi ne…
Dom
Gjergj Meta, ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, ku ishte dhe burgu famëkeq, ku
vuajtën shumë nga klerikët tanë, shkruan sot:
“Të
dashur besimtarë katolikë!
Papa
Françesku u kthye në shtëpinë e Atit! Ka dhënë shpirt sot në orën 7:35 të
mëngjesit!
Falenderojmë Zotin për shërbimin e tij në gjithë këto vite e të lutemi për shpirtin e tij!”