Kulturë
Albert Zholi: Flet "Artisti i Popullit" Reshat Arbana
E hene, 17.03.2025, 07:54 PM
- Filmi më i vështirë ka qenë "Dueli i heshtur"! Ai u realizua i gjithi në det të hapur rreth 4 muaj në palcë të dimrit.
-
Ngriheshim nga shtrati, sikur të kishin lënguar nga plagët, si trimi Gjergj
Elez Alia.
-
Petro Dodes: Ti je i prerë të luash rolin e një gjermani nuk ka nevojë për
shumë grim je i prerë për një rol SS !
-
Rita Markos: Je adapt për të luajtur rolin e një intelektuali, burokrat, por
tejet simpatik, se të ka hije portreti dhe kostumi për të qenë drejtues ose
zyrtar i lartë.
-A
mund të luajmë dhe ne në filma? Do të na marrësh edhe neve si aktorë me ndonjë
film?
-Po,
i kthehet ai. Petron sidomos, se ka edhe portretin si gjerman. Nuk ka nevojë
për shumë grim. Është i prerë për një rol SS. Kurse Rita është adapt për të
luajtur rolin e një intelektuali, burokrat, por tejet simpatik, që i ka hije
portreti dhe kostumi për të qenë drejtues ose zyrtar i lartë.
-
Dikush thotë, hajde o burrë, se ju artistët keni bërë qejf, keni jetuar si
mbretër, kurse ne të shkretët kemi ngrënë dynjanë.
-
Artistit i besohet një jetë dhe një histori njerëzore duhet të hyjë thellë në
lëkurën, në mendjen, shpirtin dhe realitetin e personazhit si një psikiatër.
-
Ai në jetën e tij artistike ka s'qenë kurrë renegat si Islami, spiun si Sami
Ameni, mësues violine, fshatar injorant, patriot, bimbash apo drejtues treni.
-
Artisti duhet të njohë dhjetëra zanate pasi duhet të dijë të kalërojë, të
qëllojë me pushkë, të jetë mekanik, shofer kamioni, pilot, infermier, mësues e
shumë profesione të tjera.
Nga
Albert Z. ZHOLI
Reshat
Arban është një aktor teatri dhe filmi nga më të spikaturit. Ai mbetet një nga
aktorët më popullorë të kinemasë shqiptare, me mbi 35 role, duke filluar që nga
viti 1963. Pasi i kreu studimet në shkollën e lartë për aktorë "Aleksander
Moisiu", pranë Teatrit Kombëtar në Tiranë, më 1968, filloi punë në Radio
Tirana. Nga viti 1977 e deri sa doli në pension ishte aktor i Teatrit Kombëtar
të Tiranës. Ndër rolet më të spikatura në film: Samiu tek "Fije që
priten" 1976, Prefekti tek "Gjeneral gramafoni" 1978, Bimbashi
tek "Liri a vdekje" 1979, Isa Boletini tek "Nëntori i dytë"
1982, Ahmeti tek "Dora e ngrohtë" 1983, Adnani tek "Hije që
mbeten pas" 1985, Aliu tek 'Binarët' 1987, Emili tek 'Rikonstruksioni'
1988, Kuke Memini tek "Balada e Kurbinit" 1990. Për rolet e Dajlan
Beut tek "Kush vdes në këmbë" 1984 dhe Kryetarit të Këshillit tek
"Kur hapen dyert e jetës" 1986 ka fituar Medalionin e Festivalit të
Filmit më 1985 e 1987. Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar me
rolin e protagonistit në dramën "Streha e të harruarve'.
-Shpesh flitet për
rolet. Disa të vështirë disa shumë të vështirë. Disa role edhe figurantë kanë
vendin e tyre. Cilat janë vështirësitë e roleve? Sa ju mbërthejnë sa stres ju
kanë shkaktuar dhe sa larg familjes ju kanë mbajtur?
Kur
flitet për vështirësinë që ka realizimi i një roli në kinema, apo dhe në
teatër, ndonjë bashkëbisedues, apriori hedh një batutë tepër
"ofenduese"! "Hajde o burrë, se ju artistët keni bërë qejf! Keni
jetuar si mbretër, kurse ne të shkretët kemi ngrënë dynjanë...!" Kështu
shprehet artisti. Arti nuk është një tralala apo gallatë. Artistit i besohet
një jetë dhe një histori njerëzore. Duhet të hyjë thellë në lëkurën, në
mendjen, shpirtin dhe realitetin e personazhit si një psikiatër dhe më pas të
gjejë mjetin ta pasqyrojë atë me gjeninë dhe artin e tij. Ai në jetën e tij
personale nuk ka qenë kurrë renegat si Islami, spiun si Sami Ameni, mësues
violine, fshatar injorant, patriot, bimbash apo drejtues treni. Të interpretosh
me vërtetësi aq shumë personazhe duhet punë dhe përgjegjësi. Të gjithë e kanë
lexuar më lart jetëshkrimin e tij. Ai nuk ka studiuar kurrë violinë e
megjithatë i është dashur që te filmi "Tinguj lufte" të interpretonte
mësuesin e violinës...Ambientet, sheshet e xhirimit, kushtet atmosferike kishin
halle e probleme. "Artisti duhet
të njohë dhjetëra zanate dhe kjo nuk është gjë aq e thjeshtë. Duhet të dijë të
kalërojë, të qëllojë me pushkë, të jetë mekanik, shofer kamioni, pilot,
infermier, mësues e shumë profesione të tjera. Duhet të jetë i gjithanshëm. Të
ketë dhunti dhe durim për të mësuar kleçkat e çdo profesioni. Ai duhet të
kërkojë literaturë përkatëse dhe ta studiojë në thellësi dhe më pas të kërkojë
njerëz të gjallë e të mësojë prej tyre"-shprehet Arbana. Arti është
subjektiv. Por pjesa më e vështirë e tij është gjykimi i të tjerëve. Mund ta
krahasojë me një konkurs të përjetshëm. Kur arrin të japësh maksimumin dhe
sjell një figurë të realizuar mirë, atëherë, qetohesh. Lodhja dhe mundi
konvertohen në kënaqësi të jashtëzakonshme. Filmi më i vështirë ka qenë
"Dueli i heshtur". Ai u realizua i gjithi në det të hapur rreth
4 muaj në palcë të dimrit. Dimri i atij
viti ishte i egër, deti i trazuar, i ftohti kallkan, koha herë me qiell të kulluar,
herë e brumbulluar nga retë e dendura. Deti vërtetë është i bukur nga bregu,
por vetëm nga bregu, ama kur je thellë,
e larg bregut mbi dallgët e tij, apo edhe në qetësinë e tij të fshehur, pra në
detin e vdekur siç e quajnë detarët, atëherë e sheh se sa të vështirë e ke për
të punuar me të. Kështu ndodhi edhe me
ta. Nja 10-15 njerëz që përbënin grupin e filmit, vetëm tre prej tyre nuk donin t'ia dinin për
egërtinë e dalldisjen e tij. Këto ishin operatori i mrekullueshëm Petraq
Lubonja, Rikard Ljarja dhe një punëtor i palodhur i filmit, i quajtur Asllan
Vladi. "Sapo vinin këmbën në anijen
luftarake", tregon Reshati "përnjëherësh i mblidhej një shuk, që u
zinte grykën, e i shprishte qetësinë e humorin. Tymi i cigares që pinte
ndonjëri, fjolla e tij depërtonte ndërmjet hundës drejt e në stomak. E duhej të
vrapoje për ta nxjerrë ushqimin".
Ndrek Luca,
"ulërinte":
-Po
fike, at' dreq cigareje, se na mbyte o burrë! Njëqind herë ju kam thënë, mos na
pini duhan në anije burra, se mbarum krejt ! Dhe nuk kishte faj Ndreka. Edhe
sot kur i kujton ato momente, i
shtjellet neveria në stomak...! Gjithë dita me të përziera e të vjella në
krevatet e anijes të kruspullosur në kubriket e marinarëve. Kur vinte momenti i
radhës (regjisori apo dikush tjetër) thërriste: -Reshat, (apo Ndrekë ), ngjitu lart, erdhi radha! Bobo
çfarë tmerri! Ngriheshin nga shtrati, sikur të kishin lënguar nga plagët, si
trimi Gjergj Elez Alia.
Filmi 'Dueli i
heshtur"
Në
të rrallë kur sheh ndonjëherë filmin 'Dueli i heshtur", ai dallon disa
episode ku deti i ka mbytur fare, tmerr me të vërtet. Portreti ka rrëshqitur
dhe ndryshuar, zbardhur apo zverdhur krejt. Muaj me radhë vollën në det, por
kurrë nuk u ambientuan. "Shumë herë u bëra gati që ta lija fare atë punë,
ta linte rolin, vetëm të shpëtoja nga vështirësitë e papërballueshme, që na
sillte çdo ditë xhirimi". "Kanë kaluar mëse 50 vjet nga xhirimet e
këtij filmi", tregon Reshati, "dhe nuk rri dot pa sjellë në kujtesë,
një moment që më ndodhi një ditë të bukur të muajit shkurt, tek po xhironim si
çdo ditë. Isha me një grup shokësh në bankinën e betonit duke thithur një
cigare dhe duke biseduar. Anija ishte e ankoruar, pasi xhironim në vend. Një
çast dëgjova që më thirrën nga kabina. Unë pa humbur kohë hodha
cigaren, rrëmbeva nga toka një çantë që mbaja në krah, dhe u nisa drejt dërrasës
"urës" që lidhte anijen me tokën. Dita ishte e vrenjtur dhe era që
frynte, bënte që anija herë të largohej dhe herë të afrohej. Me të lëvizte para
dhe prapa dhe ura lidhëse. Në kohën që vura këmbët në dërrasën e lëvizshme, ajo
u tërhoq nga bankina, u shkëput, dhe unë krejt papritur ndjeva që duart m'u
përplasën fort në betonin e bankinës.
Një orë dore, e rolit të Islamit, fluturoi me xham e aparaturë, e nuk e di se ku bitisi. Unë u zhyta kutullumbas në thellësinë e molit, në
ujin e akullt të detit. Sigurisht u tremba, u tremba shumë se nuk po merrja
vesh se çfarë ndodhi! Dola shpejt në sipërfaqen e ujit, dhe me ndihmën e
shokëve, u gjenda lart, duke fërgëlluar si qen nga të ftohtit dhe rrobat e
qullëta. Mbaj mend se pranë anijes sonë, ishte një anije tregtare
"Teuta". Më dërguan urgjentisht atje. Më vendosën poshtë te motorët
ku ishte ngrohtë. U ndërrova, u thava dhe pasi më mjekuan duart e rrjepura e të
gjakosura, më nisën për në Tiranë, për të ndenjur 2 ditë pushim pas atij
"akti të bukur heroik!"Janë momente që dhe sot më vijnë të freskëta,
e më duket, sikur ka kaluar pak kohë që kanë ndodhur, e jo pesëdhjetë vjet më
parë."
Takimi me Ramiz Alinë
Nuk
i është dhënë rasti të takohet personalisht me udhëheqësit e shtetit monist.
Por një takim e mban mend me Ramiz Alinë. Ishte viti 1989. Pas pjesëmarrjes në
një festival filmi në Zvicër, e kthimit në Tiranë, e lajmërojnë për një pritje
në Pallatin e Brigadave. Në hollin e stilit mbretëror të Pallatit të Brigadave,
s'kishte shumë njerëz. I afrohet Petro Dodes dhe Rita Markos, që rrinin të
veçuar në korridor. Iu afrua dhe ata filluan të bënin shaka, ndërkohë që pritej
ardhja e Ramiz Alisë.
-A
mund të luajmë dhe ne në filma? Do të na marrësh edhe neve si aktorë me ndonjë
film?
-Po,
i kthehet ai. Petron sidomos, se ka edhe portretin si gjerman. Nuk ka nevojë
për shumë grim. Është i prerë për një rol SS. Kurse Rita është adapt për të
luajtur rolin e një intelektuali, burokrat, por tejet simpatik, që i ka hije
portreti dhe kostumi për të qenë drejtues ose zyrtar i lartë.
Ishte
hera e parë që i takonte. Biseduan, për
probleme nga të cilat nuk mban mend asgjë interesante. I është fiksuar vetëm ky
dialog që në fakt dukej si lojë fjalësh se nuk kishin çfarë të thoshin. Mban
mend vetëm që biseduan për transportin urban dhe interurban, kulturën dhe
udhëtimet, dhe Rita i premtoi se do bënte realitet të gjitha problemet e
ngritura në diskutimin që kishte bërë në kuvend.
E
ndërsa bënte shaka me ta, i afrohet Ramiz Alia. I fut krahun dhe ecin gjatë
korridorit të pallatit. Ramizi e njofton se do të takoheshin me një delegacion
të Parlamentit zvicerian me përfaqësues nga tre kantonet e Zvicrës. Pasi folën
shkurt për problemet e teatrit, ai merr guximin dhe i thotë Ramizit:
-Dua
të them nja dy gjëra. Mundet?
-Pa
tjetër!
-Duhet
bërë diçka o shoku Ramiz...gjendja ekonomike është tejet e rëndë. A mundet ta
hapni pak. Komshinjtë po sigurojnë të ardhura nga turizmi, fjala vjen...
Nuk
foli më gjatë, se Ramizi duke i dhënë të drejtë, i thotë se kjo punë nuk është
e lehtë, se ne nuk kemi kushte, s'kemi hotele klasi, drita dhe shumë gjëra të
domosdoshme për të plotësuar kërkesat e turistëve. Çdo shohin te ne turistët?
Rrugët apo dyqanet krejt të boshatisura? Ja vjen delegacioni zviceran. Ato do e
shohin me sytë e tyre pazarin bosh dhe unë s`kam si i gënjej.
Dhe
në fakt gjatë takimit ai iu shmang problemeve ekonomike, dhe u foli atyre për
historinë e popullit zviceran. Mbajti një fjalim që u bëri përshtypje
zviceranëve për njohuritë e thella, që kishte mbi historinë dhe zhvillimin e
shtetit të tyre. Takimi mbaroi dhe pasi i hipi biçikletës për t'u kthyer në
shtëpi i bëri një pyetje vetes: "Po mua ç'mu desh që fola?"
***
Fillimisht
ishte i mendimit që recitimet nuk ishin për të. E shihte shumë larg
interpretimin e poezive. Ky dyzim
vazhdoi deri vonë.. Dhe kur hyn triumfalisht në teatër. Recitonte, Anastasi,
Pirro, Margarita, Drita, dhe ai vërtet i pëlqente recitimet e tyre. Recitimin e
ndjen si armë të tij, vetëm në moshë të pjekur. Pas vrasjes së vëllezërve
Gërrvalla, Isufit, Bardhylit dhe shokut të tyre, Kadri Zekës. Atë kohë, Zana e
shoqja e Isufit, me fëmijët kishte ardhur në Shqipëri, nga Gjermania dhe herë
pas here me mikun e tij, Kujtim Çashku
shkonin ta takonin. Një natë, Zana i tregon se Hamit Alija, një poet i talentuar
tropojan kish shkruar ca poezi të bukura për të shoqen, dhe e fton të recitojë.
Pranon me kënaqësi. Ishte debutimi i tij i parë në recitime. Me një magnetofon
diletant i reciton ato vargje...që për fat të keq nuk e di se ku janë, dhe i
vjen keq që nuk e ka një kopje. Në vitin 1989, realizon një përmbledhje me
poezi nga libri "Mrrizi i Zanave", të cilat vërtet u pritën mirë. Për
këtë iniciativë e shtynë ngjarjet e vitit 1989, e veçanërisht mbyllja e
minatorëve në zgafellat e Trepçës. E ndjeu si një kontribut që mund të jepte si shqiptar ndaj
gjysmës që ish shkëputur me aq gjak nga trungu shqiptar. Skena rrëqethëse, të
rënda atje thellë minierës, e çuan te Fishta i madh. Ngacmues, u bë një varg ku
thuhet:
M'kamë bre burra,
n'kamë...
Ç'ka ini, fshehur, ndën
furka t'grave?
Si do rrole, t' kqija
Asht turp për Zotin,
shurdh me hup Shqipëria!
Kushtrim,
kushtrim...etj, etj.
Në
atë vit realizon një kasetë, me 10 poezi, që shpërndahet në Europë dhe në Botë,
dhe që në vitin 1989, gjatë luftës së Kosovës, Radio Kontakt, i transmetonte
gjatë gjithë ditës. Sot recitimi është pasioni i tij. Sigurisht poezitë godasin fort me sarkazëm
dobësitë, të metat, të padrejtat, të paudhët, matrapazët e shpirtit,
pseudopatriotët, atyre që shkelin kombin e flamurin, lakmitarët, të pangopurit,
Poezitë erdhën në kohë, me një efekt të madh. Vërtet që goditën fort në ndjesinë dhe botën e brendshme të
shqiptarëve që patën rastin t'i dëgjojnë ato vargje...