Kerko: a
Idriz Zeqiraj: Dega e LDK-së e Beneluksit festoi "Darkën e Lamës" në Bruksel
E premte, 13.12.2024, 08:53 PM
Gazmend Muhaxheri dhe Anton Quni
në "Darkën e Lamës", në Bruksel
DEGA E LDK-SË E BENELUKSIT FESTOI
"DARKËN E LAMËS", NË BRUKSEL
NGA IDRIZ
ZEQIRAJ
Presidenti Rugova është përkujdesur
shumë për ruajtjen e trashëgimisë historike, zakonore, kulturore dhe të
traditave të popullit tonë. Në cilësinë e Presidentit të Kosovës, në vitin
2002, porositi kthimin e kremtimit të "Darka e Lamës", duke e ngritur
në festë shtetërore. Kjo festë familjare rezulton me korrjet, vjeljet dhe
menaxhimin e prodhimeve vjetore, për njerëzit dhe botën shtazore, për dimrin
dhe stinët në vijim.
Për Mërgatën shqiptare, porositë e mira
të Presidentit Rugova, pas amshimit të Tij, janë kthyer në -amanet-. Edhe pse
në mërgimin e largët, pa ato korrje e vjelje të Kosovës, e festojnë
"Darkën e Lamës", duke u solidarizuar me familjet dhe popullin në
Atdhe. Kjo traditë, për një kohë, në rrethana specifike, është kaluar në heshtje.
Me sugjërimin e Presidentit Rugova është ripërtrirë dhe komuniteti shqiptar i
kudondodhur, po e praktikon gjithnjë e më shumë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në
Beneluks, organizoi "Darkën e Lamës", në Bruksel. Sekretari i kësaj
Dege, Xhavit Belaj, moderoi kremtimin e kësaj feste të traditës shqiptare. Ai
përshëndeti mysafirët e ardhur, enkas, nga Kosova, nënkryetarët e LDK-së,
Gazmend Muhaxheri dhe Anton Quni, me bashkëshortën, nënkryetarin e komunës së
Pejës, Fatmir Asllani; deputeten e Parlamentit të Brukselit, Kristela Bytyçi;
ambasadorin brilant, Ramadan Gashi; kryetarët e Degëve dhe të Nëndegëve të
LDK-së nga Gjermania: ish-kryetari i LDK-së, në Gjermani, Osman Ferizin me
veprimtarët Xhafer Leci, Ibrahim Rexhaj, Idriz Zeqiraj; kryetarin e Degës Prof.
Mutafë Lulaj, sekretarin Agim Aliçkaj, Demë Kelmnedi, Ramë Gashi; kryetarin e
Nëndegës me seli në Ludwigshafen Alush Zeqiraj; si dhe të gjithë të pranishmit
në sallën festive.
Moderatori Xhavit Belaj, ftoi në skenë
heroin e mbijetuar të Luftës së Kosharës, Kolonel Anton Qunin, për fjalën e
rastit. Pasi i përshëndeti, me përzemërsi, mërgimtarët, ai bëri një ekspoze
përmbajtësore të historikut të festës "Darka e Lamës", si dhe u
kujtoi atyre porosinë e Presidentit Rugova, për ruajtjen e traditave, me theks
të veçantë, përtëritjen e shënimit të festës domëthënëse të "Darkës së
Lamës", porosi kjo e pranuar, lehtësisht, nga shqiptarët në Atdhe, poashtu
edhe në Mërgatë.
Gjithashtu, mërgimtarët pjesëmarrës i
përshëndeti kryetari i suksesshëm i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, fitues
i tri mandateve zgjedhore radhazi dhe konkurues i sërishëm petencial, për
mandatin e katërtë të pritshëm.
Fjalë rasti mbajti edhe pjesëtari i
Grupit të armatosur luftarak, Osman Ferizi, që hyri në Kosovë, në dhjetor të
vitit 1991. Ai foli për rrjedhat e sotme politike dhe bëri thirrje për punë dhe
gadishmëri, në shërbim të Atdheut-Kosovë.
Veprimtari veteran, Ramadan Gashi,
ambasador i dinjitetshëm, emocionoi të pranishmit me fjalët përkujtuese, për
bashkëpunëtorët, tashmë, të amëshuar, luftëtarë të çështjes kombëtare: Enver
Hadrin, Ramiz Zekollin, Gani Azemin, të cilët na mungojnë vetëm fizikisht, por,
me mendje dhe zemër, janë të pranishëm në festat tona,
Kryesia e LDK-së të Degës të Beneluksit,
me seli në Bruksel, e prirë nga kryetari simpatik, Bahtir Kastrati, nga Broja e
Drenicës, nënkryetarja Merita Milla, sekretari Xhavit Belaj, anëtarët e
Kryesisë: Kristela Bytyçi, Xhevdet Tafilaj, Sherif Zeqiraj, Daut Rabi, Arsim
Beqiraj, Fadil Cakutaj, Mentor Lipaj, Hajriz Aliu, Musli Pasjaqa, kryetar i
Nëndegës në Holandë, Dinë Rugova kryetar i Nëndegës në Luksenburg, me shokë,
përbëjnë një ekip të vyeshëm, aktivistë të dëshmuar ndër vite, të LDK-së dhe të
Mërgatës.
Pjesë e kësaj feste ishin edhe
veprimtarë të vjetër, të angazhuar në Shoqata e komisione, si në Fondin
shtetëror të 3 %-shit si dhe në shumë aksione financiare, për të kontribuar në
mbijetesën ekonomike të Kosovës, në mes tyre veteranët Isa Rugova, Ragip
Zekolli, vëllai i veprimtarit të devotshëm, Ramiz Zekolli dhe të tjerë.
Kryetari Bahtir Kastrati falenderoi
mysafirët e nderuar nga Kosova dhe vendet e tjera, për pjesëmarrje në gëzimin
festiv të Degës së LDK-së për Beneluksin. Bashkëpunimi i harmonishëm, brenda
Kryesisë dhe të anëtarësisë, e bëri edhe më të bukur këtë festë të traditës.
Pritja e ngrohtë dhe shumë miqësore e mysafirëve, i la në harresë rrugëtimet e
gjata dhe të lodhshme nga Kosova apo nga Bavaria gjermane dhe gjetkë. Një
kolektiv i harmonishëm që dinë të organizojë dhe të respektojë. Kryetar
Kastrati me shokë, ju lumtë!
Kërcimi dhe vallëzimi grupor ishin
sharm e hijeshi i "Darkës së Lamës"
Si zakonisht, si melmesë e "Darkës
së Lamës" ishte sofra e begatë, me ushqimet e shumëllojshme të kuzhinës
burimore shqiptare, të përgaditura nga nuset e vyeshme mërgimtare, si
përkujtesë e kësaj feste domëthënëse. Pjesëmarrja masive e botës femërore
shqiptare, në aktivitete të ndryshme të Mërgatës, sikur është hakmarrje ndaj
normave kanunore, që kanë kufizuar lirinë personale dhe grupore të femrave
shqiptare, ndër dekada e shekuj, të gruas-nënë, krijuese e njerëzimit. "Pa
emancipimin e burrit, nuk ka emancipim të gruas", - thërriste,
ngulmueshëm, Sami Frashëri ynë.
Këngëtari i mirënjohur, Mehdi Berisha,
ka veçantinë e rrallë, ngaqë këndon natyrshëm dhe nuk shpërfaqë asnjë shenjë
sforcimi e lodhje, edhe atëherë kur qëndon gjatë në skenë. Orkestra shoqëruese
ishte në pajtueshmëri me mjedisin, duke shmangur zhurmimin e panevojshëm.
Zëri-pushkë i mjeshtrit të këngës, Mehdi Berisha, la pa gjumë shumë njerëz,
përgjatë asaj nate festive. Kërcimi dhe vallëzimi, individual e grupor, ishte
në harmoni ideale me orkestrimin. Vëmendje mori nusja elegante e Kolonel Anton
Qunit, në ekzekutimin e valleve shqiptare.