Kulturë
Ndue Dedaj: Arbër Caka, njeriu dhe sipërmarrësi fisnik
E marte, 10.12.2024, 06:52 PM
ARBËR CAKA, NJERIU DHE SIPËRMARRËSI FISNIK
NGA
NDUE DEDAJ
Mirditorët,
këto Krishtlindje, do të ndezin një qiri përshpirtje për një djalosh të
paharruar, Arbër Cakën, që u shua në fundin e tetorit, në moshën 38 – vjeçare,
nga një aksident i rëndë në punë. Siç do të jenë përherë të freskëta lulet në
vendin ku ai prehet. Rrallë herë qyteti i Rrëshenit ishte veshur në zi si atë
ditë që i dha atij lamtumirën në Katedrale, ngaqë Arbri kishte lënë gjurmën dhe
buzëqeshjen e tij kudo dhe te secili. Kishte lënë emigracionin në Angli, bashkë
me vëllezërit, për ta krijuar së bashku me ta në atdheun e tyre punën dhe
arritur sukesesin.
Pinim
kafën çdo pasdite në të njëjtin bar dhe ai asnjëherë nuk kalonte pa folur,
përherë i buzëqeshur, i vëmendshëm ndaj secilit. Ishte i ri, aq as dhe “plak”,
pasi veti e tij ishte t’i pleqnonte mirë e mirë punët para se t’i niste. Ua
pati bërë jetën të gëzueshme dhe festën të bukur njërezve me të cilët punoi
shumë vite, por dhe vetë komunitetit me veprat e ndërtuara që la pas në
ndërtimtari, ura, vila, pallate, resorte turistike, kanale vaditës si ai i
Malajve me partnerë të huaj, objekte dekorative etj. Firma e tij punoi dhe në
ndërtimet e pas-tërmetit, në lagjën e re të Rrëshenit, te ish-reparti ushtarak.
Ai ishte sipërmarrës i suksesshëm, që punoi bashkë me vëllezërit në një kompani
ndërtuese, brenda dhe jashtë Mirditës, si në Lezhë, Kurbin, Mat e deri në
Bujanovc, te shqiptarët në Serbi, ku do të ndërtonte dy pallate. Arbri ishte
vërtetë shef e menaxhues i punimeve, por ishte dhe njeriu novator, mjeshtri që
çdo gjë donte ta bënte të bukur dhe cilësore. Kjo ishte edukata e punës që ai
dhe vëllezërit e motrat (tetë fëmijë) kishin marrë në familjen e tij punëtore
qysh të vegjël. Nuk kërkoi kurrë të dukej, të binte në sy, nuk dinte të
ankohej.
Arbri,
djaloshi energjik përherë i qeshur, do të kujtohet gjithnjë jo vetëm për
mirësinë që e karakterizonte si njeri, por dhe si një i ri sipërmarrjes që
krijoi një model pune, në përballje me vështirësi të shumta të terrenit,
burokracisë etj. Telefonit të tij mund t’i binte lirisht çdo qytetar dhe do të
gjente zgjidhje dhe për punë të thjeshta: dikuj i duhej kamioni për të
transportuar drutë e zjarrit, dikujt fadroma për të larguar dheun e shembur mbi
shtëpi nga shirat, dikujt skela për të suvatuar faqen e murit të banesës etj.
Asgjë nuk fitonte firma nga këto, përkundrazi ishin humbje, por qytetarit i
zgjidheshin problemet. Nuk bënte llogari kur ishte fjala për të kontribuar në
komunitet, aq më tepër kur bënte ndërtime me Caritasin, si një banesë në Bruç
të Matit etj. Ndaj qe simbol i punës dhe qytetarisë, bashkëpunues me
investitorët privatë e shtetërorë, pushtetin vendor dhe institucionet. Parimi i
tij ishte kryerja e punimeve me përgjegjësi, “si për shtëpine e vet”,
komunikimi korrekt dhe përmbushja e detyrimeve kontraktore në kohë.
Arbri
ishte nga Kthella e Epërme dhe të “epërme” i kishte dhe punët, thotë inxhinieri
i ndërtimit i firmës Dod Pjetraj, që ka mbi 46 si ndërtues, duke u shprehur me
vlerësim për Arbrin, serioziteti i të cilit fillonte që nga zbërthimi me detaje
i projekteve të objekteve, organizimi i punës etj. Ai qe dhe sponsorizues i
veprimtarive artistike e folklorike të trevës së tij.
Vdekja
e tij e papritur i pikëlloi të gjithë, në mënyrë të veçantë familjarët, nënën e
tij të moshuar që e kishte dritën e syve, ata që e njohën dhe ata që e kishin
dëgjuar. Nuk është e rastit që në lamtumirën e tij kishin ardhur jo vetëm nga
Tirana e rrethet e tjera ku kishte punuar, por dhe nga trojet shqiptare. Si një
Arbër në vendin e Arbërve, gjithmonë do ta kujtojë me mirënjohje vendlindja, të
cilës ai i dha punë, mirësi dhe dinjitet.
Post
scriptuam. Dy vite më parë, pas përurimit të resortit agroturistik “N’Kanu”,
Perlat, një çast Arbri m’u drejtua: “Eja, profesor, e bëjmë një fotografi
bashkë”, duke më futur krahun miqësisht. Nuk e gjeta atë fotografi për
momentin, ndaj një motiv më shumë për të vazhdue me e kërkue “fotografinë” e
tij sot e nesër.