Kulturë
Sevdail Hyseni: “Ditët e komedisë shqiptare” në Preshevë - Festivali, që sjell buzëqeshje dhe unitet
E diele, 08.12.2024, 06:50 PM
“Ditët e komedisë shqiptare” në Preshevë - Festivali, që sjell buzëqeshje dhe unitet
Nga
Sevdail Hyseni
Presheva,
qyteti në zemër të Luginës, po përgatitet të mirëpresë një prej ngjarjeve më të
rëndësishme kulturore në rajon: edicionin e XIX të festivalit tradicional
“Ditët e Komedisë Shqiptare”. Ky edicion shënon një jubile të veçantë, pasi
bashkon festën teatrale me 30-vjetorin e Teatrit të Qytetit të Preshevës. Nga
data 9 deri më 13 dhjetor 2024, Presheva do të jetë epiqendra e artit skenik
shqiptar, duke sjellë së bashku pesë teatro nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e
Veriut dhe Lugina e Preshevës.
Pesë
net magjike komedie
Ky
festival pesëditor do të ngjallë buzëqeshje dhe do të trajtojë tema nga më të
ndryshmet përmes artit të komedisë. Nata e parë, më 9 dhjetor, do të hapet nga
Teatri “Bylys” i Fierit me shfaqjen “Ëndërr në papafingo”, një vepër e
shkruar dhe e drejtuar nga Leka Bungu. Komedia ngjall kureshtje me përplasjet
mes ëndrrave dhe realitetit.
Më
10 dhjetor, skena e Preshevës do të pushtohet nga Teatri “Muharrem Qena” i
Mitrovicës me shfaqjen “Një vrasje e vogël aksidentale”, nën regjinë e
Marigona Bekteshi Ferati. Me një humor të hollë, kjo komedi eksploron
absurditetet e situatave të përditshme.
Në
natën e tretë, më 11 dhjetor, Teatri i Qytetit Tetovë do të prezantojë komedinë
“Pacienti i Dr. Frojdit”, me regji të Gent M. Çajani. Shfaqja trajton me
humor dhe ironi marrëdhënien mes pacientit dhe terapistit.
Krenaria
vendore, Teatri i Qytetit Preshevë, do të shfaqë më 12 dhjetor veprën “Një dorëzim”,
të drejtuar nga regjisorja Afeida Boriçi. Kjo komedi premton të sjellë
reflektime mbi situatat sociale dhe njerëzore të rajonit.
Nata
e fundit, më 13 dhjetor, do të mbyllë festivalin me shfaqjen “Profesor, jam
talent …3” nga Teatri AAB “Faruk Begolli” i Prishtinës, me regji të Luan
Dakës. Një vepër plot gjallëri që sjell në skenë energjinë e një të riu që
synon të bëhet yll.
Një
udhëtim i përbashkët kulturor
“Ditët
e Komedisë Shqiptare” nuk janë thjesht një festival, por një urë lidhëse mes
shqiptarëve në rajon. Përmes humorit dhe artit skenik, ky festival reflekton
unitetin kulturor dhe pasionin për teatrin që karakterizon botën shqiptare.
Teatri
i Qytetit të Preshevës jo vetëm që përmbush një mision artistik, por edhe një
detyrë të madhe në ruajtjen e identitetit dhe pasurimit të jetës kulturore në
Luginë.
Në
këtë atmosferë festive, skena e Preshevës do të jetë jo vetëm një vend takimi
për artistët, por edhe për publikun, që për pesë net do të shijojë magjinë e
komedisë shqiptare.
Presheva, më e gjallëruar se kurrë, i fton të gjithë
të bëhen pjesë e këtij udhëtimi të paharrueshëm artistik!