Kulturë
Anton Nikë Berisha: Gjergj Kastrioti simbol i bashkimit dhe pavarësisë individuale dhe kombëtare
E premte, 06.12.2024, 08:42 PM
GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU SIMBOL I BASHKIMIT DHE I PAVARËSISË INDIVIDUALE DHE KOMBËTARE
Në
Palabardh të Gjakovës, në oborrin e shtëpisë së Anton Gjergj Hajdarajt,
zbulohet shtatorja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut
Shkruan:
Anton Nikë Berisha
Jemi
bashkuar këtu, në ditën e madhe – 28 nëntorin kur në vitin 1912 në Vlorë u
shpall pavarësia e shtetit tonë, për të marrë pjesë në zbulimin e shtatores së
heroit tonë kombëtar – Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Disa metra më tej
qëndron tash disa vjet dhe rrezaton dashuri e mirësi dhe na kujton nevojën që
të flijohemi për tjetrin – shtatorja e shenjtëreshës – Nënës Tereze, njëra nga
figurat më të shquara të botës shqiptare në vijën vertikale.
Në
këtë takim në qenësi kulturor e miqësor, nuk e shoh të arsyeshme të flas në
rrafshin historik për rëndësinë e veprës së Gjergjit – Skënderbeut nga se të
pranishmit e dinë këtë mirëfilli. As nuk do të flas për familjen Hajdaraj në
rrafshin kombëtar duke filluar nga koha kur kjo familje nga të parat u vendos
dhe e themeloi këtë katund dhe të sjell të dhëna për vijimësinë e kësaj
veprimtarie të saj deri më sot, ku dëshmohet ajo që thotë fjala e urtë: Rrushi
e sheh rrushin e piqet!
Po
bëj përpjekje të them diçka rreth rrezatimit dhe simbolikës që ka zbulimi i
shtatores së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në një
ambient familjar me çka ai bëhet i gjallë duke filluar nga familja e katundi
për t’u shtrirë pastaj në atë shtetëror dhe gjithëkombëtar. E përmenda
ambientin familjar nga se nga individi dhe familja fillon çdo gjë. Nëse këtu
ngrihet dhe mbretëron vetëdija kombëtare, atëherë ajo do të dëshmohet edhe në
rrafshe të tjera.
Duke
folur për domosdonë që t’i dashurojmë njerëzit me dashurinë që e duam Zotin,
Nëna jonë Tereze thoshte: “Nuk duhet t’i kërkojmë rastet për të përmbushur këtë
qëllim, ato janë rreth e përqark nesh, njëzetekatër orë rresht. Hapni sytë në
atë mënyrë që të shihni mundësinë të bëni një shërbim të lirë, të kryer me
gjithë zemër, pikërisht aty ku jeni, në familjen tuaj. Nëse nuk e dëshmoni një
shërbim të tillë në familjen tuaj, nuk do të jeni në gjendje t’u ofroni atyre
që janë jashtë shtëpisë suaj[1]”.
Anton
Gjergj Dulë Hajdaraj nga Palabardhi
Kjo
shtatore e Gjergjit – Skënderbeut, që nga sot do të rrezatojë simbolikën e
veprës së heroit tonë kombëtar edhe nga kjo vatër familjare – bashkimin
kombëtar dhe mirëqenien kombëtare. Bërja dhe zbulimi i kësaj shtatoreje të
Skënderbeut duhej të përmbushej njëzet vjet më parë dhe duhej të vendosej pranë
Lisit qindvjeçar, po rrethanat kushtëzuan shtyrjen.
Secili
mund ta shohë në mënyrën e vet rëndësinë dhe vlerën e kësaj shtatore në një
vatër familjare, po unë dua të kujtoj këtu mendimin e atë Anton Harapit, i cili
thoshte se janë tre lloj patriotësh në botën shqiptare. Grupin e parë e bëjnë
“patriotët” që thërrasin e bërtasin ditën e natën “Rroftë Shqipëria”, po gjithë
ditën e natën punojnë për shkatërrimin e saj. Grupin e dytë e bëjnë
“patriotët”, që thërrasin e bërtasin gjithë ditën e gjithë natën “Rroftë
Shqipëria”, po as ditën e as natën nuk bëjnë as dhe një të mirë për Shqipërinë
e për shqiptarët. Grupin e tretë e bëjnë patriotët, të cilët as nuk thërrasin,
as nuk bërtasin, por gjithë ditën dhe gjithë natën punojnë për Shqipërinë, duke
mos e kursyer as jetën[2].
Në
këtë rrjedhë dua të sjell edhe fjalët e atë Anton Harapit të thëna më 14
shtator 1936 në Shkodër para arkivoleve me trupat e Çerçiz Topullit dhe Mustafa
Qullit, me ç’rast ai i ftoi të pranish-mit dhe qytetarët e Shkodrës që: “[…]
para se të niseni, eni këtu, e mbí këta eshtën, shembllesë ideali, force dhe
bashkimi, t’i a shtrîjmë dorën shoqishojt, Toskë e Gegë, muhamedanë e të
krishtênë, e me besën e burravet, me besën shqiptare, të lidhemi për t’i a
mbajtë Shqiptarit të paprekun nji Zot të vërtetë, nji atdhé të lumtun, për ta
bâm Shqipnín e ré, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skanderbén. T’i
diftojmë, po, botës, se Shqiptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e
Gegë, muhamedanë e të krishtênë, e njiheri Shqiptarë të njimendët.”
Pra,
punën e dashurisë ndaj atdheut duhet parë si punën e besimit në Hyjin: s’ke pse
e kërkon jashtë teje, po brenda teje. Nëse mendon ndryshe, atëherë e mashtron
veten dhe bëhesh i shpifur përballë vetes dhe përballë të tjerëve.
Shtatorja
që zbulohet sot në këtë vatër familjare në Palabardh është njëra nga shtatoret
dhe përmendoret e shumta – shpirtërore dhe materiale – që arbërorët –
shqiptarët ia ngritën heroit të tyre kombëtar – Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.
Ato
shpirtërore, dëshmohen qysh në kohën e vetë ndërmarrjeve ushtarake të tij. Historiani
venedikas A. Sabeliki (A. Antoni Sabellici) në udhëpërshkrimin e tij nëpër
trevat shqiptare në vitin 1474[3] bën të ditur se Gjergj Kastrioti –
Skanderbegu qe bërë objekt trajtimi në këngët që këndoheshin për nderimin e
tij: “[…] i mahnitur (populli) nga adhurimi i lartë i këtij burri, sikur të
shikonte tek ai diçka që kalonte mundësitë njerëzore, e lartësonte kujtimin e
princit të dashur me këngë solemne.
Më
kanë treguar burra të denjë për t’u besuar se mu në mes të zjarrit të luftës,
kur gjithçka shungullonte nga armët e barbarëve (turqve), grumbuj vajzash
(arbërore – shqiptare) e kishin zakon të mblidheshin çdo ditë në sheshe,
kryqëzime rrugësh të qyteteve, ku ai kish sunduar dhe të këndonin lavditë e
princit të tyre të vdekur, ashtu siç bënin edhe të vjetrit në gostitë e
heronjve të mëdhenj[4]“.
Për
ketë traditë dëshmon edhe relacioni i Frang Bardhit i vitit 1637, ku autori
shkruan: “Dukagjinasit, sipas zakonit të moçëm, në gostitë e veta, në rrugë dhe
në punë, këndojnë me zë trimëritë e burrave të tyre të mëdhenj, sidomos të
pathyeshmit Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbeg[5]“.
Traditën
e bërjes objekt trajtimi poetik të figurës së Skanderbegut – ngritjes së
përmendores shpirtërore e përligjin dhe rapsoditë e arbëreshëve të Italisë që e
përjetësuan në art emrin dhe figurën e tij dhe periudhën kur jetoi e quajtën
“Moti i Madh[6].
Këtu
po sjell vetëm disa vargje të veçanta nga rapsodia “Eni e klani me hjidhí”, kur
Lekë Dukagjini, duke i shkulur flokët, e jep lajmin e vdekjes së Skënderbeu dhe
i fton arbërorët të dalin e të vajtojnë me hidhërim. Pësimin e madh të vdekjes
së Kryetrimit e përjetojnë edhe shtëpitë, malet dhe kambanarët e kishave.
Gjegjëtin
shpít e u trihjimistin,
gjegjëtin
malet e u ndán,
kambanárt
e qishvet
zún
lipin mbë vetghén,
po
ndër qiellt e ghapta ghinej
Skandërbeku
i pafán.
(Eni
e klani me hjidhí)
Ngritja
e këtyre përmendoreve shpirtërore vazhduan ndër arbëresh dhe ndër shqiptar në
forma të ndryshme. Kështu, për poetin arbëresh,Vorea Ujkon, Kruja, e cila
ndërlidhet ngushtë me Skënderbeun, është ylli polar, e kaluara dhe e tashmja;
është pjesë e mendimeve të tij; frymëmarrje, dashuri që s’ka mbarim: “rrënjë e
thellë / e shpirtit tim.” Gjithë këtë poeti e ndjen në thellësinë e shpirtit të
arbëreshëve dhe të tij:
Pse
ti je i gjallë, Skanderbeg,
në
sheshet e Arbreshëvet
në
mallkimet e stërgjyshvet,
në
këngët e vashavet
te
dredhja e vallevet.
Ti
je i gjall
në
jehonat e djepavet
në
shertimet e t’mërguarvet
në
gjakun e luftëtarvet[7].
(Scandarbeg)
Madhështia
e Motit të Madh, e Krujës dhe e Skëndërbeut, shkrihen dhe rrezatojnë vetëdijen
kombëtare:
Kruja
është e kaluara
po
që e gjej në prag të derës […]
ylli
polar
që
udhëheq fisin tim,
dashuri
e gjatë
që
askund s’më tradhton[8].
(Ora
e historisë)
Shtatoren
e Skënderbeut dhe atë të Nënës Tereze të ngritura në këtë vatër familjare të
Palabardhit, i shoh në dritën e asaj që thoshte Nëna Tereze: “Çdo person për
mua është Krishti e nga çasti se është vetëm një Jezus, personin që e takoj në
atë çast është i vetmi njeri në botë[9]”. Pra, Krishti Zot bëhet i gjallë
nëpërmjet njerëzve, ashtu siç thoshte dhe Gandhi: “Është më mirë që në vend të
fjalëve për ne të flasë jeta jonë.
Zoti
nuk e barti kryqin njëmijë e nëntëqind vjet më parë, po e bart sot dhe vdes dhe
ngjallet ditë për ditë. Do të ishte një ngushëllim i pamjaftueshëm për
njerëzimin sikur do të duhej të mbështetej (lexo: të besojë) në një Zot
historik që vdiq dymijë vjet më parë. Pra, mos e predikoni Zotin e historisë,
por dëshmojeni të gjallë sot në ju[10]” [Shih Ps 95 (94)].
*
* *
Më
lejoni që t’i them pak fjalë dhe për Nënën Tereze, shtatorja e së cilës
rrezaton po nga ky truall i familjes Hajdaraj, përkatësisht të familjes së
Anton Hajdarajt.
Më
duhet të them se fryma e veprës dhe e flijimit të saj për tjetrin, si krijesë e
Zotit, është vështirë të përmblidhet me pak fjalë. Shtatë vëllimet e mia – Nëna
Tereze në shtatë shpalime, ku janë përfshirë 10 vepra kushtuar asaj, është
vetëm një gjysmë pike uji në det e gjithë asaj që ka bërë ajo për tjetrin, nga
viti 1930 kur mbërrin qytetin e Kalkutës në Indi e deri sa ndërroi jetë po në
atë qytet më 5 shtator të vitit 1997, pa marrë parasysh racën, besimin,
prejardhjen.
Lutjet
e saj dhe të motrave të saj për atdheun e saj, atëherë Shqipërisë, për dhjetëra
vjet; kjo ka qenë “arma” e saj, kjo ka qenë ndihma e saj e jashtëzakonshme.
Për
Nënën Tereze papa Gjon Pali II pati thënë në Katedralen e Shkodrës më 25 prill
1993:
“Të
dashur,
Nuk
mund të mos e përshëndes një njeri fort të përvuajtur, që ndodhet mes nesh.
Është Nëna Tereze e Kalkutës. Të gjithë e dimë nga vjen, cili është Atdheu i
saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë
ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e përvuajtur e më të varfërve
që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj.
Në personin e Nënës Tereze Shqipëria është
nderuar gjithmonë.
Është
ky misioni i saj dhe i të gjithë atyre që, porsi ajo, janë ndjekës të vërtetë
të Krishtit, apostuj të Krishtit, apostuj të dashurisë e të dhembshurisë[11]
[…] Me zjarrin e fesë në kraharor, kjo grua e vogël dhe e madhe njëkohësisht,
sjell dhe ruan brenda vetes hovin e bujarisë së përmbajtur dhe të pamposhtur të
zemrës shqiptare[12]”.
Kryeipeshkvi
i Kalkutës, mons. Henry D’ Souza, duke folur për punën dhe flijimin e Nënës
Tereze për tjetrin pati thënë:
“Po,
India e ka ndryshuar Nënën Tereze, duke e detyruar me dhunën e varfërisë, ta
përfillë çështjen e të varfërve nga më të varfrit. Mirëpo, edhe Nëna Tereze e
ka ndryshuar Indinë, duke e kundërshtuar mentalitetin fatalist dhe duke e
rivendosur vlerën e pazëvendësueshme të individit[13]”.
Intelektualja
dhe gazetarja e shqua italiane, Franka Zambonini, e cila e kishte takuar në
Romë disa herë Nënën Tereze dha ka dy libra kushtuar asaj, shkruan: “Ishte
atje… Dhe më pritte. Edhe një herë tjetër përjetova magjepsën e pranisë së saj.
Më dha atë bekimin që buron nga fytyra e një qenieje hyjnore; një ndikim
shpirtëror që indianët e quajnë dershan, një perceptim i së vërtetës së një
qenieje më të lartë. Një minutë në praninë e një shenjti i fshin malet me
mëkate, thonë shkrimet indu. Për të pranuar dershan rradhë (të tërë) turmash
pritnin të kalonte Mahatma Gandhi. Sot ngarendin rreth Nënës Tereze kur e
shohin nëpër rrugë të Kalkutës[14]”.
Për
këtë arsye, bota nuk e quajti rastësisht NËNË. As shteti i Indisë nuk i bërë
rastësisht një përcjellje mortore të tillë, që u kishte bërë vetëm Gandit dhe
Nehrusë.
Ne,
mjerisht, bëjmë pak për ta njohur mirëfilli veprimtarinë e saj, edhe pse ajo
ishte bijë e popullit tonë; ishte motra dhe nëna jonë e tash është edhe
shenjtëresha jonë. Ne as emrin nuk ia shkruajmë drejt. Nuk e njohim në qenësi
as flijimin që ka bërë për tjetrin pa marrë parasysh besimin që ka pasur,
vendin ku ka jetuar dhe prejardhjen. As faktin se ajo dhe motrat e saj u lutën
për atdheun dhe për popullin e saj.
Njeriu
i ynë kryesisht e njeh Nënën Tereze si bamirëse dhe që u ka zgjidhur
vështirësitë sociale njerëzve . Po ta lidhesh punën dhe flijimin e saj me
bamirësi dhe me ndihmë sociale është ta njohësh atë me një përqindje krejt të
vogël ose në mënyrë të përmbysur. Nëna e deshi njeriun me dashurinë e Hyjit dhe
u flijua për të me atë dashuri për më shumë se një gjysmë qindvjetshi.
*
* *
Dua
ta përmbyll këtë fjalë timen me tri mendime, që lidhen ngushtë me shtatoren e
Skënderbeut që e zbuluam sot.
I
pari është i nobelistit për letërsi, Derek Welcott, i cili thekson: “Mendoj se
dheu (toka) prej nga je është nëna jote, nëse ia kthen krahët dhe e mallkon,
atëherë e mohon dhe e mallkon nënën tënde”.
I
dyti lidhet me atë që thotë një personazh i romanit “Rudini” të Turgenjevit:
“Rusia mund të jetë pa këdo prej nesh, po askush prej nesh nuk mund të bëjë pa
Rusinë”.
Të
tretin e ka thënë atë Anton Harapi për atdheun, emrin e të cilit e përmenda dhe
dy herë të tjera: “Çdo ndërtese i vîhen themelet në dhé. Edhe në vorr, prandaj
në hijshëm duhet të jemi gurët e themelit të njasaj binaje të cilën sot e
quejmë Shqypní”.
Palabardh, më 28 nëntor
2024
[1]
Titulli i origjinalit: Thirsting for God. A Yearbook of Prayers, Meditations,
Anevdots, edited by Angelo Devananda Scolozzi, Servan Books, Ann Arbor (USA)
2000. Përkthimi nga italishtja. Shih Gloria Germani, Teresa di Calcutta una
mistica tra Oriente e Occidente, vep. e përm., f. 170.
[2]
Shih Atë Anton Harapi, Njesimi kombtár dhe ideali kombtár. Zgjodhi dhe
përgatiti për shtyp Anton N. Berisha, Kuvendi françeskan i Gjakovës, Gjakovë
1977, f. 77 – 78.
[3]
Për njoftimin e A. Sabelikit, i cili vizitoi trojet shqiptare më 1474, na bën
të ditur Fan Noli në botimin e parë të veprës së tij “Historia e Skënderbeut”,
vitit 1921, f.271, shën. 1.
[4]
M. Antonii Sabellici, Historiae Rerum Venetarum. Basileae 1556, f. 922-923
(bot. i parë më 1487) Përm., sipas Epika historike I. Përgatitur nga Qemal
Haxhihasani. ASH e RPSSH, Instituti i kulturës popullore, Tiranë 1983, f.
23-24. Shih dhe Ramadan Sokoli, Figura e Skënderbeut në muzikë. Tiranë 1978, f.
7-8; Folklor shqiptar. Tekst për universitetin. Grup autorësh. Tiranë 1972, f.
33.
[5]
Shih Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun. Përgatitur nga Qemal
Haxhihasani. Tiranë 1967, f. 6.
[6]
Shih, pos tjerash, Vincenzo Dorsa, Sugli Albanesi, Ricerche e pensieri.
Tipografia Trani, Napoli, 1847; Qemal Haxhihasani, Të dhëna bibliografike rreth
traditës popullore për Skënderbeun. Në Studime filologjike, nr. 4, Tiranë 1967;
Dhimitër S. Shuteriqi, Skënderbeu në poezinë epike të arbëreshëve të Italisë.
Në “Nëpër shekujt letrarë (Studime)”. Shtëpia botuese “N. Frashri”, Tiranë
1973, f. 5 – 54; Shih nga i njëjti autor Këngët e arbëreshëve mbi Skënderbeun.
Në “Nëpër shekujt letrarë (Studime)”, vep. e përm., f. 55 – 64; Françesk
Altimari, Figura e Skënderbeut në një rapsodi të De Radës dhe në letërsinë
gojore arbëreshe. Në “Vëzhgime gjuhësore e letrare arbëreshe”. Shpresa,
Prishtinë 2004; Shih nga i njëjti autor Mbi figurën e Skënderbeut në letërsinë
gojore arbëreshe. Në Studime filologjike, Viti XXXIV (XVII), nr. 2, Tiranë
1980, f. 73 – 81.
Poezinë
e parë gojore për Skënderbeun, me sa dihet deri më sot, e botoi, të për-kthyer
vetëm në italisht, Dorsa, shih Vincenzo Dorsa, Sugli Albanesi, Ricerche e
pensieri. Tipografia Trani, Napoli, 1847, f. 153. Shih vëllimin Simpoziumi për
Skënderbeun. Simpozijum o Skenderbegu (9 – 12 maj 1968), Prishtinë 1968,
sidomos punimet Anton Çetta, Fytyra e Skënderbeut në traditën popullore, f 277
– 286 dhe Shefqet Pllana Skënderbeu në krijimtarinë gojoret Kosovës dhe të
Maqedonisë, f. 287 – 300.
[7]
Vorea Ujko, Gërmime në dhimbje. Zgjodhi, shtjelloi dhe shkroi parathënien Anton
Nikë Berisha. Editrice “Il cosciale”, Castrovillari, 1998, f. 114. Shih edhe
veprën time Burim drite e dashurie. Antologjie e përshpirtshme shqipe 1618 –
1998. Shpresa, Prishtinë 1999, f. 228.
[8]
Vorea Ujko, Gërmime në dhimbje. Zgjodhi, shtjelloi dhe shkroi parathënien Anton
Nikë Berisha. Editrice “Il cosciale”, Castrovillari, 1998, f. 119.
[9]
Kathryn Spink, Madre Teresa. Una vita straordinaria. Edizione Piemme, Casale
Monferrato, 2003, f. 13.
[10]
G. Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente, vep. e
përm., f. 62. Shih origjinalin H. Zimmer, Myths and Symbols in Indian Art and
Civilisation, Bollingen Foudation, ashington D. C. (USA) 1964. Shih botimin në
italisht Miti e simboli dell’India, Adelphi, Milano 1993, f. 189.
[11]
Fjalët e Papës Gjon Palit II, të thëna në Katedralen e Shkodrës. Shih: Papa në
Shqipëri. 25 prill 1993, Radio Vatikani – Drita, 1995, f. 36.
[12]
Papa në Shqipëri. 25 prill 1993, vep. e përm., f. 49 – 50.
[13]
Franca Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio. Paoline, 8° Edizione,
Milano 2007, f. 100.
[14]
Franca Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio. Paoline, 8° Edizione,
Milano 2007, f. 164.