E shtune, 03.05.2025, 09:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Ndoshta më mirë që thashë diçka

E diele, 01.12.2024, 07:50 PM


Blerim Rrecaj:

NDOSHTA MË MIRË QË THASHË DIÇKA

Shpirti i shënimeve të mia

Shënimet e mia janë të sinqerta

Ndonëse të mjera e të turbullta e të mjegullta

Siç ishte koha e nëpër të edhe unë

Me psherëtima pasrobërie që rridhnin si lumë

Në to gërshetohen ëndrra shpresa e dëshira

Mendime lëmshngatërruara e ndjenja të përziera

Shënimet e mia paksa veç sa i shfletova

Se ku u mungon dija e se ku u mungon përvoja

Shënimet e mia janë edhe të çuditshme

N'shpirt mbajnë besimin se do t'kalojë kohë e marrëzishme

Ngjyra kronikash

Herë shkrova në vargje

Herë shkrova në prozë

Në kohën e kronikave të zeza

Në kohën e kronikave rozë

Shportat

Në fillim të muajit

Duhet paguar për shportën familjare

Për gjëra ushqimore

Për gjëra higjienike

Më pas duhet paguar shporta me fatura

Për rrymë ujë mbeturina kabllovik e internet

Pastaj mbushen dhe shportat tjera jete

E për bukën e përditshme

Për ndonjë gjë të (pa)planifikuar

Me takime ndeja fjalë biseda përpjekje

Dhe mbi të gjitha shportat bie

Një mjegull e dendur që vazhdon tash sa kohë

Në prag (pa)kënaqësish

Lë strehën e dal përjashta

Shpirti mbushur (pa)kënaqësi

Përdore me rrugën e kthimit

Kthehem ngadalë në shtëpi

Ftesë

Në shtatë-tetë vende pune

Ku për dyersh kam hyrë

E nga të gjitha më pas kam dalë

Duke përplasur dyert e pafajshme

U bëja ftesë gjithë kolegëve

Që të më bashkohen mua

Për të dal kaçakë në mal

Grindjet

U grindëm

Se nuk u bindëm

Për këtë e për atë

Kur erdh koha për pajtim

A e gjetëm ku morëm në thua

E kush më pak e kush më shumë

E kish gabim

(Mos)përshtatje

Në vendin tonë halleshumë

Kaloj kohë e nuk u përshtata

Kur pak e mësova lojën që kërkohej

E pashë veten në pasqyrë

Dhe shkoi kaq kohë sa që u plaka

Një krahasim

Vijojnë bisedat e njëtrajtshme

Për të na kujtuar një pamje fshati me mjegull Pranë një shtëpie të vogël në atë të madhin oborr

Kur u fishkëllonim qurave e quranëve

Dhe ata na përgjigjeshin në kor

(Mos)kuptim

S'e kuptoj pse ec kuturu kështu

E vije e ulem jashtë në këtë kafenenë këtu

S'e kuptoj se s'vije asnjë kamarier

S'më panë a janë të zënë me të tjerë

As veten se kuptoj pse shërbim s'kërkoj

Kohën pse mos ta lë të qetë që të shkoj

Çohem nga këtu pas një çerek ore

Një kotësi po e lë një tjetër do e marr për dore As s'di kah të shkoj as s'di kah t'ia mbaj

Ia mësy këtij shtegu te kjo rrugë dal

S'e kuptoj pse këmbët më sollën mua tash

Këtu në kafenenë skaj rruge përjashtë

S'e kuptoj se expresso 70-she porosis

E letrën me sheqer në një qoshk e gris

Sapo në filxhan hedh tërë këtë sheqer

Letrën e zbrazur era shpejt e shpejt e merr

S'di pse diku në internet klikoj e klikoj

S'di pse po lexoj një shkrim që s'e kuptoj

S'di pse se lë po arrij deri në fund të tij

Dhe nuk arrij të nxjerr një përfundim

S'e di pse trumcakut që erdhi pranë meje

E lashë të lirë nuk i bëra asnjë shkrepje

Dhe çohem e largohem diç duke thënë

Mbase pavërejtshëm edhe pëshpërij

Më prit e imja strehë se drejt teje po vij

S'di pse një ndodhi udhës m'u fanit

Çfarë do të ndodhte pasi u përplasa me dikë Kaq po e lë se kushedi ku mund të dalim

Se ku mund të më shpjerë kjo fantazi çasti

Për të qenë më realë e që ju të më besoni

Me atë që u përplasa atij iu përplas telefoni Dhe kaq ishte shkëndijë e këtij vegimi

Kjo ndodhi që mbeti pezull pa farë përfundimi

Era drejt teje vazhdon të më shtyj e bart

S'e kuptoj pse tash jam kaq i paqartë

S'e kuptoj pse m'u deshën dhe një orë a dy Kështu të shkruaja e kështu të përshkëllij

Edhe pse zakon nuk e kam e se kam pasë Këtyre vargjeve po u vë dhe ditë orë, minuta e datë...

(E mërkurë, 3 maj, 15:59 minuta...)

Siç po duket s'kam vënë vetëmse vitin

As sekondin as të qindtat e sekondës

Si kohëmatës në një garë vrapimi në atletikë

S'e marr vesh pse kaq shumë duhet të shoshit

Përngjasime

Ngjashmëri ngeshmërish

Më shfaqen në këtë ditë

Një copë çokollatë të zezë 70 për qind cocoa Shkruan në letrën mbështjellëse

Një espresso 70 milimetërshe

Grigja sorrash e zogjsh të zinj

Nën autostradën e reve të murrme

Një tufë pëllumbash të bardhë

Nën një tufë resh të bardha

E shiritët e rrugëve plot automjete e vetura

Sot në këtë ditë e në këtë orë me 10 dhjetor

Ëndrra e mbrëmshme

Pashë një ëndërr mbrëmë

Duke ecur një rruge gurështruar

Lëviznin ca kamionë ushtarakë

Nuk e dija ishte kohë

E fillimit a e mbarimit të një lufte

Më bëhej se bëhej fjalë

Për Luftën e Dytë Botërore

Si ishte e mundur që unë andej ecja

Kur s'kisha lindur atyre kohëve

Pluhur ngritnin kamionët që kalonin

Derisa edhe unë asaj rruge kaloja

Me mendime që bluaja në kokën time

Pasi që po të flisja a bëja ndonjë gjest

Mund të më vrisnin në vend

Nga çasti në çast

Kur u zgjova kujtova mendova për ëndrrën që pashë

Dhe lexova diç nga libri im

Që flet për tranzicionin e tejzgjatur të Kosovës

Histori botimesh

Me nga 300 kopje

Dy librat e mi

Të botuar

Tri e katër vite më parë

Të dhuruar

Tridhjetë-katërdhjetë kopje

E pjesa tjetër

Mbetur nëpër sirtar

Kurorë mbi kokë

Degë luleçelura

bardheverdhoshe

Hy nën to

në këtë fillimpranverë

Veten e ndjej

Siç më pëlqen

Të them i thjeshtë

Me kurorë në kokë

Kurorë më të bukur

Nuk ëndërroj

Por tjetër jetë

Më shumë dashuri

Do bëja të gjitha analizat e trupit

Nga gishtat e këmbës deri te koka

Të dija se ku i kam pikat e dobëta

E të dija edhe për pikat e forta

Nëse rezultatet do më dilnin mirë

E mua do më mundonte diç diku përsëri

Kë do akuzoja veten rrethin mjekët

A kohën e mjegullt me kaq pak dashuri

Me zemër

Kur në kokë vërtitet diç

Si për shembull

Ca mendime

Kur të hutuara

Mbesin në udhëkryq

Pa trajtë, pa formë, pa emër

Kërkoj ndihmë nga zemra

Që t'u jap zemër

N'labirint

Mbledh nga nektar

I "cikërrimave" të këndshme

Ec nëpër llumin

Që si rriqër më ngjitet këmbëve

Lëfytet e kroit

Te Kroi i ftohtë u ngjita

Erdha për të larë sytë

Njëri lëfyt rridhte siç i ka hije

Tjetri pikonte si stalaktit

(S') di me rrejtë

Ti e di mirë e di

S'di të rrej unë kurrë

Rrenën se kam dëshirë

Thotë dikush

Mbrenda në veturë

Dhe merr përgjigjen

Tash pikërisht në këtë vend

Tash këtu në këtë çast

Di rrejtë bile edhe mirë

E flet heshtja më pas

Gënjeshtër e bardhë

Kur dikush këmbëngul për diçka

A për t'u takuar gjithsesi kur do ai

Pa u interesuar për ty e kohën tënde

E kur të thotë se ti ke kohë me bollëk

Sajoje një rrenë të vogël

E cila më shumë sjell dobi se dëm

Drejtpërdrejtshmëria qesh

E argëtohet nga ky veprim

Lojë në natyrë

M'u kujtua një lojë

Që bëra me fëmijun

U bëja sikur topin Ia hidhja diellit

Ndërsa atë e fshija nën triko

Pas shpinës

Kështu mashtroja bashkëlojtarin tim

Dhe të dy prisnim

Hedhjen e topit nga dielli

Kur sa çel e mshel sytë

Na humbi kjo hapësirë

Duke shëtit në mbrëmje

Dola të ec

As të hedh trishtim

As të shpërndaj mërzi

Dielli duke perënduar

Mirupashim i tha fluturës ngjyëmjaltë

Që vërtitej rreth dritës së tij

E hëna që bridhte tash

E dalë si dikush

Që shtëpia (s')i është bërë ujk

U ndal përballë kësaj gëmushe

Për ta pyetur

Këtë kokërr kulumbri

Për zogun që iku

Ç'këngë këndoi

Me ç'pasion

Me ç'dashuri

Duke përfytyruar vargje art-ificiale

I thashë ChatGPT-së

Se më ka marrë uria

Pasi plaka gjithë ditën

Në mesin e ca miqve

Më tha shko bleje

Një byrek me mish

Dhe një gjevrek me susam

Në filan furrën

O vlla

E pastaj më harro mua

Kaloje natën si të ta marrë mendja

E si të duash



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx