Kulturë
Dorian Koçi: Kongresi i Manastirit - Europianizimi i kulturës shqiptare në fillim të shekullit të XX
E diele, 24.11.2024, 06:56 PM
Kongresi i Manastirit: Europianizimi i kulturës shqiptare në fillim të shekullit të XX
Nga
Dorian Koçi
Zhvillimi
i shpejtë i lëvizjes kulturore pas vitit 1908, kërkoi
si nevojë të ngutshme caktimin e një alfabeti të vetëm për shkrimin e
shqipes. Nismën për thirrjen e tij e mori klubi "Bashkimi" i
Manastirit. Në një thirrje të klubit "Bashkimi" thuhej: " Ora
e Lumtur erdhi, kur ne fillojmë punojmë
të lirë dhe të papenguar pë lumturinë e kombit tonë, jo me armë dhe barut, por
me penë dhe me letër. Ne duhet të fillojmë me çështjen e alfabetit- sepse
ndryshe nuk do të arrijmë qëllimin e lartë-përparimin e gjuhës sonë."
(Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarsinë kombëtare
(1878-1912), Dituria, Tiranë: 2006, fq. 201.)
Më
14 nëntor 1908 hapi punimet Kongresi i Alfabetit ose ndryshe Kongresi i
Manastirit, në të cilin morrën pjesë 50 delegatë, ku 32 ishin me të drejtë vote
dhe 18 të tjerë si pjesmarrës, të cilët nuk e gëzonin të drejtën e saj.
Kongresi i Manastirit u shndrua në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të
cilin morrën pjesë delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, nga qytetet e
të katër vilajeteve, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes,
të SHBA-së, të Egjiptit, etj.Ndërmjet delegatëve ishin edhe patriotët e
intelektualët e shquar si: Luigj Gurakuqi, Mid’had Frashëri, Gjergj Fishta,
Mati Logoreci, Hilë Mosi, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Fehim Zavalani, Gjergj
Qiriazi etj. Kongresi i Manastirit i zhvilloi punimet në shtëpinë e patriotit
Fehim Zavalani.Kryetar i Kongresit të
Manastirit u zgjodh Mid’had Frashëri, i cili u caktua edhe në Komisionin e
alfabetit.Kongresi kishte si qëllim kryesor forcimin e unitetit kombëtar,
njësimin e alfabetit, njohjen e të drejtave për shqiptarët dhe organizimin e
veprimtarisë arsimore e politike në shkallë kombëtare.( Nuri Dragoi, Arsimi në
Përmet, West Print, Tiranë: 2015, fq. 29)
Gjatë
dy ditëve të para të Kongresit u caktuan mbledhje të gjera e të hapura për
popullin, ku përveç intelektualve morrën pjesë edhe nxënës shkollash, si edhe
banorë të qytetit të Manastirit. Këto mbledhje u shndruan në manifestime
kombëtare, në të cilat u mbajtën fjalime patriotike, për nevojën e bashkimit të
të gjithë shqiptarëve , gegë e toskë,
myslimanë e të krishterë.( Akademia e Shkencave, Historia e Popullit Shqiptar,
vëll II, Toena, Tiranë: 2002, fq. 392.)
Vendin
kryesor në punimet e Kongresit e zuri çështja e caktimit të një alfabeti të
përbashkët për të gjithë shqiptarët.Gjatë diskutimeve të zhvilluara pjesa më e
madhe shfaqi mendimin se alfabeti që duhej të vendosej duhej të kishte si bazë
shkronjat latine.Alfabeti latin shihej nga shumë përfaqësues liberalë si mënyrë
për ti bashkuar shqiptarët dhe që do t'i bënte më të ndërgjegjshëm ata për
trashëgiminë e tyre.( Miranda Vickers, Midis Serbëve dhe Shqiptarëve, Toena,
Tiranë: 2004, fq. 92.)
Edhe
Mid’had Frashëri ishte për një alfabet latin. Pas diskutimeve të shumta, lidhur
me alfabetin, u krijua edhe një komision prej 11 vetësh, me patër Gjergj
Fishtën si kryetar (Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarsinë
kombëtare (1878-1912), Dituria, Tiranë: 2006, fq. 201), i cili nuk arriti të
konklundonte në një përfundim për njësimin e alfabetit.Vendimi kryesor i
Kongresit ishte miratimi i dy alfabeteve: ai i Stambollit dhe i alfabetit të
përbërë vetëm me shkronja latine.
Vendimi
për të përdorur bashkarisht dy alfabete u mor për të mos shkaktuar përçarje në
rradhët e delegatëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Kongresi ndonëse nuk
caktoi një alfabet të vetëm ishte një hap i rëndësishëm përpara në rrugën e
zgjidhjes përfundimtare të çështjes së alfabetit dhe ushtroi një ndikim të
fuqishëm në bashkimin politik dhe përparimin e mëtejshëm kulturor të popullit
shqiptar. Atë që nuk e çoi dot deri në fund Kongresi i Manastirit, e zgjidhi
përfundimisht vetë jeta e popullit shqiptar. Alfabeti latin duke qënë homogjen e më i lehtë e praktik për shtyp, u përhap
gjithnjë e më shumë dhe nga fundi i Luftës së Parë Botërore u bë alfabeti i
përbashkët e i vetëm për të gjithë shqiptarët. Ai miratoi edhe një program
kombëtar prej 18 pikash, që përmbante kërkesa me karakter politik, ekonomik dhe
kulturor. Kërkesa të tilla ishin njohja zyrtarisht e kombësisë shqiptare dhe e
gjuhës shqipe, përhapja e arsimit në Shqipëri, krijimi i një universiteti
etj.Kongresi i Manastirit për çështjet që diskutoi e zgjidhi vlerësohet me të
drejtë si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore
të shqiptarëve në fillim të shekullit XX
dhe Kongresi kombëtar që i hapi udhën evropianizimit të Shqipërisë.