Kulturë
Sejdo Harka: Reshat Arbana në gjurmët e një ''bestselleri'' tek Libri i Albert Zholit
E enjte, 21.11.2024, 07:56 PM
"Artisti
i Popullit" Reshat Arbana në gjurmët e një ''bestselleri'' tek Libri i Albert Zholit
Nga
Sejdo Harka
Të
shkruash për ''Artistin e Popullit'' Reshat Arbana, është si të gdhëndësh
një statujë prej guri, që ka peshën e
një cope shkëmbi të përzgjedhur nga
malet tona. Historia e jetës dhe e artit të tij skenik, e shtrirë mes dy
shekujsh dhe sistemesh diametralisht të kundërta, është historia e gjallë e
luftës së popullit shqiptar për të vrarë varfërinë, shtypjen dhe mungesën
e lirisë. I lindur dhe rritur në
tallazet e luftës për liri dhe zhvilim shoqëror e kulturor, Reshat Arbana,
përmes artit magjik, na ka sjellë një botë të gjallë, që s'ka për t'u shuar
kurrë nga memorja shqiptare. Është kjo arësyeja, që sot nuk mund të gjesh
shqiptar, brenda dhe jashtë kufijëve të vendit tonë, që nuk e njeh këtë
mjeshtër të madh të artit skenik. Figurën e tij e gjejmë të ngulitur thellë, jo
vetëm në memorjen e mijëra njerëzve të
thjeshtë, por edhe në vetëdijen e shumë njerëzve të spikatur të kulturës dhe
artit, brenda dhe jashtë vendit. Edhe pse për të është folur dhe shkruar shumë,
përsëri mbetet diçka për të thënë. Figurën e këtij artisti të spiatur të artit skenik shqiptar, më të plotë e gjen
në librin monografik me titullin ''Reshat Arbana, Artist i
Popullit'', shkruar me pasion nga
monografisti i njohur dhe shkrimtari Albert Z. Zholii, cili sot ndodhet në
duart e lexuesëve. Për shkak se ky libër është shkruar me një një gjuhë të ngrohtë, tepër
metaforike, ku vend të rëndësishëm zë
emocioni dhe bukuria e gjuhës(fiksioni), ai shfaqet para lezuesëve si një
''bestseller'' monografik. Ndërthurja mes fakteve dhe ngjajeve, nga njera anë
dhe rrëfimit të ngrohtë e gjuhës elegante, nga ana tjetër, e bën portagonistin
Reshat Arbana të fluturojë si me krahë, nga një episod në tjetrin. Naratori,
Albert Zholi, për ta bërë këtë libër sa më të pëlqyeshëm e nis me këtë pasazh
karakterizues:''Tek sheh aktorin Reshat Arbana si një div, me zërin që bredh
furishëm, ai njeri të duket, shqiponjë, është vetë natyra. Magjia e zërit,
statura fizike, jehona e shpirtit të tij përbëjnë unikalitetin, që i ka
rezervuar një vend të veçantë në panteonin e artit skenik shqiptar. Ai është
një ndër yjet shkëlqyes të teatrit dhe kinematografisë shqiptare''.(5) Dhe kjo është mëse e vërtetë. Ai spikati me
45 role në filma artistikë dhe dhjetra të tjerë në shfaqjet teatrale. Teatri u
bë tempulli i aktrimit të tij dhe një trampolinë për t'u bërë artist i pëlqyer
i filmave të rrallë. Krahas pasionit, punës së përkushtuar dhe talentit që e
kanë shoqëruar tërë jetën, fat i madh për të ka qënë ndihma e pakursyer dhe
shëmbulli i rrallë që i kanë dhënë atij aktorë të tillë të mëdhenj si: Kadri
Roshi, Naim Frashëri, Sandër Prosi, Violeta Manushi, Marie Logoreci, Pjetër
Gjoka, Margarita Xhepa, Roland Trebicka, të cilët nuk i harron kurrë. Trinia që
i dhuroi atij mjeshtërinë e artit të
fjalës dhe të skenës janë: zëri i rrallë, pamja fizike dhe shpirti i artistit
të lindur. Por pa punën e pa kursyer dhe pasionin për aktrimin ai nuk do të
mundëte të krijonte karaktere të tillë të papërsëritshëm si : Sami Ameni, në
filmin ''Fije që priten''(1976), Prefekti, te ''Gjenerali gramafon''(1987),
Bimbashi, te ''Liri a vdekje''(1979), Isa Buletini, te ''Nëntori i dytë''(1982),
Ahmeti, te''Dora e ngrohtë"(1983), etj. Me filma e karaktere të tilla të
gdhëndur bukur ai është nderuar me disa
çmime e medalje.
Po,
le të rikthehemi tek historia e udhëtimit artistik të aktorit të suksesshëm
Reshat Arbana. Ai ka dy ditlndje, por ditlindja e tij e vërtetë është 13
nëntori i vitit 1940, në fshatin Arbanë të Tiranës, ditën kur çizmja e
pushtuese e Duçes shkeli mbi trojet shqiptare për të mjellë vdeken dhe erën
mbytëse të barutit. E, ku mund ta dinte ajo ''ditë '', se bashkë me ''çizmen''
pushtuese të Duçes kishte sjellë edhe klithmat e një fëmije të mbarë, të cilin
prindërit e tij, Hamiti dhe Nadireja, do ta quanin ''Reshat''. I pari i fisit
të tij ishte Galipi, i cili edhe pse kishte lindur në Turqi, besën dhe fjalën e
dhënë e kishte si ligjin më të shenjtë të jetës. Në gjurmët e shembullit të tij
eci dhe stërgjyshi i Reshatit, Islami, i cili në një nga ditët e vitit 1870
mori udhën për t'u kthyer në fshatin Arbanë të Tiranës, ku u lidh ngusht me
tokat pjellore dhe klimën e rrallë. Kur Reshat Arbana nis të flasë për moshën e
fëmijërisë, dridhet i tëri. Në ditët e luftës për Çlirimin e Tiranës, ai nuk
ishte më shumë se 4 vjeç. Nuk ka për të harruar çastin e vrasjes së vëllait të
tij, Ibrahimit, atë natë të mallkuar, kur ai rendëte për të soditur ata ''zogj
metalikë'' gjigandë( të aeroplanëve), që në vend të puplave, mbanin bomba
vrastare. Rrënqethet, kur kujton breshërimën e lotëve të nënës së tij, që i
lagin trupin si një shi i nxetë nga trishtimi për vdekjen e papritur të djalit
të saj, Ibrahimit. Arsimin 7-vjeçar e kreu në Shkollën ''Naim Frashëri'' të
Tiranës. Në fillimet e saj, ai shfaqej si një fëmijë i çuditshëm. Në bangat e
shkollës shfaqej tepër i urtë, ndërsa në shtëpi si fëmijë trazavaç. Kishte të
drejtë Mark Tuen, kur thosh se, çdokush prej nesh qënkërka si hëna, e cila ka
pjesë të errëta, që nuk do t'ia tregojë askujt. Ai s'ka për të harruar kohën,
kur edhe në dimër, në vend të këpucëve mbanite nallane druri, brenda të cilave
gishtrinjtë e këmbëve të tij tjetërsoheshin në copa akulli. Në moshën e
fëmijërisë ai bënte edhe marrëzira. Askush s'e kishte marrë vesh se''
shejtanët'' që tmerronin banorët e këtyre anëve ishte Reshati me shokët e tij.
Siç duket, Reshati i vogël po shfaqte prirjet e para aktorjale, të cilat më von
do të shpërthenin si dhunti aktruese. Reshat Arbana, në moshën e adoleshencës
së hershme ka qenë shumë i lidhur me shokët dhe familjarët, por veçanrisht me
gjyshen dhe xhaxhain e tij, Shaqirin. Ai s'ka për të harruar kurrë trishtimin
që ndjeu atë natë dimri të vitit 1951, kur menjëherë pas plasjes së bombës së
frikshme në legatën ruse, në portën e shtëpisë së tij trokitën disa policë të
armatosur, të cilët prangosën xhaxhain e tij për një faj që nuk e kishte bërë.
''Fatkeqësisht, në moshën 18-vjeçare ai u ndodh i vetëm. Krahas barrës së
shtëpisë, ai mbante në gji edhe pasionin për artin dramatik. Shkolla ku
mësonte, për fat të mirë kishte dhe një grup artistik. Djaloshi Reshat Arbana
s'kish për të harrur veçanrisht emocionet që ai përjetoi nga duartrokitjet që mori në shfaqjen e parë.
Të shihje filma në ato kohëra ishte gjë e rrallë. I pari film që kishte parë Reshati, në ato
kohëra ishte ai me titullin: ''Kashej i pavdekshëm'' . Emocione të rralla ruan
ai në çastin kur sheh se si luhej filmi '''Debatiku'', nga aktorët tanë të
mëdhenj S. Pitarka, B. Levonja, Q. Toro, të cilët më vonë do të bëheshin
pedagogët dhe kolegët e tij më të mirë. Emocionohej kur shihte Colin që luhej
nga Shpëtim Zani, dhe thoshte me vete:'' Áh, të isha unë në vend të tij!''.
Ishte koha kur teatri, për të, kishte marë forcën e ''Olimpit''. Pas shkollës
së mesme teknike ''7Nëntori'' ai u caktua të punonte në SMT-në e Peshkopisë. Më
vonë atij i u dha e drejta të studjonte për matematikë, pa shkëputje nga puna.
Por ai nuk kishte lindur të mbyllej brenda botës së numrave. Mendja dhe shpirti
i tij kishin lindur të rendnin pas artit dramatik. Erdhi çasti që edhe
djaloshin Reshat Arbana ta ndiqte pas rastësia, që u bë ''mbreti i fatit''.
Aristoteli, një shok i tij i lagjes, i pati thënë se i kishte shkuar mendja të
bëhej aktor. Kjo e papritur ia ndezi
pasionin që Reshati kishte për aktrimin. Pasi mësuan se Robert Ndrenika
kishte hapur Shkollën e Aktorëve ''Aleksandër Mojsiu'', u regjistruan për për
të konkuruar. Me fabulën e famshme ''Dhelpra e Korbi'', konkurova, tregon
Reshati, por, sa s'fluturova nga gëzimi, kur komisioni më tha se do të bëhesha
një aktor i mirë. Ishte 1 shtatori i vitit 1962, dita kur Reshat Arbana, bashkë
me 20 shokë të tjerë të përzgjedhur nisi rrugën e gjatë të shkollimit dhe të
aktrimit. Kujton shokët e tij të klasës: Jani Riza, Leka Bunga, Likard Larja,
Vaçe Zela, Demir Hyskja dhe pedagogët e tij të parë: Pandi Stillo, Kadri Roshi,
Lazër Filipi, e mbushet plot emocion e krenari. Kujton se, procesin e mësimit
të aktrimit e nisën nga teknikat e qetësimit, duke vazhduar më pas me gjestet,
shqiptimin, tonin, ngjyrat, volumin, recitimin, studimin e personazhit,
veprimin skenik, monologun, dialogun, dhe lexuesi kupton serjozitetin shkencor
e metodik, me të cilin kjo shkollë përgatiste aktorë të mëdhenj. Nuk harron
kurrë ndimesën që shpesh i jepte pedagogu i tij, Kadri Roshi. Edhe sot e kësaj
dite kujton këtë këshillë të rrallë që ai ua jepte studentëve dhe gjithë
aktorëve, para se të nisnin xhirimin e
filmit:''Punë, punë, edhe 100, edhe 1000 herë t'ua them, përsëri është
pak''. Një shprehje e tillë e ka burimin tek sentenca brilante e Balzakut: ''
Artisti është përjashtim, vesi i tij është puna''(70). Nga pedagogët dhe nga
mjeshtërit e aktrimit shqiptar e botëror, R. Arbana mësoi se, aktrimi është një
zinxhir i artë që kalon përmes këtyre
hallkave: kërko, zbulo, provoko, ngacmo, seleksiono. Emocione të rralla i pati
dhënë Reshat Arbanës roli i tij i parë në filmin ''Komisari i Dritës'', me
regjizor Viktor Gjikën. Të luaje rolin e këlyshit të Dodës, Nikollë
Mustaqeziut, nuk ishte e lehtë. Aq më tepër, kur përkrah kishte aktorë të
mëdhenj si Ndrek Luca dhe Loro Kovaçi. Me lojën e tij filmike do t'i bindte
shikuesit, se si duhej të sillej një djalë, të cilit partia e kohës i kishte
vrarë babanë në Luftë.
Pas
mbarimi të shkollës së aktrimit, djaloshi Reshat Arbana priste me padurim t'i
hynte profesionit të tij, me të cilin kishte kohë që ishte dashuruar
marrëzisht. Por, për çudi, nuk ndodhi kështu. Pa dëshirën e tij, e emërua
regjizor i Radio-Tiranës, ku punoi për 9 vjet rresht. Do të vinte fundi i vitit
1974, që edhe për aktorin e ri Reshat Arbana do të çelej drita jeshile, për
plocimin e ëndrrës së shumëpritur. Ja ç'tregon autori i kësaj monografie A. Z.
Zholi, përmes gojës së protagnistit R.
Arbana. Një ditë Reshatin e pati thirrur në zyrën e tij drejtori i
Radio-Televizionit Shqiptar të asaj kohe, Thanas Nano, i cili i kishte
propozuar të bëhej pjesë e grupit të regjizorëve të këtij institucioni. Por,
Reshati, pasi u mendua thellë, i tha atij prerë: ''Ëndrra ime është teatri.
Mendnoi si për djalin tuj. Lërmë ta shijoj atë ëndërr që kam vite që pres me padurim ta prek !'' Ishte ndihma
e aktorit Naim Frashëri dhe mbështetja e
një partiaku të mirë si Gani Keçi, të cilët këmbngulën që aktori Reshat Arbana
të bëhet pjesë e Teatrit Popullor. Roli i parë në këtë teatër ishte ai në
dramën ''Familja e peshkatarit''. Regjizori i dramës, Piro Mani, i dha atij
mundësinë të lunate bashkë me aktorë të mëdhenj si Drita Pelingu, Besa Imami,
Naim Frashëri. Lotë të nxehta gëzimi nisën t'i çurgojnë aktorit të ri Reshat
Arbana, në çastet, kur shikuesit e duartrokisnin fuqishëm, ndërsa profesori i
tij Nikolin Xhoi, plot entusiazëm i thotë atij: ''Të lumtë Reshat, ke luajtur
bukur''! Natyrshëm, tashmë do të vinin dhe role të tjera si ai i Pilo Shpiragut
te ''Lumi i vdekur''. Të luaje këtë rol, nuk ishte e lehtë, pasi të tipizoje
këtë karakter duhet të depërtoje në psikologjinë e fshatarit myzeqar të fundit
të viteve 30. Në fillim kjo premierë u prit mirë. Por kur ajo u pa nga Enver
Hozha në televizor, ai urdhëroi ndalimin e menjëhershëm të saj. Ai nuk mund të
pranonte që fshatari shqiptar, që tipizohej përmes Pilo Shpiragut, të pranonte
që për bukën e gojës të dorëzonte si kopile vajzën e tij në oborrin e beut. Në vitin 1979, aktori Reshat Arbana u zgjodh
deputet, por kurrë nuk e shijoi atë detyrë, që sipas tij s'ishte gjë tjetër
veçse përgjegjësi, stërmundim dhe pamundësi për zgjidhjen e halleve të
popullit. Kur prindi i një familje me 8
fëmijë i ankohet, se jetonte në një kulvi plot lagështi, këtë ankesë ia
përcolli edhe Adil Çarçanit, i cili, pasi e dëgjoi i tha, se halle të tilla të
qytetarëve shqiptarë ishin bërë të zakonshme.
Roli
i dytë filmik që R. Arbana luajti ishte ai që luajti në filmin ''Dueli i heshtur''.
Kujtime të rralla ruan ai për aktorin e madh Sandër Prosin, të cilin e quante
sensual, madhështor dhe të skalitur. Me këtë mjeshtër të madh të ekranit,
Reshati u njoh nga afër kur luanin së bashku në filmin ''Nëntori i Dytë'', ku
ai luajti rolin e Isës. Do të bëhet aktor i madh Reshati, i tha bashkëshortes
së tij, i madhi Kadri Roshi. Ndërsa kur filmi''Nëntori i Dytë'' u shfaq
përsëdyti, Akademiku Aleks Buda i thotë
atij: ''Të lumtë Reshat! Na i sole Isën të gjallë''. Një nga karakteret më
interesante të shfaqjeve të tij teatrale ishte ai i kryetarit Delo Sinani,
te drama''Përballë vetes'', me të cilin
fitoi Çmimin e Parë të festivalit teatror shqiptar. Por, karakteri dhe roli më
i realizuar i Resht Armanës mbetet ai i Sami Amenit, te filmi ''Fije që
priten'', me skenar të Reshat Tozajt. Filmi është një kombinacion mes aksionit
dhe ngjarjes misterioze. Përmes këtij karakteri, sa misterioz, aq dhe djallëzor
Reshat Arbana e tregoi veten se ishte
një aktor i thekur i lojës dhe veprimit skenik. Një armë e shëndoshë e artit
skenik të aktorit R. Arbana ka qenë recitimi. Recitimi që e futi atë në rrugën
e suksesit në këtë zhanër të artit
skenik është një fragment i marë nga poezitë e Hamit Aliajt. Më pas ai ka
recituar poezi të rralla të shkëputura nga''Mrizi zanave'' të Gj. Fishtës. Me diksionin dhe
zërin e tij të rrallë, që duket sikur del nga thellësitë e tokës, reciton ai
vargje të tilla të rralla: ''M'kamë, bre burra, n'kamë.../Çka ini fshehur nën
furka t'grave./ Kushtrim, kushtrim, kushtrim''!(147) Akoma më rrënqethës është
recitimi brilant i fragmentit të shkëputur nga poema ''Hakërrim'' e poetit
vlonjat Ali Asllani, me vargje të tillë sarkastikë që fshikullon të
pangopurit:''Të pabrek' ju gjeti dreka,/ milioner ju zuri darka''. Në veprimtaritë aktruese të Reshat Arbanës,
vend të rëndësishëm zënë dhe intermexot të tilla sarkastike:''O ju njerëz, që
më ngjani me kafshët dinake! Nuk u pamë të flisni një herë si njerëz, por si
rrugaçë...'', duke fshikulluar politikanët zhurmes e grindavecë. Edhe pas daljes
në pension aktori ai do të lunate dy role të reja në pjesët teatrale, "Në
strehën e të harruarëve'' dhe ''Fishkëllimë në errësirë''.
Reshat
Arbana, edhe pse kishte krijuar një emër të mirë si artit dhe ishte i zgjedhur
si deputet, për shkak të natyrës së tij, nuk kishte mundur të takohej kurrë nga
afër me idhut e partisë shtet. I vetmi rast, tregon autori i ''bestsellerit''
A. Zholi përmes gojës së protagonistit, është ai i vitit 1989, në çastet ku ishte duke pritur takimin me Ramiz
Alinë në Pallatin e Brigadave. Rastësisht, në ato çaste takohet me Rita Markon
dhe Petro Doden, të cilët, si për humor i thanë:''A do të na marësh edhe ne të
luajmë filma. Pse jo, ua ktheu Reshati. Petron, për të luajtur gjermanin,
ndërsa ju, Rita rolin e burokratit.
Edhe
jeta e aktorit R. Arbanës ka kaluar përmes dallgëve, mes uljesh e ngritjesh,
gëzimesh e trishtimesh, suksesesh dhe dështimesh, të cilat nu e thyen, por
e bënë më të fortë. Ai kaloi edhe vështirësi të mëdha ekonomike, sidomos kur e
nxorën në pension të parakohshëm me 60 përqind të rrogës. Nga që familja e tij
nuk mund të përballonte shpenzimet minimale familjare, djali i tij, që ende nuk
i kishte mbushur 18 vjeç, u detyrua të punonte hamall mjelli. Por, në mënyrë të
veçantë, Reshat Arbana, s'ka për të harruar
kurrë 14 shtatorin e vitit 1998, kur turma protestuesish, me arkivolin e
të ndjerit Azem Hajdari mbi supe
plagosën rëndë djalin e tij, Atridin, i cili në atë kohë ishte gardist i
Republikës. 90 ditë i qëndroi atij te koka e krevatit, në një spital të Janinës,
duke iu lutur Zotit t'i shpëtonte djalin e vetëm. Në jetën e tij Reshat Arbana
ka kaluar edhe situata të vështira shëndetësore vetjake. Ka ndodhur që ai është
gjendur papritur në një nga shtretërit e kardiologjisë. Jam me fat, tregon ai,
që zemra ime nuk kishte nisur të dhimbte në një nga ato ditët e shumta që unë,
hipur mbi biçikletë merja rrugën për në
Arbanë. Por edhe këtë rrezik për jetën Reshati e kaloi me sukses, falë
edhe forcës dhe vendosmërisë së tij për ta kapëcyer çdo pengesë e vështirësi në
jetë.
Aktori
Reshat Arbana gëzon respektin e mijëra njerëzve të shtresave shoqërore dhe
moshave të ndryshme. Në këtë monografi gjejmë vlerësime të larta për
personalitetin dhe aktrimin e tij të rrallë. Figura e tij është bërë objet i
librave, poezive dhe i shumë shënimeve të kritikës së artit. Artisti i Popullit
Vangjush Furrxhi, mes të tjerash thekson: ''Reshat Arbana krijoi profilin e tij
të papërsëritshëm artistik.''Ndërsa prof. Josif Papagjoni thekson se, R. Arbana
hyn natyrshëm në shpirtin e publikut, duke i bërë ata të meditojnë thellë. Për
Artistin e Popullit Luftar Paja, aktori R. Arbana qëndron dinjitoz përkrah
korifenjëve të artit tonë kombëtar. Figura e ''Nderit të Kombit'' Reshat Arbana
është bërë objekt frymëzimi edhe për disa poetë. Ja ç'shkruan Agim Bajrami për
këtë figurë të rrallë të artit skenik shqiptar:''Pa dashur ndalem para teje/
Siç ndalet gjithkush para një shënjtori./ Pak Shqipëri të ndjej në deje/ Dhe
pakëz vjeshtë me frymë nëntori...''