Kulturë
Timo Mërkuri: Mbi poezinë e Mero Bazes
E marte, 19.11.2024, 06:55 PM
MBI POEZINË E MERO BAZES
Nga
Timo Mërkuri
Duhet
të pranoj se Mero Baze me vëllimin e tij poetik “Shi dhe baltë” më befasoi jo
pak, unë e njihja për një gazetar kurajoz dhe polemist dhe as që e mendoja se
do ishte kaq i ndjeshëm sa shfaqet në poezi. Ndaj e lexova dhe e rilexova
librin me një kureshtje të shtuar, madje u ndala dhe te parathënia elegante dhe
plot finesë e poetit Ilirian Zhupa, i cili me analizën e tij të thukët, pak
hapësirë la për tu shprehur të tjerët. Ja që mua më kishte mbetur në mendje
Mero Baze gazetari edhe në kohën që lexoja poetin. Ndoshta ishte ky dualizëm në
mendjen time, ai që më ngjalli kureshtjen të shoh se sa shfaqet apo ka ndikuar
gazetari te poeti, fatmirësisht të dy në një kuotë të epërme krijimtarie. Te
një sërë gazetarësh që nisën të merren me krijimtari letrare, pas ndërprerjes
së gazetarisë kisha ndjerë drojën e tyre
në fillimet letrare, ndërkohë që te Mero Baze jo vetëm që nuk kishte ndonjë
drojë, por kishte një siguri poetike, sikur thoshte “urdhërues”: dëgjoni vargun
tim. Mero Baze dallohet për guximin intelektual në shprehjen poetike me formën
tradicionale dhe thelbin modernist, duke provokuar lexuesin në qasjen e madhe te
poezia në ngjitje. E ndërtuar jo vetëm mbi një truall tradicionaliteti, por
edhe me fjalor, rimë e ritëm tradicional, ai fliste me një poezi moderne. Mqse
për këto dy elemente pjesërisht janë shprehur dhe të tjerë, unë mendova të flas
për atë që e shmangin të tërë në shkrimet e tyre, për elementet e gazetarisë që
shfaqen te poezia e tij. Kështu, në qoftë se do kërkonim të shihnim se ku është
ndikimi i gazetarit në poezzitë e Mero Bazes, më lejoni të citoj disa poezi dhe
elementët e ndikimit në ‘to.
I-
Mero Baze ka një stil të drejtpërdrejtë
e të komunikueshëm, të dukshëm në mënyrën se si shfaq ngjarjet dhe karakteret,
shpesh duke përdorur një gjuhë të thjeshtë dhe efektive, pa teprime artistike,
mbi të gjitha një stil të personalizuar.
Në fakt ky stil ofron një qasje tipike për një gazetar që synon të
transmetojë informacionin në mënyrë të saktë dhe të kuptueshme, ndaj ishte e
para gjë që më ngjalli kureshtje te poezitë e tij. Kështu , duke u përqëndruar
te poezia “Atdheu” stili i tij i drejtpërdrejtë i të shkruarit shfaqet në disa
aspekte, dhe konkretisht:
1.
Stili i drejtpërdrejtë thyen mitin
heroik e romantik të Atdheut, të cilin
poetët shpesh e glorifikojnë. Në vargjet: "Mos e lini Atdheun ta vizatojnë
poetët/ Ata s’kanë mëshirë për të" Baze ngre një kritikë ndaj perceptimit
të idealizuar të Atdheut, duke i paraqitur lexuesit të vërtetë të dhimbshme:
Atdheu nuk është një simbol abstrakt, por një vend plot kontradikta dhe
realitete të dhimbshme. Madje në këtë varg ka një kritikë dyfishe shtruar dhe
ndaj poetëve për glorifikimin e Atdheut
nëpër vargje, duke treguar se ata e dëmtojnë duke fshehur plagët e tij, në vend
që të ndikojnë për shërimin e tyre. Për këtë arsye ai shprehet se “ata s’kanë mëshirë për të”. Në fund të fundit
kujt i duhet një atdhe mitik, si një hije apo endërr e largët? Në funksion të
demitizimit të Atdheut Baze ndërton një kontrast të thellë mes vizionit të
idealizuar dhe realitetit të dhimbshëm, kur shkruan: "Të duash këtë vend
që quhet Atdhe/Duhet të duash skafistët në dete,/Të duash të rinj në shtëpitë e
drogave,/Nëna shamizeza mbytur në derte." Kjo mënyrë të shkruari fton
lexuesin të njohë dhe të pranojë atdheun me të gjitha të metat e tij, qasje që
kapercen sentimentalizmin dhe përqëndron vëmëndjen te e vërteta, pse njohja e
kësaj të vërtete të hidhur është fillimi i rrugës së shpëtimit të atdheut.
2.
Ironia dhe sarkazma si mjete të fuqishme artistike dhe stilistike të
drejtpërdrejta janë të pranishme në poezinë e Bazes, duke i dhënë poezisë
tingull kritik e reflektues:"Atdheu ka kulla, vetura, thesare/ Ka të
famshëm që s’bënë kurrë asgjë" duke shfaqur zhgënjimin ndaj degradimit
moral dhe shoqëror, ndërkohë që ironizojnë pasurimin e dukshëm material dhe
sidomos ata, të famshit , që su bënë kurrë asgjë.
3.
Thamë më sipër se stili i drejtpërdrejtë i Bazes vjen nga përvoja gazetarie, ku
faktet dhe analizat mbizotërojnë mbi ndjeshmërinë. Poeti përmes këtij stili
analizon kthjelltë-sisht një sërë fenomenesh shoqërore, si varfëria
shpirtërore, humbja e traditave e koru-ptimi i idealit kombëtar. Kjo është e
dukshme te vargjet: "Të gjithë janë të lirë të gjithë t’i filmojnë/Duke
bërë seks e duke bërë dush" duke sjellur përmes një lenteje ironike një
pasqyrë të qartë e të drejtpërdrejtë të shoqërisë së spektaklit, që shpërfill
vlerat e larta për përfitime të ulëta.
4.Arti
poetik i Bazes përmes këtij stili të drejtpërdrejtë arrin të kapërcejë kufijtë
e vendit dhe t’i japë poezisë një rezonancë universale, duke ftuar lexuesin të
reflektojë mbi raportin personal me vendin, kur shkruan: "E vramë ne atë,
apo ai na ka vrarë..." pyetje kjo, që i fton lexuesit të meditojnë mbi
përgjegjësitë e tyre në degrade-min ose zhvillimin e vendit.
Përdorimi
i stilit të drejtpërdrejtë nga Mero Baze forcon dhe shfaq dukshëm elementin
emocional, satirik, dhe realist në strukturën poetike duke krijuar efekt të
fuqishëm ndërveprimi të drejtpërdrejtë me lexuesin dhe duke theksuar
sinqeritetin poetik, ndërsa shtreson një kritikë të ashpër ndaj realiteteve
shoqërore e personale. Këtë e shohim te analiza e poezive më poshtë e cila
shfaq këtë qasje: Te poezia “Atdheu” struktura satirike dhe polemike është në
qendër të poezisë. Baze përdor një gjuhë të drejtpërdrejtë për të shfaqur
kontradiktat dhe hipokrizinë e perceptimeve idealizuese për Atdheun:"Mos e
lini Atdheun ta vizatojnë poetët,/Ata s’kanë mëshirë për të." Stili i
drejtpërdrejtë thekson distancën midis realitetit të hidhur dhe idealizmit të
poetëve, duke sfiduar idenë e një Atdheu heroik dhe të bukur. Struktura e
vargjeve të hapura përforcon thirrjen për pranim të realitetit, duke e kthyer
poezinë në një reflektim kritik dhe universal.
Te
poezia “Nëna dhe zogjtë” elementi emocional dhe lirik merr theksin kryesor.
Stili i drejtpërdrejtë e bën dhimbjen dhe sakrificën më prekëse: "Nëna -
zog me krahë kur më pa në derë,/Zogjtë krahëprerë si fajtorë..." Këtu
shfaqja e thjeshtë dhe ndjeshme ruan një
ndjesi të thellë afeksioni e humbjeje dhe poezia ndërton një marrëdhënie të
ngushtë midis njeriut dhe natyrës (zogjve) përmes detajeve të zakonshme, duke
krijuar ambient të ndjeshëm familjar.
Te
poezia “Ditën që u ndamë” forcohet elementi i intimitetit dhe kujtesës
personale, dhe bën lexuesin të ndiejë dhimbje të sinqertë për ndarjen nënë-bir.
Stili i drejtpërdrejtë e bën dramën njerëzore të prekshme: "Dorën ma
shtrëngonte shumë e më shumë/Sikur donte ta mbaja aty, të mos ikte." Këtu,
gjuha e thjeshtë dhe e qartë krijon një emocion të papërpunuar që arrin lehtë
te lexuesi, duke e bërë poezinë një përvojë universale të humbjes.
Ndërsa
te poezia “1997”e cila shfaq kombinim të tonit realist dhe të rëndë
emocional, ku përdorimi i drejtpërdrejtë
krijon një ndjesi të fuqishme tragjedie kolektive: "Gjithçka rrjedh kundër
lumit tim/Si një kortezh i madh pa arkëmort". Stilistika e Bazes në këtë
poezi shfaq një realitet të ashpër, dhe përdor një gjuhë të thjeshtë për
pasigurinë dhe shpërbërjen sociale të kohës. Struktura narrative është një
element tjetër që mbështetet nga stili i
drejtpërdrejtë, duke e bërë poezinë të duket si një reportazh i jetës reale.
Kjo qasje e tij poetike e bën artin më të lidhur me lexuesin, duke ruajtur gjithashtu thellësinë e mesazhit dhe fuqinë
artistike të vargjeve.
II-
Karakteristika e Mero Bazes për t'i kushtuar vëmendje detajeve është mjaft e
dukshme në poezinë e tij, dhe krijon ndërlidhje mes imazheve konkrete dhe
ndjenjave universale. Në vëllimin poetik “Shi dhe baltë”të tij, ai përdor
detaje të thjeshta dhe të përditshme për ti dhënë peshë dhe kuptim njerëzor
vargut. Duke qenë se gjithë vëllimi poetik është ndërtuar mbi detajet, le të
përqëndrohem psh. te poezia “Ankthi për varrin” për të venë në dukje
përzgjedhjen e tyre (detajeve) me të
cilat Baze ka ndërtuar artistikisht poezinë.
1.Në
poezinë "Ankthi për varrin", Baze shfaq babanë të shqetësuar për
vend-prehjen e tij të përjetshme në vendbanimin e ri, pas ikjes nga fshati.
Poeti përdor mjeshtërisht imazhin e
rrudhave mbushura me borë (thinjat). Ky detaj nënvizon jo vetëm moshën e
personazhit, por edhe barrën e mendimeve dhe merakut që ai mban: "Meraku
për atë që do të ketë në krah/I rri rrudhave borë që dita s’e tretet." Me
këtë figurë konkrete simbolizon një ankth të “ngrirë” në kohë, të ngulitur në
mendjen e tij. Ky është një shembull i qartë i aftësisë së autorit për të
zgjedhur detaje që bartin një peshë të madhe emocionale krahas vlerës artistike.
2.Poeti
ndalet te akti i mbjelljes së një fiku dhe hardhie për të ofruar një ngjashmëri
me varrezat e vendlindjes së braktisur. "Ia mbolla këtu fikun, hardhinë e
atjeshme/Po ai prapë s’ndihet e s’ndihet i qetë." Ky detaj simbolik tregon
përpjekjen për të prurë copëza nga jeta e shkuar në të tashmen, për të ndërtuar
një ndjenjë njëjësie, edhe pse kjo përpjekje mbetet e kotë. Vendlindja nuk
është një fik e një hardhi, ajo është një periudhë jete, botë e gjallë, veçse
në të shkuarën, por poeti përmes këtij detaji, nxit lexuesin të reflektojë mbi
marrëdhënien mes kujtimeve dhe realitetit.
3.Detaji
i grimcave të rërës që s'u ngjitën dot për miliona vjet, thekson pafuqinë
njerëzo-re përballë natyrës dhe kohës:"Në këtë breg deti ku grimcat e
rërës/S’u ngjitën dot për miliona vjet." Ky detaj krijon një kontrast mes
përkohshmërisë së jetës njerëzore dhe përjetësisë së natyrës, ku përmes tij,
poeti sjell një ndjesi ankthi për vdekjen dhe përpjekjet e kota për të
kapërcyer këtë përjetësi.
4.
Po kështu,detaji i kurorave të ullinjve në shfaqjen e peisazhit të vendlindjes
synon të krijojë një ndjenjë qetësie dhe përkatësie për babain, që e ndjen
vetëm në atë hapësirë të njohur për të: "I ka larg të vetët, nën kurora
ulliri,/Bregut kundruall ara me blinj, gjelbërim" duke përcjellur një
ndjenjë nostalgjie dhe dashurie për një vend diku larg, që përfaqëson origjinën
e tij. Pra vemëndja ndaj detajeve, të cilën Baze e ka përdorur suksesshëm në
gazetari, në poezi qaset si një vlerë artistike që zgjeron hapësirën poetike
gjer në kufijtë e universalitetit.
Vëmendja
ndaj detajit, forcon realizmin poetik dhe i jep një dimensionalitet të prekshëm
poezive të tij. Kjo prirje për të shfaqur hollësi konkrete krijon një efekt të
fortë vizual dhe emocional, duke i bërë imazhet poetike më të gjalla dhe më të
afërta me lexuesin. Kështu psh., në poezinë "Porta pa shtëpi“ vëmendja
ndaj objekteve të zakonshme e të lëna pas si:"Gjurmë gishtash në bakëre
tepsish / Ca sepete akoma të pahapura" jo vetëm që krijon një atmosferë
nostalgjie, por shpreh një histori të nënkuptuar të jetëve të shuara, duke i
dhënë vargut një thellësi narrative që rrjedh nga vrojtimi i kujdesshëm i
realitetit.
Në
poezinë "Jug", detaje si: "Ca rrugë plot gurë e baltë
shpeshherë, / Ca lisa të rralluar që s’di kush i ka mbjellë",jo vetëm që
vizualizojnë një peizazh të ashpër dhe të vetmuar, por i japin lexuesit
ndjesinë e shkatërrimit dhe mungesës së perspektivës, duke i mbushur këto
imazhe me peshë simbolike të fatit njerëzor.
Te
"Plaku vetmitar ", përshkrimet
si: "Një radio kineze këndon këngë labe, / Pastaj ca lajme pune e burrash
zyre" (shikoje detajin “burra zyre”) dhe detajet e përditshmërisë:
"Të bëjë ndonjë kafe, a pak bukë valë" e përqendrojnë lexuesin te
momentet intime të jetës së plakut, duke theksuar boshllëkun dhe monotoninë e
vetmisë. Këto detaje, të marra nga realiteti i zakonshëm, shfaqin një thellësi
humanizmi që përforcon tonin melankolik dhe meditativ të poezisë.
Në
përgjithësi, vëmendja ndaj detajeve jo vetëm që shton autenticitetin e
përshkrimeve poetike, por ndihmon në krijimin e një hapësire ku lexuesi mund të
lidhet emocionalisht me përvojat dhe ndjesitë e paraqitura. Ky realizëm i
detajuar, tipar i gazetarisë, bëhet një forcë poetike që lidh të zakonshmen me
universalen.
III-Poezia
e Bazes fokusohet te temat sociale në mënyrë të dukëshme e me një stil më të
qartë se shumë poetë të tjerë bashkëkohës. Kjo vjen se Baze mbart tiparet e një
gazetari polemist ndaj dhe fokusohet
thelbësisht në temat sociale. Psh në poezinë “Portat pa shtëpi” kap thelbin e
rrënimit fizik dhe shpirtëror, duke përdorur portat dhe oxhakët si metafora të
mbijetesës së kujtimeve përballë kohës dhe braktisjes. Në vargun:"Porta
ruan vdekjen e shtëpive / Që ka hyrë nga dritaret, nga pikat e çatisë,"
shfaqet mënyra e ngadalshme, por e
pashmangshme me të cilën ndodh braktisja dhe rrënimi, duke e bërë portën një
simbol të fundit të një jete të shuar. Nga ana tjetër, oxhaku mbart shpresën e
ringjalljes: "Oxhakët presin një tufan të gremisen / Siç ëndërron në luftë
të vdesë një burrë." Është prekës oxhaku që përshkruhet si një luftëtar që
qëndron deri në fund, dhe mallëngjyes fakti që i jep poezisë një tonalitet
heroik përballë shkatërrimit. Ndërkohë simbolika e skeletit, që ndërlidhet me
jetën e fikur, shpërfaqet në vargun: "Portat ruajnë skeletin e jetës së
fikur / Oxhakët shpresën të ndizen përsëri", pasazh që sintetizon
tensionin mes humbjes dhe shpresës, duke nxjerrë në pah një cilësi reflektuese
për trashëgiminë e braktisjes.
Te
poezia “Jug” përshkruhet një peizazh i ashpër, ku natyra dhe njerëzit janë
njësh në fatin e tyre të përvuajtur. Në vargun: "Janë ca rrugë plot gurë e
baltë shpeshherë, / Ca përrenj që rrjedhat i kanë mysafirë," shfaqet një
ndjenjë mungese e përhershmërisë, ku as
uji, simbol i jetës, nuk qëndron gjatë. Kjo pasqyron një realitet të
papërcaktuar, ku çdo gjë është kalimtare. Njerëzit e kësaj toke përshkruhen në
dy anët e tyre, të egër dhe të ndjeshëm: "Janë ca njerëz të egër dhe kur
heshtin / Ca njerëz që qajnë dhe kur këndojnë", dualitet ky, që nxjerr në
pah shpirtin e fortë dhe dhimshurinë e përhershme të popullsisë. Peizazhi
përmbyllet në një ndjenjë misteri dhe mosarritjeje: "Një vend që tregohet,
por kurrë s’arrihet aty, / Quhet... Jug!" duke e vendosur Jugun si një
hapësirë simbolike, të paarritshme, duke ngritur një reflektim mbi mungesën e
shpresës dhe njëkohësisht mbi fuqinë e kujtimeve dhe rrëfimeve.
Mund
të vazhdonim me poezinë “Plaku vetmitar” që trajton vetminë si një realitet të
pashmangshëm të pleqërisë dhe një rrëfim të përjetimit të brendshëm të
braktisjes. Kështu në vargun: "Ai rri në sofatin e gurtë të shtëpisë /
Herët pa gdhirë, pas yllit të parë" shfaqet përpjekja e plakut për t’u
lidhur me ritmin e natyrës, si një mënyrë për të përballuar mungesën e
kontakteve njerëzore. Ndërkohë poezia shfaq me detaje të holla botën e tij të
zbehur:"Një radio kineze këndon këngë labe/ Pastaj ca lajme pune e burrash
zyre," duke shfaqur një botë teknologjie dhe tradite përzier, duke e bërë
plakun një figurë që jeton mes dy realiteteve, të kaluarës dhe të tashmes.
Megjithatë, kulmi emocional ndodh kur poezia nxjerr në pah braktisjen sociale:
"Është i dëshpëruar që s’ka kujt t’i flasë / Në këtë vend ku ulërijnë
lugetërit…" duke treguar dhimbjen e një shoqërie që ka humbur lidhjet e
saj humane dhe që e ka lënë plakun në vetminë e tij. Kjo është jeta e jonë sot,
të cilën fshikullon poetikisht poeti Mero Baze.
Fokusimi
te temat sociale në poezinë e Bazes forcon dhe vë në dukje strukturat e
kontra-stit poetik, si: përballja midis realiteteve sociale ideale dhe të
dhimbshme (p.sh., imazhi ideal i atdheut kundrejt realitetit të ashpër në
poezinë "Atdheu"). Po ashtu dhe kontrasti midis brezave ose përvojave
personale dhe kolektive ("Nëna dhe zogjtë" dhe "Ditën që u
ndamë"). Ky fokusim nën aspektin poetik forcon imagjinatën simbolike, ku
simbolet konkrete si shelgjet, rrushi, dhe Vjosa shprehin ndjenjat e humbjes
dhe qëndrueshmërisë kolektive ("1997").
Po
ashtu pasqyrimi realist dhe brutal i situatave shoqërore e forcon ndjeshmërinë
ndaj temave të varfërisë, emigrimit, dhe zhgënjimit ("Atdheu" dhe
"1997")., ndërkohë që krijon dhe një ndërthurje të personalizimit dhe
universalizmit, pse përmes përvojave individuale të nënës, zogjve, ose
shelgjeve, pasqyrohen shqetësimet kolektive të një shoqërie të trazuar. Poezitë
shpesh mbyllen me reflektime që përforcojnë kuptimin e temave sociale e ofrojnë
mesazhe universal ("Atdheu" dhe "1997"). Janë këto elemente
që strukturojnë poezinë si pasqyrë të realiteteve sociale, duke thelluar
impaktin emocio-nal dhe mendimor tek lexuesi.
Në
përfundim themi me bindje se: poezia e Mero Bazes modernizon dhe poetizon
tiparet e ndikimit të gazetarisë, duke i kthyer ato në elemente të fuqishme
poetike. Stili i tij i drejtpërdrejtë, vëmendja ndaj detajit dhe fokusimi te
temat sociale formësojnë një poezi që jo vetëm reflekton realitetet e kohës,
por edhe i pasuron ato me ndjeshmëri artistike. Ai përdor një gjuhë të qartë
dhe konkrete për të dhënë mesazhe që përkojnë me përditshmërinë, duke krijuar
një ndërthurje mes gazetarisë dhe artit poetik. Përmes këtij modernizimi, Baze
arrin të japë një pasqyrë të thellë të shoqërisë shqiptare, duke e bërë poezinë
e tij një zë kritik dhe frymëzues për lexuesin.
Sarandë, më Nëntor 2024