Kulturë
Anton Nikë Berisha: Vepër që e pasuron prozën tonë poetike
E marte, 19.11.2024, 06:54 PM
VEPËR QË E PASURON PROZËN TONË POETIKE
Prend Buzhala - Ujëvarë shpirtësie
“Sa
gjë e vështirë është proza. Kurrë nuk është e gatshme, gjithmonë mbetet diçka
për t’u përpunuar. Prapë mendoj se mund t’i jepet fuqia e vargut. Fjalia e mirë
në prozë duhet të jetë si ndonjë varg i mirë, e pandërrueshme, po ashtu
ritmike, po ashtu tingëlluese”.
Gustav Flober
–Parathënie nga ANTON NIKË BERISHA
Dukuria e llojeve
letrare
Prend
Buzhala Llojet dhe nënllojet letrare, qoftë të letërsisë gojore, qoftë të
letërsisë së shkruar, s’janë asgjë tjetër pos mënyra të ndryshme që i kanë
menduar, i kanë përdorur dhe i përdorin shkrimtarët për të komunikuar
artistikisht me veten dhe me të tjerët, përkatësisht për t’i shprehur dukuritë
e jetës dhe të botës së brendshme përmes tekstit dhe të ndikojnë estetikisht në
marrësin. Llojet letrare, aq sa shprehin mëvetësinë e tyre, po aq janë të
gërshetuara dhe dëshmojnë afërsinë dhe ngjashmërinë me llojet e tjera. Kufij të
prerë midis tyre as s’kanë ekzistuar as nuk do të ekzistojnë[1].
Këtë
gjë e kushtëzon para se gjithash gjuha poetike, të shprehurit poetik, që është
i qenësishëm dhe i përbashkët për të gjitha llojet letrare, qoftë për ato që
synojnë të ruajnë mëvetësinë e llojit, siç ndodhi qindvjetsha me radhë, fjala
vjen, me përrallën, qoftë ato për që synojnë afrimin dhe gërshetimin më të
ndieshëm me llojet e tjera; e kushtëzon shumësia e mesazheve poetike që del
prej tekstit, e bukura që përftohet përmes strukturës gjuhësore shprehëse, nga
se, siç thotë dhe Prend Buzhala, “E Bukura asnjëherë nuk humb nga shkëlqimet e
saj të pafund… deri tek përmasat e Të Pashprehmes!”
Llojet
letrare jo vetëm e përligjin në mënyrën më të mirëfilltë e më të thellë
natyrën, mëvetësinë, pasurinë dhe shumësinë e të shprehurit poetit të artit të
fjalës, po njëherit shprehin ndërliqësinë dhe mundësitë e parëndomtë të
ndikimit estetik në marrësin.
Veçantia
e gjinive – llojeve letrare nuk ndodh vetëm në tri format kryesore të të
shprehurit poetik, siç i përcaktoi studiuesi gjerman, Emil Shtaiger (Stajger)
në veprën e tij “Grundbegriffe der Poetik” – Termat bazë të poetikës
(nëntitulli “Von Grund der poetischen Gattungsbegriffe”, të botuar më 1946):
Lyrisch, episch und dramatisch (lirike, epike dhe dramatike[2]), po dhe në
nënllojet letrare, që janë përftuar dhe janë zhvilluar në rrjedha kohore të
ndryshme.
Madje,
studiuesi i njohur, Cvetan Todorovi thekson se llojet letrare lidhen edhe me
periudhën e caktuar: “Brenda çdo periudhe gjinitë formojnë një sistem; ato mund
të përkufizohen vetëm në relacionet e tyre reciproke. S’do të ketë më gjini
unike „tragjedi”: tragjedia do të ri përkufizohet, në çdo moment të historisë
letrare, në raport me gjinitë e tjera bashkekzistuese[3].
Se
afritë dhe përkimet e llojeve të ndryshme letrare janë të natyrshme, madje të
pashmangshme, dëshmohet dhe nga mendimi i njërit ndër stilistët më të shquar të
prozës, Floberit, i cili theksonte se mbasi i jepte prozës së tij përmasën
poetike të poezisë, vërente se i mbetej ende punë për ta pasuruar e lartësuar
atë poetikisht. (Shih mendimin e tij më krye të punimit).
Në
këtë rrjedhë po sjell dhe një mendim të studiuesit polak, S?awinski-t, që është
përpjekje e mirëfilltë për të përcaktuar ndryshimin midis poezisë dhe prozës si
forma të rëndësishme të ekzistimit të artit të fjalës, letërsisë, po njëherit
dhe dëshmi e pamundësinë që ato të përcaktohen në mënyrë të prerë: “E kundërt
me shprehjen vjershore, në të cilën mund të dallohen pjesë kuptimesh, që
krijojnë lidhje më komplekse në të gjitha nivelet e njësive linguistike […], në
shprehjen narrative këto mund të dallohen vetëm në nivelin e fjalisë. Tërësitë
semantike të fjalisë paraqesin madhësi elementare nga të cilat gjatë
zhvillimit të kumunikateve të prozës pasojnë ‘njësi të shumta kuptimore’.
Këtij
relacioni pozitiv të fjalive i përgjigjet raporti i tyre negativ ? pengimi i pjesëve
më
të
vogla autonome […] ato nuk lejojnë që
të
konstituohen njësi kuptimore të nivelit më të ulët, ose nuk u mundësojnë,
përkatësisht i shtyjnë në gjendjen e pontencialitetit. – Për dinamikën
kuptimore të veprës poetike duket se është karakteristike tejdukshmëria e
njësive më të mëdha linguistike në raport me ato më të voglat […] Sekuenca
poetike, sikur në tekstin e vet, e bën të pranishme strukturën e elementeve
gjuhësore, nga të cilat përbëhet ?
e gjithashtu edhe në rrafshin kuptimor. Në komunikatin rrëfimor
prozaik vepron tendenca e kundërt: segmentet e rrafshit më të lartë
absorbojnë segmentet e rrafshit më të ulët, të cilët mjegullohen, bëhen
transparentë për tërësi më të mëdha kuptimore[4]”.
Ajo
që u tha më lart lidhet pandërmjetësisht dhe me prozën poetike si forma
letrare, që u përdor dhe u pasurua nga një varg autorësh të huaj dhe tanë, dhe
dëshmohet edhe përmes vëllimi “Ujëvarë shpirtësie” të Prend Buzhalës me proza
poetike të zgjedhura.
Proza
poetike si formë është e ndërlidhur ngushtë me tregimin e shkurtër dhe midis
tyre është e pamundur të caktohet kufiri i sakët. Duke e pasur këtë parasysh
mund të them se, edhe tregimi i shkurtër, edhe proza poetike e shkruar e
përligjin në mënyrë të mirëfilltë tekstin poetik. Të dyja rrënjët i kanë në
kallëzimin dhe në anekdotën gojore, që në rrjedhë të shekujve u zhvilluan dhe u
bartën përmes procesit të gojëshmërisë.
Përmes
këtyre dy formave – tregimit të shkurtër dhe prozës poetike dëshmohet mirëfilli
arti i madh dhe mundësia e ndikimit estetik të tekstit poetik në marrësin,
pikërisht ashtu siç thoshte Lasgush Poradeci ynë për poetin: “[…] poeti duhet
të jetë kursimtar i madh në fjalë, të thotë maksimumin e ndjenjave me minimumin
e fjalëve[5]”.
Duke
folur për veçantitë e tregimeve të Çehovit, Tomas Manit (Mann) pati thënë: “[…]
Ndaj llojit të tillë letrar sikur kemi ndjerë njëfarë urrejtje, duke mos
kuptuar që atëherë se fuqia e gjeniut mund të përmblidhet edhe në lëvoren e
arrës. Ende s’e kam pasur të qartë se tregimi me qartësinë dhe me koncizitetin
e tij mund të përfshijë thelbin dhe esencën e jetës dhe të nxitë te ne
admirimin më të madh. Dhe kështu në dukje vepra e vogël për nga fuqia e vet
mund t’i kalojë edhe romanet më të mëdha, të ngritur deri në re, romane të
mëdha të cilët gjatë kohës pashmangshëm zbehen, pa hetuar, kalojnë në bezdi të
ëmbël dhe harrohen”[6].
Në
këto dy lloje të shkurtra të prozës rëndom bëhet objekt trajtimi poetik një
ngjarje ose një çast jetësor i përcaktuar, një dukuri, një ide ose shprehet një
tipar ose një mëdyshje. Që në fjalitë e para preket çështja ose dukuria; s’ka
gërshetime ngjarjesh, as degëzime (retardime); përdoret stil i ngjeshur e
shprehje e kursyer. Me tekstin përkatës, me strukturën gjuhësore shprehëse
synohet të përligjet shumësia sa më e madhe kuptimore[7].
Proza poetike që të
pushtojnë me artin e pasur
Gjithë
ajo që u tha lidhet pandërmjetësisht me prozat poetike të vëllimit “Ujëvarë
shpirtësie”, po dhe ndihmon që të flitet më me bindje, më përafërt dhe të
ndriçohen disa nga vlerat e tekstit të
tyre poetik.
Prend
Buzhala ka vite që i krijon tregimin dhe prozën poetike. Përcaktimi i tij t’i
krijojë këto dy forma të shkurta të prozës nuk është i rastit nga se ato
ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme që me pak tekst të shprehet sa më shumë
mendime dhe të mund të bëhet ndikim më i fuqishëm në marrësin.
Të
dy këto lloje – forma poetike dëshmojnë një kursim të pazakonshëm të leksikut,
të tekstit. Pra, sasia e tekstit (kuantiteti) duhet ta zëvendësohet me një
gjuhë poetike cilësore, ku çdo fjalë e shprehje të ketë ngarkesë sa më të madhe
kuptimore; lidhjet, përkimet, kundërvënien ose kundërshtimet të shprehen në
forma sa më të dendura e në rrafshe të ndryshme, në mënyrë që marrësit t’i
hapen mundësi dhe shtigje sa më të shumta për të vijuar edhe më tej zgjerimin
dhe përimtimin e kuptimësive të mundshme të tekstit.
Me
pak fjalë: në tekstin e tregimit të shkurtër e të prozës poetike s’ka fjalë e
shprehje të tepërta, prandaj po hoqe dhe një të tillë, vërehet zbrazëtia,
ndihet mangësia. Në vend të ngjarjes e të rrëfimit të zgjatur, mbipeshojnë
kumtet dhe pamjet poetikisht të pasura që të pushtojnë me artin e tyre.
Natyrisht,
kjo veçanti kushtëzon që dukuritë që bëhen objekt vështrimi poetik të shprehen
në thellësinë e tyre përmes të shprehurit poetik.
Realiteti
që krijohet në to është realitet poetik, realitet i fjalëve dhe i shprehjeve,
realitet i ndërtuar përmes gjuhës poetike. Ai ekziston si i tillë vetëm në
tekst dhe mund të bëjnë ndikimin e shumëfishtë. Në të vërtetë, realiteti i përftuar
në këto krijesa poetike të përfshira në “Ujëvarë shpirtësie” është përfytyrues,
realitet imagjinativ. Ndodh kështu për arsye se përfytyrimi dhe imagjinata
mundësojnë që liria e hartimit të tekstit, e pamjeve poetike të shkojë, të
thuash, deri në pafundësi.
Është
ajo që thoshte Flober-i se po shkruante një libër që do të qëndronte falë të
shprehurit gjuhësor, pamjeve që krijohen dhe mesazheve poetike që dalin prej
tekstit: “[…] libër që s’ka asnjë lidhje me realitetin e jashtëm, libër që do
të qëndronte vetëm me fuqinë e brendshme të stilit, sikur toka që qëndron
pezull dhe nuk e mban asgjë”.
Kjo
ngjet edhe në këto proza poetike të Prend Buzhalës, ku përmes tekstit poetik
ndërtohet realiteti i mëvetësishëm, i kundërt dhe i përmbysur në krahasim me
atë konkret, po që nxit dhe kushtëzon një komunikim shumë gjallërik e të
fuqishëm nga se del si pasurim, si një dytësi e realitetit konkret:
Kur
e zhyti dorën në ujët e lumit, iu duk se po kridhej nëpër pamjet e një
realiteti, nëpër sipërfaqen e tij. Mandej, thellë e më thellë, dora u zhyt te
pamjet e shtëpive, bjeshkëve, rrugëve, dhe u ndal te një shtëpi e braktisur. I
pëlqeu kjo lojë me sipërfaqen e lumit, në të vërtetë me sipërfaqen e
realitetit. Kur u drudhën valët e lumit, u shkërmoq edhe realiteti. U bë
grimca-grimca. Qenie njerëzore qenkan, pëshpëriti më vete, ani se dukeshin si
shpirtra të gjallë që lëviznin nëpër hapësirat bosh të errësirës së nëndheshme.
Shtëpia fluturonte nëpër re, rrugët fundoseshin diku nën sipërfaqen e tokës,
shndërroheshin në rrugë të nëndheshme, nëpër të cilat lëviznin kreatyra të
panjohura. Mandej ngjanin në shpirtra të errësirës, shpirtra të vdekur.
(Realiteti po jepte shpirt)
Për
të pasur një pasqyrë sado të përafërt se cilët janë objektet poetike të
vështruara në këto proza të Prend Buzhalës (të ndara në katër grupime: Në
kërkim të vetvetes, Ëndrrat shakullina të heshtura, Vrunduj psherëtimash dhe
Etja e vatrës), po përmend pak prej titujve: Dritarja sa një sy; Nga ëndrra më
zgjon buzëqeshja jote; Ta lexosh mendimin e pemës; Në anën tjetër të fundit të
kohës; Fytyrat prej pluhuri; Hapësira e zbrazë e shpirtit; Deri te ai çasti i
zbrazëtisë; Psherëtimë bari; Përqafimi i lules me gurin; Mbreti i syrit të
hyjit; Qielli i zgjuar te një fije floku; Midis asgjësë dhe zbrazëtisë;
Pëshpërima e rrufesë është fjala jote; Pëshpërima e rrufesë; Emri me kokrriza
rëre; Qiellit i mungonin lotët.
Realiteti
që autori e përfton në këto proza poetike ngjizet dhe me realitetin e ëndrrës,
që nënkupton zbatimin e lirisë së të shprehurit dhe të shqiptimit të dukurive e
të mendimeve; përftimin e tablove të rralla dhe poetikisht të pazakonshme;
mendimet sa degëzohen e shtrihen në vijën vertikale, po aq në atë horizontale
ose në të njëjtën kohë ngjasin në të dy përmasat. Kjo ndodh edhe me kohën; në to
edhe ajo përligjet e gjithkohëshme; është subjektive që, po ashtu, u jep
teksteve mëvetësi dhe vlerë.
Më
vjen në ëndërr e nga ëndrra më zgjon buzëqeshja jote, nga hareja jote. Sytë e
tu i ngjajnë diellit. Dhe ai shkëlqim sysh lëshon rreze.
Erdh
dhe kjo Pranverë, pa Syrin Tënd e pa Buzëqeshjen tënde. Qe pesëmbëdhjetë herë.
Oh,
jo, jo! Unë e shoh Syrin Tënd Pranveror dhe Buzëqeshjen Tënde Diellore. (Nga
ëndrra më zgjon buzëqeshja jote).
*
* *
S’ka
gjë, shtegtar je, me derdhje ëndrrash në emër të kërkimit. Ti nuk dëshiron të
kthehesh. (Rrëfim për një shtegtar…)
*
* *
Dikush
e tha: jeta nuk është një lule vjollce në shtrat. Jeta e tillë bëhet lule e
tharë, e vyshkur. Dhe një peizazh i tërë, me pyje të mjegullt, labirintesh të
panumërt, shfaqet në ndërgjegjen tënde. Pyje të ndërgjegjes.
Kur
del te bregu, e sheh një tjetër pengesë. Dhe e sheh se si ky Breg i haresë,
mbytet në Bregun e Pikëllimit. (Shpata e dritës)
Realiteti
i njëjtë krijohet edhe kur Prend Buzhala përsiat për atdheun, për fatin e
njeriut tonë, për vendlindjen dhe vatrën. Kjo mënyrë e të shqiptimit na bën ta
shohim atdheun dhe dukuritë që lidhen me të në mënyrë tjetër, tejet të veçantë,
po që na afrojnë e na njësojnë me to në mënyrë sa të natyrshme, aq dhe të
fuqishme.
Sa
herë të kam parë me sytë e shpirtit, o Atdheu Im! Të kam parë e përfytyruar me
mijëra trajta të gjakimeve. Te ti i blatuam kalvaret tona, vuajtjet, peshën e
mendimeve.
S’ka
rrugë që nuk na shpie te ti,
s’ka
rrugë që nuk i ka pikat e gjakut të plagëve tona,
s’ka
lumë, det a oqean që nuk e ndien trandjen që ua shkakton ti, me dhembjet tona,
të shpërndara nëpër të gjitha limanet e pritjes nëpër botë,
s’ka
shteg që nuk i bart plagomat tona të shpirtit nëpër stacionet e aeroportet e
rruzullimit. (Loja e historisë)
Ngjashëm
ndodh dhe me realitetin, ku shprehet dashuria, shprehet e dashura dhe drama në
jetën e njeriut ose ndonjë dukuri tjetër.
E
gjeta Çelësin e Jetës për t’i zgjidhur trishtimet e misteret që më mundojnë, të
gjitha mundimet e mospërfilljet, sfidat, gverret dhe mospajtimet.
Është
ai Çelësi i Dashurisë, valë dashurie që shtrihet pakufishëm, e hapet, e hapet.
Ky qenka ai misteri i lumturisë që nuk e gjen kurrë edhe kur e kërkon. (Me një
valë dashurie që hapet e hapet).
*
* *
Lutju
kësaj dite, hidh përsipër vetes mbulesën e saj të pa njollë, e virgjër. Ja,
edhe pak arrin tek Bregu i Përjetshëm, me vete ke mburojën e tij. Dërgoje, si
mblatë, një Tufë të amshueshme, të padallueshme nga syri njerëzor. Është
thjesht një Tufë Dashurie, me kokrrat e arta të shpirtit. (Vello e pacenuar e
jetës)
*
* *
Në
mbyllje të parathënies po theksoj se libri “Ujëvarë shpirtësie” me proza
poetike të zgjedhura dëshmon mirëfilli se Prend Buzhala edhe me këtë lloj –
formë të të shprehurit poetik e pasuroi prozën tonë, siç veproi dhe në fushën e
poezisë dhe të kritikës letrare, të studimit të çështjeve dhe të veprave letrare të veçanta.
Prishtinë, janar –
shkurt 2024
[1]
Shih për dukuritë e ndryshme letrare në librin tim Çështje teorike të
letërsisë. Faik Konica, Prishtinë 2006, f. 139 – 142.
[2]
Emil Staiger, Grundbegriffe der Poetik. Deutscher Taschenbuch Verlag. Müncen
1971, f. 148.
[3]
Shih Osvald Dykro & Cvetan Todorov, Fjalor enciklopedik i shkencave të
ligjërimit. Përktheu nga frëngjishtja Dr. Rexhep Ismajli. Rlindja, Prishtinë
1984, f. 215 – 216.
[4]
Shih Janusz S?awinski, Semantika narativnog iskaza. Shih Zdenko Škreb,
Metafori?nost terminologije znanosti o književnost: Zatvorena i otvorena forma.
Në “Umjetnost rije?i”, god. XXI, br. 1-3, Zagreb 1977, f. 205.
Përkthimi
im nga kroatishtja.
[5]
Petraq Kolevica, Lasgushi më ka thënë…Shënime nga bisedat me Lasgush Poradecin.
Botimi i dytë i plotësuar. “Toena”, Tiranë 1999 f. 82.
[6]
Toman Man, Për Çehovin. Në “Ese dhe shkrime të tjera”. Përgatitur nga Piro
Misha. Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1986, f. 125.
[7]
Shih veprën e përbashkët me Labinot Berishën Ligjërime rreth tekstit letrar
poetik. “Faik Konica”, Prishtinë 2017, f. 175.