Kulturë
Albert Habazaj: Shekulli i parë i pavarësisë në folklor
E shtune, 23.11.2024, 06:55 PM
SHEKULLI I PARË I PAVARËSISË NË FOLKLOR
Një
vështim i shkurtër për librin “Shekulli i parë: kremtimet e 100-vjetorit të
pavarësisë: mbresat e mia”me autor ing. Sejmen Gjokoli”- Mjeshtër i Madh
Nga
MSc. Albert HABAZAJ, bibliograf,
studiues i Etnologjisë dhe Folklorit
Librin
“Shekulli i parë”, shkruar jo me gërma, por qëndisur me filigran shpirti nga
autori ing. Sejmen Gjokoli - Mjeshtër i Madh (edhe në nderim të auditorit dhe
në respekt të ekonomisë së fjalës) do ta shikoj s në dy rrafshe: si bibliograf
dhe si studiues i etnologjisë dhe folklorit.
Në
shkencën e bibliotekonomisë, shkurtimisht dua të theksoj se kjo monografi
studiohet, klasifikohet dhe regjistrohet si njësi bibliografike në fushën e
Etnografisë tek nënfushat sipas klasifikimit zinxhir hierarkik: Zakonet. Doket. Traditat. Mënyrën e jetesës.
Folklori. Ritet. Jeta publike. Jeta sociale. Jeta e popullit. Ceremoniale
shoqërore. Festime popullore. Jubile. Përurime. Kremtime historike etj., që
rrok tema dhe nga nënfushat: Literaturë folklorike shqiptare. Festa. Kujtime.
Vetë
autori është një figurë e njohur në fushën e gazetarisë, publicistikës, poezisë
dhe me veprimtari të çmuar në fushën e trashëgimisë kulturore, sidomos si
menaxher arti dhe realizues i suksesshëm i festivaleve lokale, kombëtare e deri
i atyre ndërkombëtare si “Aulona Inter Folk Festival”, (deri në vitin 2024 ka
realizuar 16 të tilla).
Pa
e zgjatur më tej, se nuk është çasti, rikthehemi tek libri, duke shprehur
mirënjohje për “diktatorin” e redaktimeve shqiptare për shëndetin letrar dhe
kulturor të veprës (në kuptimin më të mirë të fjalës), për poetin Arben Bllaci,
fatmirësisht edhe redaktor i “Shekullit të parë” të S. Gjokolit. Seriozitetin e
këtij libri e rrit edhe parathënia e librit (teks shtesë): Anatomia e kremtimit
të madh” nga historiani i njohur dr. Dorian Koçi.
Kam
një parantezë në funksion të objektit të kësaj dite të “Shekullit të parë”:
Duhet të kuptojmë, që Shqipëria dhe populli shqiptar në rrjedhat e kohës ka
jetuar, ka luftuar, ka gëzuar, është helmuar, ka pasur ngjarje e data, figura
të shquara, histori me lavdi fitimtare apo me humbje të dhembshme. Por sa e sa
të tilla kanë ngelur humbëtirave të harresave shekullore, sepse ato nuk i
shkroi kush apo nuk i ruajti kush për 1001 arsye objektive apo ndoshta dhe
subjektive. Historia bëhet, shkrimi e ruan në kujtesën e kohërave, në arkiva e
biblioteka, ndërsa kënga e përjetëson atë në jetë të jetëve. Ngjarjet,
nëqoftëse nuk regjistrohen apo nuk shkruhen, shuhen nga kujtesa e brezave me
ikjen fizike të bashkëkohësve. Kështu që roli dhe vendi i kronikanit, shkrimtarit
të ngjarjes në kuptimin e përgjithshëm të fjalës është shumë i rëndësishëm.
Më
28 nëntor 1912, burrat e kombit me në ballë Plakun e Bardhë të Flamurit
“venduan që Shqipëria të bahet më vete, e lirë, e mosvarme” dhe shpallën
Pavarësinë e Shqipërisë, që përbën një ngjarje historike të rëndësisë së
veçantë, akt madhor kombëtar.
Ecim
në kohë. Jo për histori, por për jehonën e asaj ngjarje të madhërishme - pas
100 vjetësh, “këtu në Vlorën, ku fillon historia” siç është shprehur mësuesi,
përkthyesi dhe politikani Shpëtim Gjika, dekan i kryetarëve të bashkisë së
Vlorës (fatlumturisht qytetar i parë i Vlorës kur Paravësia e Shqipërisë mbushi
100 vjeçe).
Qysh
nga e mërkura e 24 janarit 2012 deri të mërkurën e 28 Nëntorit të atij viti
jubilar, që shënoi ditën e parë të Shekullit të Dytë, Vlora dhe mbarë Shqiptaria ishte veshur me
ngjyrën glorioze të Flamurit Kombëtar. Ne e mbajmë mend, por nëse nuk do të
ishte shkruar libri nga autori Sejmen Gjokoli (falë vullnetit, pasionit,
vëmendjes, vizionit, përgjegjësisë qytetare, mesazhit përcjellës, patjetër dhe
mundësisë si koordinator i përgjithshëm i Festivalit Mbarëkombëtar të
Folklorit) koha dhe brezat e ardhshëm nuk do të kishin infomacion apo do të
kishin informacin të cunguar edhe për Koncertin e Yjeve, koncertin jubilar të
100-vjetorit të Pavarësisë, që as u transmentua, as u regjistrua...
Ne
e mbajmë mend, por nëse nuk do të ishte shkruar e botuar ky libër nga autori
Sejmen Gjokoli, nuk mund ta dinë koha dhe brezat se Arif Vladi i Dibrës erdhi
si erë nga Zvicra, kreu pa u dukur misionin kombëtar dhe iku si fllad lirie.
Në
këtë libër, autori bën një përshkrim të gjallë jetësor, siç di ai për
Kryekëngën e 100-vjetorit: “Një Komb, një Flamur” me tekst të Arben Dukës së
madh, që sot na bën dritë nga yjet, me muzikë të kompozitorit të talentuar, të
riut Alban Hoxhaj, që, nën shoqërimin e valltarëve të Folk Grup “Bilbili”
Vlorë, u interpretua aq bukur, me dinjitet e art madhor, me shpërthimin
superenergjik të yjeve të muzikës popullore shqiptare: bilbilit të Jugut - Petrit
Lulo Gjirokastritit dhe amazonës kosovare Fahrie Zogaj. Mirënjohje të
gjithmonshme për këtë zonjë të madhe, që edhe pse kishte të voglin në gji, (ato
ditë djali i saj dhe i pari ishte një thërrime ferishtè, ende njomëzak - Deonsi
ishte vetëm 42 ditësh), bëri një sakrificë gati sublime, përtej çdo realiteti
mëmësor dhe nuk mungoi në Koncertin Jubilar, por të dy i dhanë shpirt e zjarr
ndjenjës së madhe të atdhedashurisë për ne dhe ata që vijnë pas nesh.
Mirë
ne, po koha dhe brezat që vijnë ku mund ta gjenin informacionin për Kërçovën e
Deçanin - Flamurin që flakëroi në Vlorë me duetin artistiko’familjar Besiana
Qani Mehmedi dhe Shkodran Tolaj me këngën e Naim Gjoshit “Flakëro Flamuri im”,
në rast se nuk do të kishin në dorë, në arkiva apao në biblioteka librin
“Shekulli i Parë”?!
Ne
e mbajmë mend, por nëse nuk do të ishte shkruar e botuar ky libër nga autori S.
Gjokoli, nuk mund ta dinë koha dhe brezat se zëmagjishmja kombëtare Shkurte
Fejza Behlulie e “Xhamadanit vija-vija” la ndezur në Helsink zjarrin kombëtar
dhe fluturoi familjarisht drejt Vlorës si Shqiponjë e këngës së madhe shqipe.
Nga libri ndjejmë entusiazmin legjendar që mbushi mjediset dhe mijëra njerëz në
Pallatin e Sportit “Flamurtari” kur doli në skenë Shkurta me “Xhamadanin” e me
të vërshuan në skenë edhe Arif Vladi, Sabahete Visha, Petrit Lulo, Kleopatra
Skarço Dokle, Irini Qiriako, çifti Besiana - Shkodran, që e mbyllën vetëm në
skenë atë koncert të madh jubilar të 100-vjetorit, sepse e elektrizuan Vlorën.
Pa
këtë libër të Gjokolit koha dhe brezat nuk do të dinim gjë për Dhuratën nga
Kaçaniku i Sulejman Haxhiut dhe Izgjid Tushës, as për 44 minutat e kremtimit të
shekullit të parë, kronikanët e 100-vjetorit, regjisorin dhe skenaristin
Virgjil Kule, realizuesin e dokumentarit të çmuar “Kronikë e ditëve të
paharruara”, Vlorë 2012.
Ne
e mbajmë mend, por nëse nuk do të ishte shkruar e botuar ky libër nga autori S.
Gjokoli, nuk mund ta dinë koha dhe brezat se këngët e 100-vjetorit krijuan një
fond të posaçëm folklori për Pavarësinë. Një gjerdan folklorik po zbukuronte
shtatlartën Vlorë ato ditë të mëdha në përcjellje të Shekullit të Parë të
Pavarësisë dhe në pritjen e Shekullit të Dytë
të saj. Festivali i këngës polifonike, ndërtuar sipas kalendarit
kulturor të 100-vjetorit, u zhvillua mbi bazë grupesh dhe shoqatash, i shtrirë
në tri mbrëmje, më datat, 13, 14 dhe 15 Tetor 2012. Mbrëmja e fundit me këngë
të zgjedhura për këtë ngjarje, u zhvillua më 15 Tetor, në nderim të datës së
çlirimit të Vlorës. Vlera e atij festivali, përveç prurjeve burimore dhe interpretimit
me nivel të lartë artistik, qëndron në faktin se, ishte kriter për grupet
pjesëmarrës, që, ndër numrat folklorikë të paraqitur, duhet të sillnin edhe një
këngë ekskluzive për 100-vjetorin.
U
krijua kështu fondi i këngëve të reja për Pavarësinë. Pikërisht ky fond me
këngë të reja me tematikë Pavarësinë, Ismail Qemalin dhe trimat e tij për
Flamurin e Skënderbeut, shënuan piketën e parë, nga ku ravijëzohet vlera
artistike dhe e atdhedashurisë që pruri dhe përcolli Festivali Mbarëkombëtar i
Folklorit “Këngët e 100-vjetorit”. Me dëshirë, në këtë pikë do të qëndroj pakëz
më shumë, sepse këtë hapësirë ma lejon ky libër i Gjokolit, ndërkohë vjen edhe
si një lidhje harmonike e logjike e shkrimit “Pavarësia rreh palët nëpër këngët
e popullit”, ku jam bashkautor me Sejmenin, shkrim i cili përfshihet tek libri
“Shekulli i parë”. Sipas librit dhe në të vërtetë, historinë folklorike të
këtij nderimi madhështor e realizuan artistët popullorë të këtyre grupeve
polifonike pjesëmarrëse në “Këngët e 100-vjetorit” nga Qarku i Vlorës:
1-
Grupi polifonik “Ballkoni i Vlorës” me këngën “Vendi ku rritet shqiponja”
2-
Grupi polifonik “Mato Hasani” me këngën “Vlonjatë kemi për të mbetur”
3-
Grupi polifonik “Çipini” me këngën “Po vjen Smail Beu”
4-
Grupi polifonik “Bilbili” me këngën “Për gjithë kombin kryezonjë”
5-
Grupi “Jehona labe” me këngën “Madhështori, mjekërborë”
6-
Grupi polifonik “Pavarësia” me këngën “Më merr malli për flamur”
7-
Grupi polifonik “Haxhi Dalipi” me këngën “Burr’ i Kaninës së lashtë”
8-
Grupi polifonik “Krojet e Vezhdanishtit” me këngën “Do të këndoj këngën time”
9-
Grupi polifonik “Xhebro Gjika” me “Këngë për 100-vjetorin”
10-
Grupi polifonik “Bregdeti” me këngën “Jam krenar për vendin tim”
11-
Grupi “Kënga labe” - Emigrantët, Greqi me këngën “Bijtë e një nëne”.
Edhe
pse tekstet pa tjetër kanë autor, këngët janë fiksuar në kujtesën sociale si
visare folklorike të Vlorës, ku autor është populli. Bashkë me artistët
vlonjatë erdhën dhe vëllezërit e motrat nga trevat e tjera shqiptare.
Folklori
është kurora e bukur dhe e hijshme e festimeve të 100-vjetorit. Këtë fakt
treguan 100 flamurmbajtësit, kalorësit kosovarë, që me kavalerinë e tyre u
prinin mbi 500 artistëve të zgjedhur popullorë, të cilët me këngët dhe vallet e
tyre tradicionale, prunë edhe zërin e ëmbël dhe dëshirën e zjarrtë të një
milion shqiptarëve, që mbushën një lumë krenar gëzimtarësh nga Sheshi i
Flamurit në sheshin “Pavarësia”, ardhur këtyre hënave të trojve të lashta, por
edhe të emigrantëve tanë nga të katër anët e Globit.
Në
ndjenjën e gëzimit dhe krenarisë, nuk dallohej kush qe artisti nga Gostivari a
Vlora, Shkupi a Gjirokastra, Kaçaniku a Labëria, Mitrovica a Saranda, Drenasi a
Mallakastra, Prizreni a Skrapari, Zhuri a Elbasani, Prishtina a Tuzi, Tropoja a
Çamëria, Mirdita a Kërçova, Ulqini a Gjakova, Peja a Myzeqeja... Jo thjesht në
kuptimin e antropologjisë kulturore, ata
ngjanin si një trup i vetëm e i gjallë
epiko-lirik i Pavarësisë. Në libër, autori na njeh se grupe me emër dhe
traditë, si “Lidhja e Prizrenit”, “Emin Duraku”, “Shote Galica”, “Gryka e
Kaçanikut”, “Ded Gjo Luli”, “Karshiaka”
“Ibe Palikuqi”, “Rexhep Mitrovica”, “Jahi Hasani” e të tjerë grupe të
njohur, që festuan e kënduan për katër ditë si bilbila e thëllëza, së bashku me
Ansamblin e Këngëve dhe Valleve
Popullore nga Tirana dhe Filarmoninë e Prishtinës. Ky festival fitoi vulën e
merituar të karakterit kombëtar.
Pra,
sipas librit, piketa tjetër e fortë, nga ku u ravijëzua vlera mbarëkombëtare e
këtij festivali ishte mbërritja paraqitja e denjë e Ansambleve sivëllezër të
Kosovës, shqiptarëve të Malit të Zi dhe të shqiptarëve të Maqedonisë (sot të
Maqedonisë së Veriut). Të gjithë artistët popullorë të kombit të shqipeve,
kujtuan mesazhin e thuprave të Skënderbeut me princat e tij dhe, me shpirt e
zë, tundën botën shqiptare ato ditë e net të flamurta nëntori, kur Shekulli i
Parë i Pavarësisë flamurëroi vlorërisht.
Falënderoj
autorin Gjokoli, se pa këtë libër, festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë nuk do
të ishin regjistruar në kujtesën e kohës dhe ajo jehonë e madhe nuk do të
kishte të nesërme. Jetë të gjatë dhe pena flori!