Kulturë
Frank Shkreli: 20 vjet më pare u nda nga kjo jetë Dom Prekë Ndrevashaj
E enjte, 21.11.2024, 07:59 PM
20-VJET MË PARË U NDA NGA KJO JETË DOM PREKË NDREVASHAJ
Nga
Frank Shkreli
Me 1 Tetor, 2004 ka ndërruar jetë Dom
Prekë Ndrevashaj, misionari dhe njëri prej udhëheqësve më të dalluar të
komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të mërgatës shqiptare anti-komuniste të pas
Luftës së dytë Botërore, në përgjithësi. Pas arratisjes në Itali, Dom Preka shërbeu si
misionar për komunitetin shqiptar i përhapur nepër kampet e refugjatëve në
Itali, duke ndihmuar shqiptarët e arratisur nga komunizmi, pa dallim feje a
krahine, të vendoseshin, eventualisht, në vendet perëndimore, kryesisht në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në
fillim të 1970-ave, ai vendoset në qytetin e Detroitit, ku edhe themeloi kishën
“Zoja Pajtore e Shqiptarëve”, famullinë e parë kishtare për shqiptarët katolikë
në atë qytet, kur shërbeu për disa dekada deri në daljen në pension. Përveç se
ka shërbyer si prift katolik në Evropë dhe në Amerikë, Dom Prekë Ndrevashaj
njihej edhe si njëri prej intelektualëve më të dalluar të kohës së tij në
mërgim. Si poet dhe përkthyes i talentuar, Dom Preka ka botuar revistën e
drejtuar prej tij në Detroit, “Rreze Shëlbuese” dhe ka bashkëpunuar me gazeta e
revista në emigracon, sidomos me revistën e njohur e prestigjoze, “Shëjzat”, të
drejtuar nga miku dhe bashkpuntori i tij i ngusht, shkrimtari e poeti i njohur
Ernest Koliqi.
Sipas disa burimeve, Dom Preka ka lenë
pas një numër dorëshkrimesh, novela dhe përkthimesh fetare. Njëri prej bashkpuntorëve
dhe bashkohas i Dom Prekës, studiuesi dhe gjuhëtari Karl Gurakuqi --Frank Shkreli: Karl Gurakuqi,
mjeshtër i shqipes, mik dhe bashkpuntor i Avni Rustemit | Gazeta Telegraf -- ka shkruar se At Prekë Ndrevashaj, si bir malesh që
ishte, në shkrimet e tija, përdorte fjalë të rralla, që janë thjesht shqipe –
gjuhën e pastër të maleve tona. Atje ku
“zakonet janë ruejt të paprekuna e gjuha ashtë mbajtun e dlirë’, ndërsa
Gurakuqi porosit lexuesit që t’a rilexojnë Dom Prekë Ndrevashajn, sepse do të
“vërejnë se sa bukur tingëllon shqipja kur e përdor nji pendë e mësueme”, si
Prekë Ndrevashaj.
Dom Preka ishte pra një figurë e
njohur, shumë-dimensionale, atdhetar i fortë, poet e shkrimtar, bashkpunues me
të gjithë, pa dallim feje a krahine, për të mirën e komunitetit tonë në mërgim,
klerik i dalluar i Kishës Katolike shqiptare, megjithse me veprimtari fetare e
patriotike jasht Atdheut.
Por për fat të tij ai jetoi për të parë,
më në fund, shembjen e komunizmit në Shqipëri, kur ai dhe të tjerë si ai të
brezit të tij, kundërshtarë të komunizmit sllavo-aziatik, që ishin të ndaluar
të vizitonin vendin e tyre, si kundërshtarë të regjimit komunist
sllavo-aziatik. Më në fund, Atdheu i tyre i pranoi të këtheheshin dhe të
shmalleshin pas një mungese prej pothuaj gjysëm shekulli në mërgim. Dom Prekë
Ndrevashaj, pas shembjes së komunizmit në Shqipëri, vizitoi shpesh herë
vendlindjen, ku sikur të ishte e shkruar -- të vdiste në vendin e vet – për të
pushuar përgjithmonë në paqe në tokën arbërore. Dom Prekë Ndrevashaj ndërroi jetë në Shkodër
me 1 tetor, 2004: Kleriku shqiptar misionar dhe patriot i zjarrtë i Kombit,
Prekë Ndrevashaj, bir i familjes së Sokol Ndrevashaj të Shoshit të Dukagjinit,
e njohur, në ato anë, për urtësi e trimëri.
Është pra, pikërisht kjo datë që shënon
20-vjetorin e kalimit në amshim të Dom Prekë Ndrevashajt – një ngjarje që
famullia e tij, kisha e parë katolike, që ai themeloi dhe udhëhoqi, për disa
dekada --“Zoja Pajtore e Shqiptarëve”, ka vendosur ta kujtojë në nder të tij.
Po e shënoj, paraprakisht, lajmin se Komuniteti
i madh katolik shqiptaro-amerikan në Detroit të Shteteve të Bashkuara, tani nën
drejtimin e të nderuarit Dom Dino Çekrezi dhe Komisioni për Shënimin e
20-vjetorit të nderuarit Prenk Ndrevashaj”, kanë vendosur të kujtojnë jetën dhe
veprën e këtij burri të madh të Kombit me ceremonitë fetare të rastit dhe me një
seminar përkujtimor, titulluar: “Jeta, Vepra dhe Trashëgimia e Dom Prekë
Ndrevashaj”, më 8 Dhjetor,
2024. Sipas organizuesve të këtij
përkujtimi solemn, përfshir meshën ceremoniale të “Rekuiem-it”, seminariu në
nder të këtij burri të madh të shqiptarizmës, do të mbahet në Qendrën Kulturore,
“Shën Nënë Tereza”, të kishës “Zoja Pajtore e Shqiptarëve”. Programi përmban
një numër folësish të dalluar të komunitetit shquotaro-amerikan dhe më gjerë, të
cilët e kanë njohur mirë dhe kanë bashkpunuar me Dom Prekën gjatë viteve e
dekadave, por edhe personalitete të tjera që, në një mënyrë ose një tjetër,
kanë pasur fatin ta njohin atë sa ishte gjallë, do të sjelelin kujtimet e tyre
mbi këtë figurë të dalluar të mërgatës anti-komuniste shqiptare.
Në njoftim-ftesën, të përhapur me këtë
rast, organizuesit e këtij seminari dhe të ceremonive fetare kushtuar Dom
Prekës thuhet se, “ky përkujtim është mënyra jonë modeste, por më e sinqertë,
për të lavdëruar Zotin dhe për të përjetësuar kujtimin dhe trashëgiminë e të
paharruarit Primus -- të parit ndër të parët -- Prekë Ndrevashaj…me Zotin, që
pa dyshim, e donte dhe e çmonte, thellësisht, duke ju përkushtuar, plotësisht, Atdheut
dhe shqiptarëve anembanë botës”.
Ftohen të gjithë shqiptarët,
përzemërsisht, dhe pa dallime fetare a krahinore, që të marrin pjesë, të
nderojnë dhe të vlerësojnë trashëgiminë dhe jetën e jashtëzakonshme misionare
dhe atdhetare të nderuarit Dom Prekë Ndrevashaj. Të këtij misionari katolik,
por i dashur nga të gjithë pa dallim, një promovuesi dhe mbrojtsi heroik dhe i
palodhur i lirisë fetare, antikomunist, në kohën e veprimtarisë së regjimit më
brutal të historisë shqiptare. Diktatura e regjimit komunist të Enver Hoxhës
ishte nga më mizoret, më të rëndat, më të urryerat dhe më çnjerëzoret, sidomos,
kundër klerit katolik, në veçanti, por edhe klerit mysliman e ordodoks shqiptar.
Këto akte të turpshme ndaj kundërshtarëve, ishin edhe kundër vëllezërve dhe
motrave liridashës të çdo sfere të jetës dhe çdo përkatësie fetare, anë e mbanë
trojeve shqiptare, në përgjithësi, thuhet në ftesën drejtuar shqiptarëve të
Amerikës dhe më gjërë, për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore më 8
dhjetor, 2024, në 20-vjetorin e kalimit në amshim të Dom Prekë Ndrevashaj.
Organizatorët e këtij përkujtimi të
denjë për të nderuar Dom Prekë Ndrevashaj ftojnë shqiptarët e Detroit por edhe
më gjerë që të marrin pjesë në këtë kujtim – duke premtuar “bukë, krypë e zemër
të bardhë”: me falënderime drejtuar Zotit për dhuratën tejet të çmuar të jetës
misionare dhe trashëgimisë së Dom Prekë Ndrevashaj, themeluesit të pavdekshëm
të kishës dhe komunitetit të parë katolik shqiptaro-amerikan, në shtetin
Michigan. Me uratën që në këtë 20-vjetor të kalimit të tij në amshim, Zoti t’ia
shpërblejë veprat e tija me jetë të pasosur, por edhe me uratën që Perendia të bekojë
dhe të mbrojë gjithmonë Shqipërinë, Kombin shqiptar dhe atdheun tonë të dytë,
Amerikën tonë të dashur. Në kujtim të
Dom Prekë Ndrevashaj, mbrojtësit dhe strehuesit të shumë refugjatëve shqiptarë
në Shtetet e Bashkuara, në Kanada, në Evropë e Australi, në një periudhë të
vështirë të historisë kombëtare, kur me mijëra shqiptarë të arratisur nga
komunizmi – si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova -- kishin mbetur rrugëve të
botës, të humbur dhe të padëshiruar, të pa shtet për t’i mbrojtur, pa drejtim
dhe pa shpresë për të ardhmen.
Shpresa e të gjithë neve, në atë kohë, ishte
tek Dom Prekë Ndrevashaj. Shpresa dhe
bindja jonë se ky burrë i Dukagjinit do të gjente zgjidhjen dhe do hapte rrugën
për të gjithë ne -- për një numër dërmues të shqiptarëve refugjatë anti-komunistë
-- rrugën e shpëtimit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshir edhe
qytetin industrial të Detroit, një komunitet i fortë shqiptaro-amerikan --
politikisht dhe ekonomikisht -- të cilit i ka shërbyer Dom Prekë Ndrevashaj për
shumë vite, me përkushtim e dashuri vëllazërore shqiptare, pa dallim feje as
krahine.
Qëllimi, pra i këtij shënimi pararprak
në lidhje me përkujtimin e 20-vjetorit (8 Dhjetor, 2024) të shkuarjes në amshim
të Dom Prekë Ndrevashajt është që të lajmërohet komuniteti shqiptaro-amerikan,
por jo vetëm, se në atë ditë, “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” në Southfield të
shtetit Michigan, themeluar dhe drejtuar nga Dom Prekë Ndrevashaj dhe
komuniteti më i gjërë shqiptaro-amerikan në Detroit me rrethe do të kujtojnë jetën
dhe veprën e Dom Prekë Ndrevashaj -- misionarit dhe kapelanit të njohur e të
dashur për të gjithë shqiptarët pa dallim feje a krahine.
Kisha “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” në
Southfield të shtetit Michigan, themeluar dhe drejtuar nga Dom Prekë
Ndrevashaj.
Dom Prekë Ndrevashaj me Nenë Terezen në Kishën Zoja Pajtore Shqiptarëve