Kulturë
Ndue Dedaj: Autoportret me metaforën e kroit të vendlindjes
E diele, 24.11.2024, 06:33 PM
AUTOPORTRET ME METAFORËN E KROIT TË VENDLINDJES
Rreth
librit poetik “Kroi i Luçes” të Sami Milloshit
NGA
NDUE DEDAJ
Sami
Milloshi është poet, prozator dhe piktor. Publicist e gazetar i njohur që nga
vitet ‘70. Ai ka shkruar poezi e botuar vëllime poetike prej afro katër
dhjetëvjeçarësh, ndërsa njëzet vitet e fundit është shfaqur dukshëm si
tregimtar, por pa e lënë mënjanë poezinë. Kur mund të pritej autoportreti i tij
prej piktori, vëllimi poetik “Kroi i Luçes” (2024) hapet me poezinë
“Autoportret me bojna vaji”, ku ravijëzohet autoportreti i tij prej poeti, ashtu
siç një “autoportret” tjetër i tij është ai i tregimtarit të sprovuar të
groteskut, ku thuajse të gjitha fabulat janë amerikane.
Milloshi
është autor i njëmendët, që afirmohet përmes fjalës së tij poetike, asaj
tregimtare dhe penelit me dritën e ngjyrës dhe ngjyrën e dritës, duke qenë
vetvejtja në secilën zeje artistike, kësisoj ai nuk përdor asnjë artific për të
dëshmuar shkëlqim të rremë, pasi: “Unë i jam tutë lavdisë së rreme, / jet' e
mot...” Kjo është kredoja e krijuesve të vërtetë, ndryshe nga turraqiti i
grafomanëve, me gjoksin gropë.
Shkrimtari
rron prej më se dy dekadash në Amerikë, nga ku ka publikuar një varg tregimesh
të shkurtëra tepër të veçanta, si gravura në një reliev komik, dëshmi e një
stili autorial të konsoliduar. Ndërsa poezia e tij nuk mund të zërë fill askund
tjetër, veçse në vendlindje, nga kulla shpirtërore e Macukullit, çka shihet dhe
në peizazhin në kopertinë dhe nga Kroit i Luçes në bjeshkë, që bëhet lajtmotiv
i poezisë së tij thellësisht të ndjerë e origjinale, në çdo fjalë e varg:
“Kroi i Luçes
asht larg,
rrazë malit t'Dejës,
sa nji shpresë e
pakthyeme...”
Kroi
është gjithëherë një pasqyrë për të dashtunit e poetit, vendlindjen, botën e
saj të pandërruar që e mbart mbi shpinë ngamot kudo vete. Edhe pse larg, ai
është prapë aty, me një ndjeshmëri të pazakontë, në bisedë me njerëzit e tij të
“lisit” të jetës së shkuar e të pashkruar, me të cilët flet si një bir:
“N'e paçi nji kujtim
t'vyshëm prej meje,
shkoni e mbilleni
nji lis për mue
n'fund t'livadhit
ku m'u përgjakën gjunjët
n'fmini...”
Aq
e ngrohtë, njerëzore dhe e përshpirtshme në këtë antologji me filigram
vendlindjeje është poezia “Me dashtë”, me një kumt sa të sinqertë, aq dhe
befasues:
“baba m'tha
se me dashtë
domethanë:
nji njeri qi t'përcjell
dhe nji tjetër qi
t'pret...”
Vëllezërit,
paçka largësisë hapsinore të kontinenteve dhe oqeaneve, rrojnë një frymë, një
botë, një përjetim:
“Na kap e qeshuna
të dyve,
atë atje ku len Dielli,
e mue n'skajin tjetër
ku perndon...”
Poezia
“Baba jem çoi të parën makinë në katund” sikur ka nisur të shkruhet që në vitet
‘50 – ‘60 të shekullit të kaluar dhe nuk ka përfunduar ende, pasi rruga ka
mbetur po ajo, e pa asfaltuar, si përgjithësisht peizazhi rural shqiptar:
“Por, deri tash,
Unë jam turpnue
me ty babë,
s'mujta me e ba rrugën,
veç dashtë i madhi Zot,
t'mos turpnohen
as nipat e tu,
e ta bajnë nji rrugë,
qi ti t'çohesh prej
vorri,
t'çmallesh rrazë malit
t'Dejës,
tue freskue ballin
me ujë t'ftoftë
te Kroi i Luçes...”
Poezia
“Unë kam me u kthye” është ndër lirikat më të bukura jo vetëm të autorit, ku
shkrihen në një: malli, kulla, dialekti, kujtesa e largët, mitika e maleve, të
njohurit dhe kthimi atje:
“Njat dekik,
kur ta muloj çatinë e
kullës
me rrasa t'reja,
ka me dek
Përbindshi i katundit,
ai qi na pat ba mxhi,
me e lanë katundin,
e me gjet parajsën
n'planetin e
Askundit...”
Planeti
i Askundit është një metaforë e spikatur e autorit, që e hasim dhe te poezia
“Lufta asht nji fmi jetim”:
“Lufta nuk asht
As e Tretë,
as Botnore,
lufta asht nji
Fmi jetim,
qi e merr Maska për dore
n'nji qytet prej hini
n' planetin e
Askundit...”
Po
ashtu “Liria” është një tjetër lirikë e pazakontë, që të kujton sa baladat e
eposit shqiptar me flijime, aq dhe sagat e modernitetit të një tjetër mundimi e
përjetimi të njeriut të njeriut të sotëm:
“Kujtova se e gjeta
Lirinë
ma n'fund,
po tash n'thinjninë time
e mora vesh
qi paskem gabue,
si nji fmi
q'e humb rrugën në
pyll”.
Poezia
mjeshtërore “Ngjitja e mbretit në skenë”, që fshikullon qendrimet autokratike
të pushteteve ndaj skenës dhe artit, duket se nis që nga antikiteti e vjen deri
në ditët e sotme, me një buçitje mahnitëse:
“Thonjtë e paprerë të
mbretit
ma gërryen kafkën e
kujtesës
dhe ma nxorrën gjumin...
ma përgjakën kafkën,
por auditori mbeti aty
si një fëmjë
që pi qumësht në gjinjtë
e Rozafës...”
Poezia
kushtuar Van Gogut është një himn i një natyre të veçantë për piktorin, që don
ta lërë shpirtin në degët e pemëve, edhe kur mos të jetë:
“Nuk ban me ikë
prej ksaj bote,
iu betue vetes,
pa i lanë do copa
t'shpirtit
me u valvitë n'ajër,
si balona t'shpresës...”
Apo
poezia tjetër emocionuese “Akuarel i rrugës”, që e shenjon njerëzoren si diçka
hyjnore:
“M'u desh
me t'mbajtë kaliqafë,
por prap se prap,
rruga m'u ba
sa nji pëllambë e
shkurtën
veç pse e pjestova
vetminë
me ty”.
Poezia
“Marrveshje me detin” mbart një lirizëm të thellë, të bukur, të një rebelimi të
heshtur:
“Qetësohu o det për pak
dekika,
Merr nji sy gjumë, je
lodhun shumë,
Të lutem më le ta mbaroj
portretin,
Mandej, në daç shkërmoqe
me zhurmë”.
Pasi
ke mbyllur fletën e fundit të librit, kujtohesh se nuk ke shënuar asgjë për aq
e aq poezi të arrira, si: “Andrrat e pashkrumbueme”, “Monologu i babës mas
luftes”, “Zana ime”, “Kur digjej Roma”, “Lumtunia”, “Koha”, “Gjuha e nanës”,
“Miss Vorreza”, një perlë poetike e rrallë etj. Libri, edhe pse jo i
vëllimshëm, mbart shumë motive me interes për t’u komentuar, por ne u
përqendruam kryesisht te metafora e kroit, ku poeti ka shpirtin dhe do të lërë
atje dhe testamentin e tij, lulet:
“Tash m'ka metë,
veç me u kthye n'fmini,
e me mledhë
lulet qi s'mujta
me mbledhë dikur,
me i lanë si testament
te Kroi i Luçes...”
Poezia
e Sami Milloshit, që tingëllon si një harpë në çdo notë, çdo ide dhe figurë
është një kumbim intelektual, që nuk idealizon asgjë, as dhe “tokën e
premtuar”, përveç njeriut që e fisnikëron poetikisht, por dhe e fshikullon për
veset që mbart. Ajo që e bën të veçantë këtë poezi është mënyra e sëndërtimit
të saj, si optikë, si përqasje, si thënie. Herë me gjuhën e përkryer të bardit
autentik të lartësive të Dejës, ku u shkrua Formula e Pagëzimit, herë atë të
një poeti modern që e ka përjetuar botën perëndimore amerikane dhe rrokur
përmes vargut dhe penelit.
Libri
“Kroi i Luçes” përmbyllet me një tufë poezish të poetit të përkthyera nga
shqipja në anglisht.