Kulturë
Adil Fetahu: Fjala emocionuese e Filip Shirokës në 8-vjetorin e Pavarësisë
E merkure, 27.11.2024, 06:54 PM
Dokumente
FJALA
EMOCIONUESE E FILIP SHIROKËS NË 8-VJETORIN E PAVARËSISË
Përgatiti
Adil Fetahu
Shfaqjen
e Shqiptarëve në Misir (Egjypt), deri vonë historia jonë e ka lidhur me kohën e
sundimit të shqiptarit Mehmet Ali Pasha në atë vend, nën sovranitetin e
Perandorisë Osmane. Por, akademiku sirian me prejardhje shqiptare, Muhamet
Mufak Arnauti, në librin e tij ‘’Nga historia e Shqiptarëve të Egjiptit
gjatë shekujve XV-XX’’, zbret në kohë shumë më të hershme të shfaqjes së
shqiptarëve atje si ushtarakë e sundimtarë, duke nisur nga viti 1461, kur
shtetin Mamluk, i cili përfshinte Egjiptin, Levantin dhe Hixhazin, e sunduan
sulltanë me prejardhje shqiptare/arnaute Hashkaden dhe Demir Buga. Autori Mufak
përmend një Ajas Pasha-n, i lindur në Vlorë, i cili në vitin 1571, si ushtarak
mori pjesë në përmbysjen e shtetit Mamluk dhe vendosjen e Egjyptit nën
pushtetin osman. Ky Ajas Pasha më vonë u emërua Vali në Egjypt. Pas tij kanë qenë edhe pesë (5) ‘’arnautë’’ tjerë vali të
Egjyptit: Sulejman Pasha, Muhamet Pashë
Dukagjini, Sinan Pasha i Topojanit, Murat Husein Pasha Arnauti dhe Ahmed Pashë
Arnauti.
Më
të shumtët shqiptarët kanë shkuar në Egjypt, Siri e Irak, si ushtarë, tregtarë
apo emigrantë ekonomik, e më vonë edhe
emigrantë politik, të cilët në ndërkohë, në bazë të meritave kanë zënë pozita
të larta, sikurse është rasti me Mehmet Ali Pashën, dinastia e të cilit sundoi
Egjiptin plot 147 vjet.
Por,
për këta pashallarë, komandanta të ushtrive e sadrazema me prejardhje
shqiptare, nuk kemi përse të krenohemi, sepse ata nuk bënë asnjë të mirë për
shqiptarët dhe Shqipërinë. Përkundrazi, falë atyre, një masë e madhe e
shqiptarëve, qoftë si ushtarë të Perandorisë, qoftë si mercenarë, i lanë
eshtrat nëpër frontet e luftës në Azi e në Afrikë dhe gjaku i tyre shkoi ‘’për
lesh’’.
Ne
duhet të krenohemi me ata shqiptarë, sidomos të Rilindjes Kombëtare Shqiptare,
të cilët në emigracion formuan klube e shoqata shqiptare, botuan gazeta e
libra, kultivuan gjuhën e zakonet dhe ndihmuan atdheun e tyre, kudo që ishin:
Në Stamboll, në Sofje, në Bukuresht, në Kairo, Aleksandri e kudo gjetkë. Ata u
munduan, sakrifikuan e dhanë gjithçka nga vetja për të mirën e atdheut dhe të
popullit shqiptarë. Edhepse larg atdheut, ata jetuan me atdheun e për atdheun.
Ndër kategorinë e atdhetarëve që punuan e jetuan për atdheun, ishin dhe
rilindasit dhe aktivistët tjerë të klubeve e shoqërive shqiptare në Egjypt. Dhe
ja një shembëll, se me çfarë enthusiazmi, gëzimi, dashamirësie dhe emocionesh ata kremtonin në Egjypt (1920), 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar dhe
Ditën e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, kremtim i organizuar nga Shoqëria
‘’Vëllazëria Shqiptare’’:
***
Zonja
e Zotërinj,
Sikurse
në këtë ditë, në mes të brohorisë të një popullit të gëzuar, sot tetë vjet
Ismail Qemal Beu leçiti atje në Vlorë lirinë e plotë të Shqipëtarëve dhe ngriti
Flamurin e bukur të Shqipërisë, sot ndër ato male dhe ndër ato fusha me gëzim
të math kremtohet kjo ditë e bardhë, dhe i madh e i vogël, nën hie të lartë të
Qeverisë Shqipëtare, dhe nën hie të uruar të Flamurit t’onë gëzon nj’atë qetësi
të plotë, që po rrëfen udhën e bukur të qytetërimit dhe po premton, lindur nga
larg nga ai popull i uruar që këndon e brohorit në kët ditë të bardhë, sot,
neve Shqipëtarët e Misirit, mbledhur në Qark të Vëllazërisë s’onë po bashkohemi
me vëllezërit t’Atdheut dhe po kremtoim këtu lirinë të Shqipërisë, kët Lirië
që prindia t’onë e kanë dëshiruar por
nuk kanë pasur fatin e mirë me e parë me sy të tyre.
Kjo
ditë, o vëllezër, është një ditë e madhe për ne e për mua, kjo ditë është m’e
bukura ditë e jetës sime, m’e mira ditë e pleqërisë time, se sot, në kët ditë
unë pata fatin e mirë me u mbledhur të tërë bashkë, për me kremtue për të parën
e herës vëllezërisht lirinë e plotë të Shqipërisë s’onë.
Zonja
dhe Zotërinj! Për ne që rroim në dhe të huaj kjo ditë vëllezërie është, mund të
them, një Shqipëri e vogël e jona, sepse në kët vëllezërie jemi të tërë nji kombit,
jemi të tërë nji gjakut, jemi të tërë vëllezër, jemi të tërë Shqipëtarë.
Unë
u plaka, o vëllezër, por ju edhe mbas mejet mbanjë burrërisht këtë Vëllezëri se
kjo është shtylla e bashkimit; duanie shoqi-shoqnë, se dashuria është fron i
lirisë. Ata të pavdekurit vëllezërit t’onë, ata burra të pikatun që në
fushat t’ushtrisë kanë derdhur
trimërisht gjakun e tyre për me themelue këtë Liri të shenjtëruar. Ata na thonë
se Toskë e Gegë, Muslimanë dhe të Krishterë janë vëllezër, dhe të tërë, me një
zë të rreptë n’a thonë: mallkue qoftë ai që sjell çarien në mesit të llauzit, ai
që sjell ndarjen në mes të kombit!
U
nuk besoj, o vëllezër, se në mes të Shqiptarëve që rroin në Misir, ka ndonjë
njeri aq të poshtër që të dojë prishjen e kësaj Vëllezërie dhe të orvatet për
çarien e saj, por edhe në qoftë se për fat të zi gjendet ndonjë që me fjalë, me
fletore a me t’tjera mënyra të poshtërme mundohet me hupur kët vëllezëri, duke
fëlliqur nderën e miseve të saj, u lutem mos u zemroni, se nderi i njeriut të
drejtë doemos del në shesh.
Shikoni,
u lutem, mbretërinë e natyrës: pranë barit të mirë që shëron, del edhe bari i
keq që prishë shëndetin; pranë luleve që me erën e kandshme të tyre knaqin, del
edhe ajo që qelbet; dhe ndër ata pyllët ku këndoin bylbylat, vajton edhe qyqja;
por sikurse nj’ai bar i keq nuk ndalon frytin shëronjës të barit të mirë, dhe
sikundër se vaji i qyqes nuk prish këngën e bylbylave, lëri qyqet të vajtojnë
dhe leri bylbylat të këndoin; lere të keqen të flasi keq dhe lere Vëllazërinë
t’a bëinë detyrën e mbarë të sajën; kombëtarët e vërtetë nuk topiten kurrë nga
fjala e të keqit!
Vëllezër!
Kët ditë të uruar kam nderin me u hapur kët Qarkun Shqiptar. Në qoftë se kjo
Vëllezëri është si që thaçë një Shqipëri e vogël e jona, ky Qark është Vatra e
ynë, vatra e juaj; këtu përpiqeni me fshatarët t’uaj, këtu shiheni me
vëllezërit tuaj, këtu flitni gjuhën t’uaj, nj’atë gjuhë të ëmbël që keni mësuar
në prehen të mëmave t’uaja.
Ky
Qark pra u bashkon, ky Qarku u vëllezëron, ky Qark u çasë me i vjeftun njani
tjatrit, ky Qark është vatra e Shqiptarëve.
U
falëm nderës, o Zonja, u falëm nderës o Zotërinj, që me gaz jeni përgjigjur
grishimit t’im dhe keni urdhëruar këtu për me kremtue këtë ditë të uruar; thoni
pra, u lutem, thoni bashkë me mue:
Rroftë
Shqipëria e lirë!
Rroftë
e larta Qeveria Shqipëtare!
Rroftë
e qoftë Sulejman Bej Delvina!
***
Ishte
kjo fjala e rilindasit tonë të njohur, Filip Shiroka, e mbajtur në tubimin e
shqiptarëve në Egjypt, më 28 nëntor
1920, për të kremtuar 8-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Tubimin e kishte organizuar
Shoqëria ‘’Vëllazëria Shqiptare’’, kryetar i së cilës, në atë kohë,
ishte Filip Shiroka.
Atmosferën
e atij kremtimi e kishte përshkruar bukur Jani Vruho në një letër që ia kishte
dërguar librarit të njohur Ibrahim Shytit në Vlorë, ndërsa ky i fundit atë
letër ia kishte dërguar (më 17 dhjetor
1920) Don Mark Vasës, për ta botuar në gazetën ‘’Mbrojtja Kombëtare’’.
Në
vazhdim, po e reprodukojmë edhe Letrën e
Jani Vruhos, dërguar Ibrahim Shytit:
Në Misir
Dita e së 28 Nëntor
Këjo
e bekuar ditë sivjet më 1920, qe një ditë e pa parë sy Shqiptari as kurrë ndo
një herë që kur se ka gatuar i Nalti këtë botë. Sot në këtë ditë Kllubi
Shqiptar, në kryeqytetin t’Egjyptës, ngrijti Flamurin madhështor, shenjën
trimnore të Skender Beut, për të parën herë! Kllubi pat grishur të gjithë
Shqiptarët, pat organizuar çdo q’i duhej një së kremteje të këtillë ashtu siç i
ka hije shqiptarit. Njerëzit kujdesës patën marrur masat e duhura për mos me u
bërë ndo nj’e pa ngjarë.
Ora
katër qe shënuar të mblidheshim, pas dreke. Buçitën Shqiptarët, Zotërinj e
Zonja, djem e vajza me një rregull të pa shembëll, me nj’urtësi e pa
tregueshme. Pleqësia e Vëllazëries me Kryetarin e tyre Zotin F.Shirokën ndë
ballë, përpiqeshin me sa u mundësh t’i kënaqnin popullin, të mos mbetesh as një
pa kënaqur. Djem, vajza, të mëdhenj e të vegjël, prisnin me padurim të hapurit
e Mbledhjes.
N’ora
pes’ e gjysmë Pleqësia e Vëllazëries zunë vendin e përgatitun dhe Zoti Kryetar
hapi Mbledhjen me një fjalë të bukur e të këndshme, ku në një formëzim të fort
pëlqyeshëm përshkroi të kremten istorike të Rilindjes Kombëtare si dhe çeljen e
qarkut të Shqipëtarëve. Kjo ditë kurrë nuk qe parë ndë Shqipëtarët t’Egjyptës.
Prandaj, të mëdhenj e të vegjël e pritnë me një duartrokitje të fortë dhe i
dhanë falënderjet e përzemërta Zotit F.Shiroka, të cilat me të vërtetë i
meritojën.
Po
që të jemi të drejtë përpara Perëndisë e njerëzisë, të mos harrojmë edhe yllin
e popullsisë s’anë të çkëlqyerin zotin Andon Çakon, i cili kamës, i dijtur, i
çquar në Qarke të larta këtu n’Egjypt, shkon kohën e rron ndë më të hijëshmin e
të shëndetshmin vend këtu në Kajro, po megjithatë këto të mira nuk e nginj gjë ,përveç
të gjendet e të ndodhet ndë mes të Shqipëtarëvet! Të këtillë njeri popullor si
Zotërin’ e ti un gjer më sot nukë kam parë n’aristokratët t’anë. Qarkun
Shqiptar, nga ky zoteni e kemi më shumë, se ndryshe do të mos e kishim.
Lusim
Zotin e Shqipërisë, t’i falnjë shëndetin, t’i mbaroj ç’i dëshiron zemta Zotit
Çako dhe t’i japnë jetë të gjatë, të bënjë të këtilla e ca më të mira ndër
Shqipëri, për të cilën i digjet zemra e kurrë s’e lëshon n’gojet. Lum kush bën
detyrën e ti!
Shkurtër,
gra e burra, të mëdhenj e të vegjë u suallën aqë fisnikërisht sa s’tregohet. Të
huajtë lanë mendtë me të këtilla sjellje sa edhe ca kontrështarë të huaj u çuditn’
e u shtrënguan të përunjen e t’u qitnin shapkën zakoneve të Shqipëtarëvet. Nuk
ua priste mendja e s’e besonin të çkëlqentej me atë mënyrë e kremtja Kombëtare
jona.
Rrofshin
e qofshin të gjithë ata q’u ndodhnë e kremtuan vëllezërisht, dhe Zoti u dhëntë
mënt e ja marrtë atyre që nuk pranuan të vinin të nderonin të kremten e tyre
për gjëra t’unjëta e të dobëta.
Rroftë
Shqipëria!
Rroftë
Flamuri i Kombit!
J.P.Vruho
(Nga: ‘’Epistolari i
Ibarahim Shytit në Vlorë’’, zgjodhi e përgatiti për ju: A.F.)