Kulturë
Beti Njuma: “Zogjtë e qyqes", saga e kolonizimit dhe e hegjemonisë serbe në Kosovë
E hene, 25.11.2024, 06:53 PM
“Zogjtë e qyqes", saga e kolonizimit dhe e hegjemonisë serbe në Kosovë
"Zogjtë
e qyqes” i shkrimtarit Gani Mehmetaj, që me mjeshtërinë e rrëfimit, artin e
evokimit dhe shijen e ndjenjës përshkruan sagën thuajse 45 vjeçare të
kolonizimit dhe hegjemonisë serbe në Kosovë, përmes ndryshimit radikal të
strukturës etnike të popullsisë me dhunë.
Nga
Beti Njuma
Nën
mjegullën e një pasditeje fundvjeshte, në stacionin cyt me njerëz, fishkëllima
e një lokomotive njofton nisjen, teksa qyteti K zhduket dhe duart përshëndetëse
që zgjaten nga platforma, do t’i ndjekin gjatë të larguarit nëpër ëndrra. Treni
zien nga ethet e familjeve kolone që janë nisur drejt tokave në Fushë Kosovë. E
panjohura i frikëson dhe tundon. Në sy u shihet varfëria por edhe babëzia për
tokat e reja. Lufta e Dytë Botërore ka përfunduar dhe Jugosllavia është tashmë
një federatë e përbërë prej gjashtë republikash dhe dy krahina autonome, Kosova
e Vojvodina. Pasi shpalli në 16 mars 1945 “Dekretin e përkohshëm” që ndalonte
kthimin e kolonëve sllavë në tokat e tyre në Kosovë, Tito ndryshoi krejtësisht
mendje dy javë më pas, duke vendosur që të gjithë kolonët të ktheheshin.
Pikërisht këtu merr udhë historia e romanit “Zogjtë e qyqes” i shkrimtarit Gani
Mehmetaj, që me mjeshtërinë e rrëfimit, artin e evokimit dhe shijen e ndjenjës
përshkruan sagën thuajse 45 vjeçare të kolonizimit dhe hegjemonisë serbe në
Kosovë, përmes ndryshimit radikal të strukturës etnike të popullsisë me dhunë.
Është kurba e marrëdhënieve të pamundura, e bashkëjetesës së përgjakshme mes
serbëve dhe shqiptarëve, e moskuptimit, e luftës, e urrejtjes mes tyre por edhe
e dashurisë së destinuar të ish fatkeqe. Kjo histori makthi dhe mbijetese vjen
përmes kësaj proze me një temë jo shumë të rrahur në letrat shqipe. Edhe pse e
trajtuar nga autorë si Rexhep Qosja, Ramiz Kelmendi apo Rexhep Hoti, ende
mbetet e panjohur ndër shumë lexues. Mehmetaj ka zgjedhur që rrëfimtari i
luftës që kurrë s’arriti të kthehet në paqe të jetë koloni serb, Dragani.
Përmes tij shpaloset fati i familjes serbe si vatra e ngjizjes së nacionalizmit
të verbër, të ushqyer nga politika dhe propaganda e pashoqe në Federatën
Jugosllave, deri në shpërbërjen e saj. Diskursi për Kosovën që rinovohet
periodikisht është çelësi për të kuptuar diktatin ideologjik dhe policor që
synonte asgjësimin e shqiptarëve. E nëse Noel Malkolm vëren se “vitet e Titos
kujtohen me një butësi të trëndafiltë, paçka se politika e tij ka nevojë për
një analizë të thellë”, këtë sintezë analitike e ka bërë në mënyrë të
letrarizuar shkrimtari Mehmetaj. Sepse për diktaturën titiste s’duhe të ketë më
asnjë keqkuptim!
Ngjarjet
e romanit nisin me shpërnguljen e valës së dytë të kolonëve drejt qytetit të
panjohur në tokën kosovare, mes “detit të shqiptarëve” ku lufta ka mbjellë
djegie, rrënim e hasmëri. Me premtimin për shtëpi dhe toka të reja, familjet e
qindra milicëve dhe nëpunësve të shtetit të ri vendosen në truallin e huaj që
gjithmonë e kanë lakmuar teksa e kaluara u rri pezull mbi krye. Hendeku që i
ndan, gjithashtu. “Kolonë të futur pykë në mesin e shqiptarëve. Kolonë të
ardhur me furi, të gatshëm të shkelin mbi këdo që u del përpara, të bindur se e
drejta e të fortit është në anën e tyre.”
Letërsia
ka depërtuar thellë aty ku politika s’ka shkuar dot kurrë, në zemër të dramës
së kosovarëve dhe serbëve të mbrujtur me urrejtje. Kjo vepër është autopsia e
dhunës ndaj shqiptarëve dhe pafuqishmëria e asaj pjese të papërfillshme serbe
për t’iu kundërvënë, për të mbajtur qëndrim e për të mos iu nënshtruar. Ky
është romani i fateve ballkanike, ku marrëdhëniet ndëretnike shndërrohen në
teatër të përgjakshëm. Sepse kombet e vogla, siç shkruan Azem Shkreli “hyjnë
dhe dalin nëpër dyert e tragjedive të mëdha”.
Në
këtë zonë të rrezikshme ka hyrë Gani Mehmetaj për të na kujtuar se “shqiptarët,
serbët dhe malazezët, asnjë luftë nuk i bashkoi. Lufta i ndante. Gjithnjë
rreshtoheshin në ushtri të ndryshme. Ushtritë që për njërin ishin çlirimtare,
për tjetrin ishin pushtuese. Kur plaste lufta, nisnin hakmarrjet, qëroheshin
hesapet, shpërthenin mëritë e vjetra, numëroheshin krimet, hapeshin varre të
reja. Gjuha krijonte mure, heronjtë i armiqësonin. Ai që ishte hero për njërin,
ishte vrasës për tjetrin.”
Me
sytë e një fëmije, të riu e mandej burri, heroi i këtij romani, Dragani kupton
të vërtetën e historisë që gjithmonë është manipuluar dhe se si kolonët
përdoren si instrumente të një politike shoviniste, gjenocidale; “shteti na
dërgoi si ushejza ?'ua thithnim energjinë e jetën vendësve, ndërsa thithëm
jetën tonë. Ne e vuanim dështimin tonë dhe dështimin e tyre, ndërkaq, atyre që
na dërguan nuk u bëhej vonë. Kolonët si puna e babës dhe e gjyshit tim, ishin
viktima të shtetit; me ndihmën tonë donin ta popullonin vendin, t'ia ndryshonin
konfiguracionin etnik. I përtypëm me dekada, por nuk i kapërdimë. I
përgjysmuam, por nuk i zhdukëm. I lamë as të gjallë, as të vdekur”.
Dhe
si një vrojtues i ngathët, pa pasur mundësi të ndikojë tek ngjarjet, Dragani
rreket të kapë urrejtjen por ajo i rrëshqet rrugicave të pluhurosura apo në
fushën e futbollit, e vetmja që i bashkon fëmijët e të gjitha etnive. E kur nuk
luajnë futboll, sekush jeton i mbyllur në geto, armik i betuar gjer në vdekje
me shqiptarët.
Kureshtja
për njerëzit jashtë kolonisë nuk e lë të qetë Draganin. Pse disa flisnin si ata
e të tjerët jo? Pse nuk e flisnin të gjithë një gjuhë?! Ndoshta do të
kuptoheshin më mirë, nuk do të ziheshin mes tyre dhe nuk do ta urrenin
njëri-tjetrin…
Romani
shpalos kësisoj dy botë të ndryshme, që i dallon gjithçka: gjuha, mentaliteti,
librat, muzika por mbi të gjitha, GJAKU.
Me
naivitetin e një fëmije Dragani nuk e di pse janë të ngatërruara marrëdhëniet e
të rriturve, çfarë është ky këtë mozaik etnish, hendeku mes tyre, ndarja në
“ne” dhe “ata”, në “shka” dhe “shiptar”, sekush mbështjellë në gëzhojën e vet.
Por
dora-dorës që piqet kupton se si “bashkëjeton” ky komunitet shumëngjyrësh i
ndarë në serbë, kroatë (apo ustashë), malazezë, bullgarë, boshnjakë, madje edhe
hebrenj e hungarezë, dhe në fund më të nëpërkëmburit e të gjithëve, ata që
historikisht i kanë quajtur “jevgj”. Ndaj këtyre të fundit të gjithë sillen me
përbuzje, madje edhe shqiptarët.
“Urrejtja
ishte ushqimi ynë shpirtëror. Urrejtja ngrihej e fashitej, varësisht kush i
frynte zjarrit dhe kujt i duhej. Urrejtja na gërryente si thartira lukthin, na
i përvëlonte rropullitë, na futej në gjak. Në këtë verbëri urrejtjeje të
heshtur, secili ishte i bindur se kishte të drejtë, të tjerët ishin gabim.
Shqiptari e urrente serbin dhe malazezin, dhe ishte i sigurt se ka të drejtë.
Serbi e urrente shqiptarin dhe boshnjakun, ndërsa malazezi i urrente të gjithë,
por ishte figurant i serbit. Boshnjakun nuk e donte as shqiptari, por nuk e
urrente; më dukej sikur kishin një hatërmbetje. Boshnjaku ndihej keq para
shqiptarit, një ndjenjë faji që i përshkonte këto marrëdhënie.”
Dhe
kjo ndarje përçohet brez pas brezi, pa u ndalur, nga të mëdhenjtë tek fëmijët:
“Ata na urrejnë, vetëm çastin presin, - dëgjon shpesh gjyshin Dragani, një ish
komandant serb që shqiptarët i ka ndjekur shkrepave. Kurrë nuk i shqitej nga
kujtesa rrëfimi i tij se si malësorët e vranë kapitenin polak edhe pse fjalët e
tij nuk përputhen asnjëherë me atë që ai përjeton. Secili nga kolonët e moçëm
ndjen detyrim të tregojë copëra nga e kaluara, si fqinjët Ratko e Radosh, apo
malazezi Jagosh. Ky i fundit kujton me lehtësi të habitshme luftimet kundër
malësorëve shqiptarë dhe trofetë e të vrarëve pasi u kanë marrë shpirtin:
“Trimëri quhej të sillje një strajcë me sy të nxjerrë nga kafkat e tyre, një
thes me koka të squllura nga gjaku, që i shkëputje nga stiva e të
vrarëve.”Dragani ende dëgjon kërcënimet e serbëve ndaj njëri-tjetrit: “Do të të
ther në fyt si të ishe shqiptar!”
Po
shqiptarët si e mësonin historinë? - pyet ndërgjegjja e fëmijës që diç ka nisur
të kuptojë. Sepse në librat e shkollës nuk flitet askund për masakrën e Bihorit
dhe të çetnikëve të Pavle Gjurishiqit, për aksionet e UDB-së për shartimet e
grave serbe me burrat shqiptarë, për vrasjet në kufi, për aventurat e ministrit
Rankoviq… Një kuti pandore që u qëndron kërcënueshëm mbi kokë.
Nëna
Jovanka, infermiere në gjinekologji mblidhet çdo mbrëmje me gratë e kolonëve ku
në llurbën e thashethemeve të Milevës dhe Zoricës, ka vend edhe për një brengë:
Gratë e shqiptarëve lindin shumë… dhe citon mjekun famëkeq Bulatoviq se
“lehonat shqiptare pjellin si dosat” ndaj aplikon ndaj tyre në fshehtësi
sterilizimin. Mjerisht nuk është një rast i veçuar. Çdo qytet ka Bulatoviqin e
vet që grave u heq mitrën e burrat i tredh gjatë torturave.
Me
gjuhë të bukur e të rrjedhshme, autori zbërthen shtresa e nënshtresa brenda një
areali me kaq shumë histori. Vërtetësia njerëzore prek çdo ind e depërton edhe
në botën e familjeve brenda kolonisë. Gra e fëmijë që presin në ankth t’u
kthehen nga puna bashkëshortët e baballarët, milicë të dhunshëm që shuajnë
kryengritjet e shqiptarëve. Ashtu si gjyshërit dikur. Historia përsëritet,
asnjëherë si farsë, gjithmonë si tragjedi. Ashtu si i ati i Draganit, duart e
të cilit janë lyer me gjak. Gjak “shiptari”.
“Kush
është babi im?” pyet shpesh veten teksa milici i heshtur Slobodan kthehet vonë
nga puna, me sy të enjtur e ndonjëherë me kapotë të përgjakur. Sepse “ata kurrë
nuk dorëzohen” siç i buçasin në vesh fjalët e milicit tjetër, fqinjit Zvonko. E
kur në 1966 Plaku Tito vendos se në vijën e Partisë janë bërë “gabime”, (kupto
të vrarë e të burgosur), dhe godet linjën e ashpër antishqiptare të Ministrit
Rankoviq, babai ashtu si Ledi Maktbeth, nis të përndiqet nga fantazmat e bie në
depresion. “Kemi bërë gjëra që mund të na ndëshkojnë”-pohon ai, por më shumë se
sa brejtja e ndërgjegjes e brengos ndëshkimi. Për torturat ndaj shqiptarëve
justifikohet se vetëm zbatonin urdhrat e eprorëve.
Kjo
botë që për të rriturit është bardhezi, shpaloset me tërë larushinë e saj tek
fëmijët. Jo vetëm fusha e futbollit por edhe një miqësi e ngrohtë e lidh
Draganin me bashkëmoshatarin Dukagjin, çka vë në pikëpyetje tërë narrativën
kundër shqiptarëve. Miku i flet për gjyshin që ia morën serbët dhe kurrë s’e
kthyen, ngjarje që i ndërmend se në tre brezni të shkuara asgjë s’ka ndryshuar.
Janë këto ballafaqime me një tjetër të vërtetë ato që vënë në dyshim kredon e
personazhit, perceptimin mbi realitetin dhe pikënisjen e metamorfozës,
sidoqoftë të pamjaftueshme. Dukagjini, jeta e të cilit ka një trajektore krejt
tjetër, shkrimtar, intelektual dhe atdhetar, vihet nën shënjestrën e UDB-së,
përballet me dhunën e pushtetit, duke të kujtuar Xhezairin tragjik tek “Vdekja më
vjen prej syve të tillë”. arrestohet e burgoset duke u shpërfaqur gjatë gjithë
shtrirjes së romanit si një alterego e heroit serb, antipodi i tij, ana tjetër
e medaljes ndonëse mbetet në hije dhe jo plotësisht i zhvilluar si personazh.
Nga
ana tjetër, edhe dashuria një ndjenjë e rrallë mes kolonëve, përflitet me
ligësi dhe përdhoset me egërsi kur i kalon kufijtë e komunitetit. Kësisoj
mbytet pa dalë kurrë në sipërfaqe ndjenja për shqiptaren e bukur Vjollca!
Dragani tregohet konformist, dashurohet me sllaven Neda, lidh jetën me
Petrinjën pa dalë kurrë nga zona e rehatisë. Krejt ndryshe nga motra e tij,
Jadranka që shkel kufirin e vënë dhe i kundërvihet paragjykimeve. Ajo martohet
me një shqiptar dhe ikën larg, aty ku nuk e arrin dot mendësia provinciale dhe
armiqësore për martesat e përziera. I njëjti mentalitet që shkatërron martesën
e Dukagjinit me serben e bukur Nada.
Vitet
kalojnë, komunizmi mbahet në këmbë me të njëjtin mekanizëm të egër propagande
si në Shqipëri, Tito vdes, diktatorë të rinj marrin pushtetin por martirizimi i
kosovarëve nuk ndalet. Dragani, tanimë baba i tre fëmijëve zhvendoset në
Beograd nga ku sheh si shkërmoqen para syve stereotipet me të cilat është
rritur ndërsa spiralja krimeve dhe zhgënjimeve nuk ka të sosur. Ai i vënë
përfund nga mungesa e kurajos dhe Serbia nga mungesa e civilizimit e mposhtur
nga sindroma e vetëviktimizimit.
Dy
shokët “humbasin” për shumë vite, kohë gjatë të cilës Dukagjini bie në burg dhe
i vrasin gruan dhe vajzën nga kjo martesë e dytë me një shqiptare. Por miqësia
e tyre nuk lëkundet as kur amoku serb përgjak rrugët, as kur shpërthejnë
demonstratat e fuqishme të 1989-ës më të
egra se të 1968 dhe 1981. Protestat e përgjakura studentore, greva e Trepçës,
djegia e shqiptarëve të ekzekutuar në shkritoret e metalit në Smederevë, të
shndërruara në krematorium si ato të holokaustit, vrasjet e rumunëve në kufi,
luftërat në Slloveni e Bosnje janë preludi i masakrave ndaj kosovarëve të
1999-ës, nisjes së një lufte të re e të mbrame dhe humbjes përfundimtare të
Kosovës!
Edhe
pse e ka braktisur geton e kolonëve, mallkimi i tyre e përndjek edhe në qytetin
e ri ku nis të punojë si inxhinier. I huaj në një qytet që s’e pranon. I vijnë
ndër mend fjalët e kolegut të babës, milicit Trajko: Na lanë si zogun e qyqes!
Kjo metaforë domethënëse që i jep titullin veprës i kujton Draganit qyqen që
hedh vezën në çerdhen e huaj. Zogu i saj ushqehet nga shpendi tjetër, por kur
forcohet i hedh nga foleja zogjtë e tjerë e në fund, shkatërron edhe folenë që
e ka strehuar e ushqyer. Siç kanë bërë edhe serbët me shqiptarët!
Mbyllet
kokulur jeta e Draganit me dhimbjen e pashërueshme për vdekjen e të birit në
front kundër shqiptarëve, në luftën e 1999-ës ndërsa vendi ushton nga
bombardimet e Nato-s, mbi Jugosllavi. Ai mbetet deri në fund një personazh
utopik me pyetjet që e pushtojnë si një vrasje e përjetshme e ndërgjegjes.
Teksa
televizori lajmëron se bashkësia ndërkombëtare ka hartuar një plan për kthimin
e kolonëve një dilemë mes shumë syresh e mundon: A do të ballafaqohen serbët me
pasojat e krimeve të tyre? E vërteta është se askush nuk kërkoi falje! Koha na
e dha përgjigjen dhe historia të drejtën!
Kam
treguar shumë për librin dhe kam lënë ende shumë pa ju rrëfyer, me shpresën se
ky shkrim do të jetë një joshje dhe ftesë për lexim. Të vërtetat asnjëherë nuk
duhet të harrohen. Ato para së gjithash, kanë nevojë të shkruhen. E ardhmja ka
nevojë të mbështetet mbi kujtesën!