Kulturë
Fran Gjoka: Respekt dhe dashuri të vazhdueshme për gjuhën shqipe, për brezin e sotëm dhe brezat që vijnë
E marte, 26.11.2024, 06:58 PM
Respekt dhe dashuri të vazhdueshme për gjuhën shqipe, për brezin e sotëm dhe brezat që vijnë
“Erdhi
më në fund edhe për gjuhën shqipe koha e lulëzimit, kohë plot shpresë! Në të
katër anët, një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe, plot me dëshirë,
trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes”.
- Faik Konica
Nga
Fran GJOKA
Gjuha përbën elementin (komponentin) kryesor të kulturës
në planin sociologjik. Në këtë kuptim eleminimi i gjuhës çon në eleminimin e
një kombi. Aq më tepër kjo përbën rrezik për popujt e vegjël që historia për
arsye ekonomike politike e sociale i ka shpërndarë anë e kënd botës. Nuk bën
përjashtim në këtë mes as Shqipëria pushtimi i vazhdueshëm i së cilës nga
fuqitë e mëdha ka pasur ndër të tjera, synimin e të mosfolurit dhe të
mosshkruarit të gjuhës shqipe dhe as të hapjes e të funksionimit të shkollave është
një histori tashmë e provuar ndër shekuj mbi shkronjat dhe analfabetin tonë.
Rilindësit dhe forcat përparimtare, duke
mbrojtur gjuhën shqipe kanë mbrojtur dhe mbrojnë kombin tonë
Kjo është aq e vërtetë sa po të mos ishte këmbëngulja e
përpjekjet maksimale, vërtetësia dhe mençuria, zgjuarsia intelektuale dhe
patriotizmi i rilindësve tanë të mëdhenj e shoqëruar edhe me mbështetjen e
popullit tonë trim e arsimdashës, gjuha e bukur dhe e pasur shqipe në mos do të
ishte asimiluar së paku do të ishte sakatuar. Nuk mund të lihen jashtë
vëmendjes as roli i klerit në tërësi e veçanërisht i atij Katolik në veçanti,
para së gjithash në Shqipërinë e veriut, në ruajtjen nga ndikimet e huazimet e
huaja, të cilat shkallë- shkallë do të copëtonin e shkatërronin gjuhën tonë
deri në atë masë sa në Shqipëri mund të shkohej deri në të folurit e një sllavishteje të gjymtuar ose të një
turqishteje të çalë. Ja pse ne kemi respekt të veçantë për De Radën,
frashëllinjtë, At Shtjefën Gjeçovin e Negovanin për Fishtën e madh e dhjetëra
rilindës fetarë në besim për kombëtar të mëdhenj, aq sa për shkronjat e të
shkruarit dhe të folurit shqip sakrifikuan çdo gjë, edhe jetën e tyre, në këtë
kuptim dhe me këtë vlerësim ne u jemi atyre mirënjohës për çdo gjë që ata bënë
për të ruajtur gjuhën shqipe dhe për ta pasuruar atë.
Sot ne kemi një gjuhë letrare shqipe të njehsuar, të
ndërtuar mbi bazën e vlerave më të mira
të dialekteve kryesore, për të cilën ka rezerva e njëanshmëri në trajtimin e
saj, të miratuara këto nga studiues të bunkerizuar mendërisht e politikisht, që
parapëlqejnë krahinizmat dhe që përfaqësojnë grupe sociale nga më të ndryshme.
Që gjithsesi besojnë se teoritë e tyre për nevojën e besimit në të folur dhe në
të shkruar nuk do të ngjasi asnjëherë pasi ajo ka marrë fund tashmë konfirmimin
institucional të gjuhëtarëve më të aftë të Shqipërisë dhe të trevave ku banojnë
shqiptarët. Duke mbajtur këtë parim, ne nuk jemi nacionalist në ruajtjen dhe në
transmetimin e traditës, të normave e të vlerave kulturore, simboleve dhe
kulturës materiale duke përfshirë gjuhën tek brezat pasardhës çka duhet
përgëzuar e përshëndetur shqiptarët e Kosovës, Malit të zi, Maqedonisë disa
vende të Evropës dhe të Amerikës.
Ndryshe ndodh shqetësimi tek qindra fëmijë emigrantë shqiptarë tek flasin në
shtëpitë e tyre greqisht, anglisht, italisht e ku ta dimë se ç ‘gjuhë tjetër,
por vetëm shqip jo. Jo vetëm shteti dhe institucionet e tij kanë për këtë
përgjegjësi, por edhe familjet e tyre që siç duket disa prej tyre, e kanë
ndoshta druajnë të deklarohen se janë
shqiptarë.
Lidhur me procesin e gjatë dhe objektiv të rritjes së kulturës gjuhësore
të një kombi, A.Xhuvani, që në vitet 50-të të shekullit të kaluar shkruante:
“Solocizmat janë gabime të pafalshme, të cilave duhet tu reshtemi aq sa edhe
gabimeve të tjera. Për këtë duhet një studim i thellë dhe i plotë i gramatikës
së përdorimeve … duhet të ndiqet edhe përdorimi i gjallë i popullit, edhe
autoriteti i shkrimtarëve klasik. Ta kufizosh gjuhën në një cak të ngushtë
shkrimi, kjo veç që e bënë gjuhën të lidhshme dhe pedentare, po është edhe një
punë kundër natyrës së saj, pasi gjuha hynë në ligjet e evolucionit e nuk mund
të shkarkohet pas dëshirës së një pale”.
Respekt dhe dashuri të vazhdueshme për
gjuhën shqipe, për brezin e sotëm dhe brezat që vijnë.
Evropa e ka ndërruar me kohë formulën e didaktikës së
gjuhës, duke përcaktuar drejtime të reja në fushën e emancipimit gjuhësorë.
Kanë kaluar më shumë se një shekull dhe sot, në punët e
gjuhës, problemet me delikate dhe më të mprehta zënë fill që te interesimi i fëmijëve
e të rinjve në shkolla e fakultete. Duhet të tregohemi vërtet të kujdesshëm për
të njohur mirë pasurinë gjuhësore në të cilën ata nisin shkollën. Vetëm kështu,
mësues e nxënës, mund të përshkojnë së bashku udhën drejt gjuhës amtare dhe
drejt gjuhëve të mëdha të kulturës evropiane.
Libri i prof. dok. Gj. Shkurtaj “Si të shkruajmë shqip”,
edhe pse kanë kaluar 12 vite nga botimi i tij, është një pasuri tjetër në
fondin e veprimtarisë kombëtare dhe një apel për mësuesinë shqiptare në përgjithësi
e administratën publike në veçanti. Pra, ka ardhur koha për ndjenjë e pasion,
dashuri të lartë e, mbi të gjitha, respekt dhe vlera të mëdha për këtë thesar.
E parë nga këta faktorë, të cilët duhet të njihen mirë, nga se kjo fushë e dijes
është shenjë e parë dalluese e veçantisë kombëtare, brezat e sotëm dhe ato që
do të vinë të dinë se kemi kapërcyer shumë shekuj përpjekje të këtij kombi, për
t`i vënë këto në themelet e duhura e të shëndosha, të cilat qëndrojnë në ditët
e sotme. Po për këto piketa ndërtimesh, është derdhur shumë gjak dhe është
paguar shumë shtrenjtë gjuhësia shqiptare nga stërgjyshërit dhe gjyshërit tanë.
Këtu më shumë se njëqind vjet më parë, Xhuvani, hapur
thoshte për daljen në dritë të një gjuhe letrare të njësuar, pra të krijuara
mbi baza të shëndosha letrare. Ai mbetet burrë i madh me zë e me nam në fushën
e dijes gjuhësore. Por puna e këtij dhe shumë xhuvanëve të tjerë të gjuhësisë së
sotme shqiptare, që i kanë dhënë dhe i japin kombit në fushën e dijes dhe të
urtësisë për ç’do lami dhe këshillat e tyre nuk janë të kapshme e të rrokshme
tek disa intelektual, mësues dhe punonjës të mediave të shkruara, të cilët po i
fusin brirët gjuhës së sotme të njësuar.
Prof. Xhuvanit nuk i vinte fare rëndë që t`i shtrijë dorën
për punën e madhe që kishin bërë në gjuhë dhe për gjuhën dy vëllezërit, Naimi
dhe Samiu. Edhe Noli, me urtësinë që e karakterizonte për vlerat njohëse të
gjuhës e të kombit, pati thënë: “Lëvizja për të ngritur gjuhën shqipe në shkallë
kombëtare nisi në Toskëri. (shih F.Agalliun, në “Gjuhën e Nolit”, Tiranë 1999).
Këta dy dijetarë të mëdhenj, Xhuvani që i takonte të folurës veriore, ndërsa Noli
i përkiste të folurës jugore, nuk vuanin nga bajraktarizmi as nga fise e klane
shqiptare, të cilët i kapërcyen për t`u mbajtur kombi i patundur vetëm në saj të
gjuhës së njësuar, për të cilën ballafaqohemi sot, aty këtu, edhe me telashe
dhe shpeshherë edhe me synime ndarëse. Duke
lexuar mediat e sotme, njeriut të ndershëm i bëhet sikur gjuha e sotme letrare standarde,
e përcaktuar 50-vjet më pare, ka mbetur vetëm në letër, nuk ka arritur përgjegjshmëri
ligjore dhe penalizuse, siç duhej të ishte. Ky shqetësim duhet të shoqërohet
gjithnjë me një propagandë dinamike, ku vetë gjuha amtare të vlerësohet me maksimumin
e kërkuar, e studimet mbi shqipen letrare të zënë vendin e merituar.
Si ja bëri Naimi i madh,të cilit s`i gjen dot asnjë
barbarizëm në veprën e vet? Po Noli që mori guximin dhe solli në shqip
Servantesin, Shekspirin dhe Khajanin? Po Konica, Kuteli, Poradeci, Xoxe,
Agolli, Kadareja e plot të tjerë? Këta mjeshtra të fjalës, e gjetën të pa t``harur
arën e fjalës, ama fjala u ndrit në fjali, prozë e poezi. Shëndoshja e mbrojtja
e gjuhës standarde mund të bëhet me masa të prekshme energjike prej mendjesh që
mendojnë tamam shqip e prej zemrave që rrahin shqip. Gjuhën shqipe e kemi ndër
më të vjetrat e më të mëdhatë e kontinentit.
Mbrojtja e gjuhës shqipe të mbështet
edhe në ligje shtetërore
Gjuha shqipe është, sot e mot,
pasuri kombëtare bazë. Vetë proceset e hapjes, bashkëpunimit
dhe të integrimeve rajonale ndërkombëtare, detyrimisht i japin mundësi edhe
shqipes së folur dhe të shkruar të ecë natyrshëm në zhvillimin e pasurimin e saj me simotrat e
shumë vendeve të BE.
Është fatalitet për
ato vende me popullsi të vogël si Shqipëria, të shoqëruarit me rrezikun e depërtimit
dhe përdorimit, vend e pa vend, të huazimeve në dëm të fondit autokton, duke
kaluar shpesh në varfërimin e gjuhës letrare kombëtare. Këto marrëzi, që më mirë
i njeh publiku, na shiten si gjetje gjuhësore moderne (!). ky është një
agresivitet i hapur gjuhësor. Është koha të pranojmë dhe të përpiqemi për të vënë
nën kontroll, duke ngritur barriera, miratuar ligje dhe ngritur struktura të
posaçme, për ta mbajtur të pastër shqipen, që është pasuria më e madhe dhe e patjetërsueshme me të cilën krenohemi.
Vërtetë jetojmë në një shoqëri të lirë e të hapur, vërtetë
jemi përkrahës të globalizmit, por nuk do të dëshironim kurrë që gjuha jonë të
mos shkruhej e të përdorej nga shqiptarët e të gjithë brezave. Mundësitë për ta
mbajtur të gjallë gjuhën e bukur shqipe tek fëmijët, nipërit e mbesat dhe stërnipërit
tanë, pavarësisht kur lindin dhe ekzistojnë, i mundëson shkolla që është institucioni
bazë i mësimdhënies së gjuhës letrare dhe detyrë parësore ka të mësuarit e saj,
e që sjell si rezultat aftësimin e fëmijëve dhe të rinjve për ta komunikuar e
shkruar saktë.
Më shumë vëmendje dhe masa konkrete për
mërgimtarët dhe fëmijët e tyre
Për shqiptarët emigrues, me
gjithë përpjekjet e ruajtjes së saj, shqipja po bëhet sa e largët dhe e huaj për
fëmijët mërgimtar. Është normale që, duke jetuar në një shoqëri ku flitet
e shkruhet një gjuhë tjetër, kuptohet dhe tendenca e kufizimit dhe e shqiptimit të shqipes. Fëmijët
po projektojnë të ardhmen e tyre aty ku rriten. Pra emigrimi në përgjithësi dhe
ai i fëmijëve në veçanti, krahas të mirave, mbart me vete edhe rrezikun e një
asimilimi gradual të gjuhës, sidomos tek fëmijët shqiptar që jetojnë e mësojnë
aktualisht në emigrim.
Faktet ekzistuese të një kombi
përcaktohen, në fund të fundit, nga gjuha.
Popullsia e një vendi që për arsye të ndryshme nuk e shkruan dhe rrallë herë
nuk e flet gjuhën e vet amtare, është e prirur të rrezikohet, pasi gjuha ka qenë
e mbetet një ndër komponentët kryesorë të kulturës së një kombi. Kur njeriu nuk
e ka nën këmbë tokën e vet, humbet diçka nga qëndrimi vertikal, humbet sigurinë
e bëhet më skeptik ndaj vetvetes.
Gjuha shqipe ka një zhdërvjelltësi në të folur, është
shumë burrërore dhe mjaft e bukur, ka tingull të veçantë dhe mjaft impulsive.
Shqipja është vazhdim i gjuhës ilire dhe i përket grupit të gjuhëve indo-evropiane,
pra veçohet si një ndër më të vjetrat në Evropë dhe Ballkan. Këtu më vjen ndërmend
një thënie e një mërgimtari: gjuha është e vetmja armë që vërteton që jemi
shqiptar!
Studimi i shqipes është i lidhur
ngushtë me interesin kombëtar
Në Shqipëri dhe diasporë gjuhësia krahasimtare ka patur
arritje me vlera të mirëfillta shkencore dhe gjithnjë gjuhëtarët tanë të
nderuar hedhin dritë në raportet e shqipes me gjuhët e tjera. Studimi i shqipes,
përveç interesit shkencor, është i lidhur ngushtë me interesat tona kombëtare.
Qëndrojmë para një fakti shumë të bukur, shumë interesant, që jo vetëm gegërishtja,
por edhe gjuha e diasporës, sidomos e arbëreshëve të Italisë, tek e cila, në
mes shumë barbarizmave, gjenden thesare të vërtetë, janë format më të vjetra të
shqipes. Këtu kujtojmë përpjekjet gjashtëdhjetëvjeçarë të prof. Shkurtaj, si
njeri i nderuar, pasionant, intelektual me interes të paparë shkencor, studiues
dhe hulumtues i gjuhësisë shqiptare në tërësi dhe arbëreshëve të Italisë ne veçanti. Domosdoshmëria e ndryshimeve sa
vjen e rritet. Kërkohet të kemi impenjim historik për këtë çështje, duke u
bazuar edhe në përvojën e vendeve euroatlantike, pasi dhe lëvizja e lirë e këtyre
njëzet vjetëve i ka zgjeruar kontaktet e shqiptarëve me gjuhët e kulturat e
popujve të tjerë.
Në këto 112 vjet të Pavarësisë Kombëtare, realiteti i shoqërisë
shqiptare ka fituar qytetarinë në fushën e gjuhësisë. Ajo ka gurgulluar dhe
sjell ujëra nga lashtësia e shekujve, ku shqipja ka plazmuar mendimin, ka marrë
forma të personaliteteve që nga mendimi i Naimit, Çajupit, Fishtës, Mjedës,
Konicës, Nolit, Migjenit, Poradecit e deri tek ai i Qoses e Kadaresë. Indiferentët dhe dembelët dhe ata që
s’respektojnë parimet e gjuhës standarde shqipe, që nuk vazhdojnë rrugën e Rilindësve
tanë, historia do t`i dënojë. Nga Bostoni i Amerikës, Konica shprehej:
“Erdhi më në fund edhe për gjuhën shqipe koha e lulëzimit, kohë plot shpresë! Në
të katër anët, një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe, plot me dëshirë,
trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes”.
I vlerësojmë, i pranojmë dhe i respektojmë vlerat
gjuhësore të popujve të tjerë. Dhe respekti për të tjerët ka vlerë e
besueshmëri kur, në radhë të parë respekton vlerat e kombit tënd!