Kulturë
Kadri Tarelli: Uran Butka dhe 'Replika' e tij
E enjte, 05.12.2024, 07:59 PM
“Shqetësimi im nuk është nëse Zoti është në anën tonë;
Shqetësimi im më i madh, është se a jemi ne në anën e Zotit,
sepse Zoti gjithmonë ka të drejtë.”
Abraham Linkoln
URAN BUTKA DHE “REPLIKA” E TIJ
Përjetime, kundërshti, qëndrime.
Nga Kadri Tarelli
Para
pak ditësh u ndodha në Tiranë, në përurimin e librit më të ri “Replika”, të
studiuesit të njohur Uran Butka. Librin nuk munda ta marr atë ditë, kështu që
Urani ma dërgoi në Durrës. Më duhet ta falënderoj dy herë, për librin dhe
kujdesin për ta dërguar, lexuar e shijuar më nge.
“Polemika”,
që unë e afroj me fjalën shqipe: rrahje mendimesh, mospajtim gjykimesh, apo
kundërshti qëndrimesh, mes shkrimtarëve, krijuesve dhe veçanërisht mes studiuesve,
sidomos në fushën e historisë, ku qëndrimet nuk përputhen. Gjykoj se, ca më
shumë ndodh kur në mes qëndrojnë bindjet, opinionet, këndvështrimet dhe më keq
akoma, interesat personale dhe kolektive, të cilat nuk duhet të jenë pjesë e
historianëve. Po ja që ndodh, e duhet pranuar mes nesh.
Pavarësisht
qasjeve, në shumicën e herëve kundërshtuese, rrahjen e mendimeve, ashtu si edhe
autor Butka, e shoh si diçka pozitive dhe të dobishme, si një pasqyrë, ku
secili mund të shikojë e ta peshojë veten, në raport me të drejtën dhe me të tjerët.
Ai është i drejtpërdrejtë me lexuesin, duke u nisur nga parimi, se fjala duhet
thënë ashtu si duhet dhe aty ku duhet. Jo vetëm për njohje, por më shumë për të
ndriçuar të vërtetën e fshehur, shtrembëruar, apo të pluhurosur në dosjet e
arkivave, njëkohësisht për ta përdorur pa u dridhur, në shkrimet dhe studimet
historike.
Është
kjo edhe arsyeja që e vlerësoj së tepërmi autorin, i cili i ka grumbulluar në
një libër, të gjitha shkrimet e bëra gjatë kohës. Madje që në ballinë vendos
edhe temat e gjetura, në mënyrë që këndonjësi të ndihmohet dhe të ketë një
njohje mbi përmbajtjen, pa qenë nevoja të pyesë apo të shfletojë faqet e
librit.
Kjo
formë shkrimtarie e zgjedhur kështu, është një arsye më shumë për ta vlerësuar
librin, pasi shkrimet që janë të shpërndara në shtypin e kohës, jo të gjithë lexuesit
kanë pasur dhe kanë mundësi t’i ndjekin në përditësinë e tyre. Besoj se edhe këndonjësit
e zellshëm, madje edhe shkruesit e tjerë, do gjykojnë kështu si unë, kur
shprehem: “Shkrimet, edhe kur botohen, janë si kokrrat e grurit që shkoqen
nga kalliri, disa harrohen, disa i hanë milingonat, shumë i kalb dheu, disa kanë
fatin të futen në thesin apo “arkën e kujtesës”, që është libri, i cili më pas për
t’i qëndruar kohës, futet në hambarin e madh të kulturës, që janë bibliotekat e
të gjitha llojeve, deri te biblioteka kombëtare”.
Lexoj
dhe i rilexoj pjesët e këtij libri të rëndë në peshë e mendim, (rreth 490 faqe)
dhe më forcohet bindja, se:
-
Të nisësh të bësh replikë, së pari duhet të kesh mbushur mendjen se ke të drejtë.
Dhe e drejta është me ty, kur ke njohje dhe sidomos dokumente.
-
Të bësh replikë, duhet të matesh mirë. Vërtet e nis përplasjen, por duhet ta
mbyllësh atë në formë shteruese, që personi përballë nuk gjen shteg të
kundërpërgjigjet. Përjashtojmë sharlatanët që grijë sallatë, ndërsa keqdashësit
shpifin edhe gjëra të paqena.
-
Të futesh në replikë, kërkon durim, përmbajtje dhe shumë guxim, pasi siç është
bërë e modës, duke parë debate televizive, apo edhe shkrime gazete, ndodh që
kur kundërshtari nuk ka ç’të thotë, pasi i “mbarojnë fishekët”, hidhet në akuza
duke prekur jetën personale, që s’kanë lidhje me temën, madje për turpin e tyre
dhe të studios televizive, fillojnë e nuk përjashtojnë të baltosin edhe
pjesëtarë të familjes, etj, etj. Në këtë zallamahi të pështirë, futen e dhe
politikanët, që pasi shahen me libër shtëpie, nuk habitemi t’i shohim bashkë
duke u përqafuar, duke u puthur e lëpirë, sikur nuk ka ndodhur gjë. Madje kanë
shpikur edhe një fjalë, që nuk pranon koment: “Kështu e do politika.......!”.
E
njoh prej kohësh penën e autorit Butka, kështu më duhet të them se ai i ka të
gjitha, si kulturën e të studiuarit, të gjykuarit e të shkruarit, ashtu edhe
thesin plot me dokumente të mbledhura nga shtypi, nga librat, më së shumti nga
arkivat, që i ka me shumë merak dhe, që i zbraz e i shkund, sa herë hyn në
përplasje mbi tema historike.
Nuk
kam ndërmend t’i bëj analizë klasike të gjithë librit, pasi kështu veproj
përgjithësisht, sepse është lexuesi që bën vlerësimin, kur ta mbarojë edhe
faqen e fundit. Veç një fjalë më duhet ta them që në fillim: Është libri që nuk
më lëshon nga dora, edhe kur lodhem apo nuk kam kohë të merrem me të. Këtu më
duhet të shtoj, se ky libër në vetvete përmban një pasurinë dokumentare për t’u
lakmuar. Dokumente të grumbulluara me shumë durim e kujdes, shumë prej tyre po i
ndesh për herë të parë. Një arkiv i tërë, i shtrirë në kohë, më pas qepur aq
hollë e bindshëm, pa qenë nevoja e fjalëve të tepërta, për të mos lënë shteg
për ndërhyrje, hamendsime apo mëdyshje.
Në
libër gjejmë mjaft tema të thukta për diskutim: “Kadareja i rrezikuar”.
(Refleksione mbi ditarin sekret të E. Hoxhës), “Mustafa Gjinishi- tradhtar,
dëshmor apo viktimë”, “Polemikë me Xhelal Gjeçovin, mbi kolaboracionizmin”,
“Polemikë me ata historianë që e kanë trajtuar njëanshmërisht Kongresin e
Përmetit”, “Një përgjigje për nostalgjikët e Fadil Hoxhës”, “Refleksion – A
ishte terroriste shkencëtarja Sabiha Kasimati?”, etj, etj. Këtu do të ndeshim
shumë ngjarje që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare, shumë prej tyre
shoqëruar e përfunduar tragjikisht, e me plot dhimbje njerëzore. Dhe, ata që
janë përgjegjës apo të përzierë në rrethana të caktuara, as nuk pendohen, as
kërkojnë falje. Madje gjejnë vend dhe kohë të mburren se kanë vrarë, torturuar,
ndëshkuar, poshtëruar dhe përbuzur pa shkak, shqiptarin “Armik”. Nuk çuditem! Po
“Armik”, ndaj kujt? Ndaj popullit, Atdheut apo Partisë.....!?
Kjo
e fundit është marrëzi më vete, ta mendosh dhe tragjike ta jetosh, pasi
qëllimisht gjatë luftës, u zgjodh e u hodh në sofrën tonë, si peshqesh dhe
ushqim përçarës për gjithë kombin, “Ne dhe ata”. Askush nuk e mendonte se edhe
pas kaq vjetësh në ndryshim sistemi, kjo farë e ndyrë e urrejtjes, na ka mbirë
në derë dhe s’po e shkulim dot. Më keq akoma, kur ka gjetur vend dhe strehë te
mendjet e ndritura e të ditura.
Nuk
dua të ndalem këtu, pasi më pëlqen të ngulem te polemika me historianët tanë me
emër të “Madh”, që siç del edhe në këtë libër voluminoz, shumë herë e
shtrembërojnë, e masakrojnë, e fshehin qëllimisht historinë, por në dukje si pa
dashje. Pse e bëjnë këtë? Më mirë e dinë ata vetë. Ndërsa unë po shtoj: “Kurdoherë,
shkrimtari dhe studiuesi, flet e shkruan aq sa di dhe aq sa do!”.
Në
libër ndeshim shkrime të lehtë në përmbajtje, por që lëndojnë plagët e
shpirtit, mjaftohem të përmend:
-
Përgjigje ndaj gazetarit, E. Kalo, që shkruan: “Keni qenë apo jeni bërë i
persekutuar politik?”. Shkrim botuar te gazeta “Koha jonë”. 4 nëntor 1992.
-
Një polemikë e beftë me prokurorin Aranit Çerla. Kam përshtypjen se kjo
përplasje fjalësh të çastit, mund të shkruhet më gjerë, si një novelë me kumt
të hidhur.
Nëse
do të më duhej të përmend të gjithë personazhet e librit, do të shtrëngohem të
mbush faqe të tëra, kur edhe vetë bezdisem, pasi nuk i shtoj vlerë librit me
përsëritjet e padobishme. Ndaj po ngulem pak mbi temën historike të përplasjes
së shqiptarëve gjatë Luftës së II-të botërore, të njehur ndryshe, si Lufta
antifashiste, Nacional-Çlirimtare. Mjaftohem të ndalem te shkrimi i gjatë:
-
“A ka kaluar Rubikonin, historiani Kristo Frashëri?” - Pyet Uran Butka. Lexoni
dhe do të gjeni çudira. Së pari, nga dokumentet e shumta të hedhur në tavolinë.
- “Me rënien e regjimit komunist Kristo Frashëri, - shkruan Butka,- është i pari historian i brezit të vjetër, që
kapërceu Rubikonin dhe arriti të pranonte disa të vërteta mbi luftën
antifashiste, ...... pra bëri një hap të duhur, por jo më tutje.....”, shkruan
autori, Faqe 81-82
Lexoni
ç’thotë, Tuk Jakova, faqe 96, Gogo Nushi, Faqe 96.
Fillimi
dhe fundi i asaj zallamahie që përfshiu të gjithë shqiptarët. - “Në themel
ishte çështja e pushtetit. Kështu lufta NÇl, e nisur si luftë patriotike
dhe antifashiste, duke u gërshetuar me
detyrat e revolucionit komunist, për marrje e pushtetit me gjak, e humbi
karakterin e saj fillestar........! U shndërrua në Luftë civile”. Faqe
97. Temë e rrahur gjerësisht nga autori Butka, edhe në librin madhor “Lufta
Civile në Shqipëri,1943-1945”.
Në
takime me shkrimtarë dhe personalitete me
emër, që futen si pykë e kalbur në sinorët e historisë, e dëgjoj shpesh
shprehjen, - “Tek ne nuk ka patur Luftë Civile”. Nuk e vlen të hysh në
diskutim me ata, pasi nuk ndryshon gjë, por kur e thotë një historian i nivelit
të Kristo Frashërit, duhet vënë duar në kokë. Lexoni vetë këto pak fjalë:
Kristo Frashëri e mohon Luftën Civile. Atë e quan me termin “Luftë
vëllavrasëse”, Faqe 98.
Sa
keq.....! Përplasja mes shqiptarëve nuk ishte, “Valle shpatash” në skenë
koncertesh, as “Prerje e gishtit të vogël”, për të pirë gjak e për t’u bërë
vëllezër, as “Grusht shteti”, kur një grup njerëzish, rrëzojnë një qeveri dhe
marrin pushtetin. Ishte luftë që zgjati më shumë se një vit, Shtator 1943 - Nëntor
1944, ku u përfshinë mijëra luftëtarë dhe u vranë mijëra djem të rinj partizanë
dhe nacionalistë.
Kur këtë e thonë
historianët tanë, si Uran Butka, disa nga ne kundërshtojnë, disa bëjnë sikur
nuk e besojnë, disa “përdridhen” nga që nuk duan të besojnë.....! Kështu autori
fton të huajt të na rrëfejnë, duke bërë pyetjen: - “Ç’thonë të huajt mbi luftën
civile?”:
Julian
Emery shkruan: ..... “Kjo luftë civile nuk kishte asnjë lidhje me Çlirimin Kombëtar.......
ishte për të ardhur keq që lufta civile kishte marrë përparësi mbi luftën për
çlirim. Konferenca e Labinotit, 4-9 shtator, 1943, urdhëroi për nisjen e luftës
së armatosu kundër Nacionalistëve dhe marrjen e pushtetit me çdo mënyrë, qysh
gjatë luftës”. Faqe 98.
Më
tej: Kristo Frashëri mbeti besnik i të rënëve, 28.000. dëshmorë. Pse? - Kur dokumenti
i këshillit të ministrave, viti 1945, shënon 2519 dëshmorë. Më vjen keq ta
besoj, por ja që ndodh edhe kështu.....!
Autori
bën edhe një pyetje të hidhur: - Krosto Frashëri, pse hesht për “Masakrën e Tivarit”,
ku u vranë mijëra djem luftëtarë të çarmatosur, shkulur nga trojet e Dardanisë?
- Pyetje e mbetur pa përgjigje......!!!
Në
libër preket edhe një temë që vazhdon të hajë diskutim mes historianëve, që për
fat të keq nuk shkulen nga llogoret e të shkuarës, siç është shkrimi: “Polemikë
me Marenglen Kasmin, mbi marrëveshjen e Mukjes”. Një temë vërtet e nxehtë si
atëherë edhe sot para 81 vjetësh.
Edhe
unë jam në një mendje si autori Uran Butka, që e vlerësoj madhërisht “Mukjen”, këtë
ngjarje kulmore në historinë tonë. Madje mund ta krahasojmë me “Lidhjen e
Lezhës”, 1444, “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”, 1878, “Kongresin e Manastirit”,
1998, dhe “Shpalljen e Mëvetësisë”, 1912. Sepse “Marrëveshja” lindi si
nevojë e kohës dhe u ndihmua edhe nga aleatët, për një luftë të përbashkët të
të gjithë faktorëve shqiptarë”. - Thotë Butka. Por Fatkeqësisht u gris, u shkërmoq,
u mallkua dhe me gjak u mbulua, nga drejtuesit e Luftës NÇl. Nëse do të zbatoheshin
vendimet e saj, historia do të shkruhej ndryshe. Por,..... përvoja na mëson se,
“Historia nuk bëhet me sikur.....!”.
Ja
si shkruan Gjenerali Dejvis, në bisedë me E. Hoxhën: “Mendoja të ndaloja
gjakderdhjen e popullit shqiptar, por nuk ia arrita. Dhe, këndej e tutje nuk do
të përzihem në vëllavrasjen tuaj.....”. Faqe 170.
Pasojat
tragjike të ndarjes, atëherë me fillimin e luftës, fatkeqësisht ndjehen edhe
sot e kësaj dite, në mjedisin tonë, në biseda të rëndomta, por edhe te
historianët dhe politikanët, që ende i fryjnë atij zjarri “Ne dhe ata”.
Në
fund po ndalem edhe tek shkrimi:
“Pëllumb
Xhufi, thërret në ndihmë fantazmën e Xhelal Staraveckës”. Shkrim, të cilin më
vjen keq që po e lexoj për herë të parë. Them më vjen keq, pasi më duket e
pabesueshme që një historian i përmasave të Pëllumb Xhufit, të ulet në prehrin
e Xhelal Staraveckës, pasi siç po shoh, ai si njeri dhe shkrues kujtimesh, me
përjashtim të përshkrimit realist të disa ngjarjeve, nuk ka parime, as bosht
apo shtyllë kurrizore. Mjafton të kërkojmë përgjigjet e disa pyetjeve që autor
Butka, i shtron në kuvend bisede:
-
Cili është i vërtetë: - libri “Torturë e Terror”, shkruar në vitin 1944,
apo libri “Përpara gjyqit të historisë”, shkruar dorëshkrim më, 1966, dhe
botuar në vitin 2012. Kë të besojmë, atë që u shkrua duke fërkuar duart në
zjarrin e luftës ende të pa mbyllur, apo atë që u qullos duke u ngrohur pranë
zjarrit, në Paris...!? Më tej vijojnë pyetjet për Xhelalin: - Pse i demaskoi si
terroristë, udhëheqësit e luftës NÇL? - Pse dezertoi dhe e tradhtoi këtë luftë...?
- Pse u kthye të luftonte me armë kundër saj....? - Pse më vonë u bashkua me Kolaboracionistët.....?
Dhe më pas, - Pse dënohet nga drejtësia italiane për krimet e tij të luftës, si
fillim “Me burgim të përjetshëm”, më pas me 10 vjet burg, në Itali....? Faqe
151.
Besoj
se nuk ka vend të presësh përgjigje. Një shkrimtar serioz që futet të shkruajë
histori, e di mirë se libri historik nuk është telajo pikture, që mund ta bojatisësh
sa herë sheh ëndrra të bukura apo të trishtuara. Shtesat dhe ndryshimet mund të
bëhen për plotësim, kur ka dokumente të gjetura rishtas, si vlerë e shtuar për
publikun.
Në
fund, duke bërë një përmbledhje të asaj që shkruhet në këtë libër, shtyhem të
shtoj edhe pak fjalë: Uran Butka ka meritë që duhet vlerësuar, sepse libri
është sa mësimor e njohës, aq edhe edukativ. Ndërkohë, gjithkush nga
këndonjësit ve në kandar të gjykimit, të vërtetat që shfaq njëri dhe pretendimin
që shpërfaq tjetri.
Urime
dhe suksese, i nderuar z. Uran! Ky libër le të shërbejë si model i rrahjes së
mendimeve, pa fyerje, pa ngritje zëri, pa sharje e baltosje të mendimtarit dhe
mendimit ndryshe.
Jetë
dhe Shëndet për libra të tjerë me po kaq vlerë......!
Urime!
Kadri Tarelli
Vjeshta e tretë, 2024.