Kulturë
Bedri Tahiri: Skënder Kapiti dhe gjyqi i tij mbi sistemin e drejtësisë në Shqipëri
E premte, 13.12.2024, 07:50 PM
Botim i ri: Lena Grapfic sapo nxori në dritë librin ”SHBA DHE REFORMA E DREJTËSISË NË SHQIPËRI-VETINGU” të autorit Skënder S. Kapiti nga Durrësi.
Vlerësimi
im për këtë libër të veçantë:
SKËNDER
KAPITI DHE GJYQI I TIJ MBI SISTEMIN E DREJTËSISË NË SHQIPËRI
Nga
Bedri TAHIRI
Skënder S.
Kapiti nga Durrësi, i formësuar me trashëgimi, me bindje dhe me edukatë të
thellë kombëtare, kundër ideologjisë së gënjeshtrave dhe të pavërtetave, kundër
shëmtive të atdheut e të kombit, autor i veprave “Triumfi i kombit”, “Njeriu filozof, etik e politik”,
“Moralokracia”, “Pesë letra drejtuar kombit” etj., këto ditë të mjegulluara politike gjithandej
trojeve shqiptare, na e erdhi edhe me një libër mjaft interesant e me porosi të
qarta ”SHBA DHE REFORMA E DREJTËSISË NË SHQIPËRI-VETINGU”.
Duke parë atë punë të jashtëzakonshme
që po bëjnë SHBA dhe SPAK në luftën e tyre të
pa kompromis për çmontimin e sistemit të korrupsionit në Shqipëri, në
punën e tyre vendimtare për pastrimin e sistemit të drejtësisë, dhe të ndëshkimit
të politikës dhe politikanëve e shtetarëve më të lartë të politikës e pushtetit
për korrupsionin e tyre, dhe duke ndjekur
zhvillimet politike, juridike, demokratike etj., dhe si shkrimtar e
publicist që jam, atë se çfarë unë kam lexuar në shkrimet brilante dhe me një
kompetencë juridike, filozofike, politike dhe shkencore, lirisht mund të thuhet
si meritë e veçantë e autorit të këtij libri, Skënder Kapitit, është se ai i ka
bërë skanimin politikës dhe drejtësisë së tranzicionit në Shqipëri, apo më saktë
ai i ka bërë gjykimin sistemit të drejtësisë në Shqipëri para lexuesve dhe
opinionit publik.
Me fjalë të tjera, ky libër sjell në
kujtesën kolektive faktin dhe shkallën se deri ku është katandisur drejtësia
shqiptare; për t’u kujtuar lexuesve dhe opinionit të vërtetat e tranzicionit
korruptiv juridik e politik që kishin kapur e bllokuar drejtësinë, shtetin,
shoqërinë, progresin e zhvillimin në
Shqipëri, dhe për të mundësuar e bërë krahasimin se sa shumë gjëra kanë
ndryshuar për mirë që kur SPAK filloi nga puna, ku meritën vendimtare të kësaj
reforme në drejtësi e ka SHBA.
Autori Skënder Kapiti me të drejtë e ka
vlerësuar Reformën në Drejtësi (Vetingun), si reformën më të rëndësishme në
historinë e shtetit shqiptar:“Kujtesa
kombëtare do ta konservojë në histori si një fitore kombëtare realizimin e
Reformës në Drejtësi si një meritë e popullit me ndihmën vendimtare të
demokracisë perëndimore kryesisht të SHBA-së, por nga ana tjetër edhe si një
turp të madh të radhës të politikës dështake shqiptare për zvarritjen,
neglizhencën, pengesën dhe mos dëshirën e saj për Reformën në Drejtësi si dhe
për dëmin e madh kombëtar dhe anticivil, antiprogresiv dhe kundërintegral që ka
luajtur politika shqiptare e këtij tranzicioni”.
Pavarësisht se kjo gjendje ku ndodhej
demokracia, shteti e drejtësia në Shqipëri Vetting-u dhe Reforma në Drejtësi u
krye, pavarësisht zvarritjeve dhe pengesave të mëdha nga politika dhe drejtësia
shqiptare ajo erdhi dhe u miratua nga parlamenti shqiptar në vitin 2016, sepse
Reforma në Drejtësi ishte edhe kushti kryesor
për Shqipërinë për integrimin në BE, e cila përputhet me aspiratën
euroatlantike të shqiptarëve. Miratimi i Vetting-ut ishte i pashmangshëm dhe nuk është se aleatët e
shqiptarëve do pyesnin politikën, politikanët dhe gjyqtarët shqiptarë të cilët nuk donin Reformën në Drejtësi.
Autori Sk?nder S. Kapiti, prej kohësh, me një guxim
të paparë intelektual u kundërvihet dukurive negative të shoqërisë sonë, që
herë-herë, sikur e humb toruan dhe, gati pavetëdijshëm, bie në situata të palakmueshme,
duke rënë pre e orekseve të sëmura të prijësve të vet. Prandaj, ai nxjerr
konkluzion: “SHBA dhe BE ia
imponuan dhe e detyruan politikën shqiptare që ta miratojnë Reformën në
Drejtësi, gjë e cila shënon edhe ndarjen e Shqipërisë nga tranzicioni i
stërmundimshëm traumatik e korruptiv duke
i hapur rrugën ndërtimit të shtetit ligjor, demokratik e modern”.
Skënderi është një kritik i ashpër i atyre që ai
i quan mashtrim demokraci dhe si “të këqijat demokratike”. Pamëshirshëm
demaskon amoralitetin politik, keqbërësit publik të pushtetit të keq,
mashtrimin e tradhtinë publike e kombëtare të politikës dhe politikanëve të
pushtetit dhe manipulimin e manipulatorët, spekulimin e spekulatorët dhe
hipokrizinë demokratike.
Kështu, ai me penën e tij të mprehtë ka dhënë një
kontribut të madh në propagandimin e domosdoshmërisë për miratimin e VETING-ut
në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilin për nga rëndësia jetike e quan reformën më
të madhe pas Pavarësisë Kombëtare.
Ai, me një guxim të paparë intelektual, bën thirrje
dhe kërkon që të çmontohet në Shqipëri dhe në Kosovë sistemi i
korrupsionit, krimit politik dhe të atij gjyqësor.
Edhe
pse të njëzet e tetë njësitë shkrimore (duke përfshirë dhe hyrjen) të librit “SHBA DHE
REFORMA E DREJTËSISË NË SHQIPËRI-VETINGU” mund të qëndrojnë
edhe në vete, pa e humbur fare kuptimin e funksionin, ato përbëjnë një tërësi
organike, të mbështetura në një palcë kurrizore e të orientuar në një
pikësynim: Reforma e Drejtësisë në
Shqipëri!
Vlerësimin tim për librin po e
përmbylli me mendimin e autorit: “Reforma
në Drejtësi, shënon në historinë e Shqipërisë Reformën më të madhe, është Kryereforma
që i hap rrugën të gjitha reformave. Si Kryereforma që do të reformojë jo vetëm
drejtësinë por edhe politikën dhe shtetin, Reformë për ndërtimin e shtetit
ligjor, të drejtë e modern të një drejtësie të re, politike e demokracie”.
Urime e suksese të reja Skënder S.
Kapiti!
Galicë, tetor 2024