Kulturë
Suadela Balliu për librin “Muri i Heshtjes”: Kronikë Ballkanase e Gani Mehmetaj
E marte, 10.12.2024, 06:53 PM
Parë
krijimtarinë artistike të autorit të njohur edhe si gazetar, publicist,
dramaturg e kineast, duket se Mehmetaj ka shumë për të rrëfyer. Dhe e bën atë
mjeshtërisht përmes letërsisë. E pikërisht, shkrimtari duket se e gjen
strumbullarin e të gjitha fatkeqësive tek ajo bashkëjetesë e brishtë, thuajse e
pamundur kulturash në këtë truall të Ballkanit.
Nëse
shpirtin e Ballkanit do të donit ta gjenit të mbërthyer në një vend të vetëm,
kërkojeni në Kosovë. Gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë. Në cilindo qytet të
saj. Do të gjeni pranë e pranë si në një maket të arkitekturës antropologjike,
historike e kulturore vendësin me rrënjët qysh kur nuk mbahet mend, kolonin
serb të ardhur me valët e luftërave ballkanike dhe në disa valë më vonë me
fushatat e politikave të Titos, boshnjakun e shqiptarin e boshnjakëzuar herët
gjatë Perandorisë Osmane, hungarezin e Janosh Huniadit, romin e egjiptianin, e
deri hebreun e Sabatai Zevit e madje edhe më të hershmin nga koha e Shën Palit.
Ballkani
në miniaturë – ai rrugëkalim shekullor perandorish të mëdha –në një mëhallë të
vetme, e cila bëhet tokë pjellore kulturash, gjuhësh, religjionesh, historish,
luftërash e mitesh. Me një tis mjegulle përrallash e gojëdhënash na i vesh sytë
Gani Mehmetaj, në hyrje të këtij romani, dhe na fton të zhytemi në botën e
mitologjive të gadishullit dhe në atë të personazheve të ndërtuar brenda narracionit
të Realizmit Magjik.
Dragonj
e kuçedra, kalorës të besës që enden rrugëve dhe shekujve kryeprerë, ujkonja që
mëndin foshnje njeriu e gjarpri i shtëpisë, fantazma, shtriga e magjistrica
vijnë e përzihen me realitetin e çdoditshëm të jetës në qytetin pa emër, që
gjithaq është i ngritur mbi legjenda, me politikën e vendit dhe me
gjeopolitikën.
Secila
përrallë përcjell mesazhin e fshehtë për të kuptuar realitetin dhe për të
vendosur kodet e sjelljes dhe bashkëjetesës me fqinjin, që ndonëse çatitë,
oxhakët dhe avllitë i kanë pranë e pranë i ndan në mes jo kalldrëmi i
rrugicave, porse një hon luftërash dhe gjaku. Ky është edhe meraku, jo vetëm
letrar i Gani Mehmetaj: të rrëfejë për këdo që kujtesën e ka të shkurtër në
vendin e vet, për këdo që periudhën e socializmit të Titos ngase nuk e kanë
njohur, e kanë idealizuar dhe lakmuar nga përtej telave me gjemba të kufirit.
(E kam dëgjuar shpesh, edhe të nervozohet kur nga këndej kufirit ia
relativizojnë të keqen e regjimit të Titos vetëm pse andej komunizmi qe më
liberal dhe shqiptarët në Kosovë patën mundësi edhe t’i kalonin kufijtë drejt
shteteve perëndimore për emigrim. Ai ka vetëm një përgjigje për ta: Tito ishte
kriminel.)
Në
të tre romanet botuar me shtëpinë botuese UET Press, autori merr përsipër të
rrëfejë historinë e shekullit XX, prej luftërave në Ballkan më 1912- 1913,
luftimet dhe pasojat e Luftës së Dytë Botërore, instalimi i regjimit socialist
me shtetin federativ jugosllav, shpërbërjen e tij e deri te pasojat tragjike të
spastrimit etnik e gjenocidit, që kulmuan me ndërhyrjen e forcave të NATO-s,
marsin e vitit 1999.
Parë
krijimtarinë artistike të autorit të njohur edhe si gazetar, publicist,
dramaturg e kineast, duket se Mehmetaj ka shumë për të rrëfyer. Dhe e bën atë
mjeshtërisht përmes letërsisë. E pikërisht, shkrimtari duket se e gjen
strumbullarin e të gjitha fatkeqësive tek ajo bashkëjetesë e brishtë, thuajse e
pamundur kulturash në këtë truall të Ballkanit.
Te
“Zogjtë e Qyqes”, romani i parë botuar në Shqipëri me të cilin u shpall edhe
fitues i Çmimit Letrar Kadare 2021, shkrimtari e rrëfen historinë përmes
Draganit, kolonit serb, ardhacak bashkë me familjen që në fëmijëri në një prej
valëve të nguljes së kolonëve në Kosovë, me premtimin e një jete më të mirë,
por siç thotë ai “si zogjtë e qyqes strehuar në një fole të huaj, natyra i bën
ta shkatërrojnë atë”.
Te
“Lufta e Pengjeve”, botuar më 2023-shin nga UET Press e vendos fokusin në zgrip
të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërave të reja për pavarësi të shteteve
të federatës. Rrëfyesi dhe dëshmitari nga fronti i betejave është Ilirjan
Nikaj, një ushtar i Ushtrisë Jugosllave në ditët e agonisë së saj, ndërsa
erërat e ngjarjeve në luftë e shpien në Gjyqin e Hagës.
Te
“Muri i Heshtjes”, romani i fundit i tij që keni në duar, Mehmetaj ka bërë një
tjetër zgjedhje stilistikore: narratori nuk është më protagonisti, përmes
kujtesës së të cilit shpalosen ngjarjet, por është vetë autori.
Megjithatë,
edhe në këtë roman shkrimtari e përshtat rrëfimin sipas personazhit. Ngjarjet
nisin dhe zhvillohen me sytë dhe mendjen e Gjinit, protagonistit, i cili rritet
para syve tanë. Përmes Gjinit dhe rrëfimit të çiltër të fëmijës plot imagjinatë
kuptojmë sesi ishte jetesa e vendasve dhe e kolonëve, në të njëjtin qytet e
lagje.
Përshkrimi
i jetës shkollore, ku vendasit dhe kolonët serbë mësonin në të njëjtën shkollë,
por në klasa të papërziera, na bën të kuptojmë atë lloj aparteidi a
segregacioni që ushtrohej në Jugosllavinë që pretendonte ideologjinë e
vëllazërim-bashkimit.
Të
gjithë flisnin për vëllazërim-bashkim,- thotë personazhi i Milenës në libër-
por as vëllazëri, as bashkim nuk kishte mes nesh. Nuk mund të merreshim vesh as
për një shëtitje të përbashkët shkollore jashtë qytetit. Menjëherë bëheshin
ndarjet në mes jush dhe nesh. Por në mes të pengesave dhe ndalesave më të
rrepta lindin edhe dashuritë më të mëdha. Ai mur i heshtjes, ai lloj i
çuditshëm ballkanas omertà-je, mund të kapërcehet vetëm nga macet e sokakëve
dhe dashnorët. Përmes dashurisë së dy të rinjve, Gjinit (protagonistit tonë)
dhe Milenës (bashkëprotagonistes nga ana serbe e murit) lexuesi i kupton edhe
më mirë ndasitë dhe pamundësinë që dashuri të tilla mes fqinjësh të kenë fund
të lumtur ( ndonëse rrëfehet për plot të tilla që i sfiduan kodet shpesh duke i
rezervuar vetes edhe fund tragjik).
Kapitull
pas kapitulli, si të ishte duke gërmuar tokën dhe nëntokën, autori zhytet
thellë në histori, në gjenezë të konflikteve, po aq sa edhe në psiken e
personazheve larushanë, të gjithë të ndërtuar me tipare të dallueshme e me
leksik personal, që i dallon njërin nga tjetri. Ndërsa shohim Gjinin të rritet,
vëmë re sesi mendimet e tij piqen dhe sesi pyetjet bëhen edhe më ekzistenciale
e domethënëse: përse ajo armiqësi jo gjithmonë e heshtur e jo gjithmonë thjesht
e nënkuptuar mes fqinjëve? Ndjekim me Gjinin demonstratat e para studentore,
shohim dhunën policore e atë të milicëve që rastisin të jenë pothuaj të gjithë
kolonë, kuptojmë edhe më mirë ndasitë e llogoreve ‘partizanë e ballistë’ prej
Luftës së Dytë Botërore që thellon edhe më ndasitë etnike apo i pozicionon ato
më tej në jetesën e përbashkët mbi të njëjtin truall (pothuaj asnjëherë
bashkëjetesë), mësojmë për pyje Katini, në kodrat e qytetit dhe të vdekurit pa
varre e pa emër.
Por
autori, ndonëse bëhet fjalë për një trill letrar, tregon maturi në gjuhën e
përdorur. Ai nuk akuzon drejtpërdrejt, porse ngre pyetje dhe përcjell atë që
shpërndahet si era përmes zërave dhe të thënave. Përmes ndasive kuptojmë
simpatitë dhe antipatitë e secilës etni në skenën e madhe gjeopolitike. Jemi të
paracaktuar në këtë botë që historia të përsëritë veten dhe nën zhvillimet
tragjike të konfliktit në Lindjen e Mesme, Izrael- Palestinë dhe sulmet në Gaza
( por edhe te shtetet përreth tanimë), kuptojmë sesi shteti jugosllav anonte
kah Palestina në konfliktet e mëhershme dhe pse shqiptarët vendas shihnin me
simpati Izraelin.
Një
pjesë e mirë e romanit i kushtohet besimeve fetare, jo thjesht si e drejtë e
ushtrimit të tyre në një regjim që ndonëse nuk i ndaloi krejt si në Shqipërinë
komuniste i inkurajoi ata që e braktisën, por si një element i fortë identitar.
Gërmon nën altarë e kryqe, afreske e liturgji të fshehtat e kyçura, martirë si
at Bernardi e Marie Shllaku dhe sjell historinë e laramanëve, pjesë e së cilës
është edhe ajo e Gjinit, siç njiheshin kripto-të krishterët e Kosovës. Universi
romanor i Gani Mehmetaj është i pasur, i gjallë, dhe personazhet nuk e lënë të
bjerë në kurthet e mërzisë. Duke ndjekur nga afër jetën e protagonistit, libri
mund fare mirë të kategorizohet edhe si një bildungsroman – ku ndjekim vitet e
tij formimit shpirtëror e intelektual.
Romani
ndahet në dy pjesë, me Gjinin i cili largohet nga qyteti dhe nga vendi drejt
Perëndimit. Largim ky i paralajmëruar qysh herët në faqet e romanit, ku autori
ka trajtuar edhe migracionet masive të shqiptarëve drejt Europës për shkaqe
sociale-ekonomike, shtyrë edhe nga diskriminimi i politikave të regjimit, ndërsa
kolonët janë ata që hezitojnë të ndjekin të njëjtin shembull të emigracionit.
Gjini largohet si një djalë në fund të adoleshencës dhe kthehet sakaq burrë i
pjekur në qytetin e djegur dhe shkretuar pas ngjarjeve apokaliptike të vitit
1999.
Urë
lidhëse mes dy krerëve bëhet romani “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, i
shkrimtarit Ismail Kadare. Është pikërisht kjo referencë që bëhet edhe
pikëtakimi mes Gjinit dhe Milenës, së dashurës së vjetër me të cilën rasti apo
fati, në kuptimin determinist ku gjithçka në univers përfshi edhe vendimet apo
veprimet e qenies njerëzore janë të paracaktuara, i vënë sërish pranë
njëri-tjetrit.
Ndërsa
e sheh dritën e botimit në Shqipëri, në vjeshtën e vitit 2024, ky roman i Gani
Mehmetaj vjen edhe si një homazh për shkrimtarin Ismail Kadare, i cili u nda
nga jeta në korrik të këtij viti. Por, ndërsa Gjenerali i shërben autorit si
mjet për lëndën e tij artistike, ku Gjini dhe Milena njëzet vjet më pas e
gjejnë veten ( për arsye të ndryshme) pjesë të ekipeve të zbulimit të varreve masive,
Gani Mehmetaj si fitues i një vepre në prozë të Çmimit Letrar Kadare, por edhe
si admirues i letërsisë së Kadaresë sjell referenca të forta edhe të një tjetër
vepre. Tisi mjegullor i Realizmit Magjik që vesh këtë roman, të ndërmend
“Kronikë në Gur” të Kadaresë, me qytetin e gurtë, gati magjik në sytë e
rrëfimtarit fëmijë, që ndonëse nuk e përmend përshkrimet e zbulojnë se bëhet
fjalë për Gjirokastrën.
Në
të njëjtën frymë, kjo vepër është edhe një tribut për qytetin e lindjes së
autorit. Ndonëse Mehmetaj nuk e përmend emrin e qytetit, lë gjurmë dhe të dhëna
që bëhet fjalë për Pejën e tij, me Lumëbardhin, Grykën e Bjeshkës dhe Çarshinë.
Iu
kujtua Çarshia e vjetër: një qytezë brenda qytetit, me shitore të renditura si
kuti shkrepëse, të mbushura me mallra italiane e franceze të modës e me
argjendaritë e famshme vendëse. Kishte qenë zemra e qytetit, ku pulsonte jeta e
tregtia. Dikur kishte qenë kopje e qendrave tregtare të Triestes e të
Venedikut.
Notat
kadareane të “Kronikë në Gur” i gjejmë edhe te dy personazhet më të rëndësishëm
të romanit: gjyshja dhe Zoja e Lleshit. Ashtu si tek Kadare me gjyshe
Selfixhen, Xhexhon, Kako Pinon, hallë Xhemon e nënëmadhen, edhe te “Muri i
Heshtjes” zhvillimet politike të kohës, por edhe analiza e ngjarjeve të së
kaluarës dekantohet, përkthehet dhe përcillet përmes plakave. Janë dy plakat,
bisedave të së cilave herë pas here u bashkohet edhe Ajkuna e Sanxhakut
(shqiptarja e boshnjakëzuar që nuk harroi kurrë të fliste shqipen e vjetër),
ato që shërbejnë si kronikane.
Përmes
tyre zbërthehet politika e Titos, ndryshimet në qeveri, flijimi i ndonjë
ministri që vinte si ogur i keq, rrëfimet që plakat i shtrijnë pas në shekuj.
Personazhe të ngjashëm nuk kanë munguar as në romanin “Zogjtë e Qyqes”, me
gjyshin e Draganit, i cili është zëri dhe ndërgjegjja e së kaluarës dhe
ndarjeve të thella etnike, por edhe motive për krenari nga njëra palë dhe
urrejtje të palës tjetër.
Në
një kuptim, romani “Muri i Heshtjes” vjen si rrëfimi nga ana tjetër e murit,
zbërthyer më parë nga Dragani në “Zogjtë e Qyqes”. Përshkrimet të bëjnë të
kuptosh se bëhet fjalë për të njëjtin qytet, ose ndonjë aty pranë në Rrafshin e
Dukagjinit. Tashmë detyra për të rrëfyer sesi ka qëndruar e vërteta mes atyre
që kurrë nuk u bënë “ne”, por mbetën “ne dhe ju” në atë bashkëjetesë të
induktuar prej pushteteve, i takon Gjinit – fqinjit nga ana tjetër e rrugës,
nga ana tjetër e historisë që siç shumë të rinj të etnisë së tij nuk ia mohoi
zemrës të rrihte përtej murit për vajzën e bukur të kolonisë serbe. Por Gjini
nuk është hero. Ai e kupton shpejt se heronjtë i takojnë botës së përrallave.
Jeta e vërtetë është e mbushur me njerëz që thjesht kërkojnë të çojnë përpara
ekzistencën, shpesh të mërzitshme edhe kur është e mbushur me ëndrra e fantazi
si ajo e Gjinit.
Nuk
është as antihero. Gjini në të gjithë romanin pjek flegmatizmin, prirjen për
t’iu arratisur realitetit kur ky i fundit kërkon vendimmarrje. E braktisi
qytetin kur e dashura u largua me trenin e pasdites. Nuk iu kthye atij as kur
shumë të tjerë dolën të luftojnë. Me kast, autori e lë personazhin e Gjinit të
ngecur, në vend e në kohë, pa përkatësi, të plogësht e apatik. Ai nuk merr
pjesë në ngjarje, veçse dëshmon.
Si
gazetar ka zbritur në terren, por nuk e ka kaluar kufirin drejt Kosovës. I
dëgjon dëshmitë e tmerrit nga bashkatdhetarët, por si një i huaj, i distancuar,
por pikërisht për këtë i vyer për të rrëfyer qartë dhe paanshëm. Do të kishte
qenë pa dyshim më e lehtë për autorin të ndërtonte një personazh që del të
luftojë për ekzistencën e etnisë së tij kundër dorës së egër spastruese e
gjenocidale. Por autori nuk e bën atë palë. Nuk e bën as veten palë. Në një
libër të tillë rrëfimi neutral është ai që ia shton edhe më shumë peshën dhe e
bën lehtësisht të eksportueshëm në terrene të tjera, brenda Ballkanit, por edhe
më përtej në Europë, po të kemi parasysh fatin e romanit “Zogjtë e Qyqes” që pa
dritën e përkthimit dhe botimin në gjuhën frënge e kroate. Në pjesën e dytë të
romanit gjejmë një Milenë të transformuar. Ajo nuk është bukuroshja pa guxim të
thyejë rregullat e pashkruara të komunitetit të saj, bija e bindur që do të
mbytë në heshtje të shkuarën e fshehtë të të atit si milic me duar të
përgjakura. Ajo vjen si një grua e fortë, ndonëse fati me të nuk ishte treguar
aspak bujar.
Milena
shfaqet si një plakë Nicë, porse jo idhnake, jo e tjetërsuar. Dhimbja, humbja e
të birit 18-vjeçar, e ka bërë atë më humane dhe më të vendosur. Përmes dramës
së saj arrin të shohë më mirë padrejtësitë që i janë bërë një komuniteti të
tërë vendësish, kupton dhe denoncon dhunën e të sajve, i del përballë
makinerisë së propagandës e ndonëse është viktimë bën mea culpa. I kërkon
shtetit t’i japë fund luftës, t’ua kthejë bijtë dhe të kërkojë varret e atyre
që nuk u kthyen. Varret masive, pa emër.
Në
këtë rritje të brendshme, është e natyrshme ta shohim Milenën të shkojë për të
dëshmuar në Gjyqin e Hagës, një akt guximi i pashembullt ndërsa i kundërvihet
shtetit të saj.
Në
fund, romani na zhyt përsëri në botën e legjendave dhe përrallave, visoreve të
patëdyta të qytetit dhe rrethinave, në një Kosovë ku kolonët kanë kohë që kanë
ikur, vendi është i mbushur me ndërkombëtare dhe forca të NATO-s që përpiqen të
ruajnë rendin ndërsa shohin përpjekjet për rimëkëmbje. Një Kosovë që përgatit
terrenin për një shtet të pavarur multi-etnik, me yjet në flamurin e saj që
nënkuptojnë grupimet etnike – shqiptarë, serbë, boshnjakë, turq, goranë, romë,
ashkalinj e egjiptianë. Por në fund, megjithëse koha shkon rrëfehen të njëjtat
legjenda, që e përgatisin lexuesin dhe brezin që do të vijë me paralajmërime se
në një truall të nxehtë, të cilin europianët në fillim të shekullit të shkuar e
pagëzuan si “fuçi baruti”, mund të ketë ndoshta bashkekzistencë për një kohë,
por bashkëjetesa pa shëruar plagët e së shkuarës ende duket e largët...
Ai
nisi t’u rrëfente për nënën që erdhi nga anë e anës në kërkim të të birit që
ishte zhdukur në luftën e gabuar, në anën armike. Brodhi nëpër gjysmën e
gadishullit, por gjurmë nga i biri nuk gjente. Pyeste njerëz, kërkonte
fushëbetejat, hapte varre.
Gjini
dhe Milena, pavarësisht rrjedhës së jetëve, janë shembulli ( dhe përfaqësues të
të gjithë atyre dashurive të përziera që rezistuan), se po ta zhveshësh njeriun
nga konstruktet sociale, mbetet vetëm thelbi: njeriu. E njerëzit dashurojnë,
qajnë e qeshin njësoj, këtej dhe andej murit.
Njerëz
si Gjini e Milena nuk janë si uji dhe vaji, por janë lëndë e përzier
ballkanase, në ato troje që siç do t’i thoshte aktivistja serbe Sonja Biserko
Virgjil Muçit në librin e tij “Intervistë me Armikun” ...vendet e rajonit kanë
qenë pjesë e dy perandorive të mëdha – dhe ky është realiteti ynë.
Me
këtë roman të tretë botuar në Shqipëri ( ndonëse autori numëron më shumë se 25
vepra të botuara ) Gani Mehmetaj duket se i vendos të gjitha copëzat e mozaikut
të sagës së Ballkanit, si një kronikan që besnik i mbetet vetëm devizës së të
vërtetës.