Kulturë
Bedri Tahiri: Lapidar përjetësie për Luftën e Drenicës dhe Shaban Polluzhën
E marte, 10.12.2024, 06:59 PM
Botim i ri
LAPIDAR
PËRJETËSIE PËR LUFTËN E DRENICËS DHE SHABAN POLLUZHËN
(Muhamet
Mjeku, Lufta e Drenicës dhe Shaban Polluzha, Rea, Prishtinë, 2024)
Nga
Bedri TAHIRI
Muhamet Mjekun e njoh që nga viti 1991,
përmes veprës “Lufta e Drenicës dhe
Shaban Polluzha”, e cila që botuar në vitin 1991, në 10.000 ekzemplarë, e
që atëbotë e kapërdinim brenda natës. Paskëtaj, e vazhduam edhe përmes librave
të tjerë e përmes komunikimeve elektronike.
Mirëpo, realisht e fizikisht e kam
takuar (pasi qe kthyer për pushime nga Amerika), tek në nëntor të vitit 2023,
kur, pas një kuvendimi të shtruar si në odat tona, mora një lajm shumë të
gëzuar se ky punëtor i palodhur, i kishte hyr një punë të vlefshme e me peshë
historike kombëtare, plotësimit dhe kompletimit të këtij libri historik-letrar
e fejtonistik, kushtuar një hallke mjaft të rëndësishme të zingjirit të
luftërave tona të përhershme, kundër armikut shekullor, Serbisë, siç ishte
Lufta e Drenicës, udhëhequr nga
komandanti sypatrembur e tribuni popullor Shaban Polluzha.
Kështu, pas një punë të gjatë
sistematike, hulumtuese e përkushtuese, ia doli mban, me plot sukses, duke e
kurorëzuar me një botim më cilësor, më përmbajtjesor e me vlera të larta
historike-kombëtare, i cili, ashtu si herën e parë, do të bëhet libri më i
kërkuar nga lexuesit kureshtarë.
Dhe, ashtu siç më pati premtuar, kopja
e parë e librit të plotësuar, më erdhi dhuratë nga autori!
Libri “Lufta e Drenicës dhe Shaban Polluzha” (botim i dytë i plotësuar),
është një kryevepër e llojit të vet, një Lapidar përjetësie për Luftën e
Drenicës, për Tribunin popullor e komandantin e saj, viganin Shaban Polluzha si
dhe për beteja, ngjarje e profile luftëtarësh anë e kënd trojeve shqiptare...
Nëpër treqind faqet e librit, me foto e
ilustrime, me rrëfime të qarta e të drejtpërdrejta nga goja e pjesëmarrësve të
atyre betejave, me shtjellimin e lëndës në mënyrë profesionale nga autori me
përvojë, me një stil të lehtë e të kapshëm nga të gjithë, me një gjuhë të
rrjedhshme e të pastër shqipe, të përafërt me sintaksën popullore, shpërfaqet
një histori e tërë, me heroizmat dhe të bëmat e trimave shqiptarë, që i dolën
përballë një lubie shumëkrerëshe karpatiane, për ta shpëtuar popullin e vet
autokton nga zhbërja.