Mendime
Florim Zeqa: Të mbrohet dinjiteti i ushtarit!
E shtune, 19.10.2024, 05:56 PM
Të mbrohet dinjiteti i ushtarit!
Ushtria pa bukë, kryeministri me
zëmendësën e tij sorrollaten për vota në Gjermani!
Shkruan:
Florim Zeqa
Nuk i
thash gabimisht zëmendëse e Kurtit kryediplomates Gërvalla, për faktin se i
përket mendësisë së njejtë që kanë për shtetin e Kosovës. Sikur të kishin
mendësi të shëndoshë për shtetin, në kohën kur Ushtria ka mbetur pa ushqim,
shtetarët e vërtetë dhe të njëmend do të anulonin edhe vizitat zyrtare në
shtetet më me ndikim në botë e lërë më vizitat private me bashkatdhetarët me
karakter elektoral partiak!
Ku është Fondi i Sigurisë?
Ku janë rezervat shtetërore?
Ku është buxheti i shtetit?
Janë
këto tri pyetje, për të cilat kryeministri me Ministrinë e Financave dhe atë të
Mbrojtjes duhet të jepin përgjigje publike para qytetarëve të vendit dhe
ushtarëve në veçanti, të cilet përveq ushqimit problem e kanë edhe veshmbathjen
dhe kushtet higjeniko-sanitare në Kazermat e FSK-së!
Këto
pyetje nuk i ngrita si opozitar, por si qytetar i Republikës së Kosovës dhe si
Analist i pavarur i cili e mbron interesin e shtetit para çdo interesi partiak.
FSK-ja
për më shumë se ushtri dhe forcë mbrojtëse e shtetit tonë, është vlera më
sublime e lirisë sonë, është nderi dhe krenaria e çdo qytetari të Kosovës, në
të cilën shërbejnë djemtë dhe vajzat më të mira të kombit tonë.
Andaj,
e kemi për obligim të gjithë pa dallim ta mbrojmë nderin dhe dinjitetin e
ushtarit tonë, të nëpërkëmbur pamëshirshëm nga njerëzit e veshur me petkun e
pushtetit.
Askush
nuk guxon që ta politizoj çështjen e shujtave të ushtarëve për ështje
elektorale, por, as ta anashkaloj dhe neglizhoj për të njëjtat qëllime!
Problemin
e ngritur brenda ushtrisë nga Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, nga
pjestari i Familjes Legjendare, ishte dashur që pushtetarët ta merrnin më
seriozisht për trajtim urgjent në Qeveri.
Ishte
dashur që kryeministri me kabinetin qeveritar të mbylleshin në një takim të
gjatë ditor dhe javor në qoftë nevoja derisa ta gjejnë zgjidhjen afatgjatë dhe
të përhershme për FSK-në e jo të sorrollaten shteteve evro-perëndimore në
kërkim të votave të mërgimtarëve!
Ngase
nuk janë shujtat problemi vetëm në FSK, por është një gamë shumë e gjërë dhe e
gjatë e problemeve për të cilat duhet të flas Komandanti i saj e jo unë si
Analist!
Me
këtë që e ceka më sipër deshta të themë se, nuk jam kundër Albin Kurtit si
lider partiak, por, jam kundër qasjes së gabuar të shtetarve tonë ndaj FSK-së.
Imoralitet dhe heshtje e paparë e
liderëve shtetërorë
Një qeveri që flet çdo ditë për
forcën kombëtare dhe sovranitetin e vendit nuk është në gjendje t'u sigurojë
ushtarëve tanë as bukën e përditshme!
Kjo
përveqse paaftësi, është papërgjegjësi e turpshme që tregon imoralitetin e
lartë të një qeverie që anashkalon ushtarët e uritur e të zbathur, të mbetur si
jetim të këtij gjysëm shteti!
Heshtja
e presidencës, e 'Komandantes Supreme' është pak më tepër se anashkalim, është
skandaloze dhe e turpshme!
Një
herë në vit vizitohen edhe varezat!
Ku
je Presidente, ku je strukur?
Pse
nuk shkon në Kazermë si 'Komandante Supreme' për t'i motivuar ushtarët e uritur
dhe të zbathur, të leckosur dhe të pashpresë, të cilët çdo ditë i hudhin
uniformat për të ikur jashtë vendit, mbase për të mos u kthyer asnjëherë në
vendin e tyre?
Mungesa
e ushqimit të ushtarëve nuk është çështje teknike zonja Presidente, por një
çështje nderi dhe dinjiteti kombëtar e cila e tregon pakujdesinë e shtetarëve
ndaj Forcës Mbrojtëse të vendit tonë.
Pakujdesia
ndaj Ushtrisë paraqet dështimin më skandaloz të pushtetarëve, e cila paraqet
rrezik të madh për të ardhmen e shtetit.
Mungesa
e ushqimit në FSK nuk është thjeshtë një vakum institucional, por është krizë
emergjente e cila duhet të zgjidhet shpejt dhe përgjithmonë.
Letra
e Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtnant, Bashkim Jashari dërguar Ministrit të
Mbrojtjes lidhur me shqetësimet e shumta që kanë të bëjnë me shërbimet
ushqimore, mungesën e personelit dhe problemet sanitare, shpërfaqë një gjendje
alaramante në ushtrinë tonë e cila kërkon trajtim emergjent nga ana e shtetit.
Siq
duket, kësaj qeverie dhe kësaj presidentje, nuk i bën pështypje aspak mungesa e
ushqimit në kazermat e FSK-së, e aq më pak mirëqenia dhe shëndeti i vajzave dhe
djemve që me përkushtim të lartë i shërbejnë ditë dhe natë atdheut tonë të
shenjt.
Thirrje shpirtërore për ushtarët
sypatrembur të FSK-së: Qëndroni të fortë dhe të palëkundur në misionin fisnik
të mbrojtjes së atdheut. Zhgënjimin dhe dëshprimin ta ktheni në forcë dhe
përkushtim akoma më të madh. Ju jeni forca dhe krenaria jonë shpirtërore në
këto kohë të vështira që po kalojmë si shtet dhe komb në përgjithësi. Respekt
deri në përulje për secilin ushtar të atdheut tim. Zoti ju bekoftë!
Florim Zeqa
13.10.2024