Mendime
Ndue Dedaj: Nëse profesionistët do të kishin folur!...
E enjte, 25.07.2024, 07:59 PM
NËSE PROFESIONISTËT DO TË KISHIN FOLUR!...
NGA
NDUE DEDAJ
Nëse
profesionistët, specialistët dhe ekspertët e fushave të ndryshme, ata “pa
parti”, do të kishin folur hapur, me guxim dhe trimëri intelektuale, në vendin
dhe në kohën e duhur, Shqipëria shumë gjëra do t’i kishte ndryshe nga sot, më
mirë e më mbarë. Nëse arkitektët e Tiranës do të kishin qenë luftarakë në idetë
dhe qëndrimet e tyre, ka gjasë që kryeqyteti ynë të ishte sot pa kullat
“dubaitiane”, me gjithë autor(itar)sinë e Kryeministrit dhe kjo marrëzi nuk do
të kishte nxituar drejt Shkodrës, për ta shfytyruar qytetin autentik të
Rozafës, kinse me një “Rozafë” moderne, që nuk të krijon asnjë ndjesi të së
bukurës në atë mjedis. Të gjithë presin arkitektët, urbanistët të thonë, është
mirë apo keq kjo gjë? Çfarë do të thoshte Arkitekt Sinani, që nuk ndërtoi vetëm
në Orient, por dhe në Vjenë, Romë e deri në Vlorë - do të ishte për dyzet kulla
apo për dyzet çezma në Tiranë, sigurisht pa e kthyer kryeqytetin e shqiptarëve
në Stamboll, por as duke e fshirë “Stambollin” e këtushëm me pahir, duke i
mveshur një tjetër orient!...
Këtu
flasin të gjithë dhe për çdo gjë, vetëm ekspertët e fushave jo! Nuk të dëgjon
kush, thonë. A nuk u ngritën artistët në protestë, me ditë e me net, në
mbrojtje të Teatrit Kombëtar, po kush i dëgjoi? E shemben se e shembën
pushtetarët. Po e ndanë mendjen këta tanët, e bëjnë, nuk është si në Europë ku
nuk mund të ngulësh një gozhdë jashtë interesit publik. Kështu ka ndodhur
gjithmonë. Kë pyetën ata që shembën dikur godinën e Bashkisë së Tiranës, për të
ndërtuar në vend të saj Muzeun? Pikërisht kjo psikologji kryeqeveritarësh, prej
të gjithëpushtetshmish, kërkon përballje të “gjithëpushtetshme” publike,
kryekrejet nga profesionistët. Sidomos në kushtet e një opozite të dërmuar
politikisht, për njëqind (mos)arsye, elita intelektuale është e vetmja kambanë
që mund të dëgjohet, edhe pse mungon krejtësisht vullneti i qeverisë për të
dëgjuar opinionin publik, opozitën, zërat ndryshe, aq më pak ata kundër.
Qytetarët nuk pyetën as për instalacionet që vihen në kryqëzime rrugësh, u vu
një “çelës” në Shkodër dhe nuk dimë të ketë folur ndonjë urbanist, i shkon apo
nuk i shkon një simbolikë e tillë një qyteti me kështjellë të lashtë etj. Por
profesorët nuk flasin! Ata heshtin. “Zëri” i tyre është ai i heshtjes. Kanë
folur në diktaturë, edhe pse e dinin se do të përfundonin në Spaç, e nuk flasin
në demokraci. Duket e pabesueshme, por kështu është. Nuk është dhe aq frika
sot, por mbase “blerja” e heshtjes me flori.
Nëse
bankierët dhe ekspertët bankarë do të kishin folur publikisht duke i denoncuar
mikrokreditë, këto të fundit nuk do të ishin shndërruar në vrastare të
qytetarëve të thjeshtë dhe të vetë bosëve të tyre. Ashtu siç nuk patën folur
dikur profesorët e ekonomisë, ekspertët e saj për rrezikun e piramidave, çka do
të kishte parandaluar tragjedinë kombëtare që ndodhi. Nuk ka folur as gazetaria
investigative, pasi ajo në vendin tonë thuajse nuk ekziston. Ne nuk kemi
gazetarë - ekonomistë, gazetarë - juristë, gazetarë - ekologjistë etj. dhe
programe që t’i mbështesin ata fuqimisht në investigimet e tyre delikate në
botën e krimit dhe të mafias shtetërore. Në pamundësi për të bërë më të mirën,
gazetarët tanë të këtij profili i vihen aferës kurruptive iks pasi ta ketë
denoncuar opozita apo nisur hetimin Prokuroria. Teksa kemi opinionistë të
shumtë televizivë, të zotët, po që duke folur përditë e për gjithçka e shpesh
njëanshëm, e kanë humbur besueshmërinë publike. Prandaj lind nevoja e zërave të
profesionistëve, që në njëfarë mënyrë do të vinin pikat mbi “i”.
Si
është e mundur që shoqëria jonë gjendet herë pas here në pragje të tilla
shkatërrimtare, si piramidat, inceneratorët, mikrokreditë, “Onkologjiku”,
tjetërsimi dhe grabitja e pronave, betonizimi i bregdetit, hecizimi i lumenjve
etj.? Pa u paralajmëruar për rrëziqet e mundshme nga ekspertët përkatës, nga elita
e vendit? Kur themi elita nuk kemi parasysh ndonjë “kor” ku të bëhen bashkë
disa zëra “kryengritës” për t’i bërë oponencë qeverisë, bashkive etj. Fjala
është për profesionistët që kanë emër të përveçëm. Ku janë ata? Pse nuk
dëgjohen! Kjo nuk do të thotë se nuk mund të bëhen dhe dy a më shumë bashkë, që
të reagojnë si një zë i vetëm, i peshuar dhe argumentuar, çka do të ishte më e
mira. Tashmë nuk përzihen në “punët e brendshme” as shqiptarët intelektualë të
emigracionit, që dikur ishin zëra publikë mjaft të pëlqyer. Përmendet
gjithandej që për Vjosën tonë ka reaguar Lenardo Di Capro, por nuk kemi dëgjuar
të ketë bërë diçka të ngjashme ndokush nga shqiptarët jashtë vendit, që qeveria
i promovon në Tiranë me pompozitet, si të ishin Faik Konica apo Arshi Pipa. Na
duket se jo pak veprimtari të kësaj natyre kanë për qëllim më shumë reklamën e
qeverisë se promovimin e Shqipërisë jashtë.
Shoqëria,
e dhënë pas interesave të çastit, ka ende “kultin” e shefave, zyrave dhe
zyrtarëve, ndërkohë që i sheh me indiferencë personalitetet e fushave të
ndryshme, deri kur plas bomba sociale. Duhej të ndodhte tërmeti i 2019-ës që të
“zbulonim” se kishim një inxhiniere ndërtimi klasi si Luljeta Bozo. Ajo nuk
ishte ndonjë anonime, përkundrazi, profesoreshë Universiteti prej një kohe të
gjatë, mësonte fëmijët tanë në auditore, kishte folur për rrëziqet e
ndërtimeve, herë - herë pa “themele” të qëndrueshme të tranzicionit, por nuk
ishte dëgjuar, u bë zë i fortë publik vetëm mbasi ndodhi gjëma, çka e bëri dhe
deputete. Po sikur Kuvendin ta kishim me më shumë “Luljeta” të sferave të
ndryshme dhe me aspak individë që nuk i thonë asgjë lagjes së tyre, jo më
Shqipërisë dhe shqiptarëve si ligjvënës. Asnjëherë nuk kanë munguar
profesionistët e zot, që falë angazhimit të tyre qytetar janë ngritur në nivele
kombëtare, paçka se ku kanë banuar, si Ahmet Osja, që ishte gjithmonë një pikë
referimi për bujqësinë shqiptare dhe Shkodrën e tij, ashtu si Gjergj Vlashi për
Durrësin, Vexhi Buharaja për Beratin, Thoma Papapano për Gjirokastrën etj. Autoritetet
morale të shoqërisë, shkrimtarë, artistë, akademikë, pedagogë, juristë, mësues,
publicistë, sociologë, mjekë, ekonomistë, inxhinierë, arkitektë etj. pak
besojnë në politikën dhe lidershipet e saj, në shoqërinë e ashtuquajtur civile,
ndaj dhe nuk përfshihen në to. Kjo i bën ata zëra më autentikë, që nuk
paragjykohen, pa përjashtuar dhe individualitete të moderuara politike, që
dëgjohen me respekt nga publiku kur flasin për kauza që kanë të bëjnë
drejpërdrejt me qytetarët, si Alizoti, Alimehmeti, Shehu etj., nga krahu i
opozitës, por dhe të tjerë.
Qeveria
ka përgjegjësi se nuk këshillohet, nuk e dëshiron këtë gjë, këshilltarët që
paguhen për këtë punë nuk pyetën për asgjë thelbësore, por, nëse ata janë nën
presion nga eprorët për të mos folur, pasi iu fluturon rroga dhe karriera,
profesionistët që nuk janë pjesë e administratës publike, çfarë i pengon ta
“këshillojnë” qeverinë dhe pa dëshirën e saj? Ekspertët e arsimit nuk duhet të
zgjohen vetëm pas vlerësimit negativ të shkollës shqiptare nga PISA. Ata të
bujqësisë nuk kanë më gojë pas dështimit të qeverisë me grantet e dhënë nga
Bashkimi Europian. Bluzat e bardha duhet të ndihen para se të dalin sheshit
skandalet e kolegëve të tyre. Në emër të reformimit të administrates shtetërore
(që kurrë nuk u bë!), kemi një dyzinë inspektoriatesh, që kryqëzohen poshtë e
përpjetë, pa kompetenca të qarta dhe efektivitet në punë. Për të njëjtin
realitet apo subjekt - pyjet, mjedisin dhe Zonat e Mbrojtura - janë krijuar 5 -
6 sektorë e agjensi, (në bashki dhe në dy - tre dikastere), specialistët e të
cilëve i bëjnë bashkë vetëm zjarret në verë!? Këto s’kanë si lihen kështu, por
pse nuk bie kambana sot? Nesër mund të dalin plot e të thonë, kështu mendonim
dhe ne, po kjo do të ishte si trimi pas luftës.
Sot
për sot në betejë me të keqen duket sikur është vetëm SPAK dhe gjithë të tjerët
presin me sytë nga godina me hekura, ç’po ndodh atje. Ky është veçse një
iluzion. Atë që mund ta bëjë një publik i ndërgjegjësuar për fatet e veta, nuk
e bën dot asnjë institucion shtetëror, pavarësisht rangut dhe mbështetjes
ndërkombëtare. Ndërgjegjësimi është problemi i shoqërisë, kurse ndëshkim i
është problemi i ligjit. Ne jemi ende në fazën kur besojmë se burgu është
zgjidhja dhe jo shkolla. Kur themi ndërgjegjësimi, i pari është edukimi, që e
kemi me aq mangësi, nga testet që dalin jashtë sallave të provimit çdo sezon,
deri te mungesa e laboratoreve dhe leximi, pa të cilat shkolla nuk mund të
kuptohet. Por a ka ndonjë debat publik se si duhet të jetë shkolla? Qeveria e
Kuvendi heshtin. Profesorët po e po. Ata janë palë me pushtetin! Nuk ka të
pavarësuar...
Ka
një handikap shekullor, që nuk po tejkalohet, përpjekja e qeverisë për t’u
identifikuar me popullin, vendin, kombin, atdheun, shqiptarët, diasporën, duke
u paraqitur si shpëtimtare e tyre nga “rreziku” i opozitës: “ne s’jemi më të
mirët, por më të mirë se ne nuk ka”, “po erdhën ata - kundërshtarët, mbetën në
mes të gjitha punët e nisura!?” etj. Si baballarë të kombit janë hequr të
gjithë sundimtarët me emra të frikshëm (fashistë, nazistë, komunistë) të
shekullit XX, sigurisht që nuk jemi sot si atëherë, por autokracia është një
pjellë e keqe e atyre regjimeve. Fatmirësisht bota Perëndimore ka gjithmonë
shembuj madhorë të funksionimit të demokracisë, siç ishte dorëheqja e Presidentit
Joe Biden nga kandidimi për një mandat të dytë presidencial, apo ndërrimi i
qeverive, pa lëshuar “rrënjë” të përhershme, në Itali, Francë, Angli etj.,
ngaqë atje është kulti i shtetit dhe jo i individit që nuk di të shkulet nga
posti. Nëse do të kishim politologë, filozofë, analistë të pakomporomis të
zhvillimeve tona politike, në qasje me ato ndërkombëtare, doemos që në publik
do të kishte tjetër përceptim për politikëbërjen dhe qeverisjen ndër ne.
Problematika
të mrehta ka plot, siç ka dhe profesionistë të zot, por nuk dimë, mbyllja ne
vetvete dhe mospërballja e tyre me mbrapshtitë e pushtetit, vjen nga lodhja e
mundimshme e tranzicionit, presioni i politikës, apo më keq akoma, nga “blerja”
e heshtjes...