Mendime
Enver Bytyçi: Kosova dhe Krimeja nuk janë e njëjta meny në të drejtën ndërkombëtare!
E enjte, 25.07.2024, 07:58 PM
Kosova dhe Krimeja nuk janë e njëjta meny në të drejtën ndërkombëtare!
Nga
Prof. Dr. Enver Bytyçi
Ministri
i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, njihet si një nga diplomatët më të aftë të
kohës së sotme. Ai në një takim me përfaqësues të organizatave joqeveritare tha
se të gjitha “telashet, problemet, krizat nuk kanë të bëjnë me faktin se OKB-ja
‘nuk po e përballon’, siç thonë disa, por për faktin se “Karta e OKB-së nuk
zbatohet ose, nëse zbatohet, bëhet në mënyrë të njëanshme”. “Perëndimi po shkel
Kartën e OKB-së si në raport me Kosovën ashtu edhe në lidhje me Krimenë”, ka
deklaruar Lavrov. “Perëndimi zgjedh si nga një meny. Në një rast, parimin e
mbrojtjes së sovranitetit, siç bëri duke refuzuar të njohë një referendum
absolutisht transparent në Krime, dhe në rastin tjetër, ai udhëhiqet nga parimi
i një kombi të vetëvendosjes, siç ishte rasti me Kosovën.
”
Në këtë deklarim shefi i diplomacisë ruse është shumë i qartë. Ka projektuar
mesa duket opsionin rus të zgjidhjes së konfliktit dhe ndalimit të luftës në
Ukrainë. „Na njihni Krimenë dhe ne njohim Kosovën“! Ky është mesazhi i tij. Më
pas, sigurisht që do të kërkojë edhe ruajtjen e sovranitetit rus në rajonet
lindore ukrainase të pushtuara nga ushtria e Vladimir Putin. Por nuk dua të
ndalem gjatë në këtë aspekt.
Thjesht
e shoh të domosdoshme që të ve në dukje disa arsye pse rasti i Kosovës dhe i
Krimesë nuk janë e njëjta meny në të drejtën ndërkombëtare. Këto arsyetime kanë
sfond historik, aktual dhe janë në ballafaqim me të drejtën ndërkombëtare, të
sintetizuar kryesisht në Kartën e OKB-së dhe rezolutat e Këshillit të
Sigurimit. Le të përmendim disa prej tyre: Së pari, Rusia e ka njohur shpalljen
e pavarësisë së Ukrainës që në vitin 1991. Ndërkohë më 5 dhjetor 1994, kur në
Budapest u nënshkrua marrëveshja për çatomizimin e Ukrainës, u ritheksua
qëndrimi i Kremlinit për të respektuar sovranitetin shtetëror të Ukrainës,
brenda kufijve të së cilës ishte Krimeja. Këtë marrëveshje e nënshkruan
presidenti amerikan, Bill Clinton, presidenti rus, Boris Jelcin dhe
kryeministri britanik, Tony Blair.
Për
Kosovën pati thjesht përpjekje për ta mbajtur atë nën okupim, nënshtrim dhe
apartheid. Në vitin 1997 presidenti rus Jelcin vizitoi Kievin dhe nënshkroi më
31 mars të atij viti Marrëveshjen e Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Partneritetit
me Ukrainën dhe përmes saj rikonfirmoi njohjen dhe respektimin e sovranitetit
shtetëror të Ukrainës. Kosova u nda nga pjesa tjetër e territorit shqiptar më
1913 me dhunë, pa dëshirën e banorëve të saj shumicë dërmuese. Asnjë shqiptar
nuk ka hedhur firmën për ndarjen e saj. Ajo u ankesua me forcë nga Mbreti i
Serbisë Karagjergjoviç me dektret të 7 shtatorit 1913. Dhe u mbajt për gati 100
vite me dhunë e terror nën sovranitetin e Serbisë. Këto janë dy gjëra të
ndryshme. Kosova dhe shqiptarët banorë të saj kanë luftuar dhe kanë rezistuar
një shekull për lirinë e tyre nga Serbia.
Së
dyti, Në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë Kosova kishte statusin e një
njësie konstituive në Federatën Jugosllave. Krimeja kishte autonomi pas
shpalljes së pavarësisë së Ukrainës, por nuk kishte statusin e një njësie
federative me të drejta specifike në pjesmarrjen e saj në pushtetin qendror.
Prandaj Kosova kishte të drejtën e vetëvendosjes, nëse shpërbëhej, siç u shpërbë,
Fedarata e II e Jugosllavisë. Së treti, Kosovës iu grabit dhunshëm autonomia
nga ana e regjimit të Milosheviçit në mars të vitit 1989, ndërkohë që Krimesë
nuk iu grabit asnjë lloj e drejtë në vetadministrimin e saj. Kosova pas heqjes
së autonomisë u administrua nga një guvernator i qeverisë serbe dhe iu
suprimuan të gjitha institucionet lokale, si parlamenti, qeveria, gjyqësori.
Madje
shqiptarëve iu hoq e drejta e punës, e drejta për arsimim e informim në gjuhën
shqipe e deri te e drejta për shërbim shëndetësor. Në Krime shteti ukrainës
asnjëherë nuk e çoi gadishullin në këto rrethana dhune e terrori. Së katërti,
Pavarësia e Kosovës është produkt i shpërbërjes së Jugosllavisë, aneksimi i
Krimesë është produkt i ndërhyrjes nga jashtë i Rusisë. Vërtet kishte një
referendum, por ai referendum ishte nën diktatin e presionit e forcave
ushtarake dhe policore ruse që kishin hyrë më heret në territorin e Krimesë. Së
pesti, kërkesa për pavarësi në Kosovë ishte lëvizje nga brenda, vullnet politik
i qytetarëve të organizuar në parti politike, ishte gjithashtu vullnet i
parlamentit legjitim të Kosovës (Deklarata e 2 korrikut dhe Kushtetuta e 7
shtatorit 1990 e Kaçanikut).
Pavarësia
e Kosovës ishte një proces i gjatë, me demonstrim të vullnetit politik të
qytetarëve të saj për liri e shtetësi. Krimeja u aneksua brenda disa ditëve,
afërsisht një procesi një javor, për shkak të përdorimit të forcës nga një
superfuqi nukleare si Rusia. Nuk mund të jenë e njëjta meny e së drejtës
ndërkombëtare këto dy raste. Së gjashti, për të shkuar te pavarësia e Kosovës u
ndoq një proces dhjetëvjeçar i lëvizjes paqësore të shqiptarëve në Kosovë. U
ngritën institucione paralele. U refuzua regjimi i Milosheviçit.
Në
Krime gjithçka ndodhi me “urdhër të peshkut të madh të Moskës”! Më pas në
Kosovë pati një lëvizje çlirimtare. Milosheviçi u përgjigj me masakra të
panumërta. U vranë 13.500 shqiptarë. U zhdukën kufomat e 3600 të tjerëve. U
vranë 1402 fëmijë nën moshën 12 vjeç. U përdhunuan mbi 20 mijë gra e vajza e
madje edhe djem e burra. U dogj 70 përqind e objekteve dhe pasurive të
kosovarëve. Prandaj dhe pavarësia e Kosovës konsiderohet si produkt e genocidit
serb kundër shqiptarëve. Dhe kjo nuk mund të jetë në të njëjtën meny me
Krimenë, ku nuk pati thuajse asnjë viktimë dhe asnjë lloj dhune nga ana e
Kievit. Së shtati, Lavrov e di se Kosova i është nënshtruar një procesi politik
e diplomatik ndërkombëtar për të realizuar një zgjidhje të konfliktit midis saj
dhe Serbisë. Për këtë u krijua Grupi i Kontaktit, në të cilën bënte pjesë vetë
Rusia.
Dhe
ai është në dijeni të asaj çfarë është diskutuar në mbledhjet e këtij grupi.
Madje përfaqësuesi rus në Këshillin e Sigurimit ka pranuar rezolutën e këtij
këshilli me numër 1190 të fundit të shtatorit 1998, në të cilën thuhet se
“Konflikti në Kosovë rrezikon katastrofë humanitare dhe të zgjerohet në rajon”!
Ky konstatim i kësaj rezolute ishte dokumenti që shërbeu për ndërhyrjen e
NATO-s në Kosovë. Rusia nuk pranoi të votonte bombardimet e NATO-s kundër
Serbisë, por ama e kishte pranuar muaj më parë se konflikti rrezikonte
katastrofë humanitare dhe të përhapej jashtë ish-Jugosllavisë. Bazuar në
kapitullin e shtatë të OKB-së këto dy konstatime ishin arsye e mjaftueshme dhe
e bollshme për ndërhyrje ushtarake për shuarjen e konfliktit midis Kosovës dhe
Serbisë.
Për
Kosovën pati 4 rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për Krimenë asnjë,
sepse në Krime nuk pati konflikt. Konfliktin e solli Moska në këtë gadishull.
Për Kosovën u mbajt një konferencë e rëndësishme ndërkombëtare, ajo e
Rambujesë, ku ishte i pranishëm dhe ministri i Jashtëm i Rusisë. Për Krimenë
nuk u bë asnjë akt preventiv diplomatik, sepse Vladimir Putin e konsiderote si
çeshtje të tijën problemin e Krimesë. Së teti, pavarësia e Kosovës ishte
produkt i një procesi të parashikuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të
Sigurimit, të cilën e ka votuar edhe Rusia më 10 qershor 1999. Kërkesat e kësaj
rezolute u zbatuan me përpikmëri dhe madje kundër dëshirës dhe vullnetit politik
të shqiptarëve. Me atë rezolutë Kosova u bë protektorat ndërkombëtar.
Serbisë
iu vunë kufijtë për policinë 5 km e për ushtrinë 20 km në thellësi të
territorit të saj. Që do të thotë se Serbia duhej të qëndronte larg Kosovës nën
administrimin tashnë të OKB-së. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur me Krimenë. Bazuar
në rezolutën 1244 statusi i Kosovës duhej të zgjidhej brenda Federatës
Jugosllave, që nënkuptonte ajo të ishte Republikë e kësaj federate. Por
Federata Jugosllave u shkërmoq kur Mali i Zi në korrik 2006 shpalli pavarësinë
e tij. Nuk kishte më federatë. Prej kësaj kohe vazhdoi një proces bisedimesh
midis Kosovës dhe Serbisë, me qëllim arritjen e nkë marrëveshjeje për statusin
e Kosovës.
Kosovës
iu ndalua bashkimi me një shtet tjetër (paramendohej Shqipëria), por që në
parimet e bisedimeve nuk i ndalohej e drejta e pavarësisë. Ndalimi u bë me
kërkesë të përfaqësuesit rus në Grupin e Kontaktit. Parimet e bisedimeve u
miratuan edhe nga ai në këtë grup. Kështu që kreu i bisedimeve, Martti
Ahtisaari, pas dy viteve në procesin e tyre arriti në përfundimin se Kosova
mund të ishte një shtet i pabarur. Për Krimenë nuk ka pasur asnjë përpjekje
ndërkombëtare bazuar në rezoluta apo dokumente të OKB-së për definim tjetër të
statusit të saj. Kur Kosova u shkëput nga Serbia, ajo nuk ishte pjesë e saj,
ishte protektorat i OKB-së, edhe me votën e Rusisë. Ndërkohë që Krimeja ishte
pjesë e njohur juridikisht e Ukrainës.
Kosovës
iu ndalua bashkimi me Shqipërinë, Krimeja iu bashkua Rusisë me dhunë. Ndërkohë
që ligji ndërkombëtar, sipas George Brunner, përcakton se „Nëse një territor
shkëputet nga një shtet dhe banorët e këtij territori dëshirojnë t‘i bashkohen
një shteti tjetër, atëherë për këtë duhet dakordësia e shtetit nga i cili
ndahet dhe i shtetit me të cilin bashkohet“! Kjo ishte arsyeja pse Kosovës nuk
iu lejua bashkimi me Shqipërinë. Ndërkohë që Rusia e Lavrov nuk pyeti për
kritere të tilla të së drejtës ndërkombëtare, por brenda disa ditëve shpallën
aneksimin edhe në Dumësn Ruse. Së nënti, këto janë edhe arsyet pse Kosovën e
kanë njohur më shumë se gjysma e vendeve anëtare të OKB-së, ndërkohë Krimenë e
aneksuar nga Moska e kanë njohur vetëm 2 vende të botës.
Nuk
e kanë njohur as aleatët e ngushtë të Rusisë. Dhe njohja e kaq shumë vendeve
për shtetin e Kosovës i jep këtij shteti legjitimitet të plotë. Këto janë
gjithashtu argumente pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në vendimin
e 22 korrikut 2010 i jep legjitimitet pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës,
duke e konsideruar atë akt nëpërputhje me të drejtën ndërkombëtare si dhe me
Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Lavrov nuk mund të provojë
me asnjë prej këtyre argumenteve ngjashmërinë e Kosovës me Krimenë dhe për këtë
arsye nuk mund ta gjejë gjithashtu Kosovën në një menu me Krimenë. Kosova është
në menynë e së drejtës ndërkombëtare për vetëvendosje për ato arsye që u
renditën më lart. Ndërkohë Krimeja nuk mund të jetë brendaj kësaj menyje për
shkak se nuk përbën asortiment për t’u servirur në pjatën e së drejtës
ndërkombëtare!