Mendime
Eshref Ymeri: Shakaja serioze e Presidentes Vjosa Osmani
E premte, 19.07.2024, 07:55 PM
Shakaja serioze e Presidentes Vjosa Osmani
Nga
Eshref Ymeri
Para pak ditësh në internet ishte botuar informacioni në
vijim:
“Në një intervistë për
Zërin e Amerikës, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani thotë se vendi i saj
kërkon garanci nga partnerët ndërkombëtarë për zbatimin e detyrimeve që dalin
nga marrëveshja e Ohrit. Osmani iu referua kryesisht çështjes së Asociacionit,
pikës më të nxehtë në mosmarrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit” (Citohet
sipas: “Osmani: Kërkojmë garanci ndërkombëtare për Asociacionin”. Faqja
e internetit e gazetës “Shqiptarja.com”. 10 korrik 2024).
U befasova tej mase nga ky
informacion fort shkurajues. I kapluar keqë nga një dëshpërim i thellë, iu
drejtova me letrën në vijim një mikut tim, nacionalist i njohur në Republikën e
Dardanisë:
“I dashur miku im,
Sapo lexova në internet informacionin me titull “Osmani:
Kërkojmë garanci ndërkombëtare për Asociacionin”.
Vajmedet, ore miku im i nderuar!
Kryeqytetarja e Republikës së Dardanisë nuk e kuptuaka që
jo pak ndërkombëtarë kanë vite të tëra që janë radhitur në mbështetje të
Serbisë kriminale?
Madje vetë ish-shefi i UNMIK-ut në Republikën e Dardanisë,
Lamberto Zanieri, dikur pati deklaruar:
“Pas
ndërhyrjes ushtarake një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë” (Citohet sipas faqes së internetit “Voal”. 16 prill 2011).
Kjo deklaratë e presidentes Osmani na mbush me “shpresë”
se së shpejti Serbia fashiste do të ketë në territorin e Republikës së
Dardanisë republikën serbska 2, me në krye Dodikun 2.
Deklarata e presidentes Osmani duhet vlerësuar absurde,
me pasojë braktisjen e interesave kombëtare. Në vënd të kësaj deklarate,
presidentja duhej të kishte dalë burrërisht me një tjetër deklaratë publike:
“Republika e Dardanisë nuk do të lejojë kurrën e kurrës
krijimin e asociacionit. Këtë deklaratë ndërkombëtarët
le ta mbajnë vath në vesh!”.
Me shumë respekt vëllazëror.
Eshref Ymeri
Kaliforni, 15 korrik 2024”
Miku dardan më ktheu përgjigjen e mëposhtme:
“I nderuar mik,
Keni shumë të drejtë
në gjykimin tuaj të mprehtë dhe të saktë. Nuk është për t’i beuar asnjë
shqiptari, sepse fytyrën e vërtetë po e zbulojnë sapo marrin pushtetin. Tradhtia
paska qenë bashkëshoqëruesja në historinë e shqiptarëve. Të kërkosh garanci për
një minishtet serb brenda Kosovës! Kjo Vjosa Osmani, me sa duket, po ia kalon
edhe Hashimit, edhe Edi Ramës.
Me respekt dhe të uroj
gjithë të mirat”.
Presidentja Vjosa Osmani
do të bënte mirë të kishte parasysh një analizë, të botuar në internet, ku
thuhet:
“Shkëmbimi i territoreve ndërmjet Serbisë gjenocidale dhe
Kosovës viktimë është një absurditet i paparë diplomatik dhe logjikisht i
papranueshëm. Territoret ku jeton pakica serbe në Kosovë janë territore
shqiptare, të okupuara nga serbët. Edhe territoret në Luginën e Preshevës, që
aktualisht administrohen nga Serbia, janë territore shqiptare, të okupuara nga
serbët, që logjikisht duhet t’i kthehen Kosovës” (Citohet sipas: Rexhep Torte. “James O’Brien mesazh Serbisë gjenocidale, mos e
prek Kosovën se do ta thyesh kokën”. Faqja e internetit e gazetës ”Bota Sot”. 14 korrik 2024).
Me sa duket, deklarata e mësipërme e
Presidentes Vjosa Osmani, është frymëzuar gjatë vizitës së saj të fundit në
Shtetet e Bashkuara, ku sorosistët në Departamentin e Shtetit, si Blinkeni, Eskobari
dhe të tjerë, janë radhitur vendosmërisht në anën e Serbisë kriminale. Është e
çuditshme se nga cilët ndërkombëtarë i kërkuaka “garancitë” Presidentja Vjosa Osmani për Asociacionin,
kur dihet që Brukseli dhe Vashingtoni janë tërësisht në anën e kryetradhtarit
Rama, shërbëtorit të Vuçiçit? Prandaj jo rastësisht, Sekretari i Shtetit,
Blinken, gjatë vizitës disaorëshe në Tiranë, deklaroi:
“Zoti kryeministër është jo
vetëm udhëheqës i shkëlqyer, por kryeministër i mirë” (Citohet sipas: “Blinken propagandë Ramës: Udhëheqës i shkëlqyer dhe kryeministër i mirë! U
ka dhënë drita të bukura”. Faqja e internetit “Bold
News”. 15 shkurt 2024).
Me deklaratën e saj, Presidentja Vjosa Osmani të kujton qëndrimin
e Ismail Qemalit, kur, pas shpalljes së Pavarësisë, në vend që të lëshonte
kushtrimin për ngritjen e popullit më këmbë, që nga Arta e Preveza deri në
Tivar dhe Nish, të shoqëruar me krijimin e forcave të armatosura për mbrojtjen
e trojeve tona etnike, u ngrit e shkoi në Londër të kërkonte garanci nga ndërkombëtarët
për trojet tona, sepse 40 firmëtarët e Pavarësisë që ai kryesonte, ishin të
paaftë t’i dilnin zot vendit. Pra, sipas Presidentes Vjosa Osmani, zjarrin në
vatrën e shtëpisë duhet ta ndezë dhe ta mbajë të ndezur jo i zoti i saj, por ndërkombëtarët!!!
Vajmedet!
Deklarata e Presidentes Vjosa Osmani të kujton përgjithësisht
mbarë politikanët shqiptarë, të cilët në qëndrimin e tyre vlersojnë ndërkombëtarët
deri në përmasat e një servilizmi të pështirë dhe nuk çmojnë popullin e vet, i
cili ka aftësi të bëjë mrekullira po ta duan, po ta respektojnë dhe po të mbështeten
fuqimisht në aftësitë e tij krijuese.
Gazetari dhe shkrimtari Shefqet Meko, gjatë një bisede
telefonike që kam pasur me të dy vjet më parë, më pati rrëfyer nga Minnesota ngjarjen
në vijim, e cila është me të vërtetë tronditëse:
Gazetari italian Frencesco Picolo (1954) pati ardhur për
një vizitë në Shqipëri në vitin 1992. Lidhja e gazetarëve pati caktuar si
shoqërues të tij pikërisht gazetarin Shefqet Meko. Një ditë, kur ishin duke
ngrënë drekë, gazetari Frencesco Picolo ja si i qe shprehur shoqëruesit të vet:
“Para se të vendosja të vija për vizitë këtu, pata lexuar
shumë për të kaluarën historike të vendit tuaj. Nga gjithçka që pata mundësi të
lexoj, arrita në përfundimin se e kaluara juaj, me përjashtim të periudhës së
Pirros së Epirit dhe të Skënderbeut, është një histori e turpshme”.
Qëndrimet e politikanëve shqiptarë pa bosht kombëtar, të
sjellin në kujtesë librin e shqiptarit të njohur të mërgatës sonë, Kol Bib
Mirakaj (1899-1968), me titull ”Vetvrasja e një kombi”. Botimet
Fiorentina. Shkodër 2014.
Kaliforni, 17 korrik 2024