Mendime
Xheladin Zeneli: Pse nuk miratohet një rezolutë për Masakrën e Tivarit në Kuvendin e Malit të Zi!?
E merkure, 10.07.2024, 07:57 PM
Pse nuk miratohet një rezolutë për Masakrën e Tivarit në Kuvendin e Malit të Zi!?
Nga
Xheladin Zeneli
Me
28 Qershor 2024, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Malit të Zi ,
me votat e deputetëve të shumicës parlamentare e cila udhëhiqet nga subjekti
politik ‘Lëvizja për Europën Tani’ (PES), u miratua Rezoluta për “gjenocidin në
Jasenovac “. Jasenovac është emri i një kampi përqendrimi i kohës së Luftës së
Dytë Botërore i cili ishte krijuar nga autoritetet e atëhershme të Shtetit të
Pavarur të Kroacisë (NDH) ku janë mbajtur dhe kanë vdekur me mijëra njerëz
kryesisht me përkatësi serbe, por edhe të përkatësive të tjera si romë,
hebrenjë, boshnjakë si dhe disidentë politik kroat.
Lidhur
me këtë ngjarje të hidhur të kaluarës së tyre , janë distancuar dhe kanë marrë
përgjegjësinë qeveri të ndyshme të shtetit të tanishëm kroat, me ç’rast ata në
vazhdimësi kanë kerkuar falje publike.
Mirpo,
kur Kuvendi i tanishëm i Malit të Zi, hap një faqe të tillë të historisë e cila
bën fjalë për krimet e kohës së Luftës së Dytë Botërore në hapësirat e ish
Jugosllavisë, pse atëherë anashkolohet dhe mohohet një krim i rëndë me përmasa
gjenocidi i cili ka ndodhur në Tivar (Mal të Zi) në pranverën e vitit 1945 ku
janë vrarë dhe masakruar reth 4000 shqiptarë !?.
Gjatë
kohës së monizmit në ish Jugosllavi Masakra e Tivarit me dekada të tëra është
mbajtur e mshehur nga autoritetet e atëhershme të Jugosllavisë dhe për të cilin
nuk është guxuar të flitet. Po si të flitet për një krim i cili është
planifikuar dhe egzekutuar nga vetë strukturat e të ashtuquajturës Ushtrisë
Nacional Çlirimtare të Jugoslavisë dhe ka qenë pjesë e skenarit të tyre për
shfarosjen dhe eliminimin fizik të burrave dhe djemëve shqiptarë nga Kosova.
Ky
skenar është realizuar në atë mënyrë kur PKJ (Partia Komuniste Jugosllave) në
bashkëpunim me shtabet partizane jugosllave në Kosovë kanë organizuar
mobilizimin e rekrutëve shqiptarë me arsyetimin kinëse për të shkuar në frontet
e Sremit e të Vojvodinës dhe atë të Adriatikut, në veriperëndim të
Jugosllavisë, për të luftuar kundër forcave gjermane (!?).Siç u vertetua më
vonë ky ishte një mashtrim tepër i madh sepse ata, pra rekrutët shqiptarë pas
një marshimi të gjatë disa ditor nga Kosova dhe të pa armatosur siç ishin, u
sollën në Tivar me një qëllim: për tu vrarë e masakruar në mënyrë ç’njerëzore
dhe barabare nga njësitë partizane sllavo-komuniste, konkretisht nga divizioni
i 46-të serb dhe brigada e 10-të malazeze.Për të fshehur gjurmët e krimit të
tyre, ata zhduken kufomat e të vrarëve duke i hjedh një pjesë të tyre në det.
Masakra
e Tivarit ka qenë vetëm një pjesë e krimeve sistematike që janë realizuar ndaj
shqiptarëve në periudha të ndryshme të historisë së shtetit jugosllav.Në Mal të
Zi, prej fundit të shekullit 19-të deri në fillim të shekullit 20-të janë vrarë
e masakruar me dhjetra mijëra shqiptarë nga regjimet e ndryshme sllavo-malazeze
të cilët kanë pasur synim spastrimin etnik dhe kolonizimin e trojeve shqiptare,
por kjo është një temë në vehte. Pra,kur flitet për krime dhe gjenocid ndaj një
populli tjetër, janë shqiptarët ata të cilët e kanë pësuar dhe janë viktimizuar
më shumë se askush tjetër në këtë pjesë të hapësirës ballkanike.
Edhe pas rënies së
komunizmit, vazhdon të mos i jepet vëmendje e duhur Masakrës së Tivarit nga ana
e Malit të Zi zyrtar
Sikurse
nuk mjafton që për Masakrën e Tivarit është heshtur për katër dekada e gjysëm
të periudhës së monizmit, fatkeqësisht kjo ngjarje tragjike vazhdon të mohohet
dhe të neglizhohet edhe gjatë kohës së plurazimit politik në Mal të Zi.
Si
pushteti 30-vjeçar i udhëhequr nga Partia Demokratike Sociliste (DPS) ashtu
edhe pushteti aktual me në krye subjektin politik “Lëvizja Europa Tani” (PES),
nuk kanë treguar kurrfarë gatishmërie për zbardhjen dhe njohjen e Masakrës së
Tivarit. Përndryshe si shpjegohet fakti që ende deri më sot në vendin e
ngjarjes në Tivar, nuk egziston një memorial për viktimat e pafajshme që u
vranë në mënyrë mizore nga regjimi gjakatar i kohës.
Kur
bëhet fjalë për ballafaqimin me të kaluarën, apo njohjen e krimeve që janë bërë
ndaj të tjerëve, në këte drejtim Mali i Zi zyrtar ndjek rrugën e Serbisë e cila
poashtu nuk reflekton dhe nuk e pranon të kaluarën e vet kriminale dhe
gjenodiciale ndaj shqiptarëve.Në fakt, është Serbia me në krye Aleksandër
Vuçiq-in e cila për qëllimet e veta politike ndikoj në miritimin e rezolutës
për “gjenocidin në Jasenovac”, përmes kryetarit aktual të Kuvendit të Malit të
Zi, Andrija Mandiq, si mënyrë e revanshizmit për miratimin e rezolutës mbi
“gjenocidin në Srebrenicë”, kohë më parë Këshillin e OKB-së.
Është
shumë paradoksale miratimi i rezolutës nga ana e shumicës parlamentare e
Kuvendit të Malit të Zi, për një krim që ka ndodhur në Kroaci por njëkohësisht
duke mohuar dhe shfaqur mospërfillje për një krim tjetër që ka ndodhur në
vendin e tyre, pra në Tivar.Gjithashtu, vlen të theksohet se viktimat në
Jasenovac i takonin përkatësive të ndryshme kombëtare, kurse ata në Tivar,
ishin të gjithë me përkatësi shqiptare.
Vitin
e ardhshëm (2025) është 80-vjetori i Masakrës së Tivarit .Mendoj se është
detyrë dhe obligim i përfaqësuesve politik të shqiptarëve në Mal të Zi si dhe
subjekteve politike shqiptare, posaçërisht atyre të cilat janë pjesë e
kualicionit qeveritar, pra pjesë e pushtetit aktual, që të inicojnë dhe
propozojnë një rezolutë për Masakrën e Tivarit në Kuvendin e Malit të Zi.
Gjasat që një rezolutë e tillë të miratohet nga shumica parlamentare janë
pothuajse të barabarta me zero, por është me rëndësi të merret një hap i parë
në ndërgjegjësimin institucional si dhe vetëdijësimin e opinionit të brendshëm
publik lidhur me një ndër krimet më të rënda të Luftës së Dytë Botërore që
është kryer në emër të “luftës çlirimtare” ndaj shqiptarëve,brenda territorit
të Malit të Zi.