Mendime
Florim Zeqa: Historiku i shënimit të 2 Korrikut në Bokshiq!
E premte, 05.07.2024, 07:50 PM
Historiku
i shënimit të 2 Korrikut në Bokshiq!
Shkruan:
Florim Zeqa
Nuk jam lokalist, por kësaj radhe përmes këtij
rrëfimi personal dëshirojë, që të gjithë qytetarëve të vendit t’ju urojë nga zemra,
gëzuar 2 Korriku 1990-Dita e Lindjes së Republikës së Kosovës, gurëthemelit të
shtetit tonë.
Organizim spontan i 2
Korrikut në Bokshiq
Sot
e 34 vite më parë, me të marrur lajmin për shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë
së Kosovës nga delegatët shqiptarë dhe jo serbë para dyerve të mbyllura të
Kuvendit të Kosovës, ne banorët e fshatit Bokshiq u tubuam spontanisht në
shitoren e fshatit “Blini”, me ç’rast e festuam Pavarësinë e Kosovës deri në
orët e vona të pasditës. Ishin ato çastet më të gëzueshme që i përjetuam në një
festim të përbashkët me vëllazni, fqinj dhe kusherinj.
Në
fytyrën e secilit prej nesh vërehej gëzimi i papërshkruar më fjalë, ku
dominonin emocionet plot shpresa për ardhmëri. Cakërrimi i gotave përcjellej me
urimin, “E gëzofshim për jetë e mot pavarësinë e Republikës së Kosovës”.
Ky
ishte momenti më madhështorë i një festimi të përbashkët në një lokalitet të
vogël, por me ndjenjë të madhe të atdhetdashurisë, të respektit të ndërsjellë
dhe fqinjësisë së mirë, i trashëguar brez pas brezi nga të parët tonë në
fshatin Bokshiq, të fshatit simbol dhe bastion i rezistencës kundër pushtuesve
serb në komunën e Klinës.
Organizimi i turnirit
tradicional për 2 Korrikun
Që
nga përvjetori i parë i 2 Korrikut, në fshatin Bokshiq për çdo vit kemi organizuar
turnir në futboll të vogël. E filluam turnirin e parë me 2 korrik 1991 me vetëm
6 ekipe pjesëmarrëse, të dytin me radhë me 14 ekipe, ndërsa në turnirin e tretë
të radhës me 2 Korrik 1993 i kishim 36 ekipe pjesëmarrëse nga komuna e Klinës,
por edhe nga komunat tjera si; Gjakova, Deçani dhe Istogu.
Ishte
ky njëri nga turniret më të mëdha deri atëherë të organizuara në komunën e
Klinës, ishte ky turniri më mirë i organizuar ndonjëherë në këto anë.
Çdo
gjë kishte shkuar mirë sipas planit të organizatorit, filluar nga shpërndarja e
njoftimeve për turnir, pritjen dhe regjistrimin e ekipeve, organizimi i mirë i
ndeshjeve me gjyqtarë (refer) profesional e deri të ndarja e shpërblimeve
simbolike për ekipet fituese dhe lojtarët më të mirë të turnirit.
Pas
përfundimit të turnirit, organizatori kishte marrë falenderime dhe përgëzime të
sinqerta nga ekipet pjesëmarrëse, tek të cilat, mënyra e organizimit dhe pritja
vëllazërore kishin lënë mbresa të veçanta tek secili pjesëmarrës në këtë turnir
tradicional të futbollit të vogël.
Vlenë
për të theksuar se, ky turnir i futbollit ishte bërë halë në sytë e pushtuesve
serb. Pas shpërndarjes së njoftimeve për mbajtjen e turnirit nëpër lokalet
shqiptare në komunën e Klinës, në Stacionin Policor në Klinë u ftuan për
"biseda informative" disa nga pronarët e lokaleve shqiptare, të cilët
ishin pyetur se kush qëndron pas këtij organizimi!?
Nisur
nga ky fakt, nga organizatori ishte përgatitur plani rezervë në rast të
pengimit të turnirit nga policia pushtuese serbe. Kur jemi në këtë segment,
ishte një mobilizim i jashtëzakonshëm i aktivit FR të LDK së dhe fshatit në
përgjithësi.
Nuk
është e tepërt të thuhet, se për mbarëvajtjen e këtij turniri, kontribut të
çmuar kishin dhënë të gjithë të rinjët e Bashkësisë Lokale të Grabanicës, pa e
anashkaluar as nëndegën e LDK-së, e cila ishte e gatshme të ndihmojë në të
gjitha aspektet për mbrojtjen e turnirit nga ndonjë sulm eventual i pushtuesve
serb.
Meqenëse
isha iniciator i parë për organizimin e turnirit për 2 Korrik, unë Florim Zeqa
e mora edhe përgjegjësinë morale dhe juridike dhe isha i gatshëm që të
ballafaqohem me të gjitha konseguencat që mund të vinin nga pushteti okupues i
asaj kohe.
Nga
distanca kohore ndjehem krenarë për organizimin e tre turnireve radhazi të
Futbollit të Vogël në fshatin e lindjes për nder të shpalljes së Deklaratës së
Pavarësisë së Kosovës, por edhe i zhgënjyer njëkohësisht që kjo nismë e mbarë
nuk vazhdoj tutje në shtetin e lirë, të pavarur dhe sovran!
Florim Zeqa, 2 Korrik 2024, Orsago (Itali)