Mendime
Gëzim Bullaku: Rëndësia edukative dhe arsimore e përmbajtjeve nga Wikipedia
E diele, 23.06.2024, 04:59 PM
RËNDËSIA EDUKATIVE DHE ARSIMORE E PËRMBAJTJEVE NGA WIKIPEDIA
Shkruan:
Gëzim Bullaku (mësimdhënës, pedagog
dhe wikipedian)
Wikipedia
ka një rëndësi të konsiderueshme në fushën e edukimit dhe arsimit, duke ofruar
qasje të lirë dhe të hapur në një burim të gjerë informacioni për miliona
njerëz. Ajo ofron një burim të pasur, të verifikueshëm dhe të lirë të fjalës
për nxënësit, studentët, mësimdhënësit dhe të gjithë ata që janë të interesuar
për të mësuar dhe për të zgjeruar njohuritë e tyre. Wikipedia ofron gjithashtu
informacione të rëndësishme edhe nga fusha e arsimit, edukimit dhe pedagogjisë.
Wikipedia
(ang. Wikipedia, hav. wi-ki-shpejt + gr. paideia-dituri) është një enciklopedi
elektronike e lirë, kolektive, shumëgjuhëshe dhe e hapur. Ajo ka miliona
artikuj në rreth 300 gjuhë nga fusha të ndryshme, të shkruara në bashkëpunim
prej vullnetarësh nga mbarë bota. Më e gjëra është Wikipedia në gjuhën angleze.
Autori i "wik-it" të parë ishte programuesi amerikan i kompjuterit
Ward (Howard) Cunningham, ndërsa bashkautorët e Wikipedia-s janë amerikanët
Jimmy D. Wales dhe Lawrence M. Sanger, të cilët e lansuan atë në fillim të
vitit 2001.
Wikipedia
në gjuhën shqipe, e njohur si Wikipedia Shqip, është një nga versionet
shumëgjuhëshe të enciklopedisë së lirë online Wikipedia. Ajo u themelua më 12
tetor 2003 dhe është pjesë e Projektit Wikipedia, që drejtohet nga Fondacioni
Wikimedia. Wikipedia Shqip është një burim i hapur i të dhënave për të gjithë
përdoruesit që flasin dhe shkruajnë shqip, duke përfshirë një gamë të gjerë
temash nga arsimi, historia, shkenca, kultura, arti dhe shumë fusha të tjera.
Në këtë mënyrë, ajo kontribuon në ruajtjen, përhapjen dhe promovimin e gjuhës
dhe kulturës shqiptare në internet.
Të
dhënat e saj, nëpërmjet internetit, i shfrytëzojnë lehtësisht miliona të
interesuar nga çdo pjesë e rruzullit tokësor. Për shkak se informacioni i saj
mund të jetë edhe përkohësisht jo i plotë, ai duhet shfrytëzuar në mënyrë
kritike, duke e krahasuar dhe plotësuar atë me informacione përkatëse edhe nga
burime të tjera.
Përmbajtja
e saj shumë gjuhësore mbulon një gamë të gjerë temash, duke përfshirë shkencat
natyrore, shoqërore, artet, teknologjinë dhe shumë fusha të tjera. Ky
diversitet i të dhënave e bën atë një burim të vlefshëm për nxënësit, studentët
dhe mësimdhënësit.
Për
nxënësit dhe studentët, Wikipedia është shpesh pika e parë e kontaktit për të
gjetur të dhëna të rëndësishme për detyrat dhe projektet e tyre shkollore.
Artikujt zakonisht përmbajnë referenca të shumta të cilat ata mund t'i përdorin
për të zgjeruar hulumtimet e tyre. Ajo ofron artikuj të detajuar dhe të
strukturuar në mënyrë të qartë, duke i bërë ata të lehtë për t'u lexuar dhe
kuptuar.
Për
mësimdhënësit, Wikipedia mund të jetë një mjet i dobishëm për të gjetur
materiale shtesë për t’i përdorur në mësimdhënie. Ata mund të integrojnë
përdorimin e saj në kurikulat e tyre, duke e përdorur si një burim shtesë për
materialet mësimore ose duke inkurajuar nxënësit dhe/ose studentët të krijojnë
dhe redaktojnë artikuj si pjesë e projekteve të klasës. Kjo ndihmon në
zhvillimin e aftësive të shkrimit dhe redaktimit të nxënësve dhe studentëve,
duke u mësuar se si të organizojnë të dhënat dhe si të citojnë burimet e
duhura.
Wikipedia
gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në promovimin e vetë-mësimit dhe
zhvillimin e aftësive të hulumtimit të pavarur. Nxënësit dhe studentët mund ta
përdorin Wikipedia-n për të mësuar në mënyrë të pavarur mbi tema të ndryshme,
duke i aftësuar ata edhe për menaxhimin e njohurive të tyre.
Megjithatë,
herë pas here është e nevojshme që informacioni që gjendet aty të verifikohet
edhe nga burime tjera. Artikujt në Wikipedia shpesh përditësohen për të reflektuar
ndryshimet dhe zhvillimet e reja, por gjithashtu mund të përmbajnë edhe të
dhëna që janë përkohësisht jo të plota. Kjo e bën të nevojshme krahasimin dhe
plotësimin e informacionit të marrë me burime të tjera të besueshme.
Në
përfundim, Wikipedia luan një rol të pazëvendësueshëm edukativ dhe arsimor,
duke ofruar burime të pasura për nxënësit, studentët, mësimdhënësit dhe të
gjithë të interesuarit për të mësuar dhe zgjeruar njohuritë e tyre në mënyrë të
lirë, të pavarur dhe të hapur. Ajo ndihmon në promovimin e kulturës kombëtare,
por edhe të shumë gjuhësisë dhe kuptimit të kulturave të ndryshme, duke
zhvilluar një perspektivë globale dhe respekt për diversitetin kulturor.