Mendime
Albert Zholi: Gjadri dje një aerodrom ushtarak sekret, sot një qendër menaxhimi për emigrantët
E merkure, 19.06.2024, 06:57 PM
Gjadri dje një aerodrom ushtarak sekret, sot një qendër menaxhimi për emigrantët
-Shqipëria
do të presë 36 mijë emigrantë kur deri dje Gjadri ishte aerodromi më sekret në
Shqipëri!
-
Investimi me vlerë 653 milion euro po bëhet me fonde të qeverisë italiane
bazuar në marrëveshjen Rama-Meloni.
-.
Më shumë se 600 persona ushtarakë punonin brenda labirintit të tuneleve të
mbyllura.
-
Tunele që shkojnë në 600 metra lidheshin dikur me jetën ushtarake, por sot baza
ajrore e fshehtë në Gjadër është thjesht një depo.
-
Më 18-19 maj të viti 1976, do të fillonte në Gjadër ribazimi i skuadriljes me
11-të avionët MIG-21.
Përgatiti:
Albert Z. ZHOLI
Më
6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni
nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për
strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë
Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i
tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund
të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj. Ndërkohë sipas burimeve të
ushtrisë, nuk janë të qarta direktivat në lidhje me godinat ekzistuese nëse
mund të ndëryhet në to, apo do të lihen të pa prekura. Italia do të ndërtojë dy
qendra të menaxhimit të emigrantëve në Shqipëri, të cilat kur të jenë
plotësisht funksionale, do të jenë në gjendje të menaxhojnë rreth 36 mijë
persona në vit. Pas zbarkimit që do të bëhet në Shëngjin, do të vijohet në
strukturat e tjera që po ndërtohen në Gjadër. I gjithë perimetri i ushtrisë do
të rrethohet nga një mur i lartë afro 7 metra që do të shërbejë për të rritur
sigurinë pasi fare pranë kampit ndodhen edhe banesat e fshatit Gjadër dhe
Kakarriq. Në hyrjen e fshatit Gjadër tashmë ka nisur ndërtimi i kampit, por dhe
ndërtime të tjera që do të kryhen edhe për sigurimin e ujit të pijshëm, por
edhe të elementëve të tjerë për ta bërë funksionale. Investimi me vlerë 653
milion euro po bëhet me fonde të qeverisë italiane bazuar në marrëveshjen
Rama-Meloni firmosur në nëntor 2023. Maksimumi i kapacitetit të kampit në një
vit do të jetë pritja e 36 mijë refugjatëve. Emigrantët do të qëndrojnë në
kampin e Gjadrit gjatë periudhës, që kryhen procedurat për azil. Ata do të
vendosen shumë afër aerodromit më të rëndësishëm ushtarak të sistemit të
diktaturës komuniste.
Gjadri
dje një aerodrom ushtarak i rëndësishëm tepër sekret
Pak
kilometra pasi largohesh nga Lezha, në të majtë të fshatit Balldren, do të hysh
në rrugën e Torovicës. Kjo rrugë është hapur nga forcat xheniere të ushtrisë
shqiptare, diku në vitet 1970, kur filloi dhe ndërtimi i aerodromit të Gjadrit.
Tanimë jo vetëm në hyrjen jugore të kësaj baze, në anën nga Lezha, por kudo në
rrethinat e saj, nuk është më gjallëria e dikurshme, që ia jepnin asaj disa
qindra oficerë, nënoficerë, civilë e ushtarë që shërbenin aty. Nuk ndihen më as
uturimat e avionëve supersonikë, që kryenin fluturime çdo dy tri javë, në të
katra stinët e vitit… do t’i shërbente Bazës Ajrore, më të madhes dhe më
moderne në Shqipëri. Drejtues të dikasterit të Mbrojtjes e të Shtabit të
Përgjithshëm, qindra punëtorë e specialistë të huaj, ushtarakë të shumtë, por
edhe banorë e kuriozë të zonave përreth, do të ishin atë ditë të pranishëm për
të parë nga afër uljen e dy avionëve. Atë ditë të nxehtë vere do të uleshin mbi
pistën e re, Haki Jupasi me avion MIG-19, dhe Serafin Shegani me avion MIG-21.
Në këtë mënyrë do të hapej një faqe e re për historinë e Aviacionit dhe të
Ushtrisë shqiptare. Por, vetëm thuajse pas dy vjetësh, pas përfundimit të
infrastrukturës së plotë, më 18-19 maj të viti 1976, do të fillonte në Gjadër
ribazimi i skuadriljes së parë të avionëve të këtij reparti, i skuadriljes
MIG-21. Së bashku me disa avionë mësimorë, skuadrilja zbarkonte në këtë
aerodrom me të 11-të avionët MIG-21, pas rrëzimit të njërit prej tyre në
qershor të vitit 1974.
Porta
e së kaluarës
Në
një kodër të thepisur të Shqipërisë së Veriut qëndron një portë e së kaluarës
komuniste: një derë e gjerë çeliku hapet, për të zbuluar një bazë ushtarake që
fshihet në zemër të malit. Tunele që shkojnë në 600 metra lidheshin dikur me
jetën ushtarake, por sot baza ajrore e fshehtë në Gjadër është thjesht një depo
që mban dhjetëra avionë MiG të periudhës komuniste, që mbledhin për vite
pluhur, mes errësirës. Tre dekada pas shpërbërjes së komunizmit, autoritetet
shqiptare u përpoqën të shisnin avionët sovjetikë dhe kinezë, nga të cilët ka
dhjetëra të tjerë më shumë në një bazë tjetër ajrore aty pranë. Vite më
parë Telegraf i ka kushtuar një reportazh avionëve të viteve të komunizmit, që
ndodhet edhe në bazën e Gjadrit. “Përafrimi i pajisjeve tona dhe armëve tona me
standardet e NATO-s është pjesë e “kapitullit të ri” të Shqipërisë me Aleancën,
në të cilën u bashkua më 2009, - ka thënë para disa viteve Shefi i Mbrojtjes së
ushtrisë Bardhyl Kollçaku. Sa për MiG-ët, “përveç nostalgjisë, (për të
cilën) ne do t’i mbajmë disa prej tyre në muzeun tonë... pjesa tjetër do të
trajtohet sipas legjislacionit vendas për shitje ose përdorim tjetër”, -është
shprehur ai para disa vjetëve. Por fakti është ky: Avionët e epokës komuniste,
të cilat përfshijnë ndër të tjera modelet MiG-19, MiG-17 dhe MiG-21, kanë dalë
jashtë përdorimit për më shumë se një dekadë. Kur Shqipëria diskutoi për herë
të parë shitjen e MiG-ve në vitin 2016, kërkesa erdhi nga Muzeu i Hapësirës
Ajrore në Francë, si dhe nga një shkollë fluturimi në Gjermani. Megjithatë,
asnjë shitje nuk është realizuar deri më sot, sipas dokumenteve ligjore lidhur
me procesin. Shumë individë ishin gjithashtu në listën e pritjes, përfshirë
biznesmenin francez Julien Roche, i cili planifikonte të instalonte avionin që
kërkon të blejë në këtë bazë, në kopshtin e tij. Nuk ishte kaq e lehtë për të
marrë këtë lloj avioni, sepse të gjitha ato ishin kryesisht të shkatërruara dhe
nuk ishin të ruajtura, në Shqipëri. Ashtu si 7,000 bunkerë të sigurisë,
baza e fshehtë e Gjadrit ishte pjesë e planit të ish-diktatorit komunist Enver
Hoxha për të forcuar shtetin e tij të egër nga frika e pushtimeve të huaja që
kurrë nuk u realizuan. Më shumë se 600 persona ushtarakë punonin brenda
labirintit të tuneleve të mbyllura në vitin 2000. Avionët fluturonin deri në
vitet 2000 dhe përdorën baza ushtarake të ndryshme, derisa u hoqën nga shërbimi
pas një aksidenti në 2004. Sot, brenda - duke përfshirë një kafene, konvikte
dhe një sërë zyrash të tjera - janë të zbrazëta. Gjatë 40 viteve të sundimit të
tij, Hoxha e ktheu Shqipërinë në vendin më të militarizuar në Ballkan. Kjo bazë
u dëmtua në vitin 1997, shtatë vjet pas rënies së komunizmit, kur vendi u
përfshi nga një rebelim i armatosur dhe qytetarët sulmuan bazat ushtarake për
të rrëmbyer armët. Edhe në Gjadër njerëzit grabitën armë dhe morën pjesë të
disa MiG-ve si metale hekuri, për t’i shitur.