Mendime
Mihal Gjergji: Shqipëria dhe agresioni diplomatik i fuqive të mëdha
E enjte, 13.06.2024, 07:50 PM
SHQIPËRIA DHE AGRESIONI DIPLOMATIK I FUQIVE TË MËDHA
Nga
Mihal Gjergji
Pa
mëdyshje e vlerësoj studimin e fundit të historianit Nuri Dragoj për lëngatën
shqiptare, si një ndër punimet e tij serioze dhe me peshë mendimi. Brenda
studiuesit është dhe intelektuali me ambicje të shëndetshme morale; në vend të
Biblës ka preferuar të vërtetat dhe parimin e së drejtës për popullin të cilit
i përket; përtej mureve të heshtjes i bën thirrje ndërgjegjies qytetare. Është
pikërisht zëri i shqetësuar i popullit shqiptar, që përcjell dramat e tij të
pafundme, bëmat dhe gjëmat shekull pas shekulli. Indiferenca dhe shpërfillja e
treguar nga Perandoria Osmane, Anglia, Franca, Perandoria ruse dhe vendet
fqinje, i kanë detyruar shqiptarët që, në vend të fjalëve të përdorin dhe
armët. Periudha kohore, objekt i këtij studimi, fillon në shekullin e XIX dhe
vijon deri në ditët tona. Ngjarje reale, data dhe vite, konferenca të fshehta
dhe traktate coptimi të fuqive të mëdha, kronika drithëruese nxjerrë nga
arkivat me përkujdesjen e studiuesit dinjitoz. Vija logjike ndjek rrjedhën e
kohës. Pasioni i hap udhën arsyes, emrat e përveçëm veprojnë brenda fenomeneve,
idetë shfaqen dhe marrin jetë mbasi janë shpallur nga drejtuesit e kancelarive.
Shqipëria vazhdon të jetë viktima e “mirëbërësve” që veprojnë në emër të
ekuilibrit ballkanik dhe atij evropian. Rëndësia e këtij studimi është e dyfishtë,
sepse jo vetëm informon, por zbardh e sjell të vërteta historike, afron një
model koherent historiografie. “Numri i studiuesve që kërkojnë të thellohen në
rrënjët e kombit shqiptar dhe gjuhës së tij, janë të paktë”. Kështu shprehet
Nuri Dragoj, dhe ka të drejtë. Jo të gjithë trajtojnë me objektivitet;
rreshtimin e forcave politike, krijimin e formacioneve ushtarake, përballjet e
përgjakshme mes ortodoksisë dhe myslimanizmit, strategjitë dhe interesat
afatgjata të palëve pro dhe kundër coptimit të trojeve shqiptare. Po mirë, cila
ka qënë kultura politike e Fuqive të Mëdha, po e përfaqësuesve të popullit
shqiptar në kushtet e mungesës së shtetit dhe pas krijimit të tij? Këto pyetje
marrin përgjigje në sudimin të cilit i referohemi. Dua të theksoj qysh në krye
një ndër idetë aq domethënëse që afron autori: shtetin shqiptar e krijuan
shqiptarët dhe e mbrojtën me gjakun e tyre. Faktori i brendshëm, ushqyer nga
idetë e ndritura të rilindasve tanë dhe fryma e shëndetshme e atdhetarisë, ka
qënë përcaktues në çdo ngjarje, në çdo hap e përballje, ndërsa faktori i
jashtëm ka qënë ndihmues. Ky i fundit vlerësohet objektivisht dhe arsyeshëm në
funksion të interesave të tyre dhe rastësisht në mbështetjen tonë. Gjuha e
autorit zgjedhur me kujdes fjalë pas fjale, mishëron jo vetëm njohjen e thellë
të problematikave, por edhe konceptin bipolar; trajtimi i historisë si shkencë
dhe mendimi i pandarë nga etika, si model vlere dhe bukurie. Vështirë t’i gjesh
të dyja të shkrira në veprat studimore. E them këtë, sepse teoria e Platonit
për shtetin s’di të jetë mishëruar praktikisht. Ende s’ka ndodhur që filozofët
të bëhen mbretër dhe këta të fundit të bëhen filozofë. Ata që kanë lëvizur
mokrat e rënda të pushtetit kanë patur kufizimet e tyre ideore, afrinë me
vendet e orgjinës, doktrinat nga të cilat janë inspiruar, doemos edhe interesa
pragmatiste. “Çdo popull ka një kohë në të cilën shfaqen njerëzit e tij të
mëdhenj, që bëhen udhëheqës dhe shembull për të tjerët. Ndaj erdhi një ditë që
ndërgjegjia kombëtare e shqiptarëve u zgjua ”-shkruan Nuri Dragoj. Kjo më
kujtoi një letër që Skënderbeu i drejtonte Ferdinandit të Sicilisë (31 dhjetor
1460), brendia e së cilës rrëfen madhështinë e princit shqiptar: “Unë do të jem
mik i Virtytit dhe jo i Fatit”. Prijës të tillë, edhe pse lindin rrallë,
shenjojnë pragje epokash dhe ndryshimesh të mëdha. Pikërisht vdekja e këtij
strategu ndikoi në rrënimin e Mbretërisë së Arbrit dhe fillesën e shpërnguljes
biblike të shqiptarëve, kryesisht në drejtim të brigjeve italiane. Hordhitë
osmane vërshuan me zemëratë mbi tokat tona, vranë, plaçkitën e shkretuan.
Filloi myslimanizimi me dhunë dhe masakrimi i atyre shqiptarëve që s’pranonin
ndryshimin e besimit të tyre. Ndërsa vendet e qytetëruara nxitojnë t’i ngrejnë
monumente nderimi kryezotit tonë, heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu,
shqiptarët, kryesisht brezi i ri, ende s’e njohin heroizmin dhe atdhetarinë e
këtij qëndrestari, sepse të vërtetat historike i ka mbuluar pluhuri i harresës
në arkivat e sulltanit, të Perandorisë Osmane, të Vatikanit, të Raguzës dhe
gjetiu. Ai që nxitoi për t’a ngjitur në panteonin e lavdisë ishte Naim
Frashëri, para se ta bënim ne. Poetit i duhej shpata e heroit për betejën e
lirisë, ndërsa heroit i duhet pena e poetit për betejën e përparimit. Të dy
flisnin shqip, qanin dhe qeshnin shqip dhe dashuronin shqiptarisht dheun e tyre
stërgjyshor. Balli i rilindasit mendjendritur digjej nga zjarrmia, si Vezuvi.
Ndoshta e ka parandjerë lëngatën e mëmëdheut…Gjergji s’ka nevojë për ne. Ne
kemi nevojë për të; ta takojmë në udhëkryqet e historisë, ta njohim, ndryshe
s’mund të njohim vetveten. Autori sjell në vëmëndjen e lexuesit ndryshimet e
mëdha në marrëdhëniet mes fuqive rivale. “Traktati i Shën Stefanit, pas luftës
Ruso-turke të vitit 1877, projektoi copëtimin e trojeve shqiptare, projekt që u
zbatua në Kongresin e Berlinit, në të cilin kombi shqiptar u godit me egërsi.
Kjo ndodhi edhe për arsye se nuk ishte punuar për identifikimin e kombit. Paria
shqiptare ishte pajtuar me politikën osmane, duke i cilësuar shqiptarët “milet osman”...”
Lidhja Shqiptare e Prizrenit (10 qershor 1878) shënoi kthesën vendimtare në
veprimtarinë mbrojtëse të shqiptarëve. Tashmë ata janë të organizuar, kanë
përfaqësuesit e tyre politik, kanë një prapavijë që krijon frontin e
rezistencës, kanë një program konkret hartuar me largpamësi. Pra, kanë lidhur
një besë dhe kanë hequr dorë nga lufta me njëri-tjetrin, sepse janë një rracë,
kanë një gjuhë dhe një atdhe të përbashkët. Tregues i mirëkuptimit të arritur
janë emrat e personaliteteve pjesmarrëse: Abedin Pashë Dino, Iliaz Pashë Dibra,
Haxhi Bajrami, Sulejman Vokshi, Ali Bej Guxia, Ymer Prizreni, Mustafa Pashë
Vlora, Sheh Mustafa Tetova etj. Po çfarë kërkonte Lidhja e Prizrenit?
Fillimisht autonomi administrative dhe kulturore për të mbritur më tej në krijimin
e shtetit të pavarur shqiptar. Katër Vilajetet shqiptare duhet të
organizoheshin nën një ombrellë të vetme. Gjuha shqipe duhet të lejohej në
shkolla dhe të përdorej në administratë. Duhet të krijohej policia shqiptare
dhe kryeqytet të njihej Ohri. Më qartësisht e shprehin fjalët e Abdyl Frashërit
në intervistën e tij për gazetën vjeneze: “Messager de Vienne”, se populli
shqiptar dëshironte të jetonte i lirë dhe të zinte vendin që meritonte në
radhët e kombeve të qytetëruara të Europës. Shqiptarët historikisht janë
ngarkuar me një barrë të rëndë, aq sa s’kanë mundur t’a mbajnë. E si mund të
përballohej mungesa e lirisë, e shkollimit në gjuhën e tyre, varfëria e
skajshme ekonomike? Si mund të mbijetonin në kushtet kur rendin e tyre moral ua
shembën me përdhunë dhe u imponuan një mënyrë të re jetese? Në kushtet që
religjioni flet për shpirtin, a mund të përligjen mësymjet skllavëruese dhe
pashpirtësia e ortodoksisë lindore dhe myslimanizmit të pretenduar osman? Jemi
në shekullin e XIX dhe qëndrimi i kontinentit europian ndaj Shqipërisë ka qënë
i akullt. Edhe sot do thoja, ka ndyshuar vetëm dukja joshëse, por jo brendia.
Kësisoj, shpresat dhe pritshmëritë që mund të ngjallnin optimizëm vdiqën qysh
në lindje. Në këtë klimë shoqërore dhe politike të shteteve evropiane provoi
zhgënjimet e njëpasnjëshme Abdyl Frashëri, ky rilindas i shquar, filozof dhe
diplomat vizionar. Përherë kam konstatuar ndryshimin mes Perandorisë Osmane dhe
Fuqive të mëdha, fuqinë ushtarake, qasjet kulturore dhe politike. Por befasohem
ndërsa kërkoj ndryshimet në vendin tim. Dhe pyes: çfarë fitoi Shqipëria nga
rënia e Perandorisë Osmane? Asgjë, çuditërisht. Shqipëria, nga 98.000 km2 humbi
2/3 e teritorit. Kjo padrejtësi, jo vetëm s’u korigjua nga Fuqitë e Mëdha, por
vazhdoi coptimi i mëtejshëm i trojeve tona, me traktate dhe konferenca të
fshehta ambasadorësh. Kuptojeni pra, ne kemi ndrruar vetëm padronët. Fatet e
Shqipërisë ende s’i kanë marrë në duart e tyre shqiptarët. Këto i analizon në
mënyrë të detajuar historiani Nuri Dragoj. Tjetër gjë dua të theksoj,
marrëdhëniet e shqiptarëve me fqinjët natyrorë, kryesisht Greqinë dhe Serbinë.
Autori nxjerr nga arkivat dokumentat që provojnë shqetësimin e Europës për
fatin e fqinjit jugor, Greqisë. Për Shqipërinë s’tregojnë asnjë lloj interesim,
tjetërkund janë interesat e tyre. Autori, mes të tjerash i referohet J.Ph.
Fallmerayer. “Sot Greqia kërkon të marrë Thesalinë. Provoni t’ia jepni, nesër
do kërkojë Epirin, pasnesër Maqedoninë, paspasnesër Thrakën…e kështu me radhë.
Edhe sikur Stambollin t’ia japësh, grekët do shtrojnë kërkesa të tjera, nëse
Europa nuk do të shërohet prej dobësive të saj foshnjore”. Rusia tund kryqin e
Krishtit dhe predikon drejtësi për ortodoksinë greke (në vend të mëshirës),
Franca gjithashtu mbron hapur interest e fqinjit tonë. Shtetet e tyre dhe feja
që kanë pranuar, janë si vëllezërit siamezë, të dy të sëmurë. Kryeministri i
grek J. Koleti (1844) shpalli “Megali Idenë” si themel të ekzistencës politike
të Greqisë dhe e bëri objekt vlerësimi në Asamblenë Kombëtare të vendit të tij.
Kjo platformë politike e qarqeve shoviniste greke synonte, duke filluar prej
fundit të shek. XVIII, krijimin e një shteti të madh grek në kufijtë e
Perandorisë Bizantine ku do të përfshiheshin edhe troje të banuara nga popullsi
të tjera ballkanike (shqiptarë, maqedonas, bullgarë etj). Në fillim të shek. XX
u orvat të realizohej Megali Idea në Shqipëri nëpërmjet të ashtuquajturit
Vorio-Epir, përkatësisht aneksimit të krahinave të Korçës dhe të Gjirokastrës.
Zbatimi i kësaj politike vazhdon edhe në ditët tona, por me mënyra të
reja; pushtim ekonomik, tjetërsim i
fesë, ndërtimin e varrezave, si një pushtim nga ushtria e tyre e vdekur dhe
bjerrjen shpirtërore të shqiptarëve përmes shkollave dhe kulturës helene. Po me
fqinjin verior, çfarë ndodhi në këtë periudhë jetike për shqiptarët? Në të
njëtën kohë me Greqinë, në vitin 1844, Garashanini i Serbisë hartoi
“Naçertanien” – programin e spastrimit etnik të shqiptarëve. Kuptohet qartazi
kordinimi i veprimtarisë antishqiptare të shovinizmit serbo-grek. Para dhe pas
Kongresit të Berlinit e duke vazhduar deri në shpalljen e pavarësisë së
Shqipërisë më 1912, u realizua dëbimi masiv i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit
dhe rajoni i Toplicës. Kjo u mundësua përmes terrorit të organizuar shtetëror
dhe genocidit. Ky spastrim etnik rezultoi me mbi 700 vendbanime të zbrazura dhe
mbi 300.000 shqiptarë të përndjekur, të cilët asokohe jetonin në trojet e veta
etnike, apo në një hapësirë sa territori aktual i Kosovës. Në pronat e ligjshme
të shqiptarëve të dëbuar u vendosën kolonët serbë dhe malazezët besnikë ndaj
atij regjimi, ndërkohë që popullata e dëbuar shqiptare u vendos kryesisht në
territorin e Kosovës së sotme dhe një pjesë në territorin e Maqedonisë. Sipas
statistikave të kohës, vetëm në Luginën e Nishit gjatë kësaj periudhe u vranë
dhe u masakruan 35.000 shqiptarë. Në një lagje të Nishit të banuar me shqiptarë
(dokumentet osmane e vërtetojnë praninë e banorëve shqiptarë në qytetin e
Nishit) u plaçkitën dhe u dogjën 300 shtëpi. “Disa familje shqiptare iknin dhe
tërhiqeshin luginës së Moravës Jugore nëpër të ftohtit e madh, nëpër grykën e
Gërdelicës, deri te Vranja e Kumanova”, konstaton Stefan L. Popoviq, në librin
e tij “Putovanje po novoj Srbiji”, i botuar në Beograd në vitin 1950. Ndërkaq,
shkrimtari serb Jovan Haxhivasilev, duke shtjelluar politikën shfarosëse serbe
ndaj etnisë shqiptare, shkruan: “Dëbimi i shqiptarëve u bë me qëllim që Serbia
të bëhej shtet i pastër nacional dhe të krijohet mundësia që aksioni i mëtejmë
të drejtohet kah Kosova”. Burimet e kohës flasin për rreth 70.000 shqiptarë të
therur, të vrarë e të pjekur në zjarrin e shtëpive në rreth 600 fshatra
shqiptare të rrafshuara me zjarr vetëm më 1877/1878. Këto burime, gjithashtu,
thonë se, asokohe, nuk ishte vërejtur disponimi i fuqive të mëdha për të
parandaluar këtë gjenocid serb mbi shqiptarët e Sanxhakut të Nishit. Deri në
mesin e shek. XIX, vetëm në rrethinë të Leskoçit dhe të Prokuples ishin më se
300 fshatra shqiptare, kurse deri në vitin 1877 vetëm në rrethinë të Pustarekës
dhe të Jabllanicës ishin 1539 shtëpi shqiptare. Se çfarë terrori është bërë mbi
shqiptarët, dëshmon e dhëna se, pas dëbimit të shqiptarëve, Serbia udhëzoi Mita
Rakiçin të kryesonte ekipet për ta popullzuar atë pjesë me kolonë serbë para se
të mbahej Kongresi i Berlinit. Ekipet për formimin e komunave dhe
regjistruesit, ndër të tjera, shkruanin: “Këtu të gjitha fshatrat (53) kanë
qenë shqiptare, tani janë të shkreta, të djegura dhe të rrënuara, prandaj edhe
nuk mund të formohen komuna”. Se çfarë kanë përjetuar shqiptarët gjatë dëbimit,
për këtë flet edhe një fragment i udhëpërshkruesit serb, Sreten Popoviç, ku
ndër të tjera shkruan: “Ato netë shumë familje shqiptare, duke ikur me fëmijët
e tyre, nga acari i madh pësuan humbje të mëdha në njerëz. Shumë fëmijë në
qerre ose në shpinë të nënës u ngrinë dhe vdiqën. Kishte raste të shumta kur
edhe pleqtë vdisnin nga të ftohtit. Sikur të mos mjaftonin kolonizimet e
përgjakshme në vitet 1877-1878, vrasjet, përndjekja dhe pushtimi i trojeve të
kosovarëve nga barbarët serbë, nxitur e inkurajuar nga sivëllezërit rusë,
represioni ndaj shqiptarëve vazhdoi edhe në shekullin vijues.
* *
*
Politika
tradicionale serbe, e këtij shteti hibrid të krijuar nga Kisha Ortodokse Ruse,
është udhëhequr nga principi: “Ballkani popujve të Ballkanit”. Kjo qasje
diabolike, përtej bashkëjetesës (në dukje paqësore) me popujt e tjerë të
gadishullit, duhet të përligjte luftën kundër Imperatorisë Otomane dhe
rezistencën kundër Monarkisë Austro-Hungareze. E përtej kësaj, Italia duhet të
synonte vetëm Dalmacinë dhe një pjesë të bregdetit shqiptar, asgjë më shumë.
Gjithsesi, më 25 mars 1937 u miratua pakti i miqësisë italiano-jugosllav, çka
nënkupton marrëveshje për ndarjen e trojeve tona. Serbia do kënaqte interesat
në Jugperëndimin e saj, ndërsa Italia në Lindje. “Me ndarjen e Shqipërisë do të
zhdukej edhe qendra tërheqëse për pakicën shqiptare në Kosovë, e cila në
situatën e re do asimilohej më lehtë. Eventualisht, ne do merrnim nja
dy-treqind mijë shqiptarë, por shumica prej tyre janë me fe katolike dhe
marrëdhëniet e tyre me muslimanët kurrë nuk kanë qënë të mira”. Shkëputa pak
rreshta nga sygjerimet e Ivo Andriqit (shkrimtar nobelist), i cili kryente
detyrën e K/shefit në seksionin politik të Ministrisë së Jashtëme në Mbretërinë
e Jugosllavisë. Politika serbe aktivizoi inteligjencën e saj, e cila afroi
idetë. Kësisoj u hartuan platformat e dëbimit masiv të shqiptarëve. Vasa
Qubriloviqi, profesor universiteti në Beograd, në ligjeratën e mbajtur në
Klubin Kulturor serb (07.03.1937), mes të tjerash i sygjeron politikës serbe:
“Pozita ushtarako-strategjike e bllokut shqiptar në vendin tonë zë njërën nga
pikat më kryesore, ujëndarësi i lumenjve kah Deti Adriatik, Deti i zi dhe Deti
Egje. Pra, posedimi i kësaj pozite vendos, në pjesë të mirë, fatin e Ballkanit
qendror, vacant bastin e vijës kryesore rrugore Moravë-Vardar…Vetëm përmes
dëbimeve masive me dhunë, duke e ditur se cka duam, duke mos i kursyer
viktimat, duke mos kursyer as në para, por as në gjak, shteti ynë do të mund ta
bëjë Kosovën dhe Dukagjinin një Toplicë të re”. Porositësit e këtyre
platformave janë shteti dhe politika serbe. Hartuesit janë intelektualë mbarsur
me urrejtje ndaj shqiptarëve. Zbatues janë ushtria dhe policia. Viktima janë
shqiptarët. Gjithmonë pyes: pse kjo urrejtje primitive ndaj shqiptarëve?
Studiuesit e filozofisë argumentojnë se urrejtja dhe veprimet barbare
mishërohen nga tributë, ato grupime njerëzish që jetojnë të vetmuara brenda
kurorës fisnore dhe s’janë pjesë aktive e shoqërisë. S’dua të largohem nga
vijimësia e analizës që ka bërë historiani Nuri Dragoj, por e gjykoj me vend të
sjell edhe një qëndrim tjetër të Serbisë lidhur me vendin tonë. Dua të bashkoj
disa pjesë të kësaj dhimbjeje të madhe për të krijuar portretin e Shqipërisë. Pakti
i Londrës, i përfunduar më 26.04.1915 mes Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë
dhe Italisë, (neni 5) mes të tjerash përcaktonte: “Serbia, Kroacia dhe Mali i
Zi përfitojnë bregdetin, nga Kepi Planka deri në Drin me portet në Split,
Dubrovnik, Kotorr, Tivar, Ulqin, Shën Gjin. Porti i Durrësit i ndahet shtetit
të pavarur musliman, të Shqipërisë. Italia (neni 6) do të marrë tërë Vlorën,
ujdhesën e Sazanit, përvec këtyre dhe mjaft hapësirë për mbrojtje të tyre,
pjesën në mes Lumit Vjosa në veri, ndërsa në jug deri në Himarë… Fuqitë e Mëdha
aprovuan në princip ndarjen e Shqipërisë duke kënaqur kështu interesat
italiane, serbe dhe greke. Pas katër vjetësh, konkretisht në Konferencën e
Paqes në Versajë, (Franca, Britania e Madhe dhe SH.B.A) pranuan Konferencën e
Londrës të vitit 1913 dhe i njohën Italisë sovranitet të plotë mbi Vlorën. Po
cili ishte reagimi i fqinjit verior? Po shkëput pak rreshta nga Memorandumi i
datës 09.12.1919 i palës jugosllave drejtuar Konferencës së Paqes. “Shteti ynë
ka edhe të drejta të moçme në këto vise. Shkodra ishte selia e sundimtarëve
serbë. Populli ynë ka derdhur lumenj gjaku, veçan në luftën e vitit 1913, që i
kushtoi Serbisë më se njëmijë ushtarë të saj, ndërsa Malit të Zit ë tretën e
ushtrisë. Për t’i kënaqur dëshirat e Fuqive të Mëdha, trupat serbe e malazeze e
zbrazën Shkodrën më 1913, dhe Shqipërinë veriore…Lugina e Drinit me Shkodrën
përbën një tërësi gjeografike dhe ekonomike me Malin e Zi dhe me viset kufitare
të Serbisë. Lugina e Drinit të zi është e vetmja rrugë natyrore e daljes në
Detin Adriatik…” Të njëjtin qëndrim mbajti edhe fqinji jugor i Shqipërisë. Për
të mundësuar dëbimin masiv të shqiptarëve u shfrytëzua Konventa e Loznës më 30
janar 1923. U nënshkrua marrëveshja turko-greke mbi shkëmbimin e grekërve të
Anadollit me “turqit” që jetonin në Greqi. Këtu u përfshinë edhe shqiptarët e
besimit musliman, kryesisht të Çamërisë. Me një dekret të posaçëm Greqia
përvetësoi pronat e shqiptarëve muslimanë dhe i trajtoi si popullsi shkëmbyese,
ashtu siç e parashihte Marrëveshja e Lozanës. Në vitin 1924 dëbimi mori
karakter masiv. Të njëjtën gjë e shfrytëzoi edhe Mbretëria e Jugosllavisë në
vitin 1938. Nënëshkroi një konventë me qeverinë turke për deportimin e
popullsisë muslimane. U realizua dëbimi masiv i shqiptarëve nga Banovina e
Zetës, Moravës dhe Vardarit. Pronat dhe trojet shqiptare i zotëruan uzurpatorët
sllavë. Nuri Dragoj ka pasqyruar jo vetëm ngjarjet, përballjet diplomatike,
betejat tona të humbura apo tradhtitë politike, por, në mënyrë analitike ka
sjellë personalitetet publike të jetës shqiptare, para dhe pas pavarësisë,
udhëheqës të revoltave në mbrojtje të interesave kombëtare, luftëtarë që
sakrifikuan gjithçka për interesat e vendit. Ndaj s’mund të përsërit autorin,
veçse dua të theksoj precedentin e rrezikshëm të krijuar nga Fuqitë e Mëdha,
kohë pas kohe. Vendet e vogla si Shqipëria mbeten përherë lodra në duart e
tyre. Mirëpo Francën, djepin e iluminizmit europian; Gjermaninë si vendi i
ideve dhe filozofëve; Amerikën si vendi i lirive dhe të drejtave të njeriut;
Britaninë e Madhe si laboratori i diplomacisë kontinentale, s’mund ti
përfaqësojë (sepse s’mund ti mishërojë në vetvete) – vetëm Presidenti,
Kryeministri apo një ministër i jashtëm. Shkaqet e këtij indinferentizmi ndaj
nesh duhet ti kërkojmë edhe tek vetja. Në shumicën e rasteve, udhëheqësit
shqiptarë kanë vuajtur nga sindroma e inferioritetit përballë të huajve,
rrjedhojë kjo e optikës së tyre të kufizuar dhe mungesës së ideve. Duhet
theksuar se faktori shqiptar asnjëherë s’ka qënë i unifikuar, me një frymë dhe
një zë të vetëm. Gjithsesi, vendimet arbitrare të drejtuesve evropianë dhe
sjelljet e tyre imponuese kanë prishur ekuilibrat rajonalë. Nuri Dragoi ka
aplikuar edhe metodën krahasuese në renditjen e burimeve të referencës.
Pikërisht kjo e pasuron informacionin aq të nevojshëm për studiuesit e
historisë dhe lexuesin kurreshtar. Më konkretisht po bëj një renditje të
përpjekjeve shqiptare, të cilët kërkojnë ndihmë dhe mbështetje nga faktori
ndërkombëtar. Në vitin 1886, sipas autorit, Preng Doçi, abati i Mirditës, i
drejtohet Papës me një promemorie, për të shpëtuar Epirin nga qëllimet e
politikës greke. Më 1888, Kostandin Kristoforidhi vazhdon korespondencën me
mërgatën shqiptare në Bukuresht, konkretisht me Nikolla Naçon. Rilindasit
shqiptarë vihen në shërbim të çështjes kombëtare para dhe pas shpalljes së
pavarësisë, në kushtet e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër dhe
veprimtarisë së delegacionit qeveritar të Shqipërisë. Trajton përpjekjet për
saktësimin e vijës kufitare me Greqinë (KNKV) dhe lojën e diplomacisë greke.
Ndërkohë vazhdon ekspansioni me krijimin e qeverisë së Kristaq Zografos (1914)
dhe përballja me luftëtarët shqiptarë. Autori trajton edhe problemin aq delikat
e me qëllime prapavepruese të varrezave greke në teritorin shqiptar. “Varrezat
greke, gur varri apo gur kufiri?”-është pyetja e shqetësuar e autorit. Mirëpo
kjo dhe shumë pyetje të tjera mbeten pa përgjigje, ose thënë ndryshe i ka
mbuluar heshtja e politikës.
Fuqitë
e Mëdha me kulisat e tyre diplomatike, me rjetet e spiunazhit dhe mjetet
financiare, mundësojnë që në drejtimin e shteteve të vogla të vendosen
kuislingët e tyre, shërbëtorë besnik dhe të bindur. Populli shpreson dhe pret
ndryshime e zhvillime demokratike. Po nga kush? Të zgjedhurit pushojnë së qëni
drejtues dhe organizatorë të shtetit, ndërsa shndrrohen në sundimtarë, ndërkaq
Republika Parlamentare vetëm de jure mbetet e tillë, ndërsa de facto shndrohet
në Monarki absolute. Ndoshta është një fenomen jo vetëm shqiptar. Forcat
politike s’hartojnë programe zhvillimi, prandaj qytetarët s’konsiderohen si
partnerë, por si kundërshtarë dhe shtypen me përdhunë. Fuqia e një vendi
s’përcaktohet nga madhësia teritoriale apo numri i popullatës. Përkundrazi, nga
madhështia kulturore, rezatimi i saj dhe përfaqësuesit dinjitozë, nga elementi
njerëzor si pasuria më e çmuar, po kështu edhe nga pasuritë natyrore. Në
Shqipëri kondsiderohen si fuqi; pushteti i pakufizuara i Kryetarit të Shtetit,
i Kryeministrit dhe Kryetarit të Parlamentit, rrethuar nga shërbestarët e tyre.
Përsëri pyesim: mos vallë sundimtarët tanë parapëlqejnë sjelljen e huazuar nga
drejtuesit e kancelarive europiane? Këta tregtarë të vegjël interesash,
konkretisht në Gadishullin e Ballkanit, kanë krijuar brenda vendeve të tyre,
sigurisht në miniaturë, modelin e Fuqive të Mëdha. Jam i bindur se vazhdojnë të
ndjekin në mënyrë të përpiktë sjelljen e padronëve të tyre. S’ka arsye që
drejtuesit e shtetit shqiptar të shikojnë me syzet e Athinës, Beogradit apo
Stambollit, pavarësisht që dora e zgjatur e këtyre të fundit ka mbritur në
Tiranë qyshkur. Po përse? Fan Noli, në një nga analizat e tij trajton
perversitetin dhe shpërdorimet e mëdha financiare të nipit të Mehmet Ali
Pashës, i cili ishte Guverrnator i Egjiptit, Ismail Pashës. Por evidenton edhe
një vlerë të tij të spikatur. “Ismail Pasha i ka bërë shumë dëm vendit të vet,
por i ka ruajtur edhe bakshishin më të madh, pikërisht para se të rrëzohej,
nacionalizmin, kundërhelmin për të gjitha sëmundjet e imperializmit të huaj”.
Po nacionalizmi shqiptar, cilat drama ka përjetuar nga “humbja” e kujtesës
historike? Kjo barikadë mbrojtëse është shembur. Tradhëtia i rrënon
kështjellat. Shqiptarët janë bërë armiq të shqiptarëve, sepse politika
antikombëtare i ka ndarë e përçarë. Kosova rrezikon të shndrrohet në një
Palestinë të Ballkanit, ndërsa Rripin e Gazës mund ta zëvëndësojë Mitrovica.
Dhe kosovarët luftojnë njëri-tjetrin me armët e vrasësve të tyre, serbëve.
Çamëria vazhdon të digjet si Vezuvi, ndërsa 4 milionë arvanitas në Greqi, bëjnë
gjumin shekullor. Kohë pas kohe kemi ndërruar kryqtarët, ndërsa të kryqëzuarit
jemi ne. Të parët janë të lyer nga gjaku ynë, ndërsa ne lahemi në lumin e
lotëve. Degradimin e shtetit s’mund ta shkaktojë populli, ose ajo shumicë që e
cilësojmë fitimtare përmes votës. Po pse s’e pengon atëherë? Sepse mjerimi
ekonomik, demagogjia konstante dhe propaganda boshe kanë helmuar shpirtin e
njeriut dhe kanë vrarë guximin qytetar. Prandaj Nuri Dragoj paralajmron
rrezikun e shkombtarizimit. Makiaveli e ka trajtuar “laboratorin” e biologjisë
politike, tjetërsimin e prijësit dhe bjerrjen e vlerave morale si rrjedhojë e
privilegjeve të pushtetit. Kjo është një nga fatkeqësitë tona kombëtare,
kryesisht në dekadat e fundit. Këta “drejtues” s’kanë të shkuar, as të ardhme,
gjithsesi sundojnë. Epërsinë intelektuale e takojmë rrallë, ndërsa varfëria
mendore ka mundur të ngjitet në postet e pamerituara. Kultura dhe ata që e
përfaqësojnë përballen me shpërfilljen e “politikbërësve” mediokër. E çmoj
kurajon intelektuale të Nuri Dragoit, edhe pse të vetmuar, ndërkohë që të tjerë
historianë s’guxojnë të vendosin gishtin mbi plagët e atdheut. Heshtja e tyre
është blerë dhe ata s’duan të humbasin privilegjet e afruara nga pushteti dhe
politika. Një zë i brendshëm më thotë se duhet protestuar, qoftë edhe me fjalë,
sepse revolta është themeli dhe barikada e lirë. Dhe unë s’kam ç’humbasin veç
prangave të varfërisë. Të gjitha na i morën, por fjalën s’mund t’ua falim. Këto
interpretime, sigurisht jo shteruese, janë rrjedhojë e përjetimeve tona, e
pikërisht këto përjetime më kanë bindur se trualli ku duhet “mbjellë”
demokracia duhet punuar thellë dhe pastruar nga hithrat dhe gjembat. Ende
s’kemi mundur ta bëjmë një gjë të tillë. Jo vetëm që kemi humbur kujtesën
historike, njohjen e rrënjëve tona, por prej dekadash s’prodhojmë vlera. Çfarë
ushqimi shpirtëror do t’u afrojmë brezave? Të kapesh fort pas lavdisë së
dikurshme është një absurditet, shprehet mendimtari rilindas Branko Merxhani,
ndërsa më tej vazhdon: “Sot s’ka mbetur asnjë turk i ditur që të ëndërrojë
përrallat turanike. Asnjë grek me mëndje të shëndoshë, sot nuk mburret se është
stërnipi i Perikliut. Edhe Romanët e sotëm e kanë harruar prej shumë kohësh
orgjinën e tyre. Jeta e popujve nuk ësht veçse Mrekullia e Zhvillimit...Sytë
tanë nuk janë mësuar akoma të shohin me simpati Diellin e Intelektit. Ku janë
kujtimet tona të shoqërisë? Ku është uniteti ynë sentimental? Ku është kultura
jonë? Shqipëria nuk e ka ngrehur akoma Faltoren e saj”. Unë besoj tek e
nesërmja, besoj shumë te shqiptarët. Tashmë kemi një ndryshim befasues:
pushtuesve të jashtëm ua kanë zënë vendin ozurpatorët e brendshëm, njerëzit
tanë, me të cilët nuk di si të përballesh! Por heshtja jonë e gjatë, durimi ynë
kaq i madh, s’tregojnë padije, as nënshtrim, as mungesë dinjiteti dhe shpirti
të lirë. Përkundrazi, kjo tregon fisnikërinë gjenetike të kultivuar të
shqiptarëve, të kësaj rrace të bukur, krenare dhe sypatrembur, të cilën
s’mundën ta asimilonin fuqitë më të mëdha të kohërave, që shembën dhe zhdukën
pa gjurmë; shtete, popuj dhe rraca. Ndoshta kjo pritje është grumbullim
energjish, kalitje forcash, një vështrim brenda ndërgjegjes dhe vetëdijes së
seicilit. Shqiptarët vuajnë një mungesë të theksuar civilizimi (teknologji,
infrastrukturë, zhvillime bashkëkohore - si shoqëri), për njëmijë e një arësye,
por kanë përcjellë nga shekulli në shekull, nga brezi në brez, një trashëgimi
kulturore me rrezatim të mahnitshëm e të pakonkurueshëm me asnjë vend të
Ballkanit dhe përtej tij. Shqipëria është djepi i baladave, i mitologjisë, i
heroizmave në kufijtë e legjendave, i ushqimit shpirtëror: pikturës, poezisë
dhe muzikës, por edhe i misticizmit. Çdo epidemi mund të ndalet, çdo sëmundjeje
mund t’i gjëndet ilaçi. Edhe lëngatës shqiptare besoj se do t’i gjëndet
shërimi. Ja pra, kjo është parathënia e librit të fundit të historianit Nuri
Dragoi. Priste me padurim që ta mbaroja. S’mundi t’a botonte, sepse e rrëmbeu
vdekja në krahët e saj. Ndoshta familjarët e realizojnë publikimin e kësaj
vepre, të cilën autori e kishte shumë për zemër. Ndjehej i lodhur. Puna me
arkivat është sfilitëse. Është një rrugëtim i vështirë, më thoshte. Madje, këtë
dëshironte edhe si titull të librit. Dramat shqiptare projektohen në zyrat e
kancelarive europiane dhe luhen këtu, për ne dhe mes nesh.
Tiranë, Tetor 2020.