Mendime
Enver Bytyçi: Berisha dhe Rama: Kush duhet hetuar e kush është nën hetim!
E premte, 07.06.2024, 06:56 PM
Berisha dhe Rama: Kush duhet hetuar e kush është nën hetim!
Nga
Prof. Dr. Enver Bytyçi
Po
bëhen gjashtë muaj që kur SPAK ka izoluar me arrest shtëpie kreun e opozitës,
Sali Berisha. Prej asaj kohe e deri më sot prokurorët e kanë thirrur Doktorin
vetëm njëherë për hetim! Thjesht i kanë komunikuar se “është nën hetim”, me
dyshimin për korrupsion pasiv. Argumenti që kanë sjellë është krejt absurd. I
korruptuari “aktiv” qenka dhëndërri i tij. Metodologjia e hetimit është
gjithashtu absurde. Korrupsion për shkak të një ligji të parlamentit për
kthimin e pronave!
Por
nuk dua të ndalem te kjo pjesë. Meqë Berisha është person në hetim, pse nuk
hetohet? Kjo është pyetja! Prej gati gjashtë muajsh nuk u thirr në hetzuesinë e
SPAK, përveçse njëherë. Gjatë kësaj kohe nuk ka asnjë zhvillim të ri në
procesin anti-Berisha?! Nëse jo, atëherë pse mbahet nën hetim e nën arrest?!
Nuk ka ndodhur kurrë që një person nën hetim të arrestohet! Nuk ndodh që
drejtësia e pavarur të arrestojë një person qoftë të thjeshtë e pa asnjë
funksion, pse është shpallur nën hetim. Kjo ishte praktika e hetuesisë së
Aranit Çelës në kohën e diktaturës. Parimi i atëhershëm “ta fusim njëherë në
burg e pastaj gjejmë provat”, po aplikohet sot te kreu i opozitës në Shqipëri.
Dhe Altin Dumani mburret me këtë praktikë!
Megjithatë,
unë e kam një shpjegim. Prokurorët hetues janë të trembur e njëkohësisht të
tredhur. Kanë frikë edhe të hypin në lis edhe të zbresin prej tij. Nëse e
thërrasin Sali Berishën, nuk janë ata që bëjnë akuzë e as hetim. Eshtë Berisha
ai që i ve përpara me akuza dhe prova e fakte për shkeljet e ligjit që këta
prokurorë bëjnë në procesin kundër kryetarit të opozitës. Të paaftë të gjejnë
prova dhe fakte, prokurorët e SPAK, me urdhër politik, as nuk e lirojnë
Doktorin, as nuk e hetojnë atë. Duan thjesht të zbatojnë një praktikë për të
cilën janë urdhëruar. Nuk ka ndodhur ky precedent kurrë në historinë e ndonjë
demokracie në botë, sado e qullosur të ketë qenë ajo demokraci.
Por
në Shqipëri ndodh edhe kjo. Kryetari i opozitës mbahet në izolim pa akuzë.
Thuhet se është nën hetim e nuk hetohet. Dhe e gjitha kjo thjesht për ta
denigruar e shkatërruar opozitën shqiptare. Ishte Berisha ai që para një dekade
e cilësoi qeverisjen e Rilindjes si narko-shtet. Sot kemi ardhur në momentin
kur të gjithë skeptikët e asaj kohe e pohojnë me gojën plot këtë akuzë. Ndërsa
drejtësia e SPAK, në vend të hetojë narco-shtetin dhe ideatorin e regjizorin e
tij, kryeministrin e Shqipërisë, bën sikur heton ish-kryeministrin e
ish-presidentin e Shqipërisë, pikërisht për faktin se ai i pari e me guximin e
një “të marri” i dha emrin që ka kësaj qeveria e këtij shteti!
Mos
prisni që Sali Berisha të hetohet. As të thirret më në SPAK. As ta nxjerrin në
ndonjë seancë gjyqësore. Nëse ndodh kjo, atëherë nuk i bëhet gjyqi Sali
Berishës, por është ky i fundit që do ia bëjë gjyqin narco-shtetit dhe
seksionit të tij me emrin SPAK. Gjithçka e krijuar dhe e financuar nga Soros,
përfshirë SPAK-un, është pjesë e narco-shtetit. Kush ka iluzione, e nëse ky
iluzionist i takon opozitës, këto iluzione t’i mbajë për veten e tij. Së paku
mos pengoni rrëzimin e narko-shtetit!