Mendime
Fadil Sahiti: Për impaktin çlirues të dijes shkencore
E marte, 18.06.2024, 06:57 PM
PËR IMPAKTIN ÇLIRUES TË DIJES SHKENCORE
Nga
Fadil Sahiti
Është
shkruar shumë për rolin e dijes shkencore në emancipimin e njerëzimit, që nga
Sokrati, Platoni, Kanti, Darvini, Marksi, Ajnshtajni, Russell, Popper, për të
përmendur disa. Të gjithë janë dakord se mirëqenia dhe prosperiteti që gëzon
njerëzimi sot duhet t'i dedikohen shkencës.
Ka
shumë përkufizime të kësaj 'magjie'. Dikush si puna ime që është profan në këtë
'mesele' do ta përkufizonte këtë magji si një "lloj aventure pasionante
njerëzore, e cila, në përpjekje për të kuptuar botën dhe problemet e saj,
përpiqet të bashkojë botën spekulative me atë empirike". Kushdo që është i
magjepsur nga kjo aventurë e di se produkti që ka prodhuar nuk është e vërteta.
Vetëm qëllimi për t'u afruar me të është i vërtetë. Nëse ka mjaftueshëm
imagjinatë, atëherë 'shkencëtari' formulon saktë produktin e vetë shkencor, për
t'i dhënë mundësinë dikujt tjetër ta testojë atë. Dhe kur dikush tjetër përmes
testimit gjen një teori tjetër me fuqi më të madhe shpjeguese, shkencëtari
gëzohet si një fëmijë.
Pra
dija shkencore ka një funksion emancipues, çlirues, ka një fuqi magjike që e
çliron njeriun nga paragjykimet, dogmat, nga vizionet e rreme që ka për botën,
e çliron njeriun nga frika dhe mjegulla.
Arti
gjithashtu ka të njëjtin impakt tek njerëzit, njëlloj si shkenca. Por artistin
dhe shkencëtarin i ndan një gjë, liria krijuese. Krijimi shkencor nuk është i
lirë në të njëjtin kuptim si krijimi artistik. Shkenca duhet t'i mbijetojë një
konfrontimi të detajuar me përvojën. Megjithatë, edhe artisti edhe shkencëtari
kanë të njëjtin synim, si të kuptohet kjo botë më mirë. Në këtë kuptim,
gjenialiteti krijues i Galileos, Njutonit apo Ajnshtajnit është në të njëjtin
nivel me gjenialitetin krijues të Mikelanxhelos, Shekspirit apo Bethovenit.