Mendime
Idriz Zeqiraj: Hamëz dhe Adem Jashari ishin kryeçetanikët e Kosovës
E enjte, 20.06.2024, 06:59 PM
HAMËZ DHE ADEM JASHARI ISHIN KRYEÇETANIKËT E DRENICËS
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Hipokrizia
dhe falsifikimi e përshkoi tërë manifestimin, në të ashtuquajturën
"Epopeja e UÇK-së" në Prekaz. Dhe, ky falsifikim nis qysh në titull:
1)
Për çfarë "epopeje" bëhet fjalë, kur familjarë të ngujuar, në
përdhesin e kullës, goditën me armë të rënda, pa asnjë mundësi për t`u
kundërpërgjigjur apo shpëtuar?! Epopeja presupozon ndeshjen e formacioneve
luftarake në fushë-betejë, ku përgjakja është e rrëkeshme, nga të dy palët
ndërluftuese. Pra, nëse pellgjet e gjakut nuk arrijnë -deri në zog të këmbës,
të paktën, deri një opangë po-. Këtë na mëson historia e lashtësisë, me
epoperat e asaj kohe, prej nga vjen edhe emërtesa. Dhe, kjo nuk ka pasur as
mundësi teorike të ndodhë ke Jasharajt, sepse epërsia armike ka qenë enorme,
gjuajtjet në cak, me armë të rënda, nga largësia, kanë qenë të njëanshme dhe
fatale. Raporti i forcave, tmerrësisht, i shpërputhshëm, i pabarabartë.
2)
Një falsifikim i rëndë, madje, kriminal, i bërë qëllimshëm, nga banda
SHTAB-iste, për arsye tërësisht politike, është ndarja e Vëllezërve Jashari,
Hamzës nga Ademi! Asnjë pushkë, asnjë betejë, asnjë veprim luftarak, nuk ka
bërë Ademi pa Hamzën. Andaj, janë meritorë të barabartë. Dhe, si të tillë duhet
të trajtohen me barabarësi: në emërtime, shtatore, fjalime. Të gjithë
shqiptarët e dinë këtë, ashtu siç e dinë edhe qëllimin e poshtër dhe kriminal
të SHTAB-istëve të "Rognerit". Andaj, edhe dështuan, turpshëm, në
qëllimet e tyre banditeske.
Për
rrjedhojë, për të mos e thelluar më tej marrëzinë dhe krimin - njëherësh,
institucionet e Kosovës, duhet t`i bashkojnë dy Vëllezërit Jashari: në shkrime,
libra, emërtesa institucionesh, rrugë, sheshe, në buste e shtatore, në këngë
dhe histori.
3)
Cinizmi dhe tallja e heroit Adem Jashari janë edhe ndoca emërtesa idioteske,
si Aeroporti i Prishtinës, Shtëpitë e
Kulturës, ku Ademin nuk e lidhë asgjë, as me njërën dhe as me tjetrën.
4)
Qendresa e Jasharajve, me epilog masakrën familjare, nuk duhet ngatërruar me
UÇK-në dhe, madje, as me çetën. Dihet, Hamëz e Adem Jashari, formuan çetën e
parë guerile në Drenicë. Dhe, ata, të dy, ishin kryeçetanikë. Kjo emërtesë
është e mjaftueshme, kulmore, për kohën dhe rrethanat. Çdo shtesë tjetër, kinse,
për ta madhuar figurën e tij, është zhurmim, zvetnim dhe përrallisje, sa e
qëllimshme, aq edhe dështuese.
Kur
vepronin e luftonin Hamëz dhe Adem Jashari, nuk ishte formuar asnjë batalion,
asnjë brigadë luftarake, asnjë Ushtri Çlirimtare e Kosovës, për ta komanduar
Adem Jashari. Këtu nis edhe falsifikimi i madh. Realisht, Hamëz dhe Adem
Jashari nuk ishin dhe nuk janë komandantë. Ata janë luftëtarë, njëherësh, krejt
të vetmuar, të cilët, në ditën fatale pranë kishin vetëm babën Shaban, dajën
Osman Geci, mysafir Ferizin dhe Familjen fisnike Jashari.
5)
Legjenda dhe përralla janë simotra. Vet emërtesa "legjendë",
relativizon të vërtetën. Prandaj, Adem Jashari nuk ëshë as legjendë dhe as
legjendar. Pra, nuk është përrallë. Por, ai është Hero i vërtetë i Kosovës, i
cili ishte i përkushtuar, për të luftuar për lirinë e Kosovës, gjithnjë, së
bashku me vëllanë Hamzën. I rrethuar në kullën e tij, madje, familjarisht,
rezistoi, dëshpërueshëm, në pa mundësi, as teorike, për të bërë më shumë, deri
në flijimin vetanak e familjar. Mjerisht!
Dhe,
kjo është masakra, sa e ngeshme, aq edhe e dhimbshme e Familjes të Jasharajve.
Dihet, kjo nuk është as masakra e vetme dhe as më e madhja. Por, është më e
tmerrshme, më e dhimbshme, sepse është vrasje, vdekje e pritshme, në
kohëzgjatje enorme. Janë fëmijë, vajza e djemë, gra e plaka, pa asnjë mundësi
mbrojtjeje! Dhe, këto elemente e rrethana, e shquajnë masakrën e Prekazit, nga
420 masakrat tjera serike anekënd Kosovës. Realisht, lufta në Kosovë ka qenë më
shumë se sa luftë, ka qenë masakër masive. Dhe, kjo dëshmohet më përmasat
numerike të viktimave, tej 13 mijë, kundrejt, përafërsisht, 800 dëshmorëve.
Soldateska
serbo-sllave e Millosheviçit masakrat i nismoi në Qirez e Likoshan, për të
kulmuar në Prekaz, ku ploja ishte masive. Protagonistë të rezistencës, "në
mbrojtje të pragut të shtëpisë", siç e arsyetonte rezistencën e
shqiptarëve, kundër pushtetit serb, Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova,
ishin Vëllezërit Jashari, Hamëza dhe Ademi, së bashku me babën Shaban dhe dajën
Osman. Makabriteti i përgjakshëm ndaj Familjes Jashari, ishte shtysë për
vetëmbrojtje masive të popullit të Kosovës. Sepse, "gjëma që ndodhë në
kojshi, prite në shtëpi",- na mëson urtësia. Prandaj, ngjarja tragjike në
Prekaz ka veçantinë e saj. Andaj, edhe përkujtohet si thirrje e kushtrim
mobilizues të popullit, në forma të ndryshme, për rezistencë e vetëmbrojtje,
deri në çlirim.
Maskarada
manifestuese në Prekaz, me defilimin e "komandantëve" kriminelë të
"Rogneri-t", dhe të tjerët jashtë tij, është rivrasje e Hamëz e Adem
Jasharit dhe e Familjes së gjerë Jashari. Ish-komandantët SHTAB-istë, sabotuan
armatimin e çetës të Hamëz e Adem Jasharit, madje duke i quajtur
"bashibuzukë" e diç më keq! Edhe markat e dërguara nga Mynihu i
Gjermanisë, i përvetësuan. Si në rastin e Zahir Pajazitit, të cilin SHTAB-istët
donin ta komandonin nga Rogner-i. Dhe, kur nuk i dëgjoi, e vunë në pritën e
armikut.
Legjendë
e legjendarë, pra, përrallë, janë komandantët hileqarë e zuzarë, të cilët, në
vend që të hyjnë në Kosovë dhe të luftojnë përkrah Hamëz e Adem Jasharit, i
futën bandat e Organizatës ilegale kriminale e terroriste të SHIK-ut, për të
vrarë komandantët dhe ushtarakët luftëbërës
të FARK-ut; kuadrot dhe veprimtarët e LDK-së të Ibrahim Rugovës; veprimtarët
e hershëm të LPK-së, për ta shmangur konkurrencën për pushtetin e pritshëm;
gazetarët, korrespodentë të luftës; burra dhe djemë pjesëmarrës në ekzekutime,
të kundërshtarëve politikë, me urdhër të komandantëve dhe fshehjen e kufomave
të viktimave të tyre, për t`i hapur rrugën karrierës së tyre të zezë dhe të
përgjakur.
Heronj
legjendarë fiktivë, të rrejshëm janë SHTAB-istët, të cilët mrizonin në vilat e
Bllokut të zi, sinonim i krimit, të Tiranës, në pritje për ta përvetësuar luftën e FARK-ut. Ata pretendonin
se të gjithë luftonin nën komandën e tyre, edhe pse kurrë nuk u angazhuan në
luftë, ashtu siç e kanë pranuar edhe vetë.
Kryetari
i Prishtinës, Arkitekti i përbotshëm, Përparim Rama, me delegatët e Kuvendit të
tij, kanë caktuar lokacionin për ngritjen e Shtatorës të Adem Jasharit. Mendoj
se atë që nuk e bënë të tjerët, radha është ta bëjë arkitekti i mirënjohur
londinez.
Tashmë,
gjithçka është qartësuar, se nismëtarë të organizimit të rezistencës të
armatosur në Kosovë, janë djemtë e përgaditur nga oficerët pedagogë elitë të
Akademisë Ushtarake të Shqipërisë, në Surrel të Tiranës. Ata janë: Sali Çekaj,
Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha, me shokë, të cilët organizuan
rezistencën e armatosur, përkatësisht, në zonat Dukagjin, Drenicë, Llap, Ana
Moravë dhe gjetkë në Kosovë. Ndonëse Hamëz Jashari ka vepruar dhe luftuar i
pandarë nga vëllai i tij Ademi, ndërtimi i një Kompleksi Memorial të
përbashkët, për të pestit, do ta zbukuronte kryeqendrën e Kosovës, Prishtinën.
Sidoqoftë,
kryetari i nderuar, Përparim Rama, me shokë dhe Institucionin përkatës, nëse
nuk realizon Kompleksin me pesshën e
cituar, të paktën, t`i bashkojë në një shtatore Vëllezërit Jashari,
respektivisht, Hamzën dhe Ademin. Dhe, kjo të jetë nismë dhe thirrje edhe për
institucionet zyrtare e qytetare private, për të korrigjuar fajësinë, deri në
krim, të disa "biçim" komandantësh, për ndarjen e Vëllezërve, për
qëllime të ulëta politike!
Mbetem
me shpresë e besim për mirëkuptim.