Mendime
Enver Bytyçi: Pse konflikti Rama-Kurti është parimor e jo personal?
E enjte, 20.06.2024, 06:34 PM
Pse konflikti Rama-Kurti është parimor e jo personal?
Nga
Enver Bytyçi
Shumë
prej analistëve, opinionistëve dhe politikanëve që i shohim në ekrane e
trajtojnë konfliktin tashmë të njohur, Rama-Kurti, si një çeshtje personale
midis tyre për shkak të egos e prirjes për të dominuar njëri-tjetrin. Eshtë e
vërtetë se karakteri, formimi, cilësitë, veset, virtytet e liderëve politikë
luajnë rol në marrëdhënien me homologët, partnerët, aleatët, kolegët e vartësit
e tyre. Në këtë kuptim, studimi dhe informacioni për këto karaktere është
tashmë pjesë shumë e rëndësishme edhe e veprimtarive agjenturore e të
spiunazhit. Sepse zbulimi i këtij dimensioni favorizon gjetjen e dobësive të
kunërshtarit dhe intervenimin për neutralizimin ose korruptimin e tij. Me
kryeministrin e Shqipërisë ka ndodhur pikërisht kjo që theksova më lart. Ai
është tashmë peng i Serbisë për shkak se Beogradi dhe Aleksandër Vuçiq kanë
shfrytëzuar të gjitha dobësitë e kreut të ekzekutivit shqptar për ta vënë atë
në shërbimin e tyre. Dhe ia kanë arritur, për fat të keq!
Por
nuk ka ndodhur e njëjta gjë me kryeministrin e Kosovës. Sjelljet dhe veprimet e
tij deri më so,t në mbrojtje të territorit dhe sovranitetit të shtetit të
Kosovës, dëshmojnë se zoti Kurti nuk është peng i korrupsionit, i implikimeve
në veprimtari mafioze e kriminale, as edhe peng i Serbisë dhe armiqve të tjerë
të Kosovës. Dhe në fakt sjellja e Albin Kurtit është e kundërta e sjelljeve që shohim
te Edi Rama. Por ne, për të provuar hipotezën, nëse konflikti Rama-Kurti është
personal apo jo, do të ndalemi te krahasimi i qëndrimeve, sjelljes politike dhe
konvensionit në raportet me Serbinë, dialogun dhe ngjarjet që kanë ndodhur në
Kosovë e sidomos në veriun e saj këto vitet e fundit.
1.
Kryeministri shqiptar, së bashku me presidentin e Serbisë, pas një
marrëveshjeje të mëparshme në Nish, gjithnjë sipas zonjës Biserko, nisën në
vitin 2017-2020 aksionin diplomatik dhe politik për zgjidhjen e konfliktit
Kosovë-Serbi përmes ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës. Në këtë
aksion tërhoqën edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo temë është e
njohur tashmë. Ndërsa kryeministri Kurti, asokohe në opozitë, u shpreh
publikisht kundër këtij projekti. Pra që në fillim konflikti nisi si pozicion
pro dhe kundër kërkesës së vazhdueshme të Serbisë për ndarjen e Kosovës si
kusht i paqes dhe bashkëjetesës midis dy popujve. Them midis dy popujve, sepse
Kosova pas ndarjes nuk do të ishte më shtet i pavarur. Pjesën e mbetur do ta
merrte Shqipëria. Në këtë konflikt midis dy kryeministrave shqiptarë nuk
dallohet dot asnjë nuancë e sjelljes së bazuar në karakter, por në parime dhe
të drejtën ose të padrejtën.
2.
Kur Albin Kurti u zgjodh kryeministër në qeverisjen e tij të parë, pas disa
muajsh apo një viti, ai u rrëzua nga pushteti. Shkak u bë fakti se ishte kundër
të firmoste marrëveshjen me Serbinë sipas projektit Rama-Vuçiç-Thaçi për
ndarjen e Kosovës. Ky projekt u mbështet në këtë kohë edhe nga i pushtetshmi i
administratës së Trump, Richard Grennell. Ky i fundit aktivizoi Thaçin, Ramën
dhe miqtë e tyre në LDK dhe e rrëzuan qeverinë Kurti 1. Të gjithë e dimë se ajo
qeveri u rrëzua për shkak të kundërshtisë së kryeministrit për të shkuar së
bashku me presidentin në Uashington për firmosjen e marrëveshjes në fjalë dhe
siç thoshte Thaçi “për ta hequr qafe Serbinë njëhherë e mirë nga Kosova”! Pra
nuk kishte asgjë personale as në këtë konflikt të njohur tashmë, të cilin e
vlerësuan qytetarët e Kosovës dhe votuan sërishmi pas disa muajsh me mbi 50 për
qind pro zotit Kurti e koalicionit të tij.
3.
Në qeverisjen e këtyre tri viteve sërishmi kryeministri Kurti u desh të
përballej me avokatinë e kryeministrit të Shqipërisë për Serbinë, aq sa
gazetari i FAZ, Martens, thotë se “Kryeministri Rama është kryeministri më i
mirë shqiptar për Serbinë, që nga koha e Pashiqit”(1913-1926 kryeministër)!
Asnjëherë
qeveria e Kosovës nuk pati mbështetjen e qeverisë së Tiranës në këto tri vite
sa i përket qëndrimeve të saj në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit
territorial të Kosovës! Gjithmonë kryeministri i Shqipërisë u përpoq ose të
mbajë anën e Serbisë, ose të qëndrojë neutral, në komoditetin e Joseph Borrell.
Aq sa në qershor 2023 anulloi 15 orë para se të mblidhej takimin e përbashkët
të të dy qeverive në Gjakovë. Ndërsa në fund të shtatorit 2023 zhvleftësoi
aksionin perfekt të policisë së Kosovës për asgjësimin e grupit terrorist të
Banjskës, kur tha se “Veriu i Kosovës është tokë e askujt”! Edhe në këtë rast
dallohet qartë se konflikti midis Ramës dhe Kurtit është për shkak të
qëndrimeve të kundërta parimore, pro dhe kundër integritetit territorial të
Kosovës!
4.
Ndërsa qeveria, presidentja Osmani dhe institucionet e Kosovës kërkojnë me
ngulm që Serbia të mbajë përgjegjësi dhe të kërkojë ndjesë për genocidin që
shkaktoi në fund të shekullit të kaluar kundër shqiptarëve, kryeministri Rama e
quan këtë genocid produkt “të një rrëmuje ballkanike”, ku të gjitha palët kanë
përgjegjësi! Kjo tezë është kryekëput e njjëjtë me tezën serbe se “Lufta në
Kosovë ishte një luftë civile me viktima të dyanëshme”!
Përpjekja
për t’i ikur përgjegjësisë së genocidit të tmerrshëm në Kosovë nga ana e
Serbisë ka gjet kësisoj përkrahjen e vazhdueshme të kryeministrit të Shqipërisë
“në emër të së ardhmes”! Por ne e dimë se as e sotmja as e ardhmja, madje as e
shkuara nuk kanë asnjë rëndësi për kryeministrin shqiptar. E vetmja gjë e rëndësishme
është paraja dhe pushteti! Edhe në këtë rast nuk gjendet asnjë shënjë se midis
Kurtit dhe Ramës ka e mund të ketë diçka personale.
Për
ta provuar tezën që thashë më lart, mund të përmdn pa fund fakte, prova dhe
argumente. Por këto mjaftojnë për këtë qëllim! Prandaj dhe i duhet thënë mjaft
teorisë, sipas së cilës, dy kryeministrat shqiptarë luftojnë për dominim e ego.
Së paku Albin Kurti është i pozicionuar qartë kundër bashkëpunimit Rama-Vuçiq
kundër Kosovës! Kjo mjafton!