Mendime
Idriz Zeqiraj: Trysnia me sanksione për Asociacionin, anakronike e skandaloze
E enjte, 11.07.2024, 07:13 PM
TRYSNIA ME SANKSIONE PËR ASOCIACIONIN, ANAKRONIKE E SKANDALOZE
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
James Rubin, i dërguari i posaçëm dhe
koordinatori i Qendrës për Angazhim Global të Departamentit të Shtetit
amerikan, ditë më parë tha se "është e vështirë të imagjinohet normalizimi
i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa njohje". Dhe, kur diçka
"është vështirë të imagjinohet", atëherë është e pamundur të bëhet.
Dhe, kjo është shumë domëthënëse, aq më parë kur thuhet nga një zyrtar i lartë
amerikan, siç është zotëri James Rubin. Kjo dëshmon seriozitetin dhe
përgjegjësinë e një zyrtari, njohës i mirë i raporteve Kosovë-Serbi.
Deklarimi i tanishëm i të dërguarit të posaçëm Rubin, ripërtrinë,
rikthen në vëmendje deklarimin e hershëm të Presidentit Joe Biden për dialogun
Kosovë-Serbi, për njohjen reciproke, madje jo -de fakto-, por -de jure-.
Dialogun e degjeneruan ndërmjetësuesit e BE-së, Borrell e Lajçak dhe disa
emisarë monitorues të administratës Biden. Për fatin e keq të Kosovës, njëri
pas tjetrit, rastisen me lidhje miqësore e krushqi me Serbinë.
Për çfarë dialogu bëhet fjalë, kur që nga presidenti Vuçiq,
Brnabiq, Vulin, Daçiq, Gjuriq dhe me radhë, në vijimësi, përsërisin slloganin
se "kurrë nuk do ta njohim Kosovën!" Dhe, në Kushtetutën e Serbisë,
Kosova vazhdon të figurojë pjesë e Serbisë! Paradoks i shekullit! Ndërkohë që
Kosova është çliruar nga NATO-pakti; ka shpallur pavarësinë si shtet dhe Gjykata
Ndërkombëtare e Drejtësisë ka aprovuar dhe njohur zyrtarisht Kosovën shtet të
pavarur e sovran.
BE-ja dhe dhe opozita PAN-ise, degjeneruan dialogun
Pa mëdyshje ishte një fajësi e madhe e ndërmjetësuesve Borrell e
Lajçak si dhe monitoruesëve amerikanë, kur dialogun e zhveshën nga togfjalëshi
-njohja reciproke-, duke e zëvendësuar vetëm me -njohjen de fakto -, pa atë -de
jure- dhe së, e fundi as -njohje de fakto!? Tashmë, kemi të bëjmë me fajësi të
madhe të kryeministrit Kurti, me stafin e tij dialogues. Sepse, të paktën,
duhej ta stoponte, ta ndërpriste dialogun dhe assesi të vazhdonte me retushime
në Bruksel, Ohër e Bratisllavë, të cilat po konsiderohen të dyshimta, madje me
elemente që tejkalojnë "Zajednicën" e 2013.
Vërtet, Albin Kurti me Besnik Bislimin nuk mashtruan shqiptarët si
Hashim Thaçi dhe Edita Tahiri, kur thonin se po bënin dialog, thjeshtë, teknik,
ndërkohë që bënin, kryesisht, dialog politik. Por, dialogun duhej ta bënte një
komision profesional, pavarësisht përkatësisë partiake, të kryesuar nga
Kryeministri. Shpreh bindjen se kurrë nuk do të binin në kurthin e Serbisë, për
ta zhveshur dialogun nga njohja reciproke.
Këmbëngulja jonë e kohshme, me sugjerimin aprovues të Presidentit
Biden, "dialog me njohje reciproke", do të ishte e barazpeshuar, me
obligimet që ka Kosova, në trajtimin e barabartë të komuniteteve pakicë në
Kosovë. Dy fajet tjera të radhës që bëri Kosova, lidhur me të ashtuquajturin
Asociacion, janë:
1) Kosova ka qenë dhe mbetet njëetnike. Por, ndërkombëtarët
hileqarë këmbëngulën dhe, dhunshëm, e bënë multietnike, në letra, me qëllim që
ta favorizonin, kryesisht, pakicën serbe në Kosovë. Pra, nuk duhej pranuar të
bisedohet për Asociacion -njëetnik-. Dhe, për këtë duhej referuar Kushtetutës
së vendit, e cila përjashton çfarëdo Asociacioni njëetnik.
2) Kryeministri Kurti bëri një propozim logjik: Ta bëjmë
Asociacionin siç e bëri Kroacia për serbët e saj, edhe pse në krahasim me
Kroacinë, në Kosovë serbët janë pakicë minore. Megjithatë, rasti ishte i
ngjashëm, dy shtete të ndara nga Federata jugosllave. Pse u hesht ky propozim?!
Pse duhet të veprohet ndryshe nga Kroacia?!
Pas dështimit të takimit te negociatorëve Bislimi-Petkoviq, Kurti
i devalvoi të gjitha marrëveshjet e panënshkruara, si letra boshe e pavlerë.
Dhe, mirë bëri. Dhe, këtë duhet ta mbajë, sepse rrethanat kanë ndryshuar
tërësisht:
a) Kur BE-ja deklaroi se Asociacioni duhet bërë dhe SHBA e
mbështetën me aprovim, serbët në Kosovë, Mal të Zi, Beogradi zyrtar dhe
Moska zyrtare e zuzare, festuan krijimin e -Republika Srpska- brenda Kosovës.
Gëzimin nuk e fshehen, duke thënë se po i bashkohemi "Botës
serbe".
b) Këto ditë Serbia mbajti Kuvendin e "Botë Serbe", me
të gjithë përfaqësuesit e serbëve të Ballkanit. Pra, qëllimet dhe synimet e
Serbisë, janë shpërfaqur hapur e pa ekuivoke. Ajo donë bashkimin e serbëve,
bashkë me territorin ku jetojnë. E kësaj mendje është edhe aleatja politike dhe
biologjike Rusia mëmë e tyre.
Koordinatori i posaçëm James Rubin tha se "aktualisht ka
shqetësime, për mënyrën se si qeveria e Kosovës po e luan rolin e saj në
aspektin diplomatik, duke mos përmbushur kërkesën për krijimin e
Asociacionit". Me këtë deklaratë sikur ka një farë përsëritje klishe, e
huazuar nga propaganda shurdhuese e BE-së. Sepse Kosova ka përmbushur rolin
diplomatik kur ka pranua Marrëveshjen, por Serbia ka refuzuar ta nënshkruajë
atë. Nuk ka marrëveshje pa pranimin dy palësh, përndryshe ajo konsiderohet
inekzistente. Çështja fillon nga e para ose ndërpritet fare.
Kosova ka qenë viktimë, është vrarë e kallur nga soldateska
serbo-sllave e tandemit Millosheviq-Vuçiq. Mendoni se sa vështirë është të
bisedosh me një vrasës të pa dënuar dhe pa kërkuar falje për krimet e tij.
Pjesë e kësaj pyetjeve është përgjigja: Themelimi i një Asociacioni të dytë
multietnik në Kosovë. Kosova është dëshmuar për standarde sipërore, jo vetëm në
Ballkan, por edhe në Evropë, në trajtimin korrekt dhe me parësi për komunitetet
pakica kombëtare.
Këtë e konfirmojnë përfaqësuesit e komunitetit turk, boshnjak dhe
të tjerët. Së fundi, këtë të vërtetë absolute e pranojnë edhe komuniteti serb
në Kosovë, duke e thënë, madje me zë të lartë, se: "Ndjehemi më të lirë
dhe më të sigurtë në Kosovë, se sa në Serbi". BE-ja mund ta bëjë monitorimin
e përhershëm të drejtave dhe të lirive të minoriteteve në Kosovë dhe do të
bindet se dezinformatat serbo-ruse, për jetën e serbëve në Kosovë, janë shpifje
groteske. Përjashtim bëjnë krerët e "Listës Serbe", dostat e
Radojiçit dhe vasal të Vuçiqit, të cilët paguhen dyfish nga Beogradi zyrtar.
Një zyrtare serbe, e zgjedhur e popullit, tha se "nuk ka qetësi në Kosovë,
pa ndaluar pagesat e dyfishta, të cilat i bënë Beogradi zyrtar, për banditët e
"Listës Serbe".
James Rubin: Nuk ka normalizim Kosovë-Serbi, pa njohje të
ndërsjelltë
Trysnia që i bëhet Kosovës, për Asociacionin njëetnik serb, është
sa e padrejtë, aq edhe e paligjshme dhe thellësisht provokative, mujshore e
supërkriminale. Kjo trysni është unike, madje po shoqërohet me trysni të tjera,
si kufizime të pranimit në organizmat evropiane, mos lëvrimin e fondeve të
ndara nga BE-ja e të tjera. Është një diskriminim sui generis, i cili nuk
nderon Evropën dhe botën demokratike. Sanksionet e vëna Kosovës, janë sa të
padrejta, të pamerituara, po aq edhe të turpshme, sepse ato i përkasin Serbisë,
vrastare të popullit të pafajshëm të Kosovës.
Ka zëra nga opozita PAN-iste "të bëhet Zajednica", në
këmbim të përfitimit të ndihmave nga BE-ja"! Duan ta përsërisin tradhtinë
e Demarkacionit, kur grupimi Hashimi-Isa-Ramushi bënin thirrje për dorëzimin e
Kullës dhe të Qakorrit Malit të Zi, në këmbim të vizave. Ja, nga çfarë
monstrash udhëhiqej Kosova?! Dhe, këtë e bënin për të mbetur në kolltuqet e
ndyra pushtetare, përkatësisht, president, kryeministër... Patriotizmin
shqiptar e vunë në bisht të lahutës!
Territori i Kosovës ka filluar tkurrjen, nga fqinjët lakmiçarë e
zullunçarë, qysh nga "Lidhja e Prizrenit" e deri me pazarët e Kullës
dhe të Qakorrit, në dekadën e shkuar. Toka është e brezave të përjetshëm
shqiptarë, andaj as milionat dhe as miliardat nuk guxojnë ta tjetërsojnë.
Porosia-amanet e Presidentit Rugova kurrë nuk duhet harruar: "Të
shantazhuarit me dosje krimesh, janë të dëmshëm për Kosovën, andaj nuk duhet
lejuar të ngritën në poste pushtetare!"
Njëra nga akuzat më të shpeshta dhe më të rënda, të bëra Kosovës,
nga grupi koral: Serbia, ndërkombëtarët, opozita PAN-iste, ka qenë se
"qeveria e Kosovës nuk po koordinohet me faktorin ndërkombëtar!" Dhe,
kjo akuzë vazhdon ta mbajë peng Kosovën. E vërteta është se për të gjitha
nismat, për të vënë rend e ligj në veriun e Mitrovicës, qeveria ka qenë krejt
transparente, dje dhe sot. Dhe, BE-ja, e sidomos ambasadori i nderuar Hovenier,
i kanë konsideruar të drejta dhe ligjore, fillimisht. Por, kur ka reaguar
Serbia dhe aleatja e saj Opozita, BE-ja u është bashkuar atyre, duke i quajtur
"masa provokative kundër serbëve!"
Dhe, kjo ka qenë stimulim dhe thirrje për "Listën
Serbe", për të vënë barrikadat dhe për të bërë protestat e dhunshme në
veriun e Mitrovicës, me dajakosjen, deri në sakatosje të tej 90 ushtarëve të
KFOR-it; të gazetarëve dhe të qytetarëve tjerë. Gjithçka dirigjohej nga
Beogradi. Dikush duhet të japë përgjegjësi, sepse ngjarjet nuk kanë ndodhur në
prehistori, por brenda këtij çerek-shekulli, madje në epokën e dixhitalizimit!
Në pëmbyllje, sërishmi i referohem analizës së koordinatorit të
posaçëm, James Rubin, qartësisë se tij, në trajtimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ai flet me kompetencë dhe paanësi, për një zgjidhje të plotë dhe jo zgjidhje të
arnuar dhe gjysmake, e cila mbjell zi e gjëmë për brezat shqiptarë e
serbë. "Unë jam zyrtar amerikan, përfaqësoj administratën e Presidentit
Joe Biden. Qendrimi ynë është të propozojmë që normalizimi të përfshijë njohjen
e ndërsjelltë të dy vendeve". Dhe, shton se "brenda popullit të
Kosovës nuk ka garë. Populli i Kosovës është proamerikan". Larg
autoritarizmit dhe autokracisë ruso-kineze. "Kosova po shënon përmirësim
dhe mundësinë reale, për t`u bashkuar me BE-në",- konstaton, saktësisht,
koordinatori i posaçëm, James Rubin. Ky mesazh amerikan, është një risi
domëthënëse për Kosovën, të dhënë këto ditë.
Gjithësesi, kjo dëshmi, është bazë reale edhe për çmontimin dhe
devalvimin e sanksionimit politik e vulgar, të bërë Kosovës. Urojmë që ky zë të
shkojë në veshë të Perëndisë!